Shkelqim Morina
Lëvizja Vetëvendosje, përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook, ka njoftuar se është arrestuar aktivisti i tyre Shkëlqim Morina.
“Pushteti do të tregojë se nuk dorëzohet në gabimet e tij. Kështu sot, aktivisti Shkelqim Morina është arrestuar në kufirin me Republikën e Shqipërisë, derisa shkonte në pushime me gruan e tij. Arrestimi i tij është bërë për shkak të aksioneve të mëhershme politike. Shqetësimi i aktivistëve për projektet e dëmshme politike në Kosovë është treguar i drejtë, angazhimi i tyre i dobishëm, kurse instalimi përdhunshëm i atyre projekteve nga ana e Qeverisë është vërtetuar si i rrezikshëm për shtetin e Kosovës. Kjo është dëshmuar edhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në reagimin e VV-së.
Kurse Policia ka thënë se ai ka qenë person në kërkim, pa treguar se për çfarë rasti.
“Sot me 23.07.2018, para dite, në PKK Vërmicë është ndaluar shtetasi i RKS-së, Sh.M. 31 vjeçar, pasi që i njëjti ka qenë duke u kërkuar nga Gjykata Themelore ne Prishtinë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.