2023-04-19

Pëllumb Nako : Siguria dhe ndjenja e pasigurisë.






 Ky është libri i pestë që boton autori Pëllumb Nako me tematikë sigurinë publike. Ndryshe nga botimet e mëparshme, ky i fundit nuk ka karakter publicistik.


Në bazën e këtij botimi janë kërkime të kryera nga sociologë dhe psikologë të ndryshëm që kanë trajtuar konceptet e sigurisë duke i dhënë kësaj të fundit një kuptim të plotë. Në thelb libri trajton temën nëse në shoqërinë e sotme njerëzore individi duhet të ndihet i sigurt thjesht kur ka të mbrojtur integritetin e tij fizik dhe të pasurisë, apo kur ai është i zhveshur nga frika dhe nga nevoja.

Janë këto dy të fundit që imponojnë çdo individ në zgjedhjet e tij të përditshme apo ai duhet të jetë i lirë dhe i zhveshur prej tyre? Dhënia përgjigje e këtyre pyetjeve trajtohet gjerësisht në libër duke evidentuar faktin e rëndësishëm se në ndërtimin e sigurisë në një vend demokratik, aktorët janë më të shumtë se sa policia apo drejtësia. Këto të fundit sigurisht janë të rëndësishëm, por larg garantimit të sigurisë për njeriun dhe komunitetin e lirë. Nuk mund të ketë shoqëri demokratike në një vend ku individi ka frikë.

Dhe në këtë rast nuk bëhet fjalë për frikën irracionale, por për frikën si eksperiencë e viktimizimit nga dhuna e të gjitha përmasave, si shqetësim për të afërmit dhe si preokupim për mbarë shoqërinë e një vendi. Në të njëjtën logjikë trajtohet edhe siguria e komunitetit. Aty kërkohet t’i jepet përgjigje pyetjes nëse një vend mund të quhet i sigurt kur në të ka tensione sociale, apo kur shoqëria karakterizohet nga “kohezioni dhe harmonia sociale”. Në libër analizohet edhe polarizimi i shoqërisë, përfshi edhe atë shqiptare, i cili krijon jo vetëm polarizim ekonomik, por shoqërohet nga padrejtësia sociale për të kulmuar më pas te mungesa e “së drejtës për drejtësi ligjore”. Pra, edhe vetë drejtësia ligjore rrezikon të kthehet në pasuri private dhe jo në një të mirë publike.

Një hendek i tillë bën që popullata të humbasë besimin jo vetëm te institucionet, por edhe te vetë sistemi demokratik. Nuk ka mundësi që qytetari apo edhe komuniteti të ndihet i sigurt kur u mungon besimi te institucionet dhe te vetë sistemi. Një temë tjetër e cila zë vend të rëndësishëm në këtë libër është edhe “ndjenja e pasigurisë”. Ajo trajtohet në mënyrë shteruese, duke përcaktuar se cilët janë faktorët që e ushqejnë, cilat janë shtresat sociale të prekura më shumë prej saj si dhe pasojat që shkaktojnë ato në modifikimin e lëvizjeve të viktimave dhe privimit të tyre nga liria e plotë e qarkullimit në përditshmëri. Me këtë rast evidentohen sjelljet jo civile degradimi i ambientit urban, cenueshmëria për shkak të kufizimeve fizike e financiare, ekspozimi ndaj rrezikut, paqëndrueshmëria shoqërore si burimet kryesore.

Në thelb, libri tregon se ndjenja e pasigurisë është eksperienca e individëve të cenueshëm (femrat, të moshuarit, individë në marzhën e shoqërisë me burime minimale financiare) e krijuar si pasojë e viktimizimit të tyre në përditshmëri nga sjelljet jo civile duke krijuar te ta frikë se mos një ditë do të jenë përsëri viktima të dhunës dhe nuk do të jenë në gjendje ta përballojnë atë, pikërisht të nisur nga kufizimet që kanë. Presioni që ushtron mbi sigurinë e njeriut në përditshmëri si sjellja incivile dhe degradimi i ambientit, krahasohen me presionin që ushtron krimi në përgjithësi mbi ta. Dhe në këtë rast evidentohet qartë se sa i rëndë është kërcënimi me burim sjelljen incivile ndaj personave të cenueshëm dhe jo vetëm. Ndjenja e pasigurisë trajtohet mbi bazën e studimeve të disa sociologëve të huaj, por ilustrohet me shembuj të ndodhur në vendin tonë.

Një temë tjetër që trajtohet në libër është edhe shpjegimi ligjor i koncepteve “siguri dhe rend publik” duke qenë se në vendin tonë nuk ka jurisprudencë, e cila krijon koncept të qartë doktrinar për “rendin publik”. Më pas, vazhdohet me shpjegimin e konceptit të “qeverisjes së sigurisë” ku kjo e fundit nuk ka të bëjë me qeverisjen në përgjithësi, por për një lloj menaxhimi të integruar të sigurisë ku konkurrojnë së bashku ofertat publike të sigurisë me ato private e komunitare. Në fund, bazuar mbi doktrinat filozofike e të jurisprudencës së koncepteve të shpjeguara, i bëhet një analizë e thellë edhe sistemit të sigurisë së brendshme në vendin tonë. Libri i drejtohet një publiku profesional, por edhe më të gjerë.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...