Po përcjellim ekskluzivisht , dëshmitë e Shukri Nelës: “Si u nxorën nga kampi i Qafë-Barit fletoret me poezi të Havzi Nelës”.
Shukri Nela (i vitlindjes 1939), i vëllai i Havzi Nelës, gjeti mundësinë dhe në shkurt të 1983-it, nxori 6 fletore me poezi të Havziut prej Kampit të Qafë-Barit. Ruajtja e fletoreve prej tij është një odise më vete. Ndërsa, ajo çka ruhet sot prej Martirit Havzi Nela, është pak, shumë pak, kur dihet se vriste trurin në mënyrë të pandalshme. Përveç humbjes fizike, kjo është pa dyshim një humbje tjetër e madhe. Kanë mbetur copëza rrëfimesh të bashkëvuajtësve të tij për të. Por kanë shpëtuar 6 fletore me poezi të viteve të burgut dhe një e vetme në kohën e internimit, një pjesë e letrave, ose letrat që çuditërisht kapërcyen ferrin. Janë mbledhë andej-këndej rreth 50 foto të tij, si dhe fotoja e fundit, realizuar në hetuesinë e Kukësit, do kohë para se ta ekzekutonin me varje me 10 Gusht 1988. Kanë humbur, ose të paktën nuk janë gjetur deri tani, shkrimet që kishte marrë me vete në Prizren në arratisjen e ‘67-s, siç ka humbur edhe romani “Jeta e zezë”, i shkruar në burgun e Burrelit, apo dhe një fletore me legjenda të përpunuara. Ndërsa, dosjet hetimore dhe gjyqësore janë gjithashtu një dëshmi tjetër ku mund të gjykojmë edhe mbi mendimet e tij rreth moralit të atij regjimi të jashtëkohshëm. / Petrit Palushi
Nga DËSHMIA E SHUKRI NELËS:
Mbas vitit 1967 jeta e Havzi Nelës kaloi prej dënimi në dënim. U arratis, e kapën dhe e dënuen, e kanë ridënue në Rrëshen në vitin 1975. Kur u lirue prej burgu, pa i mbushë dhjetë muej tamam e internuen në Arrën dhe ma n’fund e ekzektuen me varje në vitin 1988…
Në kampin e Qafë-Barit
Ka qenë shkurt i vitit 1983, si fundi i shkurtit. Fundi i shkurtit. Ftohtë. Të përpinte i ftohti. Kam shkue me e takue në Qafë-Bari. Kam qenë bashkë me Hajdin Nelën, nji kushëri tonin. Në Qafë-Bari na thanë se Havziu ishte në Fushë-Arrës, në punë. Mbërritëm te do ndërtesa të rrethueme me tela me gjemba. U afruem aty dhe e pamë Havziun në anën tjetër, si nja dy metra afër telit me gjemba. I qeshi fytyra kur na pa. Sipas rregullave nji oficer na lejoi të futeshim në kampin e punës. U takuem me Havziun dhe m’u duk ma i çeltë në fytyrë se herën e fundit kur e pata takue.
Pastaj, në prezencë të Havziut, në nji barakë oficeri më kontrolloi do rroba e ushqime që kisha marrë me ia dhanë atij; Hajdinit, oficeri i kishte thanë të rrinte jashtë. Pakëz më vonë, nuk e di si e qysh, por oficeri u menjanue pak dhe doli jashtë barakës. Havziu i kishte pasë do fletore nën fanellë, mbështjellë me beze. I nxori shpejt e shpejt dhe unë i futa në gji.
Më tha: “Nuk i dihet frymës së njeriut. Këto fletore mos i mbaj me veti. Janë gjashtë copë. Me t’i gjetë, ti dënohesh me njizet vjet, kurse unë në trikambësh. Ban vaki e të thotë dikush se a të ka lanë gja Havzi Nela, ti jetën tande fute në tokë, e mos kallzo! Ka dy javë që i mbaj fletoret me veti. Sot paska qenë orë e hajrit!”.
Unë i premtova se do t’ia rueja si sytë e ballit. Ai u kënaq si me qenë tue u lirue prej burgu atë ditë. Mbas do kohe, erdhi oficeri, e pru Hajdinin te baraka dhe na tha: “Keni kohë me ba muhabet jo ma shumë se nji orë”, dhe doli.
Njana anë e barakës qe e hapun dhe hynte i ftohti. Koha prej nji ore kaloi shumë shpejt. Folëm e u shmallëm sa mund të shmallet njeriu për nji orë!
Mbasi u ndamë, kemi shkue në Shkodër dhe kemi bujtë në hotel. Unë fletoret i mbaja në gji. Erdha në shpi. Pa i kallëzue kujt se çfarë kisha marrë me veti. Bile as Hajdinit nuk i pata kallzue dhe i kam kallzue vetëm kur ra regjimi i mbrapshtë komunist.
Kam nisë me i lexue nji nga nji ato fletore, natën kur gjithë njerëzit e shpisë i merrte gjumi. Vajtim. Çfarë materiali! Me të futë të gjallë në tokë!
Te nji fletore kam gjetë kët shënim: “I lutem atij që do të mund t’ia dorëzoj dhe që nuk di se kujt mund t’ia dorëzoj, të m’i ruejë me shumë kujdes dhe asnjiherë të mos i mbajë pranë vetes”. (Qafë-Bar, me 5 shkurt 1983). Kjo gja qe edhe njifarë amaneti për mue që më ranë në dorë fletoret.
Mbasi i kam lexue krejt fletoret, kam marre nji shishe të gjanë, i futa fletoret aty, mora nji tapë druni që të mos i hanin minjtë dhe ia vuna shishes. E hapa murin në dhomën ku flija dhe e futa shishen mbrenda në mur, e suvatova murin dhe sikur u lehtova pak. I tregova nanës, grues time dhe vllait, Asllanit. Kisha frikë se ndoshta vdisja unë, se jeta çfarë s’të sjell, dhe të paktën ta dinin edhe këta të tre se ku ishte futë materiali i Havziut.
Kur shkova në Qafë-Bari me e marrë në dhjetor të 1986-s se i erdhi koha e lirimit (kam qenë me djalin, Agimin), sa u pamë, më tha:
– Nuk besoj se do shkojmë te shpija, sepse më lirojnë prej kësaj dere dhe më futin në nji derë tjetër.
– Hajt, more vlla, – i thashë, – ishalla s’ke me e pa ma derën e burgut!
U nisëm… , bile hala pa mbërritë te shpija, më tha:
– O Shukri, a ma ke ruejtë materialin?
– Po, – i thashë.
– A i ke lexue vjershat?
– Po.
– A të pëlqyen?
– Fort. Po shumë e kishe vra mendjen, o vlla?
– O me e vra mendjen, o me vdekë! Po m’kanë humbë edhe shumë materiale të tjera në burg. S’kam mundë me i nxjerrë krejt përjashta burgut. Shpirti më digjet sidomos për nji roman që e kam shkrue në burg të Burrelit dhe që e kam pasë titullue “Jeta e zezë”. Të paktën, shyqyr që dola vetë i gjallë prej andej.
E kemi informue për shumë gjana.
Edhe kur doli prej burgu, nisi me u shprehë kudo, e kallëzonte pakënaqësinë e vet që kishte me regjimin. Bile, më kujtohet se nji shok i yni (Rexhep Ademi), i tha: “Mundohu me e ndreqë jetën qysh të mundesh, por mos fol kaq haptë se ke me shkue dam. Dita nuk po i ngjan ditës”.
Në nji rast më pat thënë: “Do vijë dita e do hapen kufijtë, po ma ka ndje zemra se unë nuk do jem gjallë. Por, amanet krijimet e mia. I lutem Zotit me e gjetë atë njeriun në Prizren, Din Tërpunin, që ia kam lanë krijimet e mia në 67-n kur na kthyen mbrapsht. Por ajo që më ka prekë shumë asht se më ka humbë në burg të Burrelit edhe romani “Jeta e zezë”. Qyshdo me e vra mendjen, ato mendime që i kam hedhë aty nuk përsëriten.
Mbas do ditëve që u lirue ma pat kërkue materialin dhe e ka ruejtë në valixhe, te shpija e Asllanit. Nisi me punue në koperativë bujqësore. Dhjetë muaj ka ndejtë në katund se e internuan në Arrën. Valixhen më shumë e ka pasë në ruejtje Verja, vajza e Asllanit. Bile, edhe kur Havziu ka shkue në internim, Verja e ka pasë valixhen.
Në Arrën, në internim
Me 31 dhjetor të vitit 1987, unë me vllain, Asllanin, kemi shkue në Arrën, me kalue Natën e Vitit të Ri bashkë me Havziun. E dinim se nuk i jepte leje kush me ardhë në katund për Natën e Vitit të Ri, prandaj e morëm udhën e shkuem atje. Krejt punëtorët e sektorit ishin nëpër shpija të veta, se qe festë. Edhe drita s’kish pasë atë natë. Vetëm roja që ruente Havziun atë natë, me pushkë gjermane në krah, sillej afër barakës ku rrinte Havziu.
Folëm deri kah mesi natës, biseduam për çmos.
Në nji rast na tha:
– Roja asht me më ruejtë mue se mos po iki Natën e Vitit të Ri prej internimi. I shkreti, a e fiton nji kile sheqer e nji kile oriz gjithë natën që më ruen mue!
Katër vjershat e fundit
Para se me u nda, qe si ora 8 e mëngjesit, na tha:
– Shiko! Mos hajdeni me m’takue herë tjetër, se Havzi Nela gjallë në Arrën s’rri ma. Nuk e kam sosë me vdekë në Arrën. Do të dal e të më hanë bishat e t’më kapë ngrija bjeshkëve e këtu s’due me vdekë. Të fala ku kemi miq e dashamirë, po nanën ma merrni njiqind herë në grykë me plot dashni!
U ndamë krejt pezmatim. Mbasi kemi ba nja dhjetë hapa, më thirri:
– O Shukri, hajde pak se harrova diçka!
U futëm mbrenda dhe më dha nji fletore.
– Janë katër vjersha, – tha. – Lexoji dhe fletoren fute prap te valixhja që e ruen Verja se aty s’i shkon mendja kujt. Kam shkrue edhe tjera, por i kam nëpër do copa letrash dhe s’kam mundë me i qitë hala në fletore.
U tha, u ba. E futa fletoren në gji dhe gjatë gjithë kohës derisa kam mbërritë në shpi, te Havziu dhe te ajo fletore me vjersha e kam pasë mendjen. E kam lexue fletoren me nji frymë; shkrimi ka qenë me laps.
Kur ia qitën vendimin me vdekje, unë me Asllanin, vllain, u mblodhëm bashkë dhe prej frike se mund të na internonin, vendosëm që fletoreve me vjersha t’ua ndërronim vendin. I mora shtatë fletoret, i futa në nji kuti teneqeje, e mbylla kutinë mirë e mirë; mbasandej hapa nji gropë rreth e rreth nji trungu të nji molle që e kisha në kopsht deri te rranjët dhe e futa kutinë prej teneqeje aty. E mbulova mirë e mirë. Këtë veprim e kreva me mendimin se, edhe sikur mollën ta pritke kush, nuk besoja se do t’ia hiqte edhe rranjët.
Kur plasën demonstratat e studentëve në Tiranë, e mora guximin dhe i nxora fletoret prej aty. Fletorja e shkrueme në Arrën, sikur kishte nisë me u damtue, sepse shkrimi ka qenë me laps, atëherë iu drejtova Musa Nelës, nji kushëri i yni, dhe m’i ka hedhë ato shënime në nji fletore tjetër; prandaj, shkrimi në fletoren nr. 7, nuk asht shkrimi origjinal i Havziut, njilloj si i fletoreve të tjera…
Në shkurt të 1991-it i jam drejtue në Kukës Daut Elezit, si mik i familjes tonë dhe ia dhashë 7 fletoret. Dauti asht përkujdesë dhe janë botue disa prej poezive nëpër shtyp.
Në vitin 1994 ia kam dorëzue fletoret z. Petrit Palushi dhe nën kujdesin e tij në vitin 1996 u botue libri me poezi të zgjedhuna “Pa nji ditë lumnie”. Qe nji mirat i madh për familjen tonë dhe për gjithë miqtë e dashamirët kudo që i kishim. Z. Palushi ka realizue edhe dy botime të tjera me poezi të Havziut.
Shkrimet që mbetën në Prizren
Kur u hapën kufijtë, shkova në Prizren me e gjetë Din Tërpunin. Kërko e kërko e më në fund e gjeta. Shtëpinë e kishte mu afër Pazarit të Madh, te nji pikë që i thonë Pazari i djathit. Banonte te nji vilë nr. 44. Iu luta fort, dhashë e mora me të, por ai nuk qëndroi në llaf. Tha se nuk mbante mend kurgjë.
E Lus Zotin që ato shkrime të jenë të strehueme dikund dhe ndoshta del ndonji mik a dashamir e bahet i gjallë!”
No comments:
Post a Comment