Revista gjermane, Die Aktuelle, ka shkarkuar kryeredaktoren e saj, Anne Hoffmann dhe ka kërkuar falje te familja e Michael Schumacher, për publikimin e një interviste të rreme, me fjalët e legjendës së Formula 1 që ishin gjeneruar nga inteligjenca artificiale.
Revista Die Aktuelle botoi një ballinë duke premtuar një intervistë ekskluzive me Schumacher, i cili nuk është parë në publik që kur pësoi një dëmtim të rëndë të trurit në një aksident skijimi në vitin 2013. Vetëm pas 'intervistës' zbulohet në revistë se artikulli është krijuar nga një chatbot i AI(inteligjencës artificiale).
Drejtoresha menaxhuese e revistave, Bianca Pohlmann tha të shtunën: "Ky artikull pa shije dhe i rremë nuk duhet të ishte shfaqur kurrë. Ky artikull në asnjë mënyrë nuk korrespondon me standardet e gazetarisë që ne -- dhe lexuesit tanë -- presim nga një botues si revistë."
Pohlmann tha se po e shkarkonte kryeredaktorin e revistës Die Aktuelle, ku u shfaq e ashtuquajtura intervistë dhe gjithashtu i kërkoi falje familjes së Schumacher.
Një përfaqësues i familjes Schumacher konfirmoi për ESPN të mërkurën se do të ndërmerren veprime ligjore për rastin në fjalë.
Revista printoi në faqen e saj të parë një foto të 54-vjeçarit Schumacher së bashku me fjalët: "Michael Schumacher, intervista e parë!"
Revista gjithashtu shkroi "duket si e vërtetë" me citatet e supozuara që i atribuohen Schumacher të krijuara nga AI. Die Aktuelle është një nga shumë revistat tabloide të famshme në Gjermani.
Schumacher u tërhoq nga F1 në vitin 2012 pas tre sezonesh me Mercedes dhe u zëvendësua në ekip nga Lewis Hamilton, i cili ka arritur rekordin e Schumacher për titujt e F1.