2017-02-23

Në Maqedoni shqiptarët janë komb, jo minoritet!

Barometri diplomatik


Prof.Dr.Mehdi HYSENI



Në Maqedoni shqiptarët janë komb, jo minoritet!

*** Së pari, ndryshimi i Kushtetutës, pastaj miratimi i ligjeve në bazë të Kushtetutës.Ky do të duhej të ishte kompromisi i drejtë politik për të hyrë në koalicionin qeveritar me Zoran Zaevin ose me Nikola Gruevskin.

Nëse nuk ndryshohet Kushtetuta diskriminuese në fuqi e Republikës së Maqedonisë, e cila shqiptarët i cilëson si “minoritet”, të tjerat janë “dushk për gogla” sa për të bërë pushtet kolaboracoist me Zaevin ose me Gruevskin, krejt njësoj, ashtu sikurse deri tani (1991-2017) në dëm të interesit të përgjithshëm kombëtar dhe shtetëror të shqiptarëve. Kjo padrejtësi dhe ky apartheid 72-vjeçar sllavomaqedon ndaj shqiptarëve, duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë.

Pra, së pari, BDI-ja dhe Aleanca për Shqiptarët (si kompromis politik të vlefshëm me partnerët e tyre sllavomaqedonë, që kanë fituar zgjedhjet parlamentare të 11 dhjetorit 2016), duhet kërkuar me ngulmë NDRYSHIMIN E KUSHTETUTËS ANTISHQIPTARE SLLAVOMAQEDONE. Ndryshe, jashtë çdo koalicioni dhe jashtë çdo kompromisi poltik qoftë me Zoran Zaevin, qoftë me Nikola Gruevskin, sepse SHQIPTARËT nuk janë MINORITET, por KOMB!

Kjo do të duhej të ishte kërkesa themelore e Platformës së re politike të subjekteve politike shqiptare (të dala fituese nga zgjedhjet parlamamentare në Maqedoni, bërë më 11 dhjetor 2016), ku sipas raportit zyrtar të “KSHZ-së: BDI fitoi 85.774 vota, Lëvizja Besa 57.749 vota, Aleanca për shqiptarët 35.103 vota dhe PDSH 30.971 vota.” (www.tetovasot.com/12/12/2016) për të hyrë në aleancë për formimin e qeverisë së koalicionit qoftë me VMRO-DPMNE e Nikola Gruevskit, qoftë me LSDM-në e Zoran Zaevit.

Trajtimi i gjuhës shqipe i barabartë me gjuhën maqedone sipas Kushtetutës së ndryshuar!

Vetëm kjo formë juridike ligjore dhe kushtetuese, do të garantonte që gjuha shqipe të ishte e barabartë me gjuhën maqedone. Po ashtu, ndryshimi i Kushtetutës, do t’u garantonte shqiptarëve, që të jenë të barabartë me maqedonët si element kombformues dhe shtetëformues të përbashkët.

Ndryshe, po qe se nuk bëhet ky ndryshim në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë, nuk do të ketë kurrfarë garancish reale dhe kushtetuese as për “avancimin” e gjuhës shqipe, pavarësisht nga hartimi dhe miratimi i “Projektiligjit të ri nga ekspertët juridikë të BDI-së dhe të Aleancës për Shqiptarët, i cili mundëson avancimin e statusit juridik të përdorimit të gjuhës shqipe në më shumë dimensione.” ((http://illyriapress.com/projekt-ligji-per-gjuhen-shqipe-merr-driten-jeshile-te-kryesise-se-bdi-se/02/23/2017).

Shqiptarët nuk janë pakicë kombëtare, por komb në Maqedoni

Andaj, do të ishte në favorin e përbashkët të kombit sllavomaqedon dhe të kombit shiptar, që për nga numri i popullsisë janë të barabartë, të ndryshojnë sa më parë Kushtetutën ekzistuese (1991) në mënyrë që këto dy kombe t’i gëzojnë të drejtat dhe liritë e barabarta njerëzore, kombëtare, shtetërore, kushtetuese dhe ligjore. Kjo është garancia e vetme e koekzistencës dhe e ekzistencës së mëtejme të Republikës së Maqedonisë së dhuruar nga RSFJ-ja e Josip Broz Titos (1945).

Vetëm një ndryshim i këtillë thelbësor dhe demokratik i Kushtetutës në fuqi, do të mund të cilësohej si “dritë e gjelbër” e “avancimit të statusit juridik të përdorimit të gjuhës shqipe në më shumë dimensione,”siç ka pohuar kryesia e BDI-së me rastin e miratimit të “Projektiligjit të ri nga ekspertët juridikë të BDI-së dhe të Aleancës për Shqiptarët”.(Po aty, Illyriapresss.com/23/02/2017).

Pra, të mos harrojmë se, pavarësisht se çfarë do premtojë qeveria e re e koalicionit shqiptaro-sllavomaqedon me Zoran Zaevin në krye dhe me Ali Ahmentin, derisa shqiptarët në Maqedoni të trajtohen si “minoritet” sipas Kushtetës ekzistuese, ose asaj, që do të jetë ndryshuar nesër, të gjitha të drejtat dhe liritë e tyre, do të jenë të kufizuara dhe të nëpërkëmbura sikurse deri tani (1945-2017).

-Sa do t’ia vlente “avancimi i statusit” të gjuhës shqipe, nëse ajo nuk do të ishte e barabartë sikurse gjuha maqedone (ashtu siç thuhet në Nenin 7, paragri 1 të Kushtetutës në fuqi të Republikës së Maqedonisë)?

-Çfarë kuptimi do të kishte “avancimi shumëdimensional i Projektigjit të ri të gjuhës shqipe” (siç kanë konkludur ekspertët juridikë të BDI-së dhe të Alenacës për Shqiptarët) nëse me KUSHTETUTË nuk ndryroshet statusi minoritar i shqiptarëve?

Pa këtë ndryshim juridiko-politik dhe kushtetues, shqiptarët do të jenë të përbuzur dhe të diskriminuar mbi bazën kombëtare dhe shtetërore,ashtu sikurse këtu e 72 vjet më parë (1945-2017).

No comments:

Post a Comment

Gazetari Prishtinas Baton Haxhiu

Zotri  Baton Haxhiu ka bërë një deklaratë të bujshme gjatë një debati televiziv, ku ka pohuar se Partia Socialiste (PS) ka kontribuar për...