Në vitin 1935, Anton Mazreku është themelues i gazetës "Sporti Shqiptar", bashkë me Luigj Shala e Aqif Domini. Ndërkohë që vazhdon si drejtor dhe kryeredaktor i kësaj gazete deri në vitin 1939, më 1 shtator të vitit 1938 Antoni transmetoi për herë të parë një ndeshje futbolli në Radio Tirana, atë midis Sk Tirana 7-0 Iraklis Kavalla e Greqisë, duke u bërë kështu i pari radiokronist i sportit në Shqipëri.
Pas mbarimit të luftës, në vitin 1945 rifillon botimin e gazetës sportive por me një emër tjetër, "Sporti" dhe me pas "Sporti popullor".
Anton Mazreku ka qenë kryetar i Federatës Sportive Shqiptare, nënkryetar i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, nënkryetar i Federatës Shqiptare të Futbollit dhe, gjithashtu, përfaqësues i delegacioneve shqiptare në disa organizime ndërkombëtare; Olimpiada e Berlinit në vitin 1936, Lojërat Ballkanike në Tiranë në vitin 1946.
Anton Mazreku vdiq në vitin 1969 në Tiranë.
Çmimi"Anton Mazreku", krijuar në nder të tij në vitin 1995 nga Tonin Paloka, iu jepet gazetarëve dhe personaliteteve sportive, vendas dhe të huaj, që kanë kontribuar dhe kontribuojnë për konsolidimin e gazetarisë sportive në Shqipëri.
Anton Mazreku për gjuhën dhe letërsinë shqipe - Nga Prof. Dr. Jup Kastrati
1. Veprimtaria krijuese e botuese, letrare e kulturore e Anton Mazrekut shtrihet në një periudhë kohore afro tridhjetëvjeçare, nga 1925 deri më 1955. Ajo gjendet e shpërndarë në shtypin periodik shqiptar, ndër gazetat dhe revistat e kohës së tij. Përkujtimi i sotëm i fletores së mirënjohur “Sporti shqiptar”, të cilën ai e drejtoi me pasion dhe me kompetence profesionale prej gazetari e publicisti për pesë vjet me radhë, nga 28 nëntori 1935 deri më 22 prill 1939, më jep rastin të them edhe unë dy fjalë kujtimi e respekti për këte intelektual të shquar të rrethit të Shkodrës.
Interesat kulturore të Anton Mazrekut kanë qenë të gjëra dhe të shumanshme. Kontributet e tij spikasin në krijimtari poetike origjinale, në shënime letrare, në vëzhgime gjuhësore, në përkthime artistike veprash poetike, dramaturgjike dhe narrative. Me qenë se emri i tij është bërë i famshëm kryesisht si komentator i futbollit shqiptar përmes Radio Tiranës, aq sa krijoi një “shkollë” të vetën sportive në Shqipëri, mund të duket e çuditshme që Anton Mazreku të ketë qenë i angazhuar në fusha të tjera të dijes. Po këte do të përpiqem ta shtjelloj më poshtë, në këtë kumtesë time modeste, pa pretenduar fare ta shteroj problemin në fjalë. I vetmi dëshir imi është që të zgjoj kureshtjen shkencore të gjurmuesve specialistë, në mënyrë që, në një të ardhme të afërt, kur të botohet ndonjë monografi për këte personalitet të përmendur shqiptar, të mos lihen pa u vënë në dukje dhe disa merita të tjera të tij, që, për mendimin tim, janë po aq të rëndësishme sa dhe aspekti i tij sportiv i gazetarit, publicistit, redaktorit, drejtorit dhe komentatorit të kësaj fushe të vyer.
2. Anton Mazreku ka pasë kulturë letrare. Ai ka qenë poet lirik. Poezia e tij karakterizohet për sensibilitet, spontanitet dhe fluiditet. Kryevepra e tij në këte lëmë është poema me titull “Dy lott e dy lule”, botuar tek e përkohëshmja letrare artistike “Shkëndija”, Tiranë, nëntor-dhjetor 1941, viti II, nr. 5-6, fq. 214-219. Poeti vajton humbjen e parakohshme të një vashe së re, që vdiq në lulen e rinisë, në moshën e tetëmbëdhjetë pranverave, kur po bënte gati pajën e kurorës së saj martesore. Poeti shkruan:
“Në kopsht jan‘ thamun lulet, qi vadite/ me t’madh kujdes”, (vargu 13-14), “S’e çojn’ ma kryet as fill as drandofillë” (vargu 17), “Me terr t’ash mvesh’ shtëpija e rrug’t e sheshet/ Si t’shkreta duken anë e kand qytetit” (vargu 24-25).
Autori na jep profilin moral të vajzës si dhe portretin fizik të saj:
“E mirë e plot urti’ ma e bukra n’shoqe” (vargu 35), “Me gjithkëndin tue u sjell’ zojush fisnike/ E gjithkund tue ia folun t’ambël” (vargu 45-46), “E me ato vetlla t’zeza e me ata sy,/ Qi kot mundohet me i përshkruemun penda” (vargu 50-51).
Mbasi ka bërë epopenë dhe prozopopenë e saj, por pa e identifikuar për të ruajtur karakterin lirik të krijimit, mbasi ka shprehur me përsëritje anaforike “njimij kujtime”, “njimij mendime”, “njimij dëshirë”, “njimij andrra” e “njimij shpresa t’bardha”, (vargu 71-73), Poeti na e sjell vashën e tij si “shembull urtije edhe pasqyr’ virtytesh” (vargu 180). Me maturi, nuk harron të fusë logjikisht dhe artistikisht edhe anën moralizuese dhe qëllimin edukativ. Nga parajsa, ku gjendet, hyjnesha do t’i mësojë shqiptarët:
“Me dasht’ Atdheu, m’ia ngjitun dorën t’ligshtit, / Me mni grabitjen, rrenën dhe shpifjen, / Me dashtun shokun barabar si vehten, / Me mbajtun besën e me e ruejt’ po nderën”, (vargjet 192-196).
Poema “Dy lott e dy lule” është një elegji sublime, realizuar me art, finesë dhe delikatesë në 220 vargje monokolone njëmbëdhjetë rrokësh (endekasilab), me kadencë ritmike, me theks trokaik. Krijimi, me gjithë sentimentalizmin e motivuar, shquhet për realizëm, për vandak idesh dhe për pasuri fjalori. Ka larmi ngjyrash dhe hije dritash. Harmonishëm është përfshirë tema patriotike.
Ndër poezitë e tij origjinale, Anton Mazreku ka lëvruar me sukses edhe sonetin me vargje endekasilabe, me rimë: ABAB / CÇCÇ / DDHD / DHEE /. Le të përmendim këtu krijimin e tij origjinal me titull: “Po më dhimbesh…”, botuar te revista “Shkëndija”, viti III, nr. 11 (35), fq. 23, Tiranë, shtator 1943. Besoj se nuk është e nevojshme të sillen shembuj të tjerë. Poema dhe tingëllimi, që përmenda më sipër, dëshmojnë fare mirë për dellin poetik të tij.
3. Në sferën e interesave letrare të Anton Mazrekut ka një vend sado modest, edhe kritika letrare. Kur vdiq Migjeni, më 26 gusht 1938 në Ospedale Valdese, në Torre Pellice afër Torinos, ndër të parët që vajtuan në periodikun shqiptar humbjen e këtij Poeti të ri, por të madh, qenë Qemal Draçini, Teufik Gjyli, Skënder Arrëza, Veli Stafa, Dhimitër S. Shuteriqi, Lazër Radi, etj. Një artikull shkroi edhe Anton Mazreku me titull “Arsimi kombëtar humbi katër bij të çmueshëm mbrënda këtyne dy muajve”, botuar në revistën pedagogjike “Shkolla kombëtare”, organ i Ministri s’Arsimit, Tiranë, dhjetor 1938, viti II, nr. 21, fq. 24. Mbasi jep një biografi të shkurtër të Poetit, autori i shkruan: “Drapni i pamshirshëm i vdekjes e këputi në pranverën e jetës së tij, në moshën 27 vjeçare, lule të re në kopshtin e arsimit t’onë e të poezisë s’onë. Se Millosh Nikolla nuk qe vetëm nji mësues i mirë, po qe edhe nji mësues i mirë, po qe edhe nji poet i mirë. Vdiq i ri e edhe telat e lyrës së tij u këputne në ma të mirën kohë, shi atëherë kur tingujt qi nxuerrne filluen me na përmallue”. – Mandej, si komenton një pjesë të “Kangëve të pakëndueme” dhe si jep një karakteristikë të poezisë së tij, artikullshkruesi shton: “Migjeni ka vuejtë e ka qa, ka ndie e ka shkrue. E ka pa dritën e jetës së vet djaloshare tue u shkimbë dal nga dalë ashtu si shkimet nji kandil voji në njaj votër të harrueme, e nga zemra kanë dalë tinguj të nji melankonije e të nji dhimbe që t’a këpusin shpirtin. Ndo’i rreze shprese do t’ia ketë paque ndonji herë plagët e sëmundjes, por kjo ka qenë nji shpresë që zhduket shpejt ashtu si shpejt zhduket nji voesë e njomë para diellit përvlues, e Migjeni ka lotue përsëri e përsëri ka këndue”.
Autori komenton pjesërisht poezinë “Vuajtja” të Migjenit. Punimi mbyllet me këto fjalë: “Vdiq larg Atdheut në vend të huej. Në çastet e mbramë të jetës së tij të shkurtë do të ketë dashtë e ndoshta do të ketë mujtë me shkrue kryeveprën e vet, po “deka i ngrini ato duer porsi florini”, e ”kanga e mbramë e Migjenit u mbyll në vorr bashkë me të”.
4. Anton Mazreku ka dhënë ndihmesa edhe në çështje gjuhësore. Në artikullin e tij: “Shkollat dhe gjuha jonë”, shkruar me pseudonimin e “Krahi i rrmaktë”, botuar te gazeta “Zani i popullit”, Shkodër, më 18 korrik 1925, viti 1 nr. 13, fq. 1-2, autori thekson ndër të tjera domosdoshmërinë e pastrimit të gjuhës shqipe nga fjalët e huaja të panevojshme, që qarkullonin në shtypin periodik të kohës së tij. Këtë temë me rëndësi e rrahur edhe në artikullin tjetër të tij “E mjera shqipe” shkruar me pseudonimin Aku dhe botuar te “Gazeta e Korçës”, Korçë, më 25 gusht 1929, viti XI, nr. 10(661), fq. 2-3. Në te artikullshkruesi ngrihet kundër përdorimit të fjalëve të huaja të panevojshme.
Një punim gjuhësor me interes të posaçëm sidomos për historinë e albanologjisë është ai me titull “Nji punëtuer vigan i gjuhës s’onë: Prof. Angelo Leotti”, botuar në Tiranë, më 27 dhe 28 dhjetor 1930, ndër dy numra konsekutivë të gazetës së përditshme të kryeqytetit, viti I, nr. 187, fq. 2; viti I, nr. 188, fq. 2. Autori bën disa shënime biografike për gramatologun dhe leksikografin e shquar italian si dhe albanologun e mirënjohur Angelo Leotti. Artikullshkruesi ka rreshtuar aty edhe disa citate vlerësimi pozitiv që i janë bërë Fjalorit voluminoz shqip – italisht të Angelo Leottit nga dijetarët e albanologët e mirënjohur Norbert Jokli, Holeger Pederseni, Lajos Tamas, Antonio Baldacci, Giulio Bretoni, Paolo Emilio Pavolini.
Përsa i takon gjuhës së shkruar dëshiroj të nënvizoj një fakt me rëndësi, i cili nuk duhet kaluar pa u vënë re nga studjuesit e Mazrekut: Ai ka shkruar shumë mirë të dy kryedialektet tona, gegërishten dhe toskërishten. Qenia e tij mësues në Korçë për disa vjet e ka ndihmuar ta njohë dhe ta përdorë me aq bukuri e shije të veçantë dialektin e jugut.
5. Anton Mazreku ka qenë një përkthyes i kualifikuar i poezisë së huaj lirike artistike. Ndër të tjera, shqipëroi në metrin origjinal poezinë e njohur të Heinrich Heine, “Lorelei”, të cilën e botoi te revista “Shkëndija”, Tiranë, janar – shkurt 1942, viti II, nr. 7-8 fq. 295. Hapet me këte shënim: “Këndohet simbas melodisë me të njëjtin emër kompozuar nga Friedrich Silcher”. Eshtë përkthyer me mjeshtri aq të madhe sa tingëllon sikur të ishte shkruar në gjuhën tonë amtare. Kam në bibliotekën time tre përkthime të kësaj poezie: një në italisht të Tomaso Gnoli, në librin H. Heine, “Antologjia lirica, dalle migliori traduzioni italiane, Milano, A.Mondadori – Editore, 1935 me 402 faqe dhe me studim introdoktiv e aparat shkencor në fund. Një shqipërim të kësaj pozie ka bërë Arshi Pipa: Heine, Lorelei, te revista “Fryma, viti I; nr. 7-8, f. 345, Shkodër korrik – gusht 1944. Një tjetër përkthim i Loreleit gjëndet në shqip te libri; Heinrich Heine, Poezi, përkthyer prej gjermanishtes nga poeti i shquar e i madh Lasgush Poradeci, Tiranë, 1957, Ndërmarrja Shtetërore e Botimeve; me 199 faqe. Për mendimin tim, shqipërimi i Anton Mazrekut i kësaj poezie të famshme në letërsinë klasike gjermane është më i bukur dhe i kapshëm.
Për ta konkretizuar më mirë këte ide, më lejoni ta lexoj para jush këtë xhevahir poetik, ashtu siç e ka përkthyer Anton Mazreku:
Nuk di ç’farë do të thotë
Kaq i helmuar që jam,
Një përrallë të vjetër mbi botë,
Gjithnjë në mendje e kam.
Kur ngryset era freskohet,
I qetë Rini rrjedh.
Dhe maj’ e malit ndriçohet
Kur dielli rrezet ia heth.
Më e bukura virgjëreshë
Krenare lart atje rri;
Ka rrobën si mbretëreshë,
Kreh leshrat porsi flori.
I kreh me gribën e artë
Dhe këngës për bukuri
Ja thotë me një të lartë,
Të fortë melodi.
Me mall lundërtarit të shkretit
Ja zuri shpirtin e qetë,
S’i sheh më shkëmbijte e detit
Se heth syt vetëm përpjetë.
Unë varkën, besoj, e lundërtarin
Tallazi tok i fundoi,
Se Lorelei hapi varrin
Me këngën që këndoi.
Anton Mazreku ka pasë sens dhe luhatje në zgjedhjen e poezive të huaja për shqipërim. Dihet nga studjuesit dhe historianët e letërsisë si edhe nga kritikët letrarë dhe estetët se poezia e Lorelei është një nga kryeveprat e poetit të famshëm Heine. Ajo shquhet për koncizitet, për lakonicitet, për sintezë dhe denduri mendimesh. Eshtë një poezi tepër e kondensuar, e ngjeshur, e thuktë – siç thonë kosovarët. Këndej rrjedh edhe vështirësia në përkthim nga origjinali gjermanisht në një gjuhë tjetër të huaj; inkluziv këtu dhe në shqipet. Duhet të jesh poet i mirëfilltë, duhet të njohësh mirë specifikën e artit poetik të Heines si dhe gjuhën prej nga do ta përkthesh, që të apish edhe nuancat e duhura. Legjenda e Loreleit, këngëtares së bukur e magjepëse, e ka burimin tek ekzistenca e një shkëmbi të thepisur me të njëjtin emër, në bregun e djathtë të Rinit. Vendi është i përmendur për jehonën që krijoi nga valët dhe zhaurima e ujit të rrëmbyeshëm dhe nga viktimat e detarëve që përpinte. Legjenda thotë se atje lart, qysh motit të jetës, në perëndim të diellit ose netët me hënë, shfaqej një grua e bukur, një nimfë e vërtetë, e cila duke kënduar, tërhiqte lundërtarët që mahniteshin nga jonet e melodishme dhe nga trupi i saj i mrekullueshëm, nuk shihnin brigjet dhe gërthisnin e mbyteshin në shkëmbinjtë e thepisur. Legjenda është përpunuar nga ana letrare nga një baladë e Klemente Brentano, më 1802, por Heinrich Heine ka mundësi ta ketë marrë nga “Guidë për atë që udhëton për në Rini” të Alois Schreiber të vitit 1918 (Handbuch fur Reisende am Rhein”). Motivi i Loreleit është shumë i lashtë. Gjëndet edhe tek Uliksi, në poemën “Odiseja” të Homerit.
Për të parë për së afërmi aftësinë e përkthyesit të talentuar të poezisë së huaj klasike gjermane, dëshiroj të kujtoj këtu edhe poezinë e poetit Wilhelm Muller, “Bliri” shqipëruar nga Anton Mazreku dhe botuar tek e përkohshmja “Shkëndija”, viti II, nr. 9-10, f. 330; Tiranë mars – prill 1942. Poezia është realizuar në gjuhën tonë me vargun e njohur aleksandrin ose me 14-rrokshin me çezurë metrike në mes. Këndohet simbas melodisë me të njëjtin emër kompozuar nga Franz Schubert. Ja, vetëm strofën e parë, sa për të shijuar aromën dehëse të kësaj lirike:
“Te kroji para portës atje gjendet një blir, / Nën hijen e tij pashë kaqë ëndrra plto hir, / Kaq fjalë trupi i tij m/dhuroi për dashuri, / N’ay vrapovi shpirti im për gaz edh për në zi”.
6. Anton Mazreku ka bërë përkthime edhe nga gjinia letrare e dramatikës. Le të kujtojmë këtu komedinë me një akt: “Gënjeshtra numri gjashtëmbëdhjetë” të autorit italian Mario Buzzichini si edhe pjesën dramaturgjike të titulluar: “Me randësi asht m’u takue” të autorit italian M. Brancacci. Këto dy vepra i botoi te revista kulturore “Vatra shqiptare”, në Tiranë.
7. S’ka dyshim se libri që e përfaqësoi denjësisht si përkthyes Anton Mazrekun, është romani i Georges Sim, “Nikoleta e Dina”, botuar në Korçë, në vitin 1930, nga shtypshkronja e libraria “Drita”. Ka 206 faqe, në format cm. 14x19. Me interes është edhe vepra e Armando Farcaroli-it, “Grat’ e Amerikës, skena nga jeta sociale amerikane, përkthyer nga Anton Mazreku dhe botuar prej tij në shtypshkronjën e “Gazetës së Korçës”, në vitin 1933. Libri ka 72 faqe.
8. Në vargun e shqipërimeve të tija, duhet përfshirë edhe libri i dy autorëve italianë G. Meazza dhe V. Baggioli, “Loja e footballit”, përkthyer nga italishtja prej Anton Mazrekut, botuar në Tiranë, në Shtypshkronjën e Ministris s’Arsimit, në vitin 1927, nga Federata e shoqnive sportive e artistike “Vllaznija shqiptare”. Libri ka 87 faqe. Nënkuptohet kjo vepër nuk ka të bëjë fare me krijimtarinë letrare të Antonit. E përmenda vetëm, për të tërhequr vëmendjen e studjuesit të ardhshëm të figurës së tij. Ky libër ka interes të veçantë për terminologjinë e zbatuar nga përkthyesi në fushën e sportit, veçanërisht të futbollit, në gjuhën e pasur dhe në prozën e limuar.
9. Duke e rrokur me një vështrim përmbledhës gjithë sa parashtruam më sipër, mund të themi se Anton Mazreku dha një ndihmesë të vyer në lëvrimin e poezisë lirike, në përkthimet artistike, në mendimin kritik e gjuhësor shqiptar. Kam një sugjerim: Të hartohet një bibliografi ezauruese e të gjithë artikujve të tij, të botuar në shtypin periodik, të daktilografohet gjithë krijimtaria e tij, të sistemohet dhe të përmblidhet në një vëllim të vetëm, i cili ta përfaqësojë denjësisht figurën e tij.
Loro Borici, Anton Mazreku
Prof. Anton Mazreku i jep Kupen e Kampionatit kapitenit të Vllaznisë.
Shkodër 1946
No comments:
Post a Comment