2018-07-02

Vargu i ngrohtë i poetit Artur Shemaj


Akademik Prof.dr Eshref Ymeri,Ph.D



Këtu e ca kohë më parë, poeti i talentuar, por i pabujë, Artur Sheme, më pati dhënë për të lexuar vëllimin e tij me titull “Arratia e ëndrrës”. Një libër i thjeshtë në paraqitje, por që të emocionon me vargjet poetike që përmban.

Kam dëshirë të flasë për poezinë e tij nga pozitat e një lexuesi të thjeshtë. Se lexuesit të thjeshtë nuk i intereson se me ç’varg janë shkruar poezitë, se ç’hijeshi kanë rimat e tij. Më shumë atë e intereson kuptimi që ato bartin, se ç’temë të rëndësishme ato zbërthejnë, temë që i emocionon të gjithë lexuesit dhe që ndihmon për formimin e një këndvështrimi të shëndetshëm, që zgjeron horizontin e perceptimit të realitetit dhe të kuptimit të jetës që na rrethon.

Me poezinë e tij, Arturi ka gjetur mënyrën për t’u përcjellë lexuesve informacionin për dritëhijet e jetës në përthyerjen e tyre të ngjeshur, të kulluar dhe lehtësisht të kapshme. Përmes tyre, ai ndan me lexuesit gulshet që i ziejnë përbrenda, drithërimat e zemrës dhe ngrohtësinë e shpirtit.

Në poezitë e Arturit gjen edhe vargje poetike, në dukje hijerënda, edhe figurative, edhe tjetërthënëse (alegorike), edhe metaforike. Në përmbajtjen e tyre vijnë e shpërfaqen nota psikologjike dhe filozofike që e nxitin përfytyrimin e lexuesit. Ka mes tyre edhe nga ato, kuptimi i të cilave të bën të përsiatësh gjatë për shkak të nëntekstit të tyre. Ka poezi boll të ndiera, në vargje të lira dhe të rimuara, me të cilat autori ngre ura komunikimi dhe mirëkuptimi të natyrshëm me lexuesin, vendos lidhje shpirtërore me të.

Për ta njohur nga afër shpirtin e poetit, duhet hyrë thellë në përmbajtjen e vargjeve te tij. Sepse në to, si në pasqyrë, ravijëzohet bota e tij e brendshme. Heronjtë e poezive Arturi i krijon sipas përfytyrimeve të veta, ashtu thjesht, pa sforcime dhe pa figura të kërkuara, ashtu siç janë të thjeshta rrëfimet që i burojnë nga zemra. Shikoni se sa natyrshëm e përshkruan Arturi zejen e një misërpjekësi në poezinë me të njëjtin titull:



Mund të shesësh misra të pjekur,

Me zë lutës.

Njerëzit me hap të thekur

I zgjasin brengën rrugës.



Hajde, misra të pjekur,

Refren migjenian,

Kjo ditë diku ka mbetur

Peng i luksit shafran.



Vargje të thjeshta këto që përcjellin afshin e zemrës së poetit, të stëpikura me ca ndjenja të heshtura trishtimi. Arturi ka derdhur në to ndjenjat e tij të holla, shpirtin e tij delikat.

Veçorinë më mbresëlënëse, në këndvështrimin tim, të kësaj përmbledhjeje, e përbën lirizmi i Arturit, që frymon aq mirë kur e kundron në kontekstin e krijimtarisë së tij poetike. Tek zbulon kapilarët gjakmbartës në indin e fjalës poetike të Arturit, lexuesi pikas pjesën organike të shpirtit të tij, vjen e krijon portretin e tij me një pamje të qeshur dhe me një vështrim ëndërrimtar dhe nuk mund të mos bindet që ai, si autor i kësaj përmbledheje, ecën në rrugët e jetës me zemër në dorë, me shpirtin behar, pa e vrarë mendjen për të kthyer kokën prapa dhe për ta hedhur vështrime anash.Me sa duket, ka diçka prekëse dhe tërheqëse në shpirtin e poetit që të kujton çiltërsinë e fëmijës.

Ç’bukuri mahnitësë ka poezia “Retë”.



Ndjek imazhin tënd nëpër re,

Reja hollohet si dhimbja jote,

Fytyrën askund nuk e le,

Ike si hija e kësaj bote.



Duket që shpirti i poetit është i trazuar. Ai e ndien tek vërtitet së brendshmi një hije konflikti. Ai është poet i ndjenjave, zemërçelur, i drejtpërdrejtë. Lumturia e poetit duket sikur përndritet nga nje rreze hyjnore në larminë e jetës që e rrethon. Prandaj edhe lirika dashurore e Arturit është shumëplanëshe: herë përngjan si sentimentale, her si ironike, herë si filozofike, duke marrë përmasa hapësinore dhe duke pëftuar një joshë idilike.

Poezia e Arturit, që ka një diapazon të gjerë lirik, nuk mund të kuptohet pa notat e fuqishme që ushtojnë në regjistrin e sipërm patetik të temës qytetare. Këto nota të fuqishme shpërfaqen në poemën e tij me titull “Epopeja e tredhjes”. Pikërisht në një rregjistër të tillë ushton zëri i fuqishëm dhe ndihet dukshëm fryma rebelore e poetit kundër një realiteti të shpërfytyruar gjatë këtij çerek shekulli, kur politika e ka nanurisur popullin në detin e gënjeshtrave dhe të mashtrimit.



Epoka që erdhi

Të gjithë i shfajësoi,

Për fajet që bënë

Asnjeri s’pagoi.



Shpejt e kapën veten

Ustallarët e vjetër,

Duhet mbijetuar

Në epokën tjetër.



Ndihet në këtë poemë një sëmbim i thellë në zemër dhe një dhimbje përcëlluese qytetare: dhimbja e “epokës së ndryshimeve”.

Poeti ndien dhimbje në shpirt se e ka të pamundur ta kundrojë jetën në kuadrin e një ideje të turbullt shoqërore, ende të pamishëruar në praktikë. Një poet me ndjenja të holla ka vetëm një privilegj: të rri në cakun mes dëshpërimit dhe gëzimit.

Në këtë poemë mbizotëron patosi shilerian (i poetit gjerman Shiler) i mendimit mbi patosin e ndjenjave. Kur përsiat për natyrën e pashtruar të poetit të talentuar Artur Shemaj, dëshiroj t’i uroj që të vazhdojë ta bartë gjithmonë dhuntinë e shenjtëruar në kapilarët e pastër të zemrës, pa u shqetësuar nga pasionet dhe veset e mëkatarëve që na rrethojnë gjithndej me “shpatën” e pushtetit në duar.

Këtij vëllimi poetik i paraprin parathënia me titull “Poezia e Artur Shemajt – një kaleidoskop ngjyrash njerëzore”, me autor poetin dhe kritikun e talentuar Qazim D. Shehu, i cili i ka bërë një vlerësim mjaft të bukur, duke theksuar se “…poezia e Shemajt e realizon më së miri një komunikim të ngrohtë estetik me lexuesit dhe dashamirësit e poezisë, ajo mbahet mend për këndvështrimet e mprehta dhe idetë origjinale, për detajet e freskëta dhe plot dritë….”.

Me kërkesë të prokurorëve Altin Dumani e Olsi Dado gjykata ka lejuar kontrollin e një apartamenti pranë qendrës “Harabel” në zonën e ish-Bllokut

  Gjykata e Posaçme ka firmosur një tjetër urdhër kontrolli për llogari të hetimit të nisur ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj dhe familjarëve...