Në vend se ato (njësitë e ndjekjes) të lavdërohen me mirënjohje për kapjen e kriminelit që djeg pasurinë e qytetarëve për shtysat politike, P. Petkoviq e G. Rakiq, në konferencën për mediet nga Beogradi, kërkojnë nga organet kompetente lirimin e kriminelit!
Vihet re pra publikisht se për ç’arsye Rakiqi e Radoiçiqi e kërkojnë tërheqjen e njësive policore të Kosovës nga komunat veriore. Ndonëse me vonesë të madhe, është pozitive që veprimtarinë kriminale të Listës Serbe tani e kanë parë dhe përjetuar edhe qytetarët e atjeshëm serbë. Andaj, rrodhën shumë reagime e protesta kundër politikës despotiste të Vuçiqit, e cila trupëzohet në këtë pjesë të Kosovës nga krerët e korruptuar, komplotistët e shovinistët e Listës Serbe, të cilët, ku me gënjeshtra e mashtrime, ku me diktat e kërcënime, imponuan lëshimin e vendeve të punës të serbëve në institucionet e Kosovës.
Si ilustrim faktik do parë vizita e P. Petkoviqit në Zubin Potok, e cila u prit nga qytetarët serbë me mllef, me mëri të madhe kundër tij e krerëve të Listës Serbe si dhe me sharje e fyerje të rënda: “ Turp të keni, shqiptarët po na mbrojnë.”
Për organizimin dhe ekzekutimin e veprimeve kriminale, G. Rakiq dhe M. Radoiçiq, tok me bashkëpunëtorë të tjerë, zbatojnë urdhrin e mentorit të tyre- Vuçiqit. Kush është Rakiq të flasë në emër të popullit serb? Një oktapod e filistin i jep vetes të drejtë që, nga Beogradi, t’i grishë serbët në kryengritje të përgjithshme po qe se nuk lirohet serbi i arrestuar për veprat kriminale: “Duam të paralajmërojmë Prishtinën se në rast të moslirimit të të arrestuarit, do të ketë kryengritje të përgjithshme… etj.” për t’u pasuar, po për këtë rast, nga Vuçiqi: “Kosova do përshkallëzim të konfliktit.” Habi e madhe! Sepse po e lufton krimin dhe po e mbron sigurinë dhe pronën e qytetarëve.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë Jorn Rohde reagoi i befasuar se si krerët e Listës Serbe nuk e dënuan djegien e veturave të qytetarëve serbë në Veri të Kosovës! Reagim i drejtë i ambasadorit. Këtë akt krimi do të duhej ta kritikonte edhe Lista. Duket se ambasadori gjerman ende nuk e njeh politikën e Listës Serbe. Kjo partizë është një organizatë që drejtohet nga kriminelët: nënkryetari i saj (M. Radoiçiq) gjendet në Listën e Zezë Amerikane për krimet vrastare e vepra të tjera terroriste madje edhe ndaj serbëve.
Prandaj, Lista Serbe nuk mund ta dënojë djegien e veturave siç ka pritur ambasadori gjerman nga shkaku se atë (djegien) e ka organizuar vetë G. Rakiq dhe, sikundër u bë e ditur, autori i këtij akti terrorist (Bozhoviq) qenka njëri nga rrethi e ngushtë i kriminelëve të Rakiqit, të cilët paguhen nga Beogradi për ekzekutimin e krimeve të ndryshme gjithnjë të motivuara politikisht.
Gazetari serb Zhelko Velkoviq, nga TV “Nova”, akuzoi Listën Serbe dhe Vuçiqin për mashtrimet e mëdha që po ua bëjnë serbëve të Kosovës për arritjen e qëllimeve politike. Ai, ndër të tjera, tha: “I mblodhën dhe i morën me autobusë nga e tërë Kosova për t’i dërguar në protestën e Shtërpcës me qëllim që ta minimizonin protesën e Mitrovicës veriore, që ishte organizuar kundër Vuçiqit dhe Listës Serbe.”