Flori Bruqi
Kanë kaluar katër vjet nga vdekja e Akademik Prof.dr. Besim Bokshit, gjuhëtarit që mes viteve 2008 - 2011 kishte drejtuar Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Autor i dhjetëra studimeve dhe librave, ndër të cilët “Prapavendosja e nyjës në gjuhët ballkanike”, Akademik Prof.Dr. Besim Bokshi kishte qenë anëtar në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe në Tiranë më 1973.
Pikërisht vepra “Prapavendosja e nyjës në gjuhët ballkanike” është marrë si shkas nga gjuhëtarja Lindita Rugova, për të folur për Besim Bokshin. E ftuar në emisionin CODEX të KTV-së, Lindita Rugova ka thënë se Akademik Prof.Besim Bokshi ishte një gjuhëtar i një niveli të lartë, lloji i të cilit është i rrallë.
Besim Bokshi
Gjashtë klasë të mësimit fillor i kreu në Tiranë, ndërsa dy të tjerat - në Gjakovë. Maturoi në Gjimnazin e Prishtinës.
Ndoqi studimet në Katedrën e Albanologjisë në Universitetin e Beogradit dhe, me ndërprerje, i përfundoi më 1959. Vijoi studimet pasuniversitare në Drejtimin e gjuhësisë në Beograd.
Tema e tezës së doktoratës iu dha në bazë të punimit Zhvillimi i strukturës së temave emërore të shqipes (Gjurmime albanologjike, 1, 1971).
Mbrojti tezën e doktoratës me temë Rruga e formimit të fleksionit të sotëm nominal të shqipes në Fakultetin Filozofik të Prishtinës më 1977.
Ka ligjëruar lëndën e gjuhës shqipe në Gjimnazin e Gjakovës dhe në vitet 1961-63 ka ushtruar edhe detyrën e drejtorit të kësaj shkolle.
Ka qenë profesor në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Gjakovës në vitet 1967-73 për Morfologji të gjuhës së sotme shqipe e për Hyrje në gjuhësi dhe në katër vjetët e parë e ka drejtuar punën e kësaj shkolle.
Brenda kësaj kohe për tetë muaj ka punuar në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Nga viti 1974 është zgjedhur ligjërues i Morfologjisë historike në Degën e Gjuhës e të Letërsisë Shqipe në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës dhe, pas doktorimit, është zgjedhur profesor inordinar e pastaj edhe ordinar deri kur u përjashtua nga Fakulteti më 1991 bashkë me mësimdhënës të tjerë shqiptarë nga dekanati i dhunshëm. Në vitet 1992-2001 ka ligjëruar lëndën Hyrje në studimin krahasues të gjuhëve indoevropiane në Shkallën e tretë të studimeve - Drejtimi i gjuhësisë në Fakultetin Filologjik të Prishtinës. Ka qenë anëtar i komisionit për konkluzione të Konsultës Gjuhësore të Prishtinës më 1968 dhe delegat në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe në Tiranë më 1973. Ka marrë pjesë në Kongresin e Studimeve të Evropës Juglindore në Ankara më 1978 me kumtesën për prapavendosjen e nyjës në gjuhët ballkanike. Në Universitetin e Jenës ka mbajtur ligjëratën për origjinën e mbaresave rasore të shqipes. Para ligjëruesve të Katedrës së Gjuhës e të Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filologjik të Tiranës dhe bashkëpunëtorëve shkencorë të Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë ka mbajtur ligjëratën për zhvillimin e sistemit emëror të shqipes (1979).
Ka qenë deputet në Dhomën për Arsim në Kuvendin Federativ më 1967-69. Në zgjedhjet e organizuara nga subjektet tona politike më 1992 është zgjedhur deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Në vitet 1993-96 ka qenë kryetar i Partisë Socialdemokrate të Kosovës.
Për veprën Rruga e formimit të fleksionit të sotëm nominal të shqipes ka marrë Shpërblimin e dhjetorit të Kuvendit të Kosovës më 1980.
Ishte anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës i zgjedhur më 1991, ndërsa nga viti 1996 ishte anëtar i rregullt i kësaj akademie. Më 2002 u zgjodh nënkryetar i Akademisë.
Akademikun Besim Bokshi vend të merituar ka edhe në librin e tij "Leksikon enciklopedik" të Akademisë së Shkencave dhe Arteve Shqiptaro-Amerikane, botuar këto ditë nga Flomed SHPK. Ky libër pritët të përurohetpas karantinimit të Kosovës nga Covid 19-të.
No comments:
Post a Comment