Ekspertët besojnë se Kina, për të cilën ata pretendojnë se ka shkaktuar përhapjen e koronavirusit të ri (COVID-19), duhet të paguajë kompensim për mos përmbushjen e detyrimeve të saj .
Samuel Armstrong, një ekspert ligjor në qendrën këshilluese britanike "Henry Jackson Society", James Kraska, një profesor në Qendrën për të drejtën ndërkombëtare Stockton në Kolegjin e Luftës Detare në SHBA, si dhe Paul Miller, një profesor në Shkollën Universitare Georgetown për Shërbime të Jashtme vlerësojnë zbatimin e sanksioneve ndërkombëtare ndaj Kinës.
Duke folur për AA, Armstrong thotë se Kina mund të paditet për virusin COVID-19 dhe se ka mbi dhjetë rrugë të mundshme ligjore për t'i zbatuar këto pretendime.
"Këto rregullore kërkojnë që vendi të raportojë një skenar pandemik në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe të ndajë të dhëna të caktuara brenda 72 orëve. Dështimi i dukshëm i Kinës për të përmbushur këtë detyrë do të ishte baza thelbësore e çdo ankese", thekson Armstrong.
Ai shton se opsionet ndryshojnë në skenën lokale dhe ndërkombëtare. Instrumenti kryesor i së drejtës ndërkombëtare që çdo paditës i ardhshëm do të synonte të arrijë, sipas tij është "Rregullorja Ndërkombëtare e Shëndetit (2005)".
Duke përmendur kompleksitetin e llogaritjes së dëmeve ekonomike nga COVID-19, Armstrong tha se përcaktimi i dëmit është i vështirë, veçanërisht për vendet në zhvillim. Ai shtoi se ata vlerësojnë të paktën një humbje prej 4 trilionë dollarësh vetëm për vendet e Grupin G7.
"Kina do të përpiqet të injorojë pretendimin dhe t'i rezistojë juridiksionit kur të jetë e mundur. Rekordi i Kinës në Gjykatën Ndërkombëtare për Ligjin mbi Detin është instruktues. Këtu, Kina humbi një çështje gjyqësore, por nuk e pranoi vendimin. Në mënyrë që Kina të konsiderohet përgjegjëse, bota duhet ta bëj atë. Çdo pretendim ligjor do të mbështetet në shtetet duke përdorur mjete ekonomike dhe të sigurisë për ta detyruar Kinën në tryezë", shton Armstrong.
- "Kina nuk do ta respektojë sundimin e ligjit"
I pyetur nëse Kina mund të paditet për pasojat e virusit COVID-19, Kraska thotë se kjo varet nga qasja e secilit vend për imunitetin sovran të një shteti të huaj.
"Në SHBA vendet e huaja kanë imunitet sovran dhe nuk mund të dërgohen para gjykatës përveç nëse shteti kryen aktivitete tregtare", thotë Kraska.
Ai thekson se Kina do të shmangë juridiksionin sepse është një vend sovran, përveç nëse pranon të bindet nga vendimi.
"Kina shkeli detyrat e saj ligjore sipas Rregulloreve Ndërkombëtare të Shëndetit për të përcaktuar me saktësi shtrirjen e virusit brenda Kinës. Kina fshehu me qëllim informacionin, duke na rrezikuar të gjithë neve", thekson Kraska.
Ai po ashtu thotë se secili vend mund të vendosë për të imponuar masa ligjore kundër Kinës, duke pezulluar detyrimet e zakonshme ligjore për të detyruar këtë vend të përmbushë dëmshpërblimet.
Kraska beson se Kina do të refuzojë akuzat dhe do të pretendojë se virusi u shfaq në mënyrë të natyrshme.
"Kina pretendon se nuk është përgjegjëse për ekzistencën e një virusi, i cili është një dukuri natyrore. Por, fajet e Kinës janë veprimet e saj për të mbuluar virusin, dështimi i saj për të qenë transparent lidhur me efektet ngjitëse dhe vdekjeprurëse të virusit, duke rritur në masë të madhe rrezikun për të gjitha kombet", thotë Kraska.
Ai pohon se edhe nëse gjykatat ndërkombëtare vendosin dënime shkaku i COVID-19, Kina, që është vend komunist, nuk do të respektojë sundimin e ligjit.
- "Shtetet mund të ndëshkojnë Kinën duke kufizuar lidhjet tregtare"
Profesori Miller thotë se nuk beson që dikush do ta padiste Kinën për pandeminë dhe beson se kjo është një ngjarje politike dhe jo ligjore.
"Shtetet mund të ndëshkojnë Kinën duke kufizuar lidhjet tregtare, duke imponuar sanksione, duke emëruar dhe duke e turpëruar, duke miratuar një rezolutë në OKB, duke kufizuar udhëtimin për në dhe nga Kina, duke degraduar lidhjet ose me gjeste të tjera simbolike. Por, unë nuk jam i vetëdijshëm për ndonjë mekanizëm ligjor kuptimplotë ose të zbatueshëm që dikush mund të përdorë kundër Kinës", thotë Kraska.
Pas shfaqjes për herë të parë dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, koronavirusi është përhapur në mbarë botën, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpërthimin e ka shpallur një pandemi globale.
Sipas shifrave nga Universiteti John Hopkins me qendër në SHBA, numri i të infektuarve nga COVID-19 në mbarë botën ka tejkaluar shifrën 3.2 milionë, me më shumë se 232 mijë të vdekur.
No comments:
Post a Comment