Është i varuri i fundit politikisht në krejt vendet e Europës ish-komuniste. Fati i Havzi Nelës është fati i njeriut në diktaturë, është fati i njeriut të nëpërkëmbur deri në skajshmëri, por njëkohësisht është modeli i njeriut që reagoi vazhdimisht ndaj një bote të pajisur me çmos gjërash të rënda dhe tinzare. “Shtylla qëndrore e urrejtjes dhe e demaskimit tim qëndron Hoxha”, kështu shënonte në njërën prej fletoreve të vjershave në vitin 1983, në kamp-burgun e Qafë-Barit.
Kësisoj, rebelizmi i tij i vazhdueshëm ushqehej nga një vizion krejt i kthjellët. Fjalët e fundit të Martirit Havzi Nela para ekzekutimit ishin: “I keq kam qenë dhe ashtu po shkoj. Të këqijat e mia i mora me veti. Kërkoj që të afërmit e mi të trajtohen mirë, mos të merren nëpër kambë. Kam nëntëqind e dhjetë lekë dhe kërkoj që këto t’u jepen të afërmve të mi, nanës”.
Ky ishte “krimi” i H. Nelës për të cilën u var, më 20 gusht 1988: Po shkëpusim për lexuesit një fragment nga procesverbali i mbajtur nga hetuesi Shaban Dani, në qytetin e Rrëshenit, me datën 3 korrik 1975:
“PYETJE: Na tregoni i pandehur Havzi se çfarë pikëpamjesh keni lidhur me sistemin socialist në vendin tonë?
PËRGJIGJE: Unë nuk jam në kundërshtim me sistemin socialist në Shqipëri, por unë kam disa mendime të mijat që i kultivoj e i ruaj e që ndoshta bijen në kundërshtim me këtë sistem. Unë kam për të thënë se, lidhur me fenë, ajo duhet të ishte lënë e lirë nga shteti për ta ushtruar populli, mos të merreshin masa kaq të forta që ajo të zhdukej, por partia të bënte propagandën e saj gradualisht. Me një fjalë, unë jam njeri besimtar dhe besoj te feja.
Përsa i përket rinisë, them ajo duhet të jetë më e lirë në drejtim të veshjes, të gustos së jetesës e mos t’i diktohet si të vishet e të qethet, por jam edhe me atë që të mos rrëshqasë nga tabani kombëtar i saj. Me kujtohet se në një rast pashë në një gazetë se në një uzinë, organizata e rinisë kritikonte një të ri për lënje të flokut të gjatë, më dukesh se nuk duhesh të ndërhyhesh deri atje për këtë çeshtje.
Përsa i përket standardit të jetesës, unë them se standard të mirë jetese kanë popujt e vendeve të Perëndimit si Amerika, Gjermania, Suedia, Franca e të tjera, këtë e them se njerëzit atje janë në gjendje të blejnë sende me vlerë të madhe si televizor, automobila e sende të tjera e bëjnë një jetë me të vërtetë luksoze e shëtisin nëpër vendet e tjera të botës. Po kështu, them se njerëzit në këto vende kanë liri të plotë, se atje edhe sikur të bëjnë demonstrata e kërkesa me karakter politik, ekonomik nuk i dënon njeri, ndërsa këtu është ndryshe. Gjithashtu atje njerëzit janë të lirë të shkojnë nga një vend në tjetrin pa ndonjë kufizim. Këtë e lidh edhe me atë se në Amerikë, një president zgjidhet me afat vetëm për 4 vjet, se atë mundet ta kritikojë cilido e nuk i thonë asnjë fjalë. Bile atë e nxorën edhe para gjyqit. Kësaj i thonë demokraci shumë e lartë për mendimin tim.
Të gjitha këto konkluzione e mendime unë i nxjerr nga studimet që kam bërë në literaturë që del në vendin tonë dhe në shtypin e përditshëm.”
***
Poeti Havzi Nela u lind më 20 shkurt 1934 në fshatin Kollovoz të rrethit të Kukësit. Më 10 gusht 1988, në orën 02:00 të mëngjesit, ai u ekzekutua me varje në mes të qytetit të Kukësit. Pasi u ekspozua gjatë gjithë ditës më 10 gusht, 1988, në mesnatë terroristët komunistë e morën trupin e tij dhe e futën atë vertikalisht në një vrimë të krijuar nga heqja e një shtyllë druri. Ai ishte i privuar nga mundësia për tu shtrirë si të gjithë të vdekurit. Ai qëndroi në këmbët e tij për pesë vjet dhe dhjetë ditë, deri më 20 gusht 1993. Pas përpjekjeve të shumta nga qeveria demokratike e Shqipërisë, kjo ishte dita që u bë e mundur që të gjendej vendi, i mbuluar me gurë dhe shkurre pranë fshatit Kolsh, dy kilometra larg nga Kukësi. Me dekretin presidencial të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha, Havzi Nelës i është dhënë titulli "Dëshmor i Demokracisë."
Në përkujtimin e 75 vjetorit të lindjes së Havzi Nelës shkrimtari i shquar Ismail Kadare shkruante: "Poeti Havzi Nela është një kambanë që ende bije për shoqërinë shqiptare. Të mos e dëgjosh këtë kambanë do të thotë të vazhdosh të shkelësh me këmbë lirinë e Shqipërisë".
No comments:
Post a Comment