Arbana Osmani, moderatore e Big Brother Vip, ka postuar në Instagram një deklaratë sqaruese për një diskutim të puntatës së djeshme.
Kjo nisi nga disa deklarata të Luizit, konkurrent i Big Brother, ndaj Efit e cila është gjithashtu banore e shtëpisë. Luizi tha për Efin, se si një vajzë që ka qenë pjesëmarrëse në emisionin “Përputhen”, është turp ta kesh afër dhe se sipas mendimit të tij nuk do donte që ta shikonte motrën e tij në të njëjtën pozitë.
Pas kësaj deklarate, moderatorja reagoi paksa e revoltuar, ku përmendi edhe Kiarën si shembull, pasi ish banorja pak më parë ishte shprehur e prekur kur kishte marrë vesh që vëllait të saj i kishin thënë:“Shikoje motrën tënde, çfarë bën poshtë jorganit”.
“Edhe një herë tjetër dua të saktësoj përgjigjen time në lidhje me deklaratat e Luizit për ‘vajzat e Përputhen’.
Çdo vajzë që merr pjesë në një reality show (spektakël) si ‘Big Brother’ apo ‘Përputhen’ ka një linçim publik 10 fish më të madh se një djalë. Dhe këtë po e diskutoja edhe dje me Kiarën ku më erdhi shumë keq kur më tha se momenti që më ka bërë tepër të vuaj ishte kur mësova se vëllait tim i dërgonin mesazhe të tipit ‘Shikoje motrën tënde çfarë bën poshtë jorganit’.
Nuk e bën një vajzë me ‘turp’ fakti që vendos të marrë pjesë në një program televiziv dhe të ndajë historinë e saj të dashurisë me publikun. Askush nuk ka të drejtë të mërzisë as vëllain e Efit, dhe as atë të Kiarës e të asnjë vajze tjetër të këtij vendi duke predikuar moral.
Efi, Kiara, Dea, Olta etj, janë të gjitha vajza e gra që prej muajsh po linçohen masivisht online vetëm sepse në momente të caktuara kanë zgjedhur të jetojnë Big Brotherin e tyre si duan ato. Linçimi jashtë është më se i tepërt. Aq sa kur më i vogli vjen brenda shtëpisë, mua si grua më bën të reagoj.
Dhe do ta bëj gjithmonë”, ka shkruar Arbana Osmani në Instagram.