Paradoksi i NATO-s: Të bashkuar kundër Rusisë,
të ndarë nga presidenti amerikan Donald Trumpi
Aleanca e NATO-s ka nisur të mërkurën samitin dy-ditor në kërkim të fuqizimit të ushtrisë më shumë se kurrë më parë prej Luftës së Ftohtë teksa planifikon të zgjerohet për të frenuar fuqinë ruse.
Ndonëse NATO-ja ka arsye për t’u ndjerë triumfaliste teksa nis samitin në selinë e re në Bruksel në vlerë të miliarda dollarëve, disa liderë të samitit, duken të shqetësuar para se të përballen me liderin de fakto të aleancës, presidentin amerikan, Donald Trump, i cili pritet të jetë i ashpër sa i përket shpenzimeve për mbrojtje.
Akuzat se Rusia është duke tentuar të destabilizojë Perëndimin me sulme kibernetike kanë hapur rrugën për zgjerim më të madh të aleancës veri-atlantike transmeton Reuters.
Takimi bashkon më shumë se 40 krerë të qeverive, duke përfshirë 29 aleatë dhe partnerë që nuk janë anëtarë të NATO-s, nga Finlanda deri në Afganistan.
NATO-ja pritet të zgjerohet sërish, pas pritet dërgimi i ftesës për Maqedoninë drejt nisjes së bisedimeve për anëtarësim, duke sfiduar paralajmërimet ruse kundër zgjerimit të bllokut të udhëhequr nga SHBA-ja më thellë në Ballkan.
Mirëpo komentet e Trumpit për disa udhëheqës të qeverive aleate rreth shpenzimeve të tyre në aleancë, në këmbim të strehimit nën strehën e SHBA-së, ka vendosur në pozitë të palakmueshme liderët.
“NATO-ja nuk na ka trajtuar drejtë. Ne paguajmë shumë dhe ata paguajnë shumë pak”, ka thënë Trump derisa është larguar nga Shtëpia e Bardhë të martën në udhëtimin e tij drejt Evropës, që përfshin edhe vizitat në Britani dhe Finlandë.
Në Helsinki, lideri amerikan do të takohet me homologun e tij rus, Vladimir Putin.
Pavarësisht se sesionet janë menduar mirë ashtu sikur edhe darkat e liderëve në muzeun në Bruksel, të njëjtat kanë pak mundësi për të zbutur qëndrimet e Trumpit, kanë thënë diplomatët e NATO-s, të cilët kanë treguar shqetësimet e tyre një vit më parë kur i kanë bërë ftesë liderin të SHBA-së për të marrë pjesë në darkën speciale.
Në atë kohë Trump u pati bërë thirrje aleatëve të NATO-s të bëjnë më shumë për të ndalur terrorizmin.
Mision i ri
Askush nuk e si sigurt se çfarë do të flasë Trump në NATO, mirëpo diplomatët janë të shqetësuar se liderët evropianë mund të reagojnë dhe situata mund të përkeqësohet.
Për dallim nga komentet e tij të fundit, ku ka goditur aleatët, Trump ka folur me tone tjera para se të nisej në udhëtim.
“Do të punojmë që të gjitha shtetet të jenë të lumtura”, është shprehur ai.
Trump mund të synojë të marrë merita për rritje të shpenzimeve evropiane, të cilat tani konsiderohen arritje qeveritare.
NATO-ja është pajtuar më 2014 se secili anëtar duhet të rrisë shpenzimet ushtarake për 2 përqind, varësisht nga bruto prodhimi i brendshëm deri më 2024.
“Aleatët mund të pranojnë kritika të vogla nëse SHBA-ja vazhdon të jetë garantues, mirëpo nëse Trump kërcënon me largim nga NATO, atëherë do të ishte shumë e vështirë”, ka thënë diplomati i NATO-s që ka qenë i përfshirë në organizim të samitit.
E themeluar më 1949 për të luftuar kërcënimin sovjetik, NATO-ja është e bazuar në bashkëpunim të thellë me SHBA-në, e cila krijon siguri për Evropën përmes arsenalit të saj bërthamor.
Mirëpo aleanca ka krijuar mision të ri prej vendimit të Rusisë për të aneksuar Krimenë më 2014, duke dërguar batalione në Baltik dhe Poloni për të luftuar ndonjë sulm të papritur rus.
“Imazhi i Rusisë nuk varet vetëm në organizimin e Kampionatit të Futbollit për Kupën e Botës”, ka thënë presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk.
“Askush nuk duhet të harrojë thelbin e politikës dhe marrëdhëniet ndërkombëtare me Rusinë”, ka thënë Tusk, i cili ka qenë kryeministër polak.
Ndonjë biznes tjetër?
Presidenti amerikan, njëherësh komandanti i përgjithshëm i fuqisë më të madhe ushtarake në botë, ka dhënë shenja se ka edhe çështje tjera që mund të diskutojë, duke përfshirë biznesin jashtë NATO-s, siç janë marrëdhëniet tregtare me Evropën.
Deri tani ai ka vendosur tarifa në eksportet evropiane të çelikut dhe aluminit dhe është duke kërcënuar se do ta bëjë të njëjtën gjë edhe në vetura.
“Ne humbim 151 miliardë dollarë në tregti me Bashkimin Evropian. Ata na kanë vënë tarifa të mëdha” ka thënë Trump në Twitter, duke përmendur deficitin tregtar të SHBA-së me BE-në, pavarësisht se blloku dhe qeveria amerikane kanë thënë se shifra është më e vogël, duke përfshirë shërbimet tjera siç janë financat, ku Shtetet e Bashkuara kanë tepricë.
Duke kujtuar takimin e shtatë shteteve më të industrializuara në qershor, ku Trump pati refuzuar deklaratën finale të samitit, të dërguarit e NATO-s, nuk i kanë lënë asgjë rastit, duke negociuar deklaratën e samitit të Brukselit me përpikëri disa ditë përpara dhe duke treguar vendosmëri në politikat mbi Rusinë dhe Irakun.
Pozicioni i Trumpit vazhdon të jetë i paqartë. “Ai mund të shfuqizojë gjithçka me një postim në Twitter”, ka thënë një diplomat i NATO-s.
Presidenti amerikan Donald Trump tha se “Gjermania i bën pagesa në nivel të lartë Rusisë për energjinë dhe për këtë arsye ajo është një rob i Rusisë”.
Trump në kuadër të Samitit të NATO-së në një mëngjes pune me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-së, Jens Stoltenberg, ka bërë disa kritika për mos rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes nga Gjermania dhe bashkëpunimin e saj me Rusinë për energjinë.
“Flitet se Evropën duhet ta ruajmë nga Rusia. Atëherë përse vendet e NATO-së i paguajë Rusisë miliarda dollarë për energjinë?”, deklaroi Trump, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.
Ai tha se është “shumë e papërshtatshme” që Gjermania të zhvillojë marrëveshje për naftën dhe gazin me Rusinë.
“Gjermania i bën pagesa në nivel të lartë Rusisë për energjinë. Për këtë arsye Gjermania është një rob i Rusisë”, tha ai.
Trump ka rikujtuar se Gjermania ka siguruar edhe një marrëveshje për linjën e një tubacioni gazi me Rusinë dhe thotë se në këtë mënyrë Rusia falë gazit natyror do të kontrollojë 70 për qind të Gjermanisë.
“Vendet aleate të NATO-së jo brenda 10 vitesh por ‘menjëherë’ duhet të rritin shpenzimet e mbrojtjes. Kjo është e papranueshme. Ne e mbrojmë Gjermaninë, Francën i mbrojmë të gjithë. Paguajmë shumë para. Dhe kjo ka vazhduar për shumë vite. Edhe presidentët e tjerë të SHBA-ve e kanë shtruar këtë çështje në rend dite por asnjëri prej tyre nuk ka bërë ndonjë gjë. Ose nuk e kanë kuptuar ose nuk kanë dashur të ndërhyjnë. Por, për vendin tonë kjo është një padrejtësi e madhe”, theksoi ai.
Trump më tej shtoi se kryesisht shpenzimet e Gjermanisë janë në nivel shumë të ulët.
“Gjermania është një vend shumë i pasur. Ajo mund të rrisë shpenzimet në moment, menjëherë nesër dhe nuk shkakton asnjë problem”, potencoi Trump.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se Gjermania bën “politikë të pavarur” dhe merr “vendime të pavarura”.
Merkel i bëri këto komente pak orë pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikws, Donald Trump, tha se Berlini “kontrollohet tërësisht nga Rusia”.
“Unë vetë e kam përjetuar kohën kur një pjesë e Gjermanisë ka qenë e pushtuar nga Bashkimi Sovjetik”, tha Merkel, e cila është rritur në Gjermaninë Lindore komuniste.
Presidenti amerikan Donald Trump e garantoi sot presidentin francez, Emanuel Macron, se nuk ka një thyerje mes SHBA-së dhe Evropës
“Gjatë takimit të tij prej rreth 40 minutash me homologun francez në selinë e NATO-s, presidenti amerikan ritheksoi lidhjen e tij personale me Evropën dhe dha kryesisht mesazhe pozitive dhe konstruktive për Evropën”, theksoi presidenca franceze pas këtij takimi.
“Për presidentin amerikan, nuk ka një thyerje të marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Evropës”, shtoi Elizeja. Në fillim të samitit Trump kritikoi anëtarët e Aleancës së Atlantikut në veçanti Gjermaninë, se nuk paguajnë atë që duhet për shpenzimet e tyre ushtarake.
NATO vazhdon samitin, në fokus Afganistani
Udhëheqësit e NATO-s pritet të kthejnë vëmendjen sot kah konflikti në Afganistan.
Ata mblidhen në ditën e dytë të samitit në Bruksel, i cili deri më tash u dominua nga kërkesat e presidentit amerikan, Donald Trump.
Të mërkurën, Trump kërkoi nga aleatët e NATO-s të ndajnë 4% të bruto prodhimit të brendshëm vjetor për shpenzimet në mbrojtje.
Kjo do të thotë dyfishi i cakut aktual.
Trump po ashtu kritikoi fuqishëm Gjermaninë për shpenzimet, siç tha ai, të pamjaftueshme në mbrojtje dhe “varësinë e saj energjetike nga Rusia”.
Udhëheqësit e NATO-s shpresojnë për një ton më të butë sot, por, në disa postime në Twitter, Trump i përsëriti kritikat e tij.
“Mijëra dollarë shtesë po shpenzohen nga vendet e NATO-s që nga vizita ime vitin e kaluar, por kjo nuk është as përafërsisht e mjaftueshme”, tha Trump.
Për presidentin rus Vladimir Putinin, takimi me presidentin amerikan Donald Trumpin është fitore
Për presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, samiti me homologun rus, Vladimir Putin, rrezikon reagime të ashpra politike, por, për Putinin, fakti se samiti po ndodh është tashmë një fitore e madhe gjeopolitike.
Pavarësisht marrëdhënieve të tensionuara të Rusisë me SHBA-në dhe aleatët e saj, Kremlini, për kohë të gjatë, ka bërë përpjekje të aranzhojë takimin, duke vënë bast se Putin dhe Trump do të shkojnë shumë mirë së bashku.
Edhe pse askush nuk pret përparim të madh, samiti në Moskë shihet si njohje e statusit të Rusisë si fuqi e madhe dhe vetëdijesim i SHBA-së se interesat rusë duhet të merren parasysh.
“Fakti se takimi Putin-Trump do të ndodhë, tregon vetëm një gjë: pavarësisht gjithë histerisë, Shtetet e Bashkuara nuk mund të izolojnë ose injorojnë Rusinë”, tha Alexei Pushkov, deputet rus nga partia në pushtet “Rusia e Bashkuar”, transmeton Reuters.
“I është dashur kohë e gjatë Uashingtonit ta kuptojë këtë, por më në fund e kuptoi”, tha ai.
Zemërimi i Perëndimit për aneksimin e gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia, si dhe për ndërhyrjen e Moskës në luftërat në lindje të Ukrainës dhe në Siri, nuk është zbehur.
Akuzat e tjera, që hidhen poshtë nga Moska, përfshijnë ndërhyrjen e saj në zgjedhjet në SHBA dhe në politikat në Evropë, furnizimin me armë për rrëzimin e një aeroplani të pasagjerëve në vitin 2014 në Ukrainë, si dhe përpjekjet e saj për të vrarë një ish-spiun rus në Britani me agjent nervor.
Kritikët e Kremlinit, si në Rusi, ashtu edhe jashtë saj, e shohin vendimin e Trumpit për t’u takuar me Putinin si dhënie e legjitimitetit ndërkombëtar Putinit, një gjë që, sipas tyre, ai nuk e meriton, pasi politika ruse në arenën ndërkombëtare nuk ka ndryshuar.
Por, në Rusi, ku sistemi politik është i fiksuar me hierarkinë dhe shfaqjen e forcës, Putini “tashmë ka fituar”, tha Andrey Kortunov, analist me seli në Moskë, raporton Reuters.
“Samiti i mundëson Putinit të thotë se Rusia nuk është e izoluar, se Rusia është fuqi e madhe dhe se, në njëfarë mase, mund të ketë status të barabartë me Shtetet e Bashkuara, së paku në fushën e sigurisë”, tha Kortunov.
Pritjet janë të mëdha në Rusi se Putin, me më shumë se 18 vjet përvojë globale, do të jetë në avantazh përballë Trumpit, i cili nuk ka pasur përvojë politike përpara se të zgjidhej president, në vitin 2016. Trump dhe Putin janë takuar më herët në ngjarje të tjera dhe kanë folur në telefon së paku tetë herë.
Vitaly Tretyakov, një autor politik rus, e përshkroi Trumpin si “fillestar në politikën botërore”, të cilit Putini mund t’ia shpjegojë të menduarit rus dhe faktin përse Rusia “ka pasur të drejtë” ta aneksojë Krimenë.
Sergei Mironov, një tjetër ligjvënës nga partia “Rusia e Bashkuar”, tha se Putin padyshim se do të jetë më lart se Trump.
“Vladimir Putin do t’i japë mësime të vërteta politikanit të papërvojë, Donald Trump”, tha Mironov.
Samiti Trump-Putin do të mbahet në Helsinki më 16 korrik.
Trump ka thënë se nuk mund të vlerësojë nëse homologu i tij rus është mik apo armik, porse takimi me të do të jetë pjesa më e lehtë e udhëtimit në Evropë, që përfshin pjesëmarrjen e tij në samitin e NATO-s dhe vizitën në Britani.
Presidenti i SHBA Donald Trump mbajti bisedime me kancelaren gjermane Angela Merkelin ulin tonet pas takimit në samitin e NATO-s
Presidenti i SHBA Donald Trump mbajti bisedime me kancelaren gjermane Angela Merkel në margjinat e një samiti të NATO-s në Bruksel të mërkurën, orë pas kritikave të ashpra të politikës gjermane mbi shpenzimet e mbrojtjes dhe importet e gazit nga Rusia.
Toni i deklaratave të tyre, kur iu drejtuan së bashku gazetarëve, ishte disi më i qetë, pasi Trump tha se mbështetja e Gjermanisë mbi energjinë ruse e lë atë “nën kontrollin” e Moskës dhe Merkel më vonë iu referua rinisë së saj në Gjermaninë Lindore të drejtuar nga Bashkimi Sovjetik, për të insistuar se tani Berlini është plotësisht sovran.
“Ne kemi një marrëdhënie shumë të mirë me kancelaren. Ne kemi një marrëdhënie të jashtëzakonshme me Gjermaninë”, tha Trump, duke treguar se kishte ngritur shqetësimet e tij rreth një tubacioni të ri të gazit të planifikuar nga Rusia në Gjermani.
Merkel tha se kishte diskutuar migrimin dhe tregtinë me Trump dhe po shihnin përpara për shkëmbime të mëtejshme, pasi Shtetet e Bashkuara mbetën një partner i Gjermanisë.
No comments:
Post a Comment