Terroristët serbë të kësaj organizate, sa herë që ndiqen të kapen nga organet antikrim të Kosovës, kalojnë kufirin ilegalisht dhe paraqiten në Rashkë, aty tek gjendet shkolla politike e Vuçiqit për Kosovën për t’i marrë detyrat vijuese për krimet e reja!
Me këtë emërtim e kualifikojnë Listën Serbe disa liderë serbë. Aksiomë. Më se e vërtetë. Madje e vetëdëshmuar me vepra si e këtillë (terroriste). Hëpërhë ajo bën pjesë në organizatat më të mëdha kriminale jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por edhe në Evropë. Shtojca me këtë term (terroriste) kësaj partize me të drejtë i është vënë nga mbështetja në të dhënat empirike e pragmatike, që trupëzohen në terrenin e komunave veriore me shumicën e popullatës serbe tash e disa vjet. Lista Serbe, me krimet e rënda e të rrezikshme si ndaj banorëve vendës, ashtu edhe ndaj organeve të rendit e të sigurisë të Kosovës, edhe me mbështetjen e Beogradit zyrtar, është bërë vatër lidere e anarkisë nga burojnë veprimet terroriste, të cilat organizohen nga krerët e kësaj organizate gjithnjë sipas politikës së Vuçiqit.
Në këtë krahinë të Republikës së Kosovës, të cilën politika serbe e Beogradit ka si qëllim kryesor ta aneksojë ashtu sikundër ka vepruar me shumë krahina të tjera të etnisë shqiptare të Vilajetit të Kosovës, sidomos gjatë viteve 1877- 1878, labërgohen e zhvillohen forma të ndryshme të veprimtarisë kriminale si p. sh.: qarkullimi i lirë i drogës, tregtia me armë, korrupsioni, kontrabanda, djegia e pronave të serbëve, të cilët u përmbahen ligjeve të Kosovës; e tërë kjo veprimtari vihet në praktikë nga njerëzit e rrethit të ngushtë i Listës Serbe. Veprimet e këtilla kriminale i toleron politika e Vuçiqit. Dhe, jo vetëm që i toleron, por edhe vihet e tëra në mbrojtjen e tyre. Madje ndërhyrjen e organeve shtetërore të rendit e të sigurisë të Kosovës për t’i kapur e për t’i arrestuar kriminelët, Beogradi e quan “presion e terror ndaj serbëve” të atjeshëm! Demagogji e paparë! Këtë po e sheh edhe BE- ja, por e kalon në heshtje dhe nuk reagon. Qëndrim frapant!
Për të qenë ironia edhe më absurde, intervenimin e zyrtarëve policorë të Kosovës për t’i zënë autorët e krimit në këtë pjesë të Kosovës, vjeshtën e kaluar, edhe intermediatorët ndërkombëtarë: Borrel e Lajçak e quajtën “ndërhyrje të njëanshme!”
E pabesueshme, por e dëshmuar nga realiteti. Prandaj, s’është habi që në komunat me shumicë serbe në hapësirën veriore të shtetit të Kosovës lulëzon e gufon kriminaliteti në krye të të cilit gjenden krerët e Listës Serbe: G. Rakiq, M. Radoiçiq etj., të cilët kanë bashkërendim të ngushtë me Vuçiqin e P. Petkoviqin. Pra, shprehur me stilin metaforik, problemi qëndron te rrënja dhe jo te pipthi. Rrënja është strategjia e Beogradit dhe pipthi (Lista) rrjedhojë e strategjisë. Kështu ndodhi edhe ditët e fundit të marsit, kur për ta trupëzuar urdhrin e Vuçiqit, drejtuesit e Listës Serbe autorizuan personin e tyre (Bozhoviqin) për t’i djegur disa vetura përpara shtëpive të pronarëve të tyre të regjistruara me targat RKS!