Në historiografinë bashkëkohore gjithnjë e më tepër po vërehet trendi i studimit të informacioneve të ofruara nga mediat e shtypit për ta ri-konstruktuar të kaluarën apo për t’iu qasur një problemi të caktuar historik.

Prandaj, duke ndjekur një trend të tillë, studiuesi i historisë, prof.i asoc. dr. Memli Krasniqi na sjell studimin e titulluar “Shqiptarët në shtypin britanik (1774-1856)”. Në këtë studim, të shkruar në 407 faqe, autori bazohet plotësisht në të dhënat e gazetave britanike, pra angleze, skoceze, irlandeze dhe uellsiane, të vjela nga arkivat e Bibliotekës britanike, kur dihet se Britania njihet si njëra ndër vendet e para në botë ku lindi gazetaria moderne, sidomos kur kihet parasysh se ajo respektonte lirinë e shtypit dhe ishte jashtë ndërhyrjeve të politikës ditore, së paku në aspektin e shkrimeve me karakter ndërkombëtar. Për t’i dhënë studimit një karakter sa më shkencor dhe për të ofruar argumente sa më të pasura historike autori përdor edhe burime primare nga Arkivi Kombëtar Britanik, Arkivi Osman, Arkivi Kombëtar i ShBA-së, Koleksione nga Biblioteka Kombëtare Amerikane, Arkivi i Institutit të Historisë në Tiranë, etj. Po ashtu autori përdori një varg burimesh dokumentare të botuara, me theks të veçantë dokumente nga provenienca bullgare, serbe, maqedonase, turke, etj. Sigurisht që nuk mungoi analizimi i një literature të gjerë të gërshetuar me studimin e të dhënave nga interneti.
No comments:
Post a Comment