Bën dimër dhe në sheshin kryesor të qytetit të Librazhdit, njerëzit lëvizin vetëm në një kahe: drejt punëve të ditës. Në hyrje të qytetit, në një lulishte të vogël, dy ikona simbol, dy martirë të demokracisë, viktima të diktaturës së egër komuniste.
Dy njerëz të gdhendur dhe përjetësuar në skulpturë nga skulptori i talentuar shkodran Sadik Spahia: poetët Vilson Blloshmi dhe Genc Leka. Një burrë afër të 50-tave afrohet pranë dy poetëve. E quajnë Medi Leka dhe, pasi vendos një tufë me trëndafila të kuq ndanë dy vëllezërve të tij, siç i quan ai Vilsonin dhe Gencin, afrohet pranë meje me dy pikëza loti nën qepallat e ngrira për shkak të të ftohtit dhe na fton për një çaj.
Nuk kemi kohë. Pasi shtërngojmë duart e njeri tjetrit, në emër të TV A1 Report dhe Shqiptarja.com unë i propozoj të shkojmë në fshatin e lindjes së dy poetëve martirë. Në Bërzeshtë, rreth 20 km larg qytetit të Librazhdit. Ai pranon, hipën në makinë bashkë me ne dhe rrugëtimi bëhet ngjyrë okër, për shkak të gjetheve ndanë rrugës.
Pak histori
Fshati Bërzeshtë është i njohur si fshati i heronjve tashmë. Si fshati i poetëve Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, të cilët, në vitin 1967, diktatura e egër komuniste i vuri në plumb. Vetëm e vetëm pse ata e donin lirinë. I kënduan fshatit të tyre të lindjes, Shqipërisë, diellit, miqve, fëmijëve dhe nënave të tyre të dashura. Vetëm pse ata guxuan ta krahasojnë Shqipërinë me Saharanë. Kjo ishte akuza. Ishte një ditë e bukur maji. Ata ishin lart, tek shkëmbi mbi fshat, kur erdhën dhe i morën. Ata ishin në ëndrrat e tyre.
Poezia e Vilsonit dhe e Gencit ishte një det i madh, një lëndinë me trëndafila të kuq, një fushë e artë me grurë dhe një uragan lirie. Ata, ishin ndër djemtë më të mirëe të fshatit. Dy poetët martirë, Vilsoni dhe Genci, i ngjajnë dy yjeve, zbritur nga universi i lirisë dhe i paqes, që aq shumë ëndërruan…Ne ecim së bashku me Mediun rrugëve të fshatit. Pak para shtëpisë së lindjes së Vilsonit, në një shesh të vogël ku shushurijnë disa burime dhe bën hije një rrap rreth 500 vjeçar, ne ndalemi dhe Mediu na njeh me një banor tjetër të fshatit, me Astrit Blloshmin, nipin e poetit Genc Leka.
Pastaj ne nisemi mes për mes një monopati me baltë, drejt shtëpisë së Vilsonit. O Zot, çfarë trishtimi. Shtëpia dykatëshe është braktisur prej vitesh. Muret kanë nisur të zhvishen nga suvaja dhe dritaret me xhama të thyer, diçka fshehin me dhimbje përtej dhomave të zbrazura.
“Unë dhe Astrit vinim shpesh tek shtëpia e Vilsonit, thotë Mediu. Ai kishte një bibliotekë shumë të pasur me libra dhe, veç kësaj, unë i kërkoja ndihmë Vilsonit për të zgjidhur problemat e matematikës. Vilsoni nuk ishte vetëm poet. Ai ishte një njohës i mirë i disa gjuhëve dhe kurdoherë i papërtuar me ne më të vegjlit. Aso kohe unë isha në klasën e 5-të.” “Ndërsa unë, shpesh zhytesha në poezitë e tij dhe vetëm kur ishte bërë shumë vonë, kujtohesha të ngrihesha nga tavolina e Vilit dhe natën, nëpër errësirë, shkoja në shtëpi.
Kujtoj këtu si ai lexonte dhe përkthente poetin francez Charle Bodler me “Lulet e së keqes”. M’i lexonte plot pasion poezitë dhe tundte kokën, duke më thënë: është i ndaluar dhe, po morën vesh se ne lexojmë Bodlerin, do të na ndëshkojnë rëndë…Dhe ashtu ndodhi vërtet. Pak vite më vonë, atë e arrestuan bashkë me nipin tim, Gencin. Poezia e tyre i verbonte, i çmendte. Ata ishin disidentë dhe hapur shpreheshin, se ëndërronin një jetë në liri, në paqe, në bashkëjetesë me të gjithë popujt e botës. I vunë në pranga dhe i burgosën. Pastaj, i pushkatuan. Krismat e armëve të diktaturës, edhe tani më buçasin dhe më çpojnë në zemër…” Disa shtëpi më poshtë se ajo e Vilsonit, ndodhet shtëpia e motrës së poetit Genc Leka, Manushaqes.
E cila është gjithashtu edhe nëna e udhërrëfyesit tonë, mësues Astritit. Zemra e kësaj nëne dhe e motrës së poetit, Gencit, ka vuajtur shumë në jetë. Në fillim, ishte babai ai që u arratis nga Shqipëria, për një jetë më të mirë. Më pas, asaj i arrestuan burrin, Demirin dhe i pushkatuan vëllain, Gencin, si armik të diktaturës komuniste. “Çfarë të kujtoj?” - psherëtin Manushaqja. “Ishim të vegjël, babai ishte arratisur dhe nënën na e morën. Ne, tre fëmijët, ngelëm vetëm. Urritëm në shtëpitë e fqinjëve dhe farefisit. Genci mësonte shumë, ishte nxënës i 10-tave.
Kur mbaroi shkollën e dërguan arsimtar në një fshat të largët, afër Steblevës. Unë shkoja e takoja me mall. Derisa një ditë e pushuan nga puna dhe ne të dy filluam të punojmë në kooperativë. Por ai, nuk hoqi dorë kurrë nga librat dhe nga poezia. Miqësia me Vilsonin e burrëroi më shumë dhe e bëri ëndërrimtar. Dita kur erdhën e morën, më ka shkaktuar një plagë të madhe në zemër. Nuk e pashë më, asnjëherë. As të pushkatuar. Diktatura na ndau për së gjalli e për së vdekuri…Ah, po. Po këndonin të dy me kitarë tek shkëmbi, kur i morën…” - kujton Manushaqja. Kujtime të trishta, dhimbje në trajtë loti…
Bërzeshta
Ndërkaq, jeta në fshat vazhdon. Dhe unë, së bashku me Mediun dhe Astritin vizitojmë një prej banorëve të fshatit dhe familjen e tij: Kadri Lekën. Kadriu me profesion është veteriner dhe ka një ekonomi të mirë në familjen e tij. Ai thotë se jetojnë mirë në fshat dhe se, ka ardhur koha që pushteti lokal të ndihmojë më shumë në punët e bujqve dhe blegtorëve të fshatit. Kadriu është njeri shumë punëtor, ka ngritur një shtëpi të re, mban me duart e tij kopshtin e shtëpisë, disa lopë dhe shpendë dhe nuk ankohet. Por, shton ai, fshatit i mungon një muze për dy poetët martirë. Fshati Bërzeshtë është shumë i bukur, shton ai. Me drurë frutorë, me pjergulla rrushi, me rrapin e madh dhe me histori të madhe. Në Bërzeshtë, thotë Kadriu, shkolla e parë shqipe është hapur në vitin 1913, fill pas Normales së Elbasanit dhe po nga ky fshat kanë dalë deputetë të qeverisë së Ismail Qemalit dhe qeverive të tjera të para Luftës së 2-të Botërore. Pikërisht për këto tradita, që ne duam t’ua tregojmë edhe gjithë shqiptarëve dhe gjithë botës, ne mendojmë se Ministria e Kulturës dhe ajo e Turizmit, duhet të ndërtojnë një muze në fshat…”
Kur mbi fshat fillon të bjerë mbrëmja, ne rikthehemi sërish në qytetin e Librazhdit. Malli për Vilsonin e sjell Mediun në një tryezë të thjeshtë, për të shfletuar dhe kujtuar fotot dhe poezitë e mikut të tij të paharruar. Pimë një kafe së bashku dhe ai, si udhërrëfyesi ynë, propozon të shkojmë Pallatin e Kulturës së qytetit. Një tjetër mik, artist edhe ky, kompozitori i talentuar Naim Gjoshi, na prêt në studion e tij modeste. Disa vite më parë, ai u ka kushtuar dy poetëve martirë një këngë zemre. Naimi është në pjano dhe tingujt e saj përmbytin studion.
Pasi përqafohet me Mediun dhe ky i fundit i flet edhe për ne dhe udhëtimin tonë në Berzeshtën e vendlindjes së dy poetëve martirë, ai hesht për disa çaste. Pastaj, psherëtinë thellë dhe, nis të luajë në piano këngën dhe bashkë me gishtrinjtë e duarve që i dridhen nga emocionet, edhe këndon vetë…”Buçet, buçet Shkumbin’ i shkretë/dhe vetëtin edhe gjëmon/thellë honeve thërret/Genc ku je, ku je Vilson?...” Tingujt e këngës dhe zëri i Naimit arratisen jashtë dritareve nëpër mbrëmjen e ftohtë të dimrit.
Jasht janë ndezur dritat dhe qyteti ka nisur të marrë frymë thellë me zjarret e ndezur dhe përmes oxhaqeve, që tymojnë. Ishim me dy poetët martirë sot. Më Vilsonin dhe me Gencin. Dy portretet e tyre ngrihen lart në qiell, si dy tollumbace dhe ndrijnë, si dy yje të kuq. Ëndrrat e tyre për liri, demokraci, paqe dhe dashuri të pastra njerëzore, nuk mund të shuhen, kurrë…
Charle Bodler
Kujtoj këtu si ai lexonte dhe përkthente poetin francez Charle Bodler me “Lulet e së keqes”. M’i lexonte plot pasion poezitë dhe tundte kokën, duke më thënë: është i ndaluar dhe, po morën vesh se ne lexojmë Bodlerin, do të na ndëshkojnë rëndë…
Fshat me tradita
Në Bërzeshtë, thotë Kadriu, shkolla e parë shqipe është hapur në vitin 1913, fill pas Normales së Elbasanit dhe po nga ky fshat kanë dalë deputetë të qeverisë së Ismail Qemalit dhe qeverive të tjera të para Luftës së 2-të Botërore.
Vilson Blloshmi dhe Genc Leka: Shënime nga dosja hetimore
Homazh dy poetëve simbol të disidencës; më 17 korrik, është datë përkujtimore nga dita e pushkatimit të Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës. Vrasja e tyre ka hyrë në histori si akti më barbar i diktaturës. Për këta dy poetë ekziston dosja më e plotë e nxjerrë nga SHIK-a dhe arkiva, por deri tani asnjë nuk është vënë në bankën e të akuzuarve për këtë krim si dhe ftohtësia e studiuesve është mjaftuar me të vetmin botim të plotë në fushë të letrave që lidhet me zbulimin dhe publikimin e veprës letrare të Vilsonit në tri blloqe, si dhe botimi i punës kërkimore në fushë të gjuhësisë i Genc Lekës, të përvetësuar nga gjuhëtarët e Institutit të Gjuhës
Vilson Blloshmi nuk ka lënë ndonjë shënim për idetë e tij për jetën dhe artin. Më poshtë janë mendimet e tij të nxjerra nga dosja hetimore. Gjithsesi, këto mendime të dhëna në hetuesi kërkohet që të merren me rezervë nga monografi Bejko, por edhe kështu ato cilësohen vlerë për t’u bërë të njohura. Këto janë fragmente të nxjerra nga deponimet e ditëve të para në hetuesi. Shkëputur nga procesverbali i hetuesisë, Tiranë, 8.8.1976, f. 213.
“Në vitin 1966 mbrojta shkollën e mesme pedagogjike. Ishim 208 maturantë. Nga të 208-ët vetëm unë u ndava: nuk m’u dha e drejta për të ushtruar profesionin si arsimtar. Me sa duket, kjo lidhej me të kaluarën jo të mirë të familjes sime. Në vitin 1972 kam shkruar një poezi. E kam bërë në ditët kur po hapej viti i ri shkollor; isha i dëshpëruar, mbasi me kohë kisha kërkuar që të ushtroja profesionin si arsimtar dhe kjo e drejtë nuk më jepej. Në rrethana kam shkruar poezinë:
Nëse nuk munda brengës t’i bëj ballë
Zjarr përsëri unë kam në shpirt të djegur
Nëse më i vdekur jam nga çdo i gjallë,
Mirë pra, m’i gjallë jam se çdo i vdekur
Jam thyer para dëshirë sime, para dëshpërimit tim. Kohët shkonin dhe unë vazhdoja të punoja në prodhim. U bëra pesimist. Nuk jam llogaritur mes njerëzve dhe shokëve me të cilët bashkë mbaruam shkollën, por u llogarita midis klasave të vdekura, mes njerëzve të vdekur. Në poezinë më sipër unë kam dashur të them se jam më i gjallë se të vdekurit.
Shënimet në ditarin tim japin mbresa nga jeta e përditshme, shprehje të nxjerra nga studimi i autorëve të ndryshëm të letërsisë së huaj, ngjarje dhe ndodhi të jetës sime, të jetës shoqërore.
Me shprehjen se njerëzit mbajnë ndonjëherë emra falsë, dua të them se njerëzit ndryshe hiqen e ndryshe janë. E kam shkruar këtë si vlerë njohëse për njeriun, ose dhe për ndonjë njeri konkret, si…
Me shprehjen në ditarin tim se 26-vjetorin nuk do ta festoj, kam shprehur shqetësimin se vitet kalojnë dhe mua nuk më kanë sjellë ndonjë ndryshim, përkundrazi, më gjejnë ndryshe nga shokët e mi të shkollës, të cilët kanë disa vjet që e ushtrojnë profesionin e mësuesit. Jeta ime është monotone, e mërzitshme dhe pa asnjë gëzim. Shokët e mi kanë ecur përpara, kurse unë kam mbetur në vend. Ata janë arsimtarë, unë punoj në minierë. Ky trajtim nuk më pëlqen dhe më duket i padrejtë. Kur e shkrova këtë, isha në tunel dhe me dhimbje në stomak. Perspektiva ime është e një njeriu të pafat në jetë. Mirë prindërit e mi gabuan, po unë ç’kam bërë? I ri jam, forcat nuk më mungojnë, por nuk kam qetësi, ndërgjegjja nuk më lë të qetë. Kulmi i dëshpërimit arrin atje ku unë them më mirë të mos kisha lindur sesa linda në një jetë që më vret e më brengos. Humnera të gëlltit, them për ditëlindjen time. Se unë dua ta harroj ditën time të lindjes, se koha që jetoj është pa asnjë gëzim, pa asnjë brohori, thjesht punë dhe halle, këtu është reduktuar gjithë perspektiva ime.
E di se këto janë koncepte dhe pikëpamje fataliste mbi jetën. Mbase një gabim. Po ky gabim lidhet me mungesën e besimit në një të ardhme. Karakteristika ime ka qenë vetmia, por kjo nuk do të thotë se kam qenë larg njerëzve. Kam qenë në frikë e në panik, edhe nga provokimet, por këtë nuk e absolutizoj, sepse kam biseduar me njerëzit.
Forca e arsyes nuk më mungon t’i kuptoj fenomenet. Mundësitë në thellimin e gjërave i kam. Kam lexuar shumë libra, midis të cilave, librat e Bodlerit dhe të të tjerëve dhe këta kanë ndikuar tek mua.
Në ditar kam shkruar se ka njerëz që janë si hija ime, ata nuk më ndjekin veç në ditët me diell. Me këtë kam dashur të them se ky është një përgjithësim mbi njerëzit. Kam lexuar një proverb latin ku thuhet se, po të jesh i lumtur, rrethohesh nga shumë miq, në fatkeqësi nuk të ndjekë njeri pas. Unë kam një natyrë të keqe, kjo është natyra e trishtimit, unë mërzitem shpesh. Në jetën e përditshme e kam për natyrë që të mos i bëj keq askujt. Kjo është dobësia ime shpirtërore: kam zemër të ulët dhe bëhem shpesh pesimist në jetë. E quaj meritë që të bindem për gabimet e mia, të bëhem i ndërgjegjshëm.
Unë shpeshherë kam dashur të shkruaj, bile kam përgatitur një poezi për minatorin, por këtë nuk e dërgova për botim.
Në datën 2 dhjetor 1973, unë kam shkruar një poezi që ia kushtoj vetes sime. Aty kam shprehur mërzitjen time, dhe e quaja veten jetim, megjithëse nënën dhe babanë i kam, por kam dashur të shpreh vetminë time, izolimin tim, atë që nuk po e gëzoja jetën, qenien gjithmonë në brengë. Gjithmonë mendoja, vrisja mendjen: ç’do bëhej më vonë, madje, duke qenë i brengosur, rrija zgjuar, i mërzitur, i dëshpëruar, sa arrija ta bashkoj mbrëmjen me mëngjesin…
(fragment nga procesverbalet e hetuesisë)
Tri blloqe, vepra letrare
Në vitin 2007, kur u është bërë një letër-kërkesë tjetër zyrtarëve të arkivave për herë të parë, familja arrin të sigurojë tri blloqe me dorëshkrime të Vilsonit
Blloku i parë
Blloku i parë në 82 faqe fletoreje të shkruar me stilograf nga dora e Vilsonit përmban sentenca mbi jetën dhe mbi artin nga filozofë si: Sokrati, Aristoteli, Epikur Hegeli, Paskal etj., si dhe nga shkrimtarë e njerëz të mëdhenj të kulturës perëndimore si Euripidi, Virgjili, Dante, Shekspiri, Bajroni, Shatobriani, Lamartini, Bodleri, Dostojevski etj., fragmente esesh nga E. A,POe, V.Hygo, P. Claudel, si dhe poezi si tip antologjie të vogël me autorë si Bodler, Rembo, Mallarme, Verlen, Lekont de Lili, Teofil Gotje, Francis Karko, Apolner dhe Pol Gerald, si dhe 14 poezi dhe 11 faqe me sentenca nga romani “Të mjerët”. Të gjitha këto janë shkrua në frëngjisht, në gjuhën e origjinaleve, me kaligrafi, duke respektuar shenjat e pikësimit. Në gjuhën shqipe janë shkruar sentenca nga Sami Frashëri, sentenca nga Gorki, përkthimi i një eseje të Viktor Hygoit mbi lirinë dhe domosdoshmërinë, i një fragmenti prej shtatë vargjesh nga tragjedia “Ester” të Rasinit dhe “Soneti i fundit” i Alfred de Myse.
Blloku i dytë
Blloku i dytë, që i përket vitit 1974, nis me një përmbledhje të dramës “Hernani” të Viktor Hygoit. Mendohet nga studiuesi se ky libër mund t’i ketë rënë Vilsonit në dorë përkohësisht. Ai ka lexuar dramën e Hygoit në origjinal dhe në shqip ka dhënë përmbajtjen e çdo akti dhe të çdo skene. Në këtë bllok të dytë, sipas kronologjisë kohore, vendin më të madh e zë përkthimi i rreth 600 vargjeve nga “Legjenda e shekujve” e Viktor Hygoit. Përkthimi i sonetit të Bodlerit, “Pendim i vonët” pasohet nga shtatë poezi të reja të Vilson Blloshmit, si dhe vjen një fragment i shkurtër në prozë nga romani i Lermontovit “Një hero i kohës sonë”, përkthyer nga frëngjishtja.
Gjithmonë nuk duhet harruar se gjithë sa lexonte a përkthente, shpesh, varej nga librat që i binin në dorë. Mbase përkthimi nga “Legjenda e shekujve” lidhet me patosin e Viktor Hygoit kundër tiranëve dhe tiranis
Blloku i tretë
Ky është blloku më i vëllimshëm, pasi përmban përkthimin e plotë të novelës “Zadigu” të Volterit. Nuk dihet në ç‘rrethana i ka rënë në dorë novela, – thotë Bejko, – dhe përse mund ta ketë përkthyer Vilsoni. Në fund të përkthimit është vënë shënimi 18 prill 1970, kohë kur ai ishte ushtar në brigadë pune, aty ku shkonin fëmijët e kulakëve dhe të gjithë ata me biografi të keqe. “Nga cilësia e përkthimit mendojmë se ai është ende në kohën kur po ushtrohej në mësimin e frëngjishtes. Në vite të shërbimit ushtarak në fshatin Tale të Lezhës, sipas të thënave, ai takohej me një prift katolik, i cili e ka ndihmuar të thellohej në mësimin e frëngjishtes”. Bejko na tregon se novela “Zadigu” është në dorëshkrim dhe mbi të është punuar për ta redaktuar, dhe plotësuar në pak fjalë e fraza. Ky përkthim mendohet se vjen në shqip për herë të parë i plotë. Kemi një përkthim të “Zadig”-ut prej Vedat Kokonës te libri i Volterit, “Novelat” botuar në 1990. Këtë botim Bejko detyrimisht e ka krahasuar me përkthimin e Blloshmit dhe na tregon se tek “Zadigu” i Kokonës mungojnë tre kapituj, më saktë, hyrja në krye të librit dhe dy kapitujt e fundit.
A është poezia “Saharaja” kryevepra e Vilson Blloshmit?!
Pjesa nga intervista për “standard” me poetin Agron Tufa, për disidencën dhe hierarkinë letrare pas zbulimit të veprës së Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës?
Ekspertizën e Vilsonit dhe Gencit e kanë bërë emra si Koçi Petriti, Myzafer Xhaxhiu apo Diana Çuli. A nuk është kjo kategori emrash që vazhdojnë të bëjnë pedagogun, studiuesin, kritikun, shkrimtarin në letërsi edhe sot, që mund të bllokojnë dhe arkivin e SHIK-ut?
Sigurisht që janë. Por unë nuk mund të hyj në një teori të tillë konspiracioni sepse nuk mund ta them. Nga ana tjetër, fakti që SHIK-u vazhdon të mbajë vepra, qofshin këto gjuhësore, memuaristikë, letërsi, dorëshkrime, poezi etj., kjo është thjesht të mbash peng një epokë të tërë që presupozohet të jetë e lirë, demokratike. Në pikëpamjen e atyre njerëzve që janë gjallë dhe që kanë pjesëmarrës në atë që unë e quajta ritual i kryqëzimit, ne kemi shumë. Janë persona publikë tepër të nderuar dhe nuk ke çfarë u bën. Në fund të fundit që këtu fillon deformimi i pikëvështrimit të të drejtave të njeriut. E drejta e njeriut presupozon dhe të drejtën e kriminelit, kështu që ne hyjmë në një qorrsokak. Ata kanë krijuar imunitetet përkatëse që s’ke çfarë u bën. Është një dava e humbur, që nuk është bërë në kohën kur duhej bërë.
Nga Vilson Bloshmi deri tani janë zbuluar tri blloqe fletoresh me poezi dhe krijimtari të përkthyer. Me aq material letrar sa kemi në dorë, të botuar, që ju thatë në takim se mund të parashikohej një poet i fuqishëm, a mund ta marrim si krijues letrar të përfunduar për t’i dhënë vend në hierarkinë e vlerave poetike?
Do të jem krejt i sinqertë me veten, duke gjykuar se edhe unë me këtë sy e kam lexuar e stërlexuar duke u përpjekur t’i caktoj në kokën time hierarkinë e vlerave poetike, një pozicionim. Po këtu hyjnë disa faktorë që na pengojnë ta themi këtë.
Ai mbetet një herë poet, siç e lexojmë sot, mbetet një zë origjinal, një lirik i hollë, i nginjur, plot asosacione verbale nga kultura botërore dhe shqiptare, ka një ndjeshmëri krejt origjinale. Janë poezi të një faze me magjepsje nga romantizmi, dhe krijimi i një personaliteti të kohës në poezi – me regjistër të ndryshëm, stilistikë, diksion zëri, forma, një shprishje si të thuash e klasicizmit dhe romantizmit drejt modernizmit, që shfaqet me mendime të papërfunduara, me struktura të papërfunduara të vjershës, rimës që nuk janë rima, me kadenca të fuqishme, duke i lënë gjithnjë e më tepër udhë mendimit. Në tërësi, me kaq poezi sa kemi, se quaj poezi dhe shqipërimet që janë shumë autentike, për të cilat duhet një diskurs i veçantë, mendoj se Vilsoni ka krijuar me një libër një vend tepër të nderuar, që nuk e ka luksin ta ketë kush tjetër në poezinë shqipe.
ër mua jo. Për mua gjërat shihen në sistem, nga tërë formacioni poetik, nga poezia në poezi, nga vargu në varg etj. Ajo më tepër është gjykuar kështu sepse ka pak më shumë simbolikë. Por nuk besoj se edhe Vilsoni vetë e kishte si model. Tendenca ishte, si një poezi pure, midis parnasianëve – artit të kulluar të së bukurës, të artit për art, të Teofil Gotjesë, të cilin e donte shumë – dhe botëvështrimit të realiteteve si gjë në kalbëzim dhe fermentim të vazhdueshëm, që është si poetika e Bodlerit. Dhe më vonë në poetë të tillë si Malarme etj. ai rrekej dhe punonte shumë për të krijuar një estetikë krejt vetjake personale, pasi kishte guxuar tashmë se nuk mund të shpresonte jashtë ndërmarrjeve të veta private. Besoj se këtë po arrinte, ishte një urë ndërmjetëse dhe kjo është fatkeqësia se ky sistem i ndërpreu dhunshëm, m’u në pikën që ky po hapej dhe po tregonte tërë energjitë dhe produktivitetin e vet.
Bedri Blloshmi: Ja cilët e pushkatuan!
“Kjo është edhe arsyeja kryesore dhe s’ka si të ndodh ndryshe, që nomenklatura e kuqe nuk fal, nuk duron po arrite ta prekësh, sadopak, në kallo. Përnjëherë u dha urdhri: “Të ngrihet një grup pune me bashkëpunëtorë të niveleve dhe gradave të ndryshme të Sigurimit”. Ja çfarë gatuan bashkëpunëtorët e tij.
Libri i tyre nuk disponon asnjë nga këto materiale:
1- Protokollin e sekretarit të parë të Librazhdit, Sotir Koçollari, që ka marrë vendimin për të vrarë Gencin dhe Vilsonin.
2- Akt-ekspertizën e Diana Çulit për poezitë e Gencit.
3- Akt-ekspertizën e Myzafer Xhaxhiut për materialet në frëngjisht të Vilsonit.
4- Akt-ekspertizën e Koçi Petritit për poezinë “Saharaja”, po për Vilsonin.
Diana Çuli, në një takim me kunatin e Gencit, Bilbil Camin, kanë rënë dakord, për të hequr të gjitha këto dokumente, që Bilbili të shpërblehej me postin e drejtorit në Bibliotekën e Qytetit “Studenti”. Dhe Seit Prishta të vazhdojë të punojë“ ende në Institut për të botuar vetëm librat e bashkëpunëtorëve të tjerë, si Koçi Petritit me shokë.. Dhe, si gjithmonë, kontrolli i shtetit i vë vulën. “Çdo gjë në rregull!”. Le të shpresojmë që kjo çerdhe spiunësh s’do t’ia arrijë kurrë që librin e botuar trupërisht ta shpërndajnë si aktin e një krimi të fshehur”.