Ilir Meta është thirrur në vizitën e tij të sforcuar në Athinë me urgjencë për t’i dhënë një “dorë” qeverisë dhe politikës greke pas “shok”-ut që pësoi nga deklarata e komisionerit të BE Johhanes Hahn se çështja çame është futur në axhendën e BE si një negociatë mes palëve Shqipëri-Greqi dhe mund të përfshihet në progres-raport.
Pikërisht deklarimi i Hahn se kjo çështje tashmë është në tavolinën e kancelarive evropiane për zgjidhje do apo nuk do Greqia, e ka vënë politikën greke dhe qeverinë greke përballë faktit të kryer: Herët apo vonë kjo çështje do të zgjidhet.
Tani nuk flitet më për pengim të zgjidhjes së kësaj çështjeje, tani flitet se kujt i duhet dhënë “dafina” e fitores. Dhe dhelpëria greke punon “sahat” në këto raste. Duke qënë se Rama-Bushati janë ata që kanë bërë publikisht gjithë punën për zgjidhjen e çështjes çame, për herë të parë është futur në program qeveritar, dhe që e kanë kërkuar në të gjitha takimet deri në BE, duke e bërë axhendë të institucionit më të lartë evropian, politika greke nuk do kurrsesi që zgjidhja të shkojë te Rama dhe të forcohet sipas mendësisë së saj, në sytë e shqiptarëve dhe në sytë e ndërkombëtarëve.
Që fitorja ti shkojë PDIU dhe Idrizit as që mendohet nga politika greke, pasi e quan parti fashiste dhe është sipas saj tërë strumbullari që kjo çështje u vu në rrugën e zgjidhjes. Në këtë mënyrë është gjetur filogreku Ilir Meta që të “rrëmbejë” sipas politikës greke kurorën e fitores thjeshtë me një vizitë të stisur treditore pas lëshuar asnjë deklaratë për çështjen çame madje as duke e përmendur. Dhe “oferta” ka ardhur. “Burimet” e mediave, lajme të hedhura në treg nga Meta bëjnë me dije se kryeministri Alexis Tsipras ka bërë gati amendamentin për heqjen e ligjit të luftës së Greqisë me Shqipërinë, që qëndron këtu e mbi 70 vite në fuqi, pavarësisht se jemi vende anëtare të NATO-s, pavarësisht se Greqia është anëtare e BE dhe Shqipëria kandidate për në BE. Dhe ky skenar materializohet dhe me pjesmarrjen e LSI në kongresin e Syrizas, partisë së Tsipras, kryeministrit grek.
Kështu anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe njëkohësisht ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ndodhet në Athinë ku do të marrë pjesë në punimet e Kongresit të dytë të SYRIZA-s. Manjani do të marrë pjesë në kongresin që do të zhvillojë punimet në dy ditë, ndërsa ftesa i është dërguar nga kryeministri i Greqisë, Tsipras. Në kongres, Manjani do përshëndesë në emër Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ende mbetet mister nëse ka ftesë dhe për PS si parti e majtë dhe anëtare me të drejta të plota të Internacionales Socialiste dhe të Partive Socialiste Evropiane. Por prapa kësaj “dashurie” mes Metës dhe politikës greke qëndron kundërvënia ndaj kryeministrit Edi Rama, i vetmi kryeministër në këto 25 vite që ka qënë përballë kësaj politike pas asnjë lloj shenje kompleksiteti dhe inferioriteti.
Dhe pikërisht media ka zbardhur “negociatat” mes kryeminstrit grek, Alexis Tsipras dhe kreut të Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta në Athinë, ku këtij të fundit i është ofruar dhënia e disa koncensioneve vetëm me kushtin e shkatërrimit të PDIU-së. Tsipras ka hapur thesin për të ulur çmimin e patentave për emigrantët, si dhe të japë shtetësi nëse do të zhduken nacionalistët. Ndërkaq, ministri Jashtëm Ditmir Bushati, i cili ishte i ftuar në Top Story e cilësoi si të padrejtë heqjen e barazisë nga ana e Athinës mes PDIU-së dhe Agimit të Artë, në prezencë edhe të kryetarit të Kuvendit Ilir Meta.
“Unë nuk kam dëgjuar gjuhë raciste ndaj fqinjëve tanë në Parlamentin tonë. Asnjë deputet në sallën e Kuvendit tonë nuk ka propozuar ndryshim kufijsh. Sot në Parlamentin shqiptar u fol për ndjesë, u fol për obelisqe, rëndësinë e respektit për të rënët”, tha Bushati.
Lidhur me çështjen çame, Bushati tha se ajo është një dhe e vetme, por brenda mazhorancës ndryshojnë mënyra si artikulohet në varësi edhe të pozicionit që ka gjithsecili. Ai tha se prania e PDIU-së në koalicionin qeverisës nuk cënon qëndrimin e Shqipërisë për çështjen çame, madje e motivon edhe më tej atë. Sa i takon marrëveshjes për varrezat e ushtarëve grekë, Bushati u shpreh se qeveria shqiptare njeh atë që është nënshkruar nga ish-Qeveria Berisha, megjithëse e konsideroi si difektoze. Ministri i Jashtëm, Bushati konfirmoi se formalisht në Greqi është në fuqi një ligj lufte, që edhe vetë Athina e ka njohur përmes një letre dërguar Tiranës vite më parë, ndërsa tha se nuk ishte në dijeni të diskutimeve Meta-Tsipras për këtë çështje.
“Ligji i luftës nuk është një çështje e ezauruar as me traktatin e miqësisë në vitin 1995 dhe as me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, por nuk është e vërtetë. Pala shqiptare i ka kërkuar qeverisë greke që të shprehet për këtë çështje dhe ka marrë një letër që konfirmon se dy vendet janë formalisht në luftë”, tha Bushati.
Kreu i diplomacisë shqiptare tha se ky ligj ka efekte të drejtpërdrejta mbi çështjet pronësore dhe një sërë efektesh të tjera zinxhir që lidhen me të. Por në një lidhje të drejtpërdrejtë me Athinën u tha se kryeministri Tsipras në takimin me Ilir Metën i është shprehur i gatshëm të dërgojë tek Presidenti Pavllopulos një amendament, i cili do të shfuqizojë ligjin e luftës edhe formalisht. Burimet thanë për “TCH”, se në këtë takim, është rënë dakord se abrogimi i ligjit të luftës është një domosdoshmëri, që do të çlirojë energji pozitive në marrëdhëniet dypalëshe.
Ministri Bushati tha se nuk ishte në dijeni të një lëvizjeje të tillë. “Nuk më ka njoftuar njeri për këtë çështje. Nuk kam asnjë informacion dhe asnjë konfirmim, as nga ambasada që të vërtetoj këtë tezë”, tha ai.
Bushati ka mohuar se qeveria e sotshme për shkak të koalicionit me PDIU ka një marrëdhënie të ngrira me Greqinë. Sipas Bushatit, mazhoranca e sotme ka marrëdhënie intensive në të gjitha nivelet, ndryshe nga qeveria e shkuar e cila sipas ministrit, në dy vitet e fundit të mandatit nuk pati asnjë komunikim me qeverinë greke. Duke iu referuar vizitës së kreut të kuvendit, Ilir Meta në Greqi dhe reagimet e deputetëve të PDIU pas kësaj vizite, Bushati u shpreh se secili nga të dy politikanët ka mbajtur pozicionin e vet sa i përket çështjes çame; Shpëtim Idrizi si kryetar i një partie që këtë çështje e ka të qenësishme, ndërsa Meta shkoi në Greqi si kryetar i Kuvendit dhe mbajti qëndrim nga kjo pozitë. Ndërkohë ai sërish ka këmbëngulur se vizita e Ilir Metës në Athinë ishtë një vizitë parlamentare në krye të një delegacioni të gjërë parlamentar dhe jo një vizitë negociuse, aq më tepër që nuk mund të shpjegohet sipas tij se për çfarë duhet negociiuar nga Meta.
No comments:
Post a Comment