Një epidemi e panjohur në Shqipërinë e 1938! Masat që u morën, nga vendosja në karantinë e fshatrave, mbyllja e kufijve e deri te zhveshja e pasagjerëve


Një epidemi e panjohur në Shqipërinë e 1938! Masat që u morën, nga vendosja në karantinë e fshatrave, mbyllja e kufijve e deri te zhveshja e pasagjerëve

Nga Kreshnik KUÇAJ

Në shekullin e kaluar, bota është goditur vazhdimisht nga epidemi e pandemi të ndryshme, të cilat padyshim që kanë prekur edhe Shqipërinë. Por ajo që duhet nënvizuar është se pasojat mbi Shqipërinë, për një arsye apo tjetër, nuk kanë qenë më pasoja fatale.

Por në shekullin e kaluar, Shqipëria është prekur nga një epidemi globale e emërtuar “Afta Epizootike” apo siç njihej sëmundja e këmbëve dhe gojës. Për herë të parë ky virus u zbulua në vitin 1897 por më pas u shfaq vazhdimisht në vende të ndryshme e vazhdon të shfaqet edhe në ditët e sotme. Virusi prek kafshët, kryesisht gjedhët dhe bagëtitë e imëta.

Për shkak se kafshët jetojnë në tufa, përhapja e tij është e shpejtë dhe shkakton përhapje të gjerë duke dëmtuar rëndë ekonominë blegtorale të vendit. Në raste të rralla janë konstatuar edhe kalime të virusit nga kafsha te njeriu .



Për epideminë e “Afta Epizootike” shkruan gjerësisht doktor Vasfi Samim në revistën Ekonomia Kombëtare të vitit 1939 ku shpjegon fazën e parë të përballjes së Shqipërisë me këtë virus.

Doktor Samim evidenton në artikull se Shqipëria ka pasur raste episodike të këtij virusi në përfundim të Luftës së Parë Botërore, rreth vitit 1918, kur në kohën e administrimit austro-hungarez të një pjese të Shqipërisë, u evidentuan raste sporadike të sëmundjes në Tiranë,Durrës e Kavajë.

Kafshët e importuara nga ushtria austro-hungareze që duheshin si për tërheqje, ashtu edhe për konsum, që ishin marrë nga vende të ndryshme të Ballkanit vlerësohet se kanë qenë shkaqet kryesore të përhapjes së epidemisë në atë kohë.

“Si bujqit ashtu dhe blegtorët e vendeve malësore të prefekturave Kukës e Peshkopi, ashtu edhe fshatarët e Korçës dhe Gjirokastrës e vërtetojnë se në kohët e kaluara Afta Epizootike paska bërë mjaft dëme për kafshët dythundrake të këtyre zonave. Shkurt, 20 vjet e këtej asnjëherë kjo sëmundje nuk është parë në Shqipëri” shkruan Samim.

Nga ana tjetër, në vitin 1928, në Shqipëri ishte krijuar Shërbimi Veterinar dhe ishin bërë vazhdimisht kontrolle në bagëtitëqë ishin në vend pa konstatuar as edhe një rast të vetëm të kësaj sëmundje.

Duke iu referuar epidemisë së vitit 1938, doktor Samim shkruan se epidemia e fundit që e ka origjinën nga Afrika dhe që ka infektuar pas Francës, Anglinë, Gjermaninë e gjithë Europën e Mesme, në vitin 1938 arriti është në kufinjtë e Shqipërisë.

Për shkak të stadit zhvillimor Shqipëria ishte një vend me ekonomi të bazuar fort në pasurinë blegtorale. Ndaj edhe një sëmundje që godiste këtë sektor të ekonomisë nënkuptonte një gjunjëzim të saj dhe shumë problematika që rridhnin nga kjo. Kafshët dhe prodhimet e tyre përbënin 50-75 % të eksporteve të Shqipërisë në ato vite.

“Në këtë mënyrë kuptohet lehtazi se në rast se do të hynte Afta në Shqipëri do të paralizohej pjesa më e madhe e tregtisë kombëtare. Një rrjedhim i rrezikshëm i këtij ndalimi do të shkaktonte rënien e çmimeve dhe dëmtimin e blegtorisë e të tregtarëve për mundimin e tyre. Në Shqipëri, lëvrimi i tokës dhe lëvizja e karrocave bëhej pothuajse 90 % me qerre dhe ardhja e kësaj sëmundje në Shqipëri do të sillte të fshatarët mungesën e fuqisë tërheqëse” shkruan më tej Samim.



Duke qenë se virusi nuk ekzistonte në Shqipëri, autoritetet lokale tregoheshin shumë të vëmendshme për ecurinë e sëmundjes në Europë dhe në shtetet e tjera kufitare, me qëllim parandalimin e rasteve të importuara.

Infektimi i Shqipërisë nga afta epizootike mund të bëhej vetëm nga Italia, Jugosllavia dhe Greqia. Rreziku nga ana e Italisë konsiderohej i vogël sepse vendet nuk lidheshin me kufij tokësorë dhe Shqipëria nuk importonte kafshë dhe produkte shtazore nga Italia. Me Italinë, Shqipëria ishte vetëm eksportuese e prodhimeve.

Përsa i përket Jugosllavisë gjendja paraqitej krejt e ndryshme se Shqipëria kishte një kufi të gjatë në Veri dhe Verilindje me të.

Prefekturat e Shkodrës, Kukësit, Peshkopisë, Elbasanit dhe Korçës ishin afër me Jugosllavinë.

Në caktimin e kufijve politikë që nuk respektuan kufijtë etnikë të Shqipërisë, ishte krijuar edhe një situatë anormale. Një pjesë e konsiderueshme e fshatarëvenë zonat kufitare i kishin tokat e tyre dhe kullotat në anën tjetër të kufirit në Jugosllavi e kështu lëvizja kufitare konsiderohej si favorizuese për sjelljen e virusit në Shqipëri.

Në vitin 1934, Shqipëria dhe Jugosllavia kishin nënshkruar traktatin e trafikut të kufizuar që parashikonte lehtësira për fshatarët e zonave kufitare të cilët përmes një leje të posaçme 48 orëshe lejoheshin të shkonin në tokat e tyre për t’i punuar. Sipas këtij protokolli, fshatarët mund të merrnin me vete kafshët për t’i kullotur.

Lëvizja në kufijtë e 5 prefekturave bëhej me 9 sektorë dhe jepte liri deri në 30 kilometra thellësi dhe banorët e qindra fshatrave ishin në lëvizje e sipër.



Kështu pra kuptohet se afrimi i sëmundjes “Afta Epizootika” në kufirin shqiptar e vuri blegtorinë shqiptare në një rrezik, atë të përhapjes në shkallë të madhe ndaj edhe qeveria u interesua për ecurinë e kësaj epridemie në Europë dhe duke pasur një vëmendje të veçantë e të shtuar për Jugosllavinë.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)