Ceremonia e përmbylljes së garës ndërkombëtare tradicionale “Ushtari më i mirë 2023” u mbajt të premten në kazermën e FSK-së `Skënderbeu` në Ferizaj.
Në një njoftim për media nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), thuhet se gara “Ushtari më i mirë 2023” është realizuar nga data 24-28.2023, me pjesëmarrjen e ekipeve partnere, FSK-së dhe vendeve të rajonit.
“Sot në ceremoninë përmbyllëse janë shpallur rezultatet e kësaj gare ku me këtë rast, OR3 Armend Neziri është shpallur ushtari më i mirë 2023 nga FSK-ja për vitin 2023 dhe pas tij u radhitën OR2 Sead Veseli dhe OR2 Arsim Jashari. Ndërsa, nënoficeri nga Kroacia OR4 Marijan Jelic, u shpall ushtari më i mirë ndërkombëtar, i përcjellë nga OR4 Marin Volarevic dhe OR4 Eugen Zoric gjithashtu nga Kroacia”, thuhet në njoftim.
Tutje vazhdon njoftimi se në ceremoninë përmbyllëse morën pjesë Komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes gjeneral brigade Jeton Dreshaj, Komandanti i Gardës Kombëtare të Ioëas, gjeneral brigade Stephan Osborn, zëvendës komandanti i Gardës Kombëtare të FSK-së, Kolonel Skender Hoxha, oficer e nënoficerë të FSK-së, dhe të partnerëve ndërkombëtarë dhe të regjionit.
Në falën e tij gjeneral Dreshaj të pranishmit i përshëndeti në emër të Komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari duke falënderuar secilin nga pjesëmarrësit në garën e ushtarit më të mirë 2023.
Me këtë rast gjeneral Dreshaj theksoi rëndësinë e garës dhe bashkëpunimit rajonal, aktivitetet e përbashkëta, konkurrenca në garën e ushtarit më të mirë, do të na forcoi dhe përgatit për integrimet në NATO.
“Sot dhe të ardhmen situata e sigurisë po bëhet më komplekse, prandaj e vetmja rrugë për të u përballur me këtë është të trajnohemi, ushtrojmë , edukohemi dhe të kuptojmë më mirë njëri tjetrin”, tha Dreshaj.
Kjo garë është organizuar nga Rreshter majorët e Komandave të FSK-së, me këtë rast Rreshter majori i FSK-së Bedri Zuka, theksoi se kanë pasur një javë të gjatë dhe me shumë aktivitetet , dhe se sot u shpallën rezultatet e kësaj gare, me kënaqësi ishim së bashku, njohëm njëri tjetrin dhe shpresoj se do shihemi në gara tjera për të treguar shkathtësitë dhe përgatitjet e Forcës tonë.
Në garën “Ushtari më i mirë 2023” morën pjesë garues nga Kosova, Shqipëria, Kroacia, Sllovenia, Maqedonia e Veriut, Kanadaja, Jordania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës(SHBA).
Pjesëmarrësit garuan në disiplinat si: testi fizik, njohuri të përgjithshme, gjuajtje me armë të gjata dhe të brezit, navigim tokësor, kalimi i poligonit të besueshmërisë, hedhja e granatës, ndihma e parë, vëzhgimi i terrenit dhe marshimi.
Pjesëmarrja e garuesve nga ushtritë e vendeve partnere dhe të rajonit në këtë garë dëshmon shkallën e lartë të bashkëpunimit me vendet partnere, që FSK e ka krijuar me disiplinë, përkushtim dhe profesionalizëm.