Historia e artit dhe kulturës shqiptare në diktaturë është një dramë më vete. “360grade.al” do të nisë një cikël mbi fatin tragjik të artistëve nën diktaturë. Një nga artistët e shquar të kësaj periudhe, i cili, për fatin e tij të keq, nuk shkonte në rresht si shumë të tjerë, Maks Velo, në librin e tij “Ese për diktaturën komuniste” harton një listë me 146 shkrimtarë dhe artistë të burgosur ose të pushkatuar. Në Shqipërinë e diktaturës nuk u dënuan vetëm kundërshtarë politikë apo tradhtarë lufte por u dënuan edhe shkrimtarë e artistë, libra, lexues, drama, festivale këngësh, ngrehina bibliotekash, madje dhe vetë metafora...
Por janë pothuajse edhe aq të tjerë të cilëve u është ndaluar të shkruajnë, të bëjnë artin e tyre , edhe pse nuk u burgosën, ose u internuan, ose u hoqën nga arti i tyre, dhe i detyruan të mbijetojnë në punë të rëndomta. “Shkrimtarët dhe artistët janë vetë diktatorë të mendimit dhe shijes”, thotë Maks Velo, dhe si të tillë nuk mund t’i pranonte diktatori, i cili donte vetë të dominonte mendjen dhe shpirtin e popullit të vet. Si në të gjitha vendet e Lindjes, u krijua, menjëherë pas Luftës, LSHA (Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve).
Lidhja e Shkrimtarëve u krijua më 7 tetor të vitit 1945, ndërsa Lidhja e Artistëve në vitin 1949. Kongresi i Parë, i mbajtur më 1957, i bashkoi këto dy organizata në një institucion të vetëm: në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Në krijimin dhe drejtimin e organizatës së parë të krijuesve shqiptarë merrnin pjesë disa nga intelektualët më të shquar. Si kryetar i saj u zgjodh Sejfulla Maleshova, president nderi, Fan Noli. Midis krijuesve më të njohur ishin Poradeci, Bulka, Luarasi, Shuteriqi, Asllani, Pasko, Prenushi, Spasse, Haxhiademi etj. Këtë bashkim vullnetar të krijuesve të të gjithë vendit në fillim e përbënin 70 anëtarë.
Me kalimin e kohës Partia i mori frenat në dorë, ajo nuk mund të linte këtë organizëm të madh propagandistik jashtë vëmendjes së saj. Duke e cilësuar atë si “ndihmëse të partisë”, në edukimin e masave, LSHA, u vu totalisht në shërbim të regjimit. Ndërkohë diktatura kultivonte shkrimtarët dhe artistët e vet dhe i mirëmbante ata ashtu si sigurimin e shtetit, fabrikat apo fermat. Dhuna në diktaturë nuk ushtrohej vetëm me policë por edhe me intelektualë, propagandist apo shkrimtarë, veprat e të cilëve i shërbenin ideokracisë dhe sistemit totalitar. Krijuesit, ata që nuk iu bindën ose kundërshtuan, ose nuk ishin dakord, një nga një u burgosën, disa u pushkatuan dhe të tjerë iu ndalua fare botimi e arti.
Deri në fund të vitit 1990, LSHA kishte afro 1000 anëtarë, dhe, për fat të keq, më shumë se 1/5 e tyre ishin goditur, ishin burgosur. Të qenit kundër Partisë Komuniste e qeverisjes së saj ka internuar, burgosur dhe pushkatuar, shkrimtarë, poetë, dramaturgë, regjisorë dhe këngëtarë, duke mos lënë jashtë as priftërinj. Goditja më e madhe erdhi pas vitit 1973.
Problemet filluan që para plenumit IV të KQ për letërsinë dhe artet ku theksi ra: “Kundër ndikimeve borgjezo-revizionste në letërsi dhe në art”. Enver Hoxha gjatë fjalimit të tij të ashpër në plenum, mes të tjerash tha: “Lidhja e Shkrimtarëve dhe shtëpia botuese ‘Naim Frashëri’ janë institucione me shfaqe të huaja”.
Që nga ky çast do të fillonte gjuetia e shtrigave. Fillimisht u shkarkua nga detyra për liberalizëm ish kryetari i Lidhjes, Dhimitër Shuteriqi. Erdhi Dritëro Agolli si dorë e fortë. Pas Plenumit IV, ku filloi një valë e madhe arrestimesh burgosjes, përjashtimesh.
Janë mbi 50 raste të burgosjes dhe internimeve, por për fat të keq ka edhe 6 apo më shumë pushkatime gjatë kësaj kohe, pa llogaritur edhe dhjetëra të tjerë të dënuar më parë, por që nuk kishin më asnjë të drejtë për artin e penën e tyre. “Nganjëherë më dukej se LSHA kishte si detyrë parësore që anëtarët e saj, shkrimtarët dhe artistët, t’i linte pa sekrecione krijimi, t’i tridhte. Kështu eunukë do të ishin të bindur e pa shtysa”, shkruan Maks Velo. “Socializmi donte të krijonte jo vetëm krahët e punës, por edhe ndjenjat dhe shijet artistike. LSHA ishte kooperativa e artistëve”.
Shpirti i revoltës për poetët e vrarë ka qenë i madh:Trifon Xhagjika, një djalë i ri pasi recitoi në gjyqin e tij “Atdheu është lakuriq”, në fjalën e tij të fundit kërkoi, si artilier që ishte, një top, që t’i binte Komitetit Qendror. Poeti Vilson Blloshmi edhe para pushkatimit refuzoi kërkesën për t’u bërë bashkëpunëtor, më mirë baltë, u tha, se sa me ju. Ndërsa i varuri Havzi Nelaj, shkroi në burg poezi për Helsinkin dhe të drejta e njeriut, kur jashtë burgut nuk i dinin çfarë ishin ato.
Poetit të madh shqiptar, Gjergj Fishta, ia prishën varrin dhe do ja hodhën eshtrat në lumin Drin, Autori i romanit të parë shqiptar, Dom Ndoc Nikaj u fut në burg në moshën 82-vjeçare si kundërshtar i regjimit dhe vdiq po në burg pas 5 vjetësh. Dhe tragjediani Ethem Haxhiademin e helmojnë një javë para lirimit, ndërsa dramturgu Krist Maloku vdiq në burg. Librit të parë me kritika, e coi në burg themeluesin e tregimit modern shqiptar, Mitrush Kuteli. Edhe gruan e parë shkrimtare, Musine Kokalari, e lauruar në Romë, disidenten e parë grua në të gjithë perandorinë komuniste, themeluese e nje partie demokratike, e burgosën, më pas e internuan, punoi si punëtore në ndërtim dhe vdiq e vetmuar, ndërsa kamioni i llaçit, pa funeral, e hodhi në gropën e hapur për të.
Visar Zhiti, më 8 nëntor 1979 arrestohet pas denoncimit që i bënë redaktorët e librit të tij në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”. Më 1980 ai dënohet më 10 vjet burg.
Vilson Blloshmi u pushkatua mesnatën e 17 korrikut të vitit 1977, për të vetmin “faj”, se kishin lindur poetë. Akuza kryesore ndaj tij, ishte poezia “Saharaja”.
E pashembullt është tragjedia e intelektualëve Vangjel Lezho, Fadil Kokomani, Xhelal Koprëncka, që janë dënuar me vdekje në fund të majit 1979, të akuzuar se kishin formuar dy organizata konspirative që punonin kundër Republikës Popullore të Shqipërisë.
Havzi Nela u ndëshkua mizorisht me varje në Kukës, më 10 gusht 1988, dy vjet para se të përmbysej regjimi mesjetar komunist në Shqipëri.
Në vitin 1976, në mënyrë të papritur, kompozitori Llazar Morcka përjashtohet nga puna, nga TOB, u dënua me 8 vjet riedukim në prodhim 4 vjet në fermën "Gjergj Dimitrov" e 4 vjet në Lundër për "të kontribuar në lëvizjen artistike amatore" të kooperativës. Por dënimi ra edhe mbi të gjithë familjen, gruaja u hoq nga puna si shefe e fonotekës së Radio Tiranës, vajza u hoq nga dega e pianos në ILA, motra u përjashtua nga kori i Operës.
Piktori Leke Tasi u pushua nga puna dhe u dërgua me punë të detyruar, pak më vonë u internua familjarisht në Grabjan të Lushnjës, 1975-1990.
Arkitekti, piktori dhe shkrimtari Maks Velo arrestohet në 1978 dhe dënohet me dhjetë vjet burg, të cilat i vuan në burgun e Spaçit.
Solisti i operës, basi Lluk Kaçaj, një nga zërat më të mirë të Operës, studenti i shkëlqyer në konservatorin ‘Çajkovski‘, u burgos në vitin 1973.
Dirigjenti i korit në TOB, pedagogu Milto Vako, në 1975 arrestohet nga regjimi komunist dhe dënohet për agjitacion e propagandë. Vuan dënimin në burgun e Tepelenës e në Ballsh deri në vitin 1982.
Autori i dramës, “Njollat e Murrme” Minush Jero, në 197,3 dënohet me 8 vjet burg. Pasi bën 6 vjet e 8 muaj burg, lirohet në 28 dhjetor të vitit 1978.
Mihallaq Luarasi, pas festivalit 11 në RTVSH 1972, u ndesh përsëri me diktatorin, i cili urdhëroi burgosjen e tij. U dënua me tetë vjet heqje lirije. Pas lirimit punoi si bojaxhi deri në vitin 1990.
Sherif Merdani, këngëtari i shquar i muzikës së lehtë shqipe, pas Festivalit të 11 ai, si edhe disa kolegë të tij, përfundoi në burg. Bëri 16 vjet burgim.
Regjisori i talentuar i TK, Kujtim Spahivogli, në vitin 1973 e larguan nga teatri dhe i hoqën të drejtën të vinte pjesë në skenë. Në fillim punoi në disa fshatra, pastaj e çuan punëtor krahu në ndërmarrjen e bonifikimit në Fier. Vdiq në vitin 1987 në moshë të re, pesëdhjetepesë-vjeçare, i sëmurë e i harruar edhe pse kishte qenë një ndër regjisorët e spikatur të teatrit shqiptar. Etj. Në ditët në vijim, për disa nga protagonistët, do të shikojmë fatin e tyre tragjik.
Këta janë disa nga artistët dhe shkrimtarët e pushkatuar, burgosur, pas vitit 1973 – 1990:
Fadil Kokonami (gazetar) pushkatuar
Vangjel Lezho (gazetar) pushkatuar
Robert Vullkani (përkthyes) burgosur
Zhaneta Ogranaja (poete) burgosur
Mehmet Myftiu (shkrimtar) burgosur
Gramoz Omari (fizarmonist) pushkatuar
Viktor Stratobërdha (regjizor filmi) burgosur
Genc Leka (poet) pushkatuar
Vilson Blloshmi (poet) pushkatuar
Bedri Myftari (shkrimtar) burgosur
Zyhdi Morava (shkrimtar) burgosur
Visar Zhiti (poet) burgosur
Halil Laze (gazetar) burgosur
Daut Gumeni (poet) burgosur
Frederik Reshpja (poet) burgosur
Lluk Kaçaj (bas)burgosur
Milto Vako (dirigjent) burgosur
Kiço Venetiku (dirigjent) vdekur në burg
Krisanthi Venetiku (fotografe) vdekur në burg
Vangjush Tushi ( piktor) vdekur në burg
Edison Gjergo (piktor) burgosur
Ali Oseku (piktor) burgosur
Maks Velo (piktor) burgosur
Faik Ballanca (shkmitar) burgosur
Abdullah Cangoni(piktor) burgosur
Sadri Ahmeti (piktor) burgosur
Stavri Rafaeli (skenograf, tenor) burgosur
Minush Jero (dramaturg) burgosur
Mihallaq Luarasi (regjizor) burgosur
Sherif Merdani (këngëtar) burgosur
Fadil Paçrami (dramaturg) burgosur
Beqir Çela (poet) pushkatuar
Ahmet Golemi (shkrimtar) burgosur
Fatos Lubonja (gazetar) burgosur
Bashkim Shehu (shkrimtar) burgosur
Myqerem Janina (përkthyes) vdekur në burg
Dhimitër Lala (kameraman) burgosur
Dhimitër Furrxhi (aktor estrade) burgosur
Telat Agolli (artist cirku) burgosur
Havzi Nela (poet) varur
Ylber Merdani (poet) burgosur
Aleksandër Zeka (poet) burgosur
Jamber Marko (poet) burgosur
Gjergj Peçi (poet) burgosur
Llazar Morçka (kompozitor) burgosur
Astrit Delvina (shkrimtar) burgosur, etj
No comments:
Post a Comment