Vëllimi poetik me titull “Kush ia di udhën erës” i Adem Zejnullahut me vjersha për fëmijë e të rinj flet për afinitetin taktin, horizontin dhe përvojën krijuese të pasur të autorit për t’u marrë me procesin e krijimtarisë letrare. Këto cilësi dëshmojnë se autori i vëllimit përmes frymëzimit spontan artistik, përmes të menduarit e imagjinatës krijuese në pasqyrimin e botës imagjinatave dhe ndjenjore të fëmijëve ka sjellë ide, mendime, gjykime e vlerësime si dhe trajtime të temave, motiveve, dukurive dhe ngjarjeve që manifestohen në mjediset ku fëmijët zhvillohen, rriten e formohen si personalitete në aspektin edukativ, arsimor, moral, humanist, estetik, e mbi të gjitha si njerëz me ndërgjegje dhe formim thellësisht të drejtë në të gjitha drejtimet.
Vargjet përshkohen me mesazhe të rëndësishme që lidhen me kuptime të thella ideo-edukative, ide-arsimore, ideo-estetike dhe pikërisht fryma e ngrohtë e vargjeve te fëmijët sjellë njohuri e mësime të nevojshme mbi jetën, ngjarjet dhe dukuritë dhe problemet e shumta me të cilat ballafaqohen në realitetin jetësor e shoqëror në të cilën natyrisht zhvillohen e formohen si qenie kombëtare për shoqërinë dhe të ardhmen e vendit.
Në poezitë e vëllimit “Kush ia di udhën erës”autori, si përherë, ka arritur ta ruaj stilin e tij, i cili dallon nga krijuesit e tjerë. Dallon në radhë të parë me mendimet, idetë dhe pikëpamjet e shprehura rreth temave e motiveve që janë të qarta, më të thjeshta e më të kuptueshme dhe vargjet që janë hartuar me pasion e frymëzim artistik dhe kuptohet, si të tilla, janë të pajisura me vlerat të larta ideo-artistike dhe ideo-estetike.
Në gjashtë ciklet e vëllimit: ‘‘Aty mbijnë lule gjaku’’, ‘‘Përmallime fëmijërie’’, ‘‘Zogu i stuhive’’, ‘‘Kush ia di udhën erës’’, ‘‘Gëzime stinësh’’, dhe ‘‘Rikrijime fabulare’’ lexuesi do të gjejë krijime poetike me vlerë, poezi të freskëta, poezi me vargje të ngjeshura, me mendime, me fantazi e me psikologji të botës së të vegjëlve - poezi që u flasin fëmijëve për dukuri, aspekte e figura të dashura nga gjiri familjar, nga dëshmorët, nga tradita dhe nga realiteti i jetës, historisë dhe shoqërisë në përgjithësi.
Raporti midis fëmijëve dhe të rriturve gjithandej poezive është ruajtur për mrekulli dhe thuaja të gjitha poezitë vijnë si gërshetime që shpalosin zgjuarsinë, edukatën, kulturën, qëndrimin dhe ndjeshmërinë shpirtërore dhe emocionale të fëmijëve.
Poezitë tingëllojnë bukur edhe për faktin se Ademi me përvojën tashmë të krijuar në fushën e poezisë ka arritur t’u sigurojë vlera të theksuara estetike e didaktike përmes përfytyrimeve, shtjellimit të thellë të subjekteve, gjuhës së pasur e mjeteve të bollshme stilistike dhe përdorimit me shije të disa shprehjeve të gurrës popullore.
Veçanërisht ciklin “Rikrijime fabulare” të vëllimit e shquan frymëzimi me mjeshtri, me njohje dhe me kulturë të thellë të folklorit, përkatësisht të llojit të fabulës. Mbylljen e poezive të rikrijuara fabulare autori, përmes trajtimit të ngjarjeve të rëndësishme- ngjarje që subjektin kryesor të krijimit e bën duke respektuar mendësinë, urtësinë e filozofinë e krijuesve popullorë, të cilët me mençurinë dhe psikologjinë e pasur kanë nxjerrë në dritë vlerat më të rëndësishme të artit popullor të krijuar nëpër shekuj. Prandaj themi se ky cikël është i veçantë pikërisht për vlerat e dobinë mesazhe që bartin vargjet me frymën e thellë edukative dhe arsimore.
Fryma e procedimit artistik, krijimi i atmosferës me elemente që çojnë drejt aspiratave të shenjta të shqiptarëve që u bën autori këtyre poezive, fiksimi i aspekteve kryesore të subjekteve të fabulave të rikrijuara – të gjitha këto flasin për aftësitë krijuese artistike të autorit, i cili përmes mendimeve të krijuesve të vlerave artistike popullore përligj forcën mendore, meditative të krijuesve të kësaj pasurie të folklorit, të cilët falë dijes, kulturës e përvojës së madhe nga jeta dhe nga historia me dinjitet të lartë kanë arritur ta mbrojnë historinë traditë, të vërtetën, besnikërinë, të drejtën, të vlefshmen, të besueshmen, të arsyeshmen dhe të gjitha vlerat e tjera që lidhen me aspiratat më të shenjta të popullit shqiptar.
Këto të dhëna që i reflektojnë poezitë e rikrijuara fabulare na çojnë te mendimi se Ademi sikur i ka të njohura qëndrimet e poetit tragjik Federiko Garsia Llorka, për të cilin është thënë se “për të mbajtur gjallë dhe ruajtur nga palavitë shpirtin e kombit spanjoll, i drejtohet gurrës së popullit me idenë e madhe revolucionare se shpresa e shpëtimit është vetëm në mbështetje të popullit...Ai madje, jo vetëm merr subjektin nga jeta e gjallë e popullit të vet, por arrin të sjellë në dramë folklorin si një dituri të pashtershme” (Loni Papa, Gjashtë drama, Tiranë, Nëntori, Nr. 6, 1987, fq. 226-227)
Vëllimi tjetër “Kush ia di udhën erës”, siç thotë autori i saj, përveçse është një përzgjedhje poezish nga dy veprat e botuara “Zogu i stuhive” (2001) dhe “Me ty çelë trëndafili” (2014), brenda saj kanë gjetur vend edhe 23 poezi të reja. Për frymën e pasur edukative dhe didaktike të poezive të vëllimit “Me ty çelë trëndafili” para viti 2017 kemi bërë një vështrim bukur të gjatë brenda të cilit i kemi rrokur në trajtim vlerat edukative, didaktike, motivet, imagjinatën krijuese të poetit, universin shpirtëror e ndjenjor të fëmijëve, kthimin e poetit në fëmijërinë e tij, kontraste mbi jetën e fëmijëve të djeshëm e të sotëm, nostalgjinë dhe respektin, mallin dhe ndjenjat e ngrohta që fëmijët ushqejnë për prindërit, kujtimet e fëmijëve për vendlindjen, helmimin nxënësve shqiptar në vitin 1990 nga armiku serb, për gjakun e luftëtarëve të lirisë, për shpalljen pavarësisë së Kosovës kemi bërë fjalë për disa figura të mëdha të kulturës dhe të historisë sonë kombëtare, si Naimin, Hasan Prishtinën, martirëve e dëshmorëve dhe heronjve të lirisë dhe të çështjes kombëtare. Prandaj, në këtë vëzhgim nuk e kemi parë të udhës që të bëjmë analizë të poezive të njëjta.
Poezitë e ciklit “Aty ku mbijnë lulet e gjakut” trajtojnë temën e atdhedashurisë, aromën e lirisë, ëndrrat dhe frymëmarrjen e luftëtarëve të pavarësisë së Kosovës. Këto vargje, me lirikën e ngrohtë dhe me ndjenjën emocionale, përjetohen nga fëmijët me gëzime e kënaqësi sepse në to këndohet heroizmi dhe vetëflijimi i të gjithë atyre idealistëve që e donin lirinë e shumëpritur, të cilët me qëndrime e ideale të larta arrtën të hapin faqe të reja në historinë e popullit shqiptar. Pra, vargjet e ciklit të sipërthënë me një stil të ngjeshur dhe të ngrohtë ua bëjnë me dije fëmijëve frytet e lirisë dhe u flasin për idealet e martirëve, dëshmorëve dhe heronjve, të cilët derdhën gjakun e tyre për një ideal të vërtetë: për atdheun, për paqen, për lirinë dhe pavarësinë dhe për një të ardhmen më të lumtur e më të ndritur të fëmijëve.
Këto ide dhe vlera edukative Ademi i përçon të fëmijët duke mishëruar brenda përjetime, mbresa, kujtime, emocione dhe duke qenë njohës i psikologjisë së fëmijës, arrin që veprën madhore të luftëtarëve të lirisë ta për ndritë me vargje dhe plot figura stilistike – vargje me të cilat në mënyrë të figurshme ua rrëfejnë fëmijëve rrënjët e lashtësisë së popullit shqiptar. Brenda vargjeve të poezisë“Lisi dardan”, lashtësinë e shqiptarëve në këto troje poeti e paraqet me vargje simbolike e metaforike, të cilat përshkohen rimat e puthura e të përdorura me shije e invencion të thellë poetik.
Në vargjet e poezive: ‘’Ti liri- zog pranvere’’,,Porosi’’, ‘’Luftën e madhe që bëre për ne’’ (Adem Jasharit), ‘‘UÇK-ja emër arta’’, ‘‘Bori shekujsh’’ (heronjëve të Kosovës), ‘‘Ku mbijnë lule gjaku’’, ‘‘Përmendorja në lulishte’’, ‘‘Babi luftëtar kthehet në lapidar’’, ‘’Dëshmorëve’’, përmes fjalës së bukur poetike, poeti arrin t’ua bëjë me dijë fëmijëve, siç thoshte Lasgushi, se historia jonë duhet të shihet si model dhe nevojë për dije e dituri. Poezitë e këtij cikli ua qartësojnë fëmijëve se liria është e ngrohtë si dielli, se është këngë e zemrës dhe e shpirtit, se liria ka ngjyrën e pranverës me behar të shtrirë gjithkah, se liria i fal ngrohtësi blerimit e pëllumbave ua ndez fluturimin, se fëmijëve u fal lojën e këngën e rritës së mbarë, se liria është përmendore e trimave, është fortesë e truallit atëror që fëmijët duhet ta gëzojnë. Nuk mungojnë as vargje që mbartin ide të jetës e të veprës revolucionare të Adem Jasharit, Xhevë Lladrovcit dhe të gjithë ushtarëve të UÇK-së, të cilët u bënë fanar në ndriçimin e rrugës se nga duhet të shtegtojmë si popull, pra rrugës së lirisë dhe të përparimit kombëtar në të gjitha drejtimet e jetës dhe të idealeve më të prekshme të shpirtit të shqiptarëve. Poezitë e këtij cikli, për nga fryma dhe rëndësia, i ngjajnë romanit historik, ku ngjarjet dhe protagonistët kryesorë zhvillojnë të bëmat e tyre si në një përrallë të bukur.
Në ciklin “Përmallime fëmijërie” janë përfshirë poezitë: ‘’Prindërve’’, ‘’E mashtrova veten’’, ‘’Kisha dashur’’, ‘’Lojë që më rri në kujtime’’, ‘’Përmallime’’, ‘’Pa nënë’’, ‘’Malli për nënën’’, ’’ Dy ofshama për nënën, Kujtim për nënën I, dhe Pritje II’’, ,,Shokut të sëmurë’’.
Të gjitha poezitë lëndën e kanë marrë nga kujtimet fëmijërore, nga jeta e bërë në kohën e fëmijërisë, nga malli dhe dashuria ndaj prindërve, sidomos ndaj nënës. Duke përjetuar nostalgji për përpjekjet e rënda që prindërit i bënin për t’ua siguruar fëmijëve jetën dhe duke marrë parasysh sakrificat e nënës dhe rolin e saj në plotësimin e kushteve më minimale për ekzistencë, poeti këto sakrifica e vetëflijime dhe gjithë nostalgjinë për prindërit e realizon përmes vargut eksklamativ dhe vargut me lutje që emrat e tyre gjithmonë të flakërojnë e të jenë drita e dritës së fëmijëve:
O, vargjet e mia me afsh ju lus, e ju pres
Që emrat t’ua flakëroni
Në përgjithësi, në vargjet kushtuar nënës, poeti arrin ta himnizojë dashurinë ndaj nënës dhe për fëmijët nuk ka asgjë më të shtrenjtë e më të bukur se dashuria ndaj nënës, e cila për fëmijë është jetë dhe gëzim i tyre.
Malli dhe dashuria për prindërit nga ana e poetit është dhënë me përjetime të thella dhe brenda vargjeve shpaloset, si të thuash, jetëshkrimi i prindërve dhe fëmijëve që lidhet me vështirësitë e kohërave të rrezikshme për t’u siguruar ekzistencën e fëmijëve, dhe dihet se nëna gjithmonë në poezi është simbol i flijimeve të shumta - i atyre flijimeve që të tjerët as në ëndrra s’mund t’i paramendojnë.
Duke qenë aq vetëflijuese, poeti e thotë me gjithë zemër se kënga më e bukur, loti më i pastër, lulja me aromën më të mirë dhe lumi me ngjyrën më të bukur kanë vetëm një emër – emrin nënë.
Poezitë e ciklit “Përmallime fëmijërie” përshkohen nga ndjenjat e thella mbi fëmijërinë e shkuar, mbi mallin e nderimin që fëmijët duhet të kenë ndaj prindërve. Këto qëndrime e dëshira që fëmijët duhet t’ua dhurojnë prindërve nuk janë me vargje artificiale, por në subjektet e poezive të këtij cikli lexuesi e gjen të shkrirë të thjeshtën me poetikën në shkallë të lartë artistike - poetikë që vargjeve u ka siguruar qëllimin edukativ arsimor – që është në përputhje me moshën dhe aftësitë psiko - fizike të fëmijëve.
Cikli “Zogu i stuhive” përbëhet nga këto poezi: ,,Lodrat dhe fëmijëria’’, ,,Në këtë mëngjes’’, ‘’Zogu i stuhive’’, ,, Dëshira’’ ,, Shqiponjat’’, ‘’Toplikut’’, ,,8 Marsi’’, ‘’Dita e parë e shkollës’’, ,,Nata ëndërrimtare’’, ,,Dora e zezë’’, ,,Kosova e lirë’’, ,,Shitësi i gjelave’’, ,,Qytetit tim’’, ,,Në tri kohë dhe Miu dështak’’. Poezitë e ciklit “Zogu i stuhive” me përmbajtjen interesante, me mënyrën e artikulimit të ideve dhe mendimeve, motiveve me kujtimet, gëzimet e dëshirat që i sjell në vargje, me gjendjen e krijuar shpirtërore të fëmijëve të djeshëm në përqasje me ata ditëve të sotme, me dëshirat, ëndrrat për një jetë pa halle e shqetësime dhe me dhënien e elementeve edukative e didaktike, formës artistike të vargjeve, të gjitha këto çështje dëshmojnë se Adem Zejnullahu ka arritur jo vetëm të hyjë natyrshëm në botën e vështirë e delikate të fëmijëve, por si përjetues i ngjarjeve me të cilat rëndom fëmijët ndeshen në përditshmërinë e tyre ka arritur t’i kuptojë ndjenjat dhe mendimet e tyre mbi realitetin e kohës dhe të vendit. Këto, në të vërtetë, dëshmojnë dëshirat e poetit që me vargjet kushtuar fëmijëve kërkon të gjejë fëmijërinë e humbur.
Në disa poezi i këndon jetës së fshatit, i këndon bariut dhe fyellit të tij, fshatarit e fshatares, zogjve dhe këngëve të tyre; i këndon burimit të ujit të ngrohtë të Toplikut – vendlindjes së vet, u këndon dëshirave gëzimplote të Valonit, kur me rastin e 8 Marsit me urimet më të sinqerta ia uron festën nënës, këndon për ditën e parë të shkollës, për mësuesen, abetaren dhe buzëqeshjet e fëmijëve si dhe lojën si pjesë të jetës dhe të artit, që sajohet përmes aktiviteteve të zhvilluara të fëmijëve në ambiente të ndryshme dhe lojës që poeti e krijon përmes vargjeve.
Këto vlera të lojës dhe të poezive të Ademit na e bëjnë të kohshme konstatimin e Bjelinskit kur thoshte: “Le të luajnë fëmijët, le të ushtrojnë, le të jenë shejtanë, vetëm në të gjitha këto të mos ketë asgjë të vrazhdë, vulgare, të pahijshme”.
Në disa poezi të këtij cikli, autori sjell vargje të freskëta me figurat stilistike të përdorura me invencion, me ëmbëlsinë e ligjërimit poetik dhe me përjetimet që arrijnë t’i zgjojë te fëmijët dhe të gjitha këto vlera na bëjnë të kuptojmë se poeti mbetet një njohës i mirë i botës dhe jetës së fëmijëve në shumë drejtime. Këto vlera që i mbrujnë poezitë e vëllimit i bëjnë të qëndrueshme pohimet e akademik Bedri Dedjes se: “Letërsia për fëmijë, pavarësisht se u drejtohet moshave të vogla, mbetet interesante dhe tërheqëse për çdo moshë, ku është art i vërtetë; ajo i pëlqen edhe gjyshit të moshuar që ua lexon nipërve dhe mbesave, edhe prindërve që kalojnë orë me të duke ua lexuar kalamajve të vet, edhe të rinjve që ua lexojnë motrave dhe vëllezërve të tyre më të vegjël”.
“Kush ia di udhën erës” është cikël me vlera të njëmendta artistike dhe didaktike. Pohojmë kështu për arsye se vërtetë në këtë cikël (sipas të cilit vëllimi ka marrë titullin), Ademi u dhuron të vegjëlve vargje me vlera që kanë përmbajtje të rëndësishme, vargje të përshkruara me ndjenja e fantazi të fëmijëve, vargje që dëshmojnë se poeti, si një usta i mirë, arrin të futet në labirintet e botës së fëmijëve, arrin të bëhet shpirti dhe zemra e tyre. Në poezitë e këtij cikli bëhet fjalë për Vitin Plak dhe jepen mësime që fëmijët të kujdesen për prindërit; flitet se nga vjen era dhe cilës rrugë shkon ajo; flitet për Sistemin Diellor sipas teorisë shkencore të Galileut; flitet për të mirat dhe dobitë e shumta të shiut të verës, të cilin fshatarët me gëzime të mëdha do të shprehen se “Shiu i verës është flori”, flitet për xixëllonjat paralajmëruese të bukës së re.
Vargjet të ngrohta poeti shkruan për nipin dhe mbesën dhe për ta shprehur dashurinë e zjarrtë për nipin, Jonin, me vargje bën përqasje midis Detit Jon dhe Adriatik dhe poezinë e përmbyll me vargje mbi lojën e zhvilluar në rërën e plazhit Jon. Për Jonin Ademi shkruan poezinë“Me ty çel trëndafili”, ku në qendër të trajtimit e vë përsëri lojën dhe buzëqeshjen e nipit. Poezi me vlera edukative, argëtuese dhe njohës janë: “Djaloshi me delfin’’, ,,Frymëzimi i bukur’’, ,,Gjysh, kush t’i mori flokët’’, ,,Të lutem, gjysh etj. - poezi me pikësynime të përcaktuara që shërbejnë për edukimin dhe arsimin e të vegjëlve. Autori me shumë drejtpërdrejtë sesa tërthorazi sjell mendime vlerësime e mësime të nevojshme për formimin e shëndoshë e të drejtë të fëmijëve.
Duke i lexuar me kujdes poezitë e këtij cikli shohim se poeti me prirje e frymëzim artistik ka arritur të jetë në shërbim të fëmijëve duke u shpjeguar atyre probleme aktuale që lidhen me çështje të rëndësishme mbi botën e fëmijëve dhe këto pikëpamje i sendërton me vargje që i shquajnë thellësitë e mendimeve ndjenjat e fëmijëve dhe detajet e gjetura me sens të veçantë mase. Lënda kryesore e poezive të ciklit “Gëzime stinësh” janë motivet që lidhen me stinët e vitit, me Babadimrin, fërfëllizën, puhinë e lazdruar dhe gëzimet pranverore. Këto poezi përshkohen nga përmbajtje e përshkrime të rëndësishme dhe si të tilla te lexuesit e vegjël lënë mbresa të pashlyeshme sepse janë shkruar me ndjenjë dashurie dhe me frymëzim poetik.
Vargjet mbi vjeshtën, dimrin, Babadimrin, pranverën dhe verën tërheqin vëmendjen e lexuesit pikërisht sepse përshkohen me ndjesi dhe me emocione të atilla që, kuptohet, secili fëmijë i çfarëdo moshe qoftë ndjen gëzim e kënaqësi nga stinët e vitit – stinë që secila karakterizohet për vlerat dhe rëndësinë që kanë.
Në vargjet mbi stinët e vitit, duke kënduar bukuritë e natyrës, poeti me ndjenja të pastra e paraqet punën që bëhet rreth vjeljes së mollëve, dardhave, rrushit të bardhë e rrushit të zi. Me fjalë të tjera, stinët e vitit poeti nuk i sheh të shkëputura nga të mirat që sjellin te fëmijët dhe për këtë arsye poezitë i shquan toni rrëfyes, fabulat që nxisin fëmijët të mendojnë për të mirat e secilës stinë. Një vlerë e shtuar e poezive janë mjetet shprehëse stilistike, të cilat vargjeve u japin ritëm dhe muzikalitet.
Kështu, fjala vjen, në këto poezi i gjejmë të përdorura inversionin, heshtjen, pyetjen, rimën, metaforën, krahasimin, lutjen, përsëritjen, epitetin, eksklamacionin etj. Përmes këtyre mjeteve stilistike poeti në vargjet mbi stinët e Babadimrin sjell peizazhe të bukura ngjashëm me pikturat e piktorëve, por për dallim prej tyre, në vend të ngjyrave përmes fjalës krijon tablo e peizazhe poetike. Falë frymëzimit artistik në poezitë mbi stinët është dhënë dashuria e fëmijëve ndaj natyrës, bukurive që sjellin ato dhe me një mjeshtri të llojit të vet stinët jo vetëm i parqet natyrshëm, por vargjet i pajisë me detaje të bollshme të lidhura me natyrën e me botë vështrimin e fëmijëve.
Adem Zejnullahu në poezitë e vëllimit “Kush ia di udhën erës” dëshmohet krijues origjinal dhe në pjesën më të mirë të poezive sjell diçka që intrigon botën e fëmijëve, fut ndonjë element edukativ të cilin e shtjellon me kujdes e mendime të qarta. Gjithashtu, në poezitë e vëllimit të sipërthënë temat e motivet trajtohen me mjeshtri e ngrohtësi shpirtërore. Vargjet mbi stinët e vitit sjellin të fëmijët kujtime e mbresa të thella sidomos lojërat pushtojnë shpirtrat e fëmijëve. Vetë bora, në këto vargje, është simbol i dëlirësisë që çdo fëmije ia kujton fëmijërinë. Prandaj, vargjet e vëllimit, do të thoshim, i përshkon bukuria dhe dëlirësia e pastër si dhe ngrohtësia e shpirtit të fëmijëve.
Poeti gjithandej poezive i qëndron besnik mënyrës së trajtimit të motiveve duke u kujdesur përherë në hulumtimin shpirtëror e ndjenjor dhe në paraqitjen e botës psikologjike të botës së të vegjëlve. Duke i këshilluar fëmijët që të kenë respekt e dashuri për prindërit, për të moshuarit në përgjithësi, sikur ua kujton të vërtetën e njohur se gjithmonë prindërit, pleqtë dhe njerëzit e gjirit familjar, me vitet e kaluara dërgojnë tek fëmijët mesazhe të rëndësishme – mesazhe që simbolikisht janë si një zjarr që gjatë gjithë jetës shpërndan flakë e ngrohtësi. Vlerë të theksuar poezive u shton shfrytëzimi i krijimtarisë gojore, sidomos i fabulave anekdotave dhe llojeve të krijimeve me mendime të dendura.
Këtë shfrytëzim poeti e ka bërë me kujdes e me erudicion. Posaçërisht janë të dobishme për fëmijë vlerat edukative mësimore që vijnë nga fabulat e rikrijuara, të cilat përmbyllen me mësime të rëndësishme sepse ato janë prodhim i të vërtetave të udhëheqësve të pandërgjegjshëm, pa moral, pa dije, pa besim, dhe që të shumtën e herës janë të dëmshëm, komik e tragjik për fatin e popullit. Këto të vërteta poeti i ka hetuar mirë dhe, për të parë këto të vërteta, po sjellim urtësinë popullore të cilën Ademi e ka gërshetuar në poezitë e rikrijuara nga fabulat:
Në këtë rast s’ka asnjë dobi
Në vend meje do të flasë briri
(Po heshta unë flet briri)
ose
Madhëri, edhe pse jetoj i lumtur në pallatin tuaj
S’mund të bëhem kali – të tradhtoj sojin tim
(Gomari s’e tradhtoi sojin e vet)
ose
Tash, me dashtë i ndezi, me dashtë s’i ndezi
(Tash bëj si dua vet)
ose
Unë s’pajtoj që ky të bëhet prijës as mbret
Vërtetë është i bukur po e shtin kaqepin gjithkund
(Shotani s’bën për mbret)
ose,
Krejt hallall të qofshin, o i imi zotëri
Vetëm nja s’ta bëj, nga mendja s’un e heq
Kur ma qitshe gomarin n’qytet
Për me m’pri
(Vetëm nji s’ta bëj hallall)
Të gjithë këta shembuj flasin për vlerat arsimore që bartin fabulat dhe anekdotat e ripunuara nga poeti i cili për çdo gjë që shkruan arrin të krijojë vargje me harmoni të plotë, me motive të shtjelluara që për synim kryesor kanë lartësimin e vlerave të krijimtarisë gojore, duke ua bërë të qartë brezave virtytet që kanë ushqyer shpirtin e botën mendore të shqiptarit në një anë dhe duke i demaskuar e satirizuar veset aq të dëmshme, me cilat na kanë ngarkuar njerëzit e politikës, në tjetrën anë.
Pra, vargje e sipërshënuara janë një akuzë e rëndë për klasën politike të kohës, vargjet me mesazhet e veta përhapin të fëmijët dijet e vërteta për drejtësi, për profesionalizëm, për ndërgjegje të pastër, për kombin atdheun dhe u bëjnë me dije të vegjëlve se s’ka fuqi që e përkulë njeriun me ideale fisnike në realizimin e qëllimeve të veta, sado vështirësi që mund t’i dalin përpara.
Në përgjithësi, vëllimi “Kush ia di udhën erës” është shkruar me përkushtim, dhe me përjashtim të ndonjë vargu të papërpunuar sa duhet, poezitë përshkohen me vlera të theksuar edukative, didaktike, njohëse dhe estetike. Është e vërtetë se autori ka arritur që fëmijëve t’u japë një vëllim të rëndësishëm, vargjet e të cilit të shumtën e herës i përshkon një lirizëm i sinqertë, një spontanitet, një frymëzim dhe një shumësi vlerash edukative dhe arsimore, të cilat do të ndihmojnë formimin e shëndoshë dhe të drejtë të fëmijëve.
Cikël poetik
LEPURUSHI ZEMЁRGOGЁL
- Lepurush ti mustaqe burrë
Pse po ngutesh, ku po shkon
Ndal njëherë tek kjo gurrë
Pi pakëz ujë se të freskon.
- Jo, s’ kam kohë se më zë nata
Do të shkoj tek stomatologu,
T’i rris dhëmbët t’i bëj si shpata
Ta shqyej dhelprën te strofullogu.*)
- Ajo dje desh të më mbyti
Kam vendosur që të bëj kërdi,
Do ta rroku keqas për fyti
Jam betuar në mustakët e mi.
------------------
* Te strofullogu, te strofulli - (foleja).
Ashtu trimosh lepurushi
Pa shkaktuar asnjë shamatë,
Hyri në ordinancë, syrrushi
T’i rris dhëmbët ai veshgjatë.
Kur arriti me vrap në lumë
Dhëmbët i duken të vegjël prap’,
Vrik u kthye t’i rris më shumë
Si vetëtima turr e vrap.
- Nuk është faji te dhëmbët fare,
Ore i bukuri lepurush i vogël,
Por zemra jote duket ashiqare*
S’është më madhe se një gogël.
---------
*Ashiqare – haptas, sheshit.
HËNA E DIELLI
Kur doli hëna për herë të parë
Ishte e bukur sa më s’ka,
Por sikurse çdo motër kudo
Donte ta kishte edhe një vëlla.
Dhe ashtu ditë pas ditësh
Përmes erës diellin e lajmëroi,
Po më pranove mua për motër
Vëlla më të mirë se ty s’kërkoj.
Dielli motrës i dhuroi së pari
Rrobat e reja më të ndritshme,
Që t’i ketë ato stoli prej ari
Në jetën e saj të përditshme.
E kur hëna pamjen e ndërron
Sipas trupit që i shndritë,
Edhe dielli rrobat ia dërgon
Sipas pamjes për çdo ditë.
KUSH DO T’I VЁRË MAÇOKUT ZILE
Një mbrëmje vere pak pa rënë terri
U tubuan minjtë tok në një kuvend,
Si t’ia venin maçokut në qafë zilen
E morën fjalën t’gjithë rend me rend.
Pasi e morën trimat vendimin
T’ia venin maçokut zilen në qafë,
Ranë në hall se cili nga minjtë
Do të jetë i shkathët për atë gafë.*)
Në fund u erdhi edhe miu plak,
I cili kuvendin sikur e shndriti,
Sapo ia rrëfyen njëzëri vendimin
Pa u hamendur minjtë i porositi:
- Veprimi mirë duhet të mendohet
Dhe të mbetet një fshehtësi intime,
Dy herë në këso rastesh nuk gabohet
Ndërsa të tjerët qëndroni buzë vrime.
_____________
*) për atë gafë - këtu me kuptimin: për atë
veprim të çmendur.
TJETËRSIMI I VAJZAVE
Një nënë e mirë e zemërdëlirë
I kishte pasur tri vajza t’bukura,
Të tria i martoi si është më mirë
Ishin të shpejta sikur flutura.
Pas një kohe u sëmurë nëna
- Çoi ta thërrasin vajzën e madhe,
Le të vijë shpejt pa dalë hëna
T’i trupojë rrugët si sorkadhe.
-Hajde motër mos mbesësh me mall
Nëna sëmurë, ka pamje nur,
Nëse do ta gjesh ende gjallë
- Jo, s’po vij se po end pëlhurë!
U kthy’ djali e lajmëroi nënën Dinore
- Ah moj bijë n’zemër më bëre dangë,
Kurrë një punë mos t’shkoftë për dore
Vrik u bëfsh merimangë!
- Shko, bre bir, thirrma vajzën Selvi
Thuaj nëna shpejt po të kërkon,
- Jo s’vij, se kam dasmë në komshi
Sikur unë askush s’ vallëzon!
- Jo nënë s’erdhi ajo faqenxira
- Ani bir! - në djall shkoftë;
Gjinkallë u bëftë, sahanlëpira
Kënga e saj mos u dëgjoftë!
Lumbardhi im t’i lëmë këto fjalë
Shko e thirre vajzën e tretë.
- Po tha ajo!- qiti petulla e mjaltë
Shkoi me nënën për t’u përshëndetë.
- Ah, moj bijë qofsh e uruar
Në bletë ti u shndërrofsh,
Tërë njerëzimi të ka bekuar
E gjithë botën e ëmbëlzofsh!
Prof. dr. Adem Zejnullahu, studiues i letërsisë gojore dhe i letërsisë së shkruar shqipe, shkrimtar, profesor universitar. Lindi në Banjskë, komuna e Vushtrrisë. Kreu shkollën normale, studimet e larta të gjuhës dhe të letërsisë shqipe në Universitetin e Prishtinës (1972); po aty studimet pasuniversitare, ku mbrojti doktoratën në shkenca filologjike (1986). Deri më 1982 punoi mësimdhënës i gjuhës dhe letërsisë shqipe në shkolla të ndryshme të Prishtinës dhe në Mitrovicë. Prej vitit 1982-2010 punoi në Institutin Albanologjik të Prishtinës, në fillim hulumtues i pavarur, këshilltar shkencor dhe përgjegjës i degës së folklorit për disa vjet. I është kushtuar studimit të krijimtarisë gojore dhe prozës së shkruar, këngëve popullore historike dhe baladave popullore.
Ka botuar monografi dhe vepra studimore për folklorin dhe letërsinë shqipe.
Veprat artistike:
”Kur zgjohen ernat”, “Rilindja”, Prishtinë, 1969
“Mote hiri”, “Rilindja”, Prishtinë, 2000
“Zogu i stuhive” (vjersha për fëmijë), Prishtinë, 2001
“I vetëm me ëndrrën”, “Faik Konica”, Prishtinë, 2007
“E di vetëtima”, “Faik Konica”, Prishtinë, 2009
“Erërat e mbarsura me mjegull”, Prishtinë, 2011
“Dhembje shiu”, Prishtinë, 2012
“Njëqind fabula “, Prishtinë, 2012
“Me ty çel trëndafili” (vjersha për fëmijë dhe të rinj), Prishtinë, 2014
“Kush ia di udhën erës” (vjersha për fëmijë dhe të rinj), Prishtinë, 2017
“Deri në fund“, Prishtinë, 2018
Krijime alegorike në prozën popullore, Prishtinë, 2018
Veprat shkencore:
“Krijimtaria gojore dhe proza e shkruar shqiptare në Jugosllavi”, IAP, Prishtinë, 1987
“Disa venerime për poezinë popullore”, IAP, Prishtinë, 1996
“Hulumtime në letërsinë popullore”, IAP, Prishtinë, 2005
“Këngë dhe shkrime”, IAP, Prishtinë, 2009
“Vuajtja dhe qëndresa në këngë historike”, IAP, Prishtinë, 2010
“Këngë, ngjarje dhe vështrime”, IAP, Prishtinë, 2012
“Dhembja dhe flijimi në baladat popullore”, IAP, Prishtinë, 2014
Ligjëron lëndët letërsi gojore dhe letërsi për fëmijë në Universitetin e Prizrenit dhe të Gjakovës.