Vrasësi i biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin ka qenë i vendosur për të kryer ekzekutimin në momentin më të përshtatshëm të cilin e ka pritur disa ditë.
Pamjet e kamerave të sigurisë në pedonalen e Shëngjinit kanë fiksuar autorin me të njëjtin mjet dhe me të njëjtën veshje edhe në datat 17 dhe 18 prill. Ai ka qëndruar pa lëvizur për orë të tëra para lokalit “Coral” në pritje të momentit kur objektivi i tij do të ishte vetëm. Momenti I përshtatshëm u krijua rreth orës 13.30 të datës 19 prill kur Ardian Nikulaj u ul në një tavolinë vetëm.
I dyshimtë për policinë është parë edhe një shtetas anglez, i prezantuar si turist, i cili ka qëndruar në Shëngjin nga data 14 deri më 19 prill. Fill pas vrasjes, ai është larguar nga Shqipëria.
Policia e Lezhës ka mundur të gjejë mjetin “Land Rover Discovery” në pronësi të një italiani që dyshohet se transportoi ekzekutorin së bashku me motorin nga fshati Kukel në drejtim të Velipojës.
Mjeti është parë në kamerat e sigurisë edhe në pedonalen e Shëngjinit në datat 17 dhe 18 prill. Në komisariat janë shoqëruar dy persona të huaj, një burrë dhe një grua të cilët pritet të merren në pyetje.