“O ajr i mbremjes mbeshtillme, erdhi ora te vdes perseri.
Kur te mbyllen syte e mi, nuk do te kete me det
Dhe varkat e loteve kane per te ngecur ne stere.
… Shkoj dhe shirat po i le te kyçura
Por do te kthehem perseri ne çdo stine qe te dua.
Une kam qene trishtimi i botes.
O ajr i mbremjes mbeshtillme, erdhi ora te vdes perseri.”
Jetoi si një i burgosur, vdiq si bohem, nderohet si një martir. Sot mbushen 11 vjet, kur mbylli sytë poeti Frederik Rreshpja. Më në fund, erdhi ora që të vdiste përfundimisht. N; jetën e tij iu desh të vdesë e të ngjallet disa herë, si një Krisht i martirizuar për artin dhe kulturën. Sa më shumë të largohet koha, aq më shumë përmasa legjende do të marrë ai dhe jeta e tij. Por ne të gjithë jemi bashkëkohës të tij, jetuam me të, e njohëm në trishtimin e mjerimin e tij. Gjithë jetën e vet 66-vjeçare, ky poet vetëm pika lumturie gjeti. Jetoi nën trysninë e kohës së vet. Dhe trysnia i vinte nga të gjitha anët, i rrinte mbi krye si Shpata e Demokleut. Vetëm në shpirtin e tij poetik dhe në ëndrra, ai ishte poet i lirë...
Biografia e tij përmblidhet me pak fjalë. Mjafton një vendim gjyqi i komunizmit, sepse ai regjim ta bënte gati edhe CV-në. Ishte i biri Drandes dhe Markut, i datëlindjes 19 korrik 1940, me origjinë fshatare, nëpunës i varfër, pa parti, pa imunitet, i shkurorëzuar... U arrestua në 8 qershor 1976, sepse akuzohej se ka bërë agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor. Që në moshën 15 –vjeçare, në vitin 1955 nis historia e persekutimit të tij. Kishte zënë shoqëri të keqe, lexonte libra të ndaluar, ka bërë agjitacion e propagandë kundër pushtetit..., duke u munduar të errësonte sukseset e socializmit!! Që i ri ai ka bërë thirrje për t’u arratisur në Jugosllavi, sepse atje bëhej një jetë më e mirë, gjendja në vend ishte e keqe, njerëzit vuajnë më keq se në kohën e faraonëve, pagat janë të ulëta dhe udhëheqësit kanë tradhtuar interesat e popullit dhe gjakun e dëshmorëve. Këto i kanë thënë dëshmitarët, shokët e tij, kur ai nuk i ka mbushur ende 20 vjet. Megjithatë Partia e kishte zemrën e madhe, i dha dorën, nuk ia mori parasysh këto “lajthitje”, këto “shpifje” sepse ishte i vegël, i varfër dhe do korrigjohej..., madje Partia i krijoi mundësi edhe të shkruante e të bëhej anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, nga e cila u përjashtua me ceremoni, në moshën 35- vjeçare, në 1975. Më 1967 iu botua vepra e parë letrare, përmbledhja me poezi "Rapsodi shqiptare“. Më 1975 vepra e tij hiqet nga qarkullimi me urdhrin e një qarkoreje të ministrisë së Arsimit dhe Kulturës, firmosur nga zv/ministri Mantho Bala, për shkak të qëndrimit të autorit. Reshpja, dalëngadalë po e mbushte kupën. Ishte bërë i padurueshëm për regjimin. Ishe shkodran, por shkodranët nuk e donin në gjirin e tyre, sepse ai nuk ishte nga ai soj “shkrimtarësh” që bënte ojna e bojna. Ata u ngritën dhe denoncuan, më pas e përjashtuan nga LSHA. Në një vendim të LSHA, dega Shkodër, dt.24 korrik 1975, firmosur nga sekretari Fadil Kraja, thuhej: “Tri janë arsyet pse u përjashtua Frederik Reshpja: 1. Figura e tij politiko-morale ka qenë vazhdimisht objekt i kritikave të organizatës dhe opinionit publik (Pse? Shthurje në veshje, qëndrim e sjellje të keqe, grindje deri në rrahje nëpër lokale, dehej dhe sillej keq me familjen, bënte thashetheme e nënvlerësonte shokët dhe krijimtarinë e tyre. Kishte ndërruar shumë punë), 2. Formimi i tij ideo-artistik ka qenë shumë i ulët.
(Pse? Nuk studionte filozofinë m-l, veprat e shokut Enver, historinë e artit shqiptar. Lexonte literaturë të ndaluar, nënvleftësonte krijimtarinë e të vjetërve, brezave dhe veprat tona), 3. Vepra e botuar e tij është plot huazime dhe me nivel të ulët artistik. Në fund të shkresës, thuhet se “tërë opinioni publik e ka pritur shumë mirë këtë masë ndaj një ish- shkrimtari të padenjë për revolucionin dhe ndërtimin socialist.”
Mjaftonin këto konkluzione të dala nga LSHA, në janar 1975, për ta çuar drejt burgut shkrimtarin. LSHA i kishte bërë aktakuzën dhe akuzat që iu shtuan më vonë, si p.sh bisedat nëpër kafenetë e Shkodrës se “kosovarët e duan Titon dhe i thërrasin “bacë”, “Gjergj Fishta është poet kombëtar”, “Stalinin e ka quajtur mizor dhe Trockin njeri të madh, që e ka dashur Lenini”, se “nuk kish ç’i duheshin veprat e shokut Enver për t’i lexuar” (sipas dëshmitarit T.P, të cilin Frederiku as e kujtonte kush ishte e as të kishte bërë ndonjë bisedë të tillë), etj. Pra, nga të gjitha sa më sipër, fatkeqësisht, Frederiku kishte konsumuar krimin e agjitacionit dhe propagandës. Ndaj gjykata e dënoi me katër vjet heqje lirie, duke filluar nga 8.6.1976. Katër vjet më vonë, fiks më 8.6.1980 Frederiku lirohet nga burgu. “Qëndrimi i tij në burg ishte i mirë”, shkruan fletë-dalja. Nuk dihet se çfarë nënkuptonte me “i mirë”, ndoshta kjo ka të bëjë edhe me ndonjë shenjë dobësie të Frederikut, e marrë në kushtet ekstreme të torturës dhe burgut. Ridënohet disa herë dhe në fund del nga burgu ne Sarandë. Jetoi keq, i mënjanuar dhe pa miq e hokë, dhjetë vjet, derisa ra diktatura. Duket se në fillim të viteve 90-të edhe ai do të shikonte një dritë e ditë të bardhë. Pasioni për letërsinë dhe shtypin e fjalën e lirë e shtyu të merrej me botimin e librve të munguar. Të kapte kohën e humbur. Gazetaria ishte pasioni që flinte në shpirtin e tij. Në vitin 1991, ishte kryeredaktor i gazetës "ORA" si edhe kandidat për deputet. Nga fillimviti i 1992 shpërngulet nga Shkodra në Tiranë, ku ai ishte themelues e pronar i shtypshkronjës dhe shtëpisë botuese "Europa" dhe drejtor i revistës kulturore-letrare me po të njëjtin emër. Rreth tij u mblodhën hienat dhe hajnat dhe shumë shpejt e kryqëzuan. E futën në borxh, e delendisën deri në mjerim e varfëri... Pas vitit 2000 përjetoi një varfëri të skajshme e më pas pësoi një hemoragji cerebrale më 2001.
Ditët e fundit u katandisë në gjysmë njeri, i parruar, i pangrënë, i veshur keq.. Imazhi këtij poeti të madh bohem, që shfaqej në kafen e “Lux”, me kapele, tutat sportive dhe këpucët që i tërhiqte zvarrë, teksa ulej në tavolinë, për të pirë një kafe që ia jepnin dashamirët dhe njerëzit që e donin e iu gjendën pranë... flet më shumë se një mijë fjalë ishte akuzë për shoqërinë e postdemokracinë. Poeti vdiq më 17 shkurt të 2006 në Shkodër dhe varroset të nesërmen në varrezat e Rrëmajit.. Ky ishte Frederik Rreshpja, një bohem i kohës sonë! F.S
No comments:
Post a Comment