Akademik Prof.Dr.Eshref Ymeri,AAAS
(Servilizmi është një zeje që fitohet pa
vështirësi)
Sándor
Petőfi
Disa muaj më parë, hasa në internet në
një emision të Rudina Xhungës, të transmetuar në “Dritare TV - Youtube, (19.
10. 2022)”. Ajo kishte ftuar në studio ish-ambasadorin në Paris, Luan Rama.
Emisionin Rudina e hapi me prezantimin në vijim, në të cilin u shfaq si një
lajkatare e rangut më të lartë:
“Mirëmbrëma! Mirë se keni ardhur në “Shqip”, në “Dritare TV”. Do t’ju prezantoj me një njeri që e dua fort, e dua
shumë dhe jam e sigurt që kushdo që e shikon e do, Luan Ramën, për shkak se
është i mirë, për shkak se është profesional, për shkak se është njeri i
jashtëzakonshëm, shkrimtar, e kam shkruar në titra, por je ambasador, je
gjithmonë ambasador, je, je treguesi, ciceroni më i mirë i Parisit. Po t’i
tregosh dikujt ti Parisin, ai e do për jetë”…
Në atë emision, Rudina i paskej vënë
vetes si qëllim që të hidhte dritë mbi një të shkuar të largët nga jeta e Edi
Ramës në Paris. Kjo për arsye se në opinionin
publik kanë pasë qarkulluar fjalë jo të mira për mënyrën se si ai e ka shtyrë kohën, si emigrant në
Francë, në vitet e para të dhjetëvjeçarit të fundit të shekullit që kaloi. Dhe gjetja
më e goditur e Rudinës për hedhjen poshtë të atyre fjalëve jo të mira, duhej të
ishte intervista pikërisht me një njeri të tillë, i cili ka jetuar gjatë në Paris
dhe që atje ka pasë qenë njohur nga afër me Edi Ramën. Prandaj
kandidatura më e mirë për realizimin e këtij qëllimi, domosdo që ishte Luan
Rama, i cili ka jetuar 31 vite në Paris, fillimisht si ambasador i vendit tonë.
Koha kaq e gjatë që Luan Rama ka jetuar në Paris, dëshmon më së mirë se ai ka
pasë hyrë mirë në indin e jetës franceze dhe, si askush tjetër nga shqiptarët,
është në gjendje të japë çdo lloj informacioni, vetëm të saktë, për këdo dhe
për gjithçka që ndodh në Paris, deri në imtësitë më të vogla.
Në vijim po iu përcjell lexuesve
bashkëbisedimin e Rudinës me Luan Ramën:
- Ti je njeri diskret, nuk të pëlqen të flasësh dhe të tregosh, edhe
pse ti i ke parë të gjitha, që nga Miterani, Shiraku, Zhospeni, për të mos folë
për Nano, Berisha, Rama. Ramën e ke njohur në Paris, kur ishte, kur jetonte
atje, jashtë politikës?
-
Po, po, e kam njohur, kemi ndenjur bashkë, shikoja ekspozitat e tij, kam qenë
në ekspozitat e tij, madje dhe kam shkruar.
- Ka pasur ekspozitë në atë kohë në
Paris?
- Po, po.
- Sepse, e di si është krijuar ideja?
Rama jetonte në këmbët e një ure, kështu mendojnë njerëzit.
- Po jo. Këto janë imagjinata. Ai ka
hapur ekspozita në vende interesante, në një qendër mjaft interesante, ku ishte
shtëpia e Viktor Hygoit… ishte një ekspozitë shumë e mirë. Unë bëra një shkrim
atëherë, nuk e di, mbase te “Koha Jonë”… Ai ishte i interesuar me jetën
intelektuale, kishte kontakte, ishte një njeri me një vizion perëndimor…” (Citohet sipas: “Ju
tregoj cili qe Rama, emigrant në Paris! | Shqip nga Rudina Xhunga”. 19
tetor 2022).
Pra, me mënyrën se si Rudina e shtronte
pyetjen e parë, mundohej të krijonte bindjen te teleshikuesit se ajo “nuk
kishte si qëllim” të sqaronte se me çfarë është marrë Edi Rama në Paris. Ajo
thjesht, ashtu kot, i tha Luan Ramës “ti
i ke parë të gjitha, që nga Miterani, Shiraku, Zhospeni, për të mos folë për
Nano, Berisha, Rama”. Dhe meqë, “fare rastësisht”, përmendi në fund
Ramën-emigrant, po “fare rastësisht, pa kurrfarë qëllimi”, Luanit i drejtoi
pyetjen “Ramën e ke njohur në Paris, kur
ishte, kur jetonte atje, jashtë politikës?”.
Nga përgjigjja e Luanit (i cili e di
shumë mirë se ku e ka furrikun edhe çdo pulë franceze), rezultoi se Edi Rama në
Paris qenka marrë me punë krijuese, si një piktor i talentuar, i cili paska
pasur “studio të posaçme” për krijimin e pikturave dhe “vende interesante” për
organizimin e ekspozitave të atyre pikturave. Veç kësaj, Edi Rama, sipas
Luanit, “ishte i interesuar me jetën
intelektuale, kishte kontakte, ishte një njeri me një vizion perëndimor…”.
Pikërisht “fakte të tilla” i interesonin
Rudinës për jetën e Edi Ramës, si emigrant në Paris, “fakte”, të cilat, përmes
“Dritares” së servilizmit të saj, i bëheshin të njohura publikut jo nga
dokushdo, por nga një inteletual me paha të madhe, nga një ambasador, “i
shartuar” në qytetar francez, që di të thotë “vetëm të vërtetën”. Sepse në këtë mënyrë “hidheshin poshtë
përfundimisht” llafet e “gojëve të këqija” për bëmat “e mira” të Ramës në
Paris.
Dihet botërisht që gazetaria është
profesion shumë i vështirë. Sepse gazetari duhet të
respektojë etikën e profesionit të vet. Shtrohet pyetja: ç’përfaqëson etika e
gazetarisë ose e gazetarit? Përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje është fare e
thjeshtë: është e pamundur të merresh me gazetari, kur nuk je në gjendje ta
ndiesh “aromën” e së vërtetës. Pra, nëse gazetari ka për qëllim të rrëfejë për
një ngjarje të caktuar, për disa fakte konkrete, se çfarë ndodh në shoqëri, në
politikë, ai duhet të ndjekë vetëm hullinë e versionit të vërtetë për çka
rrëfen. Në të kundërt, ai, në rolin e një servili të pështirë, i shërben vetëm
një agai të caktuar për “ylefenë” që i paguan. Dhe kjo është e kuptueshme,
sepse gazetari servil
mundohet me të gjitha mënyrat të fitojë simpatinë e atij që ka pushtet.
Rudina nuk mund
të mos e dijë që Martin Henze, këshilltar
për çështjet ekonomike pranë partisë së ish-kancelares gjermane Angela Merkel,
CDU, nëpërmjet një postimi në Twitter, i ka bërë një pyetje të thjeshtë Edi
Ramës:
“A
jeni arrestuar dhe burgosur në Francë në vitin 1994 dhe a keni bërë tregti, me
ikona të vjedhura?”. (Citohet sipas: Poli
Hoxha. “4 dëshmi: A ka qenë Edi (Edvin)
Rama i arrestuar në Francë dhe pse e ndryshoi emrin pas akuzës së Nanos?!”. Faqja
e internetit “VOAL”. 20 dhjetor
2019).
Sikur Rudina të ishte
gazetare me integritet profesional, ajo, për të nxjerrë në dritë të vërtetën
rreth bëmave faktike të emigrantit Rama në Paris, duhej të shfrytëzonte jo
vetëm rrëfimet e Luan Ramës, por edhe rrëfime për të tjera fakte, për të cilat
me siguri që është në dijeni. Sepse lind pyetja: pse nuk e ka ftuar në studio
për intervistë
liderin historik të partisë socialiste, Fatos Nano, i cili ka deklaruar publikisht,
me zë dhe me figurë:
“Edi Rama ka një problem moral, e kam marrë si
refugjat me thonj të paprerë nga Parisi dhe e kam bërë pjesë të ekipeve tona.
Unë mund të kem bërë shumë gjëra, por e nxora nga bataku i fyerjeve. Nga
refugjat dhe shitës i ikonave të vjedhura, në ministër dhe në kryetar të
bashkisë më të madhe në Shqipëri” (Citohet
sipas:“Video / Berisha
rikujton deklaratat e Nanos: Ramën e solla nga Parisi me thonj të paprerë”. Faqja
e internetit “Bold News”. 27 shtator
2022).
Rudina është plotësisht në dijeni për të
vërtetën që ka rrëfyer publikisht për Edi Ramën edhe qytetari korçar Gjergji
Thimo, sidomos për informacionin që
ai dha më 30 qershor 2020 në studion e televizionit “Syri”, ku ishte i ftuar nga gazetari Adi Krasta. Edhe këtë qytetar
Rudina nuk e ka ftuar në sudio. Në atë studio ai deklaroi se kishte refuzuar që t’i jepte Ramës pikturën origjinale të
Onufrit, të cilën ky donte t’ia bënte
dhuratë këshilltarit të tij, ish-kryeministrit britanik, Toni Bler (Anthony
Blair). Në atë studio, Gjergji Thimo deklaroi:
“Pas refuzimit tim për t’i dhënë pikturën që e
kisha trashëgimi personale, u ngritën akuzat ndaj meje. Kërkoj drejtësi, sepse
nuk jam trafikant. 2300 objekte mungojnë nga muzeu personal”.
Për teleshikuesit ishte befasues njoftimi në vijim
i Gjergji Thimos për Ramën, si ish-i burgosur në Paris:
“Numri i Ramës, i burgosur në Paris është: AL.1961138/a”.
Pra, Rudina i ka këtu
në Shqipëri Fatos Nanon dhe Gjergji Thimon, por s’ka dashur t’i ftojë për
intervistë. Sigurisht, sepse, sipas saj, tagrin e “së vërtetës” për burgarin
Edi Fama në Paris, e paska vetëm Luan Rama!!! Por ama Rudina nuk ka përtuar “të
bëjë një udhëtim të gjatë” prej mijëra kilometrash, deri në skajin perëndimor
të Kanadasë, në qytetin Vankuver (Vancouver), për të peshkuar një fshatar,
emigrant nga Tropoja, me qëllim që të sulmonte Profesor Sali Berishën në
emisionin e saj të 26 dhjetorit 2022. Rudina nuk mund të mos e bënte atë “udhëtim”,
sepse zeja e servilizmit ndaj Edi Ramës nuk e linte të qetë orë e çast. A mund
të imagjinohet që Rudina ta linte veten jashtë kopesë së servilëve të Edi
Ramës, i cili, së bashku me Sorosin dhe Mcgonigalin, është kryeregjisori i
komedisë karagjoze për shpalljen e Profesor Sali Berishës “person i
padëshirueshëm” në Shtetet e Bashkuara, paçka se Profesori kishte 8 vjet që
ishte larguar nga drejtimi i politikës?
Rudinës i shkëlqente
fytyra kur Luan Rama deklaronte në studio se Edi Rama në Paris “ishte
një njeri me një vizion perëndimor”!!! Se pikërisht vizioni “perëndimor” i Edi
Ramës është ai që “ka ndikuar aq shumë” në psikologjinë e shqiptarëve të brezit
të ri dhe të mesëm për ta braktisur vendin dhe për t’u armatosur në Perëndim
pikërisht me një vizion të tillë. Pra, kjo braktisje katastrofike e vendit “nuk
bëhet” për t’i shpëtuar lakut të varfërisë që Edi Rama ua ka hedhur shqiptarëve
në qafë gjatë këtyre gati dhjetë vjetëve të fundit të sundimit të tij. Jo,
bëhet “vetëm” për t’u armatosur me atë vizion, për të cilin Luan Rama “i sqaroi
mirë” bashkatdhetarët e vet në studion e Rudinës.
Një
servileje të formatit të veçantë ndaj Edi Ramës, si puna e Rudinës, nuk i bën
absolutisht përshtypje një e vërtetë tragjike për fshatin Shishtavec. Në një
informacion, të botuar në internet, thuhet:
“Fshati është thuajse i boshatisur. Sipas
censusit të vitit 2011, Shishtaveci ishte një ndër zonat më të populluara të
qarkut të Kukësit, me një popullsi prej rreth 3800 banorë. Tani atje kanë
mbetur vetëm të moshuar që jetojnë të vetmuar”. Citohet sipas: “Shqipëria
po shpopullohet”. Faqja e
internetit “Tetova News”. 09 korrik
2022).
E,
pra, në vitin 2011 kryeministër nuk ishte Edi Rama, të cilit Rudina i
serviloset, ashtu si edhe kopeja e gazetarëve servilë, pa dinjitet profesional.
Asokohe kryeministër ishte Profesor Sali Berisha, që, siç u theksua më lart,
për ta sulmuar, Rudina s’përton “të shkojë aq larg”, deri në Vankuver të
Kanadasë.
Si
shpjegohet që Rudina, si një gazetare me stazh të gjatë, nuk është shqetësuar
fare për përgatitjen e një emisioni të posaçëm, për t’iu përgjigjur
pyetjes që ka shtruar tani së fundi EUbserver: Pse 83 për qind e shqiptarëve
duan të largohen nga Shqipëria? Një pyetje kjo që shërben si
titull i materialit, që
është botuar në faqen e internetit “indeksonline”
të datës 31 mars 2023. Rudina s’mund ta përgatitë një emision të tillë, se nuk
e lejon servilizmi i saj të prekë sinoret e strategjisë së Edi Ramës për
shpopullimin e pandalshëm të vendit tonë, çka është në përputhje të plotë me
Megalidenë greke dhe me Naçertanien serbe të vitit 1844. Por Rudina përgatit me
qejf të madh emisione për të sulmuar Profesor Sali Berishën, gjatë qeverisjes
së të cilit as që mendohej ndonjëherë se mund të shtrohej pyetja e mësipërme e EUbserver-it.
Kaliforni,
18 prill 2023