
Në Shqipëri rritet në 773 numri i rasteve me koronavirusin e ri (COVID-19) me konfirmimin edhe të 7 rasteve të reja, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Ministria ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 225 persona të dyshuar me COVID-19, ndërsa janë konfirmuar 7 raste pozitive.
"Deri në këto momente janë testuar 8.253 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 773 raste. Aktualisht janë 272 pacientët aktivë me COVID-19 dhe numri i të shëruarve vazhdon të jetë më i lartë prej më shumë se dy javësh. Deri tani 31 qytetarë e kanë humbur betejën me këtë sëmundje", thuhet në njoftim.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit, 15 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e përgjithshëm të personave të shëruarve nga COVID-19 në 470.
Në Shqipëri për shkak të COVID-19 është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore, ndërsa vazhdojnë masat si mbyllja e institucioneve arsimore, ndalimi i hyrjeve me vendet fqinje për udhëtarët, pezullimi i fluturimeve, pezullimi i transportit urban dhe kufizimi i lëvizjes së qytetarëve.
Institucionet kanë filluar lehtësimin për disa nga masat kufizuese këtë javë, ndërsa disa kategori të bizneseve kanë filluar që të ushtrojnë aktivitetet e tyre.
Ndërkohë, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë fjalës në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Shqipërisë tha se hapja e një seri biznesesh në fillimin e kësaj jave është pjesë e strategjisë së rihapjes, për të vlerësuar sipas saj situatën për javët e ardhshme.
No comments:
Post a Comment