Ekspozitë në 100-vjetorin e lindjes së shkrimtarit Jakov Xoxa(1923-1979)
Shkruan Flori Bruqi,PHD
Jakov Xoxa (Fier, 15 prill 1923 - Budapest, 28 prill 1979) ka qenë partizan i Frontit Nacional-Çlirimtar gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, pas lufte qe gazetar dhe shkrimtar.
Vepra e tij më e famshme është romani" Lumi i vdekur" botuar më 1964 në Tiranë, për të cilin mori çmimin e Republikës së Shkallës së Parë dhe vepra u brohorit nga kritika shqiptare si një kryevepër e narrativës socialiste.
Që i ri mori pjesë në Luftën e Dytë Botërore, fillimisht si guerrilas në qytetin e lindjes dhe më pas në mal, si partizan.
Pas Çlirimit të vendit vazhdoi studimet e larta për filologji dhe njëkohësisht bëri hapat e para në poezi dhe në prozë.
Më 1949 botoi veprën e parë në prozë Novela. Krijimtarinë letrare në këtë zhanër e vazhdoi dhe gjatë viteve '50, kështu në vitin 1958 botoi veprën e dytë, po me atë titull Novela.
Ndërkohë botoi dhe dy drama Buçet Osumi dhe Zemra.
Që nga viti 1957 punoi profesor në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë në Universitetin e Tiranës, ku për shumë vite ligjëroi lëndën Teoria e letërsisë.
Për nevojat e studentëve, në formën e dispencës, hartoi vepra teorike të domosdoshme për kohèn si Hyrje nè letèrsi, Teoria e letèrsisè dhe Metrika.
Ndèrkohë punoi edhe për një vepër të plotë teoriko-letrare, Bazat e teorisë së letërsisë, që ishte nga veprat më serioze të kohës (si degë e shkencës mbi letërsinë).
Kjo vepèr u botua po ashtu nè formè dispence mè 1972.
Ndonëse në të autori ofronte dije dhe përvojë teorike letrare të gjerë, që dilte jashtë kornizave të teorive zyrtare të kohës, kjo vepër e rëndësishme për shkencën letrare shqiptare pati kritika të skajshme dhe autori, pa bujë dhe zhurmë, ashtu siç ishte gjatë tërë jetës, i qetë dhe i mbyllur në vete, u tërhoq në vetmi.
Gjithsesi, vepra në fjalë pati edhe përkrahës të shumtë, sidomos në rradhët e studiuesve, pedagogëve dhe studentëve të letërsisë, dhe, po brenda atij viti, njè pjesë e konsiderueshme e saj u ribotua, e ripunuar dhe e zgjeruar, bashkë me dy autorë të tjerë (N.Lezha, P Kraja), në katër vëllime, me të njejtin titull: Bazat e teorisë së letërsisë.
Pjesën më të madhe të jetës krijuese Jakov Xoxa e kaloi në Pojan, një fshat myzeqar afër Fierit, ku, krijoi romanet Lumi i vdekur (1965) dhe Juga e bardhë (1971), ndërsa romanin Lulja e kripës (1978) e shkroi gjatë viteve të qëndrimit në Ballsh, ku po ndiqte nga afër ndërtimin e Uzinës së Pasurimit të Naftës, e cila do të ishte në epiqendër të romanit të ardhshèm Ari i Zi.
Tre romanet e përfunduara dhe të botuara bëjnë pjesë në rrethin e romaneve artistikisht më cilësorë të letërsisë shqiptare.
Asnjë roman para tij nuk e pasqyron në mënyrë aq komplekse botën shqiptare në prag të Luftës së Dytë Botërore, si Lumi i vdekur, periudhën gjatë luftës, si romani Lulja e kripës, apo edhe periudhën e kolektivizimit të bujqësisë (vitet 60) si Juga e Bardhë.
Në këto vepra gjejmë një shtrirje të pakufishme të rrëfimit që mbulon plotësisht hapësirën e jetës dhe të ekzistencës së mjedisit shqiptar.
Jakov Xoxa është nga romancierët më në zë të gjysmës së shekullit 20.
Në krijimtarinë e tij letrare ai individualizohet me parimin krijues-realist : fati individual do të jetë ai që do të hedhë dritë mbi kontestin tërësor të mjedisit dhe të kohës së fokusuar në rrëfime.
Shëmbëllyèeshëm me romanet e shquara realiste, Jakov Xoxa do ta vendosë dramën jetësore të personazheve dhe të familjeve në sfond të një kolektiviteti, të një gjendjeje apo të një rrjedhe historike.
Parashenja më karakteristike e prozës së Jakov Xoxës është stili.
Gjuha e tij vërehet dhe veçohet si e një individualiteti të fuqishëm dhe të papërsëritshëm në letërsinë shqiptare : nga njëra anë është e pranishme fryma e urtisë popullore me tërë thellësinë e shpirtit kolektiv ; nga ana tjetër, kemi një rrëfim të rrjedhës së qetë, të shtrirë në gjerësi, por edhe në thellësi.
Mirënjohje
Urdhri "Nderi i Kombit"
Bibliografi
"Novela", përmbledhje shkrimesh, 1949.
"Buçet Osumi", dramë, 1956.
"Zemra", dramë, 1958.
"Novela", përmbledhje shkrimesh, 1958.
"Lumi i vdekur", roman, 1964.
"Juga e bardhë", roman, 1971.
"Lulja e kripës", roman, 1980/81.
etj.
Biblioteka Kombëtare, në 100-vjetorin e lindjes së personalitetit të letrave shqipe, Jakov Xoxa, çeli sot ekspozitën “100-vjetori i lindjes i shkrimtarit Jakov Xoxa”, me pjesëmarrjen e mbesës së shkrimtarit, Ajola Xoxa, ambasadorit të Republikës së Kosovës, Shkëlqesia e Tij, Skënder Durmishi, personalitete të kulturës, akademikë, studiues, shkrimtarë, botues, pedagogë dhe studentë të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, si dhe të ftuar të tjerë.
Drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Piro Misha, duke vlerësuar kontributin e vyer të shkrimtarit në letërsinë shqipe theksoi se “kjo ekspozitë synon të ndërtojë rrugëtimin e krijimtarisë së Jakov Xoxës nga poezia e tij e parë, në moshën 19-vjeçare, në gazetën “Tomori”, veprat e tij të plota e deri në studimet më të fundit mbi veprën e tij”.
Ndërsa ministrja e Kulturës, Elva Margariti, u shpreh në rrjetet sociale se, vepra e Jakov Xoxës nuk duhet lënë harresë, por i duhet përcjellë brezit të ri.
“Shumë kanë shkruar për Veriun, të tjerë për Jugun, shumë për Tiranën e Korçën, ndërsa Jakov Xoxa me romanin “Lumi i vdekur”, përjetësoi myzeqarët e butë e mikpritës, duke shtuar galerinë e karaktereve në letërsinë shqipe. Jakov Xoxa gdhendi një vepër epope për dashurinë për njeriun, për dashurinë për jetën”, shkroi ministrja Margariti.
Ekspozita e hapur në Bibliotekën Kombëtare do të qëndrojë e hapur për të gjithëvizitorët deri më 30 maj 2023.
Rreth dy javë më parë u njohëm rastësisht me një shkrim të Mevlan Shanaj në lidhje me 100 vjetorin e lindjes së Jakov Xoxës dhe aktivitetet që do të zhvillohen me këtë rast, ku në qendër të tyre do të jetë romani “Lumi i Vdekur”.
Ky lajmërim është shoqëruar me lavdërime të paimagjinueshme për këtë libër dhe autorin e tij. Ne u trishtuam shumë, kur lexuam këtë njoftim dhe komentet e tij, sepse na u kujtua menjëherë gjyshja jonë Urania Papa (ose Nona siç e quanim në familjen tonë), që ishte për ne një gjyshe shumë e dhembshur, fisnike, e papërtuar, që ne fëmijët e donim dhe ajo na donte shumë. Burrin e saj Spiro Papa, ajo e kishte dashur dhe respektuar pa masë, duke i qëndruar besnike gjatë gjithë jetës së saj. Por në vitin 1947 Spiro Papa, i konsideruar borgjez pasanik, u arrestua dhe u vra gjatë torturave çnjerëzore që ju bënë nga njerëzit e regjimit diktatorial komunist për t’i marrë florinjtë që mund të kishte fshehur, por që në fakt, ai nuk kishte, sepse gjithë pasurinë e tjj e kishte kthyer në kapital. Pas kësaj, jeta e Uranisë, pavarësisht se familja jonë i ka qëndruar gjithmonë pranë, ishte shumë e vështirë dhe e trishtuar, sepse ajo quhej e deklasuar, pa triskë fronti, me burrin e dënuar me vdekje nga shteti komunist. Madje ky qëndrim përbuzës dhe diskriminues shfaqej edhe ndaj nesh. P.sh. unë Mariola u pushova njëherë nga puna me arsyen, se i përkas një familjeje me pasuri të sekuestruar nga pushteti, gjë që më stresoi pa masë. Kur doli libri “Lumi i vdekur”, në vitet 1960, ne: nipi dhe mbesa e saj (Bardhyli dhe Mariola), filluam t’i lexonim gjyshes pjesë nga ky roman, ku flitej për zonën ku ajo kishte jetuar. Ajo e kuptoi menjëherë nga përshkrimet e Jakov Xoxës në këtë libër, pavarësisht nga pseudonimi i përdorur, që flitej pikërisht për burrin e saj. Ky fakt e dëshpëronte, sepse në këtë libër Spiro Papa shahej dhe deformohej në mënyrë keqdashëse figura e tij. Si ka mundësi, na pyeste ajo. Ne e kemi pasur të punësuar Jakov Xoxën në moshë të re dhe e trajtonim si djalin tonë; dhe ne nuk i thoshim asgjë edhe kur ai na vidhte; dhe ai të bëjë tani këto shpifje të ndyra për burrin tim. Edhe sot na kujtohet mallkimi që ajo i bënte Jakov Xoxës duke psherëtirë: “Mos u bëfsh të bëhesh ! Ne të kemi mbajtur me lekë edhe punë dhe ti na poshtëron kështu!”
Po cili ka qenë Spiro Papa ?
Nga prindërit tanë, fëmijët e tij si dhe nga shumë njerëz të tjerë që e kishin njohur, kemi dëgjuar se të gjithë ata kishin simpati dhe respekt për Spiro Papën. Ai i donte pamasë fëmijët dhe gruan e tij Uraninë dhe bënte çmos për të mirën e tyre. Ishte me edukatë, shumë i ditur, i sjellshëm, që sillej mirë me çdo njeri: i varfër apo i pasur. Në dokumentet e ndryshme që kemi parë, rezulton që Spiro Papa, me origjinë nga Voskopoja, studimet e para i mori në gjimnazin e Manastirit, më pas përfundoi Fakultetin Drejtësisë në Bukuresht. Më vonë ai jetoi disa vite në SHBA, ku bëri studime plotësuese në universitetin Berkli në Kaliforni. Pasi u kthye në Shqipëri, ai u mor me aktivitet tregtar dhe në vitin 1920, si i pari dhe i vetmi qytetar nga Fieri që kishte mbaruar në mënyrë të plotë studimet e larta universitare, u zgjodh si përfaqësues i Fierit në Kongresin e Lushnjës. Jeta politike e Spiro Papës duke filluar që nga Kongresi i Lushnjes vazhdoi për 12 vjet, deri në vitin 1932: mbështetës i Fan Nolit, senator etj. Në të vërtetë, sikurse shprehet në shkrimin e tij Nuri Plaku, “njohuritë e thella në studimet e kryera, gjuhët e huaja, të shumta që zotëronte, e bënin atë një përfaqësues të një brezi të ri të Shqiptarëve që rrezatonte kulturë perëndimore.Për këtë arsye ai krijoi një emër të nderuar në radhët e ligjvënësve shqiptarë”. “Në diskutimet e tij në parlament, përveç të tjerave, ai doli me propozimin që të ndryshohej kanunorja, pasi ajo që kemi shkakton abuzim mbi kurrizin e bujkut, na lypset me i ba një revizion… Ai doli me propozimin të hiqej e dhjeta mbi pjergullat dhe pemët e tjera frutore…Duhet rinovuar nyja e kanunores që diskriminonte bujkun dhe duhej rinovuar detyrimi për angarinë për fshatarët etj.” Të gjitha këto qëndrime në parlament në mbrojtje të fshatarësisë, ai i shfaqte edhe në marrëdhëniet me fshatarët e zonës së Fierit, gjatë aktiviteteve të tij tregtare. Për këtë arsye fshatarët e Fierit i ishin shumë mirënjohës. Por regjimi komunist e dënoi atë. Për këtë, studiuesi Nuri Plaku shprehet në këtë mënyrë: “ I duhet bërë një homazh Spiro Papës, i cili dha aq shumë në jetën e brishtë të parlamentarizmit shqiptar dhe përjetoi prej diktaturës fatin më të kobshëm të një intelektuali, masakrimin e tij fizik dhe anatemimin e emrit të tij nga kujtesa e historisë”. Vetëm pas rrëzimit të sistemit komunist, ai është rehabilituar duke u dekoruar nga presidenti i Shqipërisë dhe duke u shpallur Qytetar Nderi i Fierit. Nga sa u paraqit më lart, të krijohet menjëherë një ndjenjë përbuzjeje e thellë, për kapitujt e librit “Lumi i Vdekur”, në të cilat është përqeshur Spiro Papa. Ky shkrimtar lake i regjimit komunist, nëpërmjet shpifjeve ndaj këtij heroi të orientimit perëndimor të Shqipërisë dhe i dënuar me të padrejtë, kërkonte në këtë mënyrë, vetëm që të ngjitej sa më lart në karrierën e tij.