Nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme në Republikën e Maqedonisë së Veriut do të vazhdojnë mësimin në distancë deri më 10 qershor, gjegjësisht ata nuk do të kthehen në shkollë, ndërsa maturantët këtë vit do të lirohen nga provimi përfundimtar.
Ministri i Arsimit, Arbër Ademi, në një konferencë për media deklaroi se bëhet fjalë për një pako prej nëntë masash, të cilat sigurojnë funksionimin e rregullt të sistemit arsimor në këto rrethana dhe kushte të jashtëzakonshme të shkaktuara nga shfaqja dhe përhapja e koronavirusit të ri (COVID-19).
"Viti aktual shkollor do të vazhdojë të zhvillohet deri në fund përmes organizimit të mësimit në distancë, respektivisht përmes organizimit të mësimit nga shtëpia, kështu që nxënësit nuk do të kthehen në bankat shkollore deri më 10 qershor", theksoi Ademi.
Ai vuri në dukje se të gjithë mësimdhënësve që deri në ditën e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme ishin të angazhuar me kontratë me kohë të caktuar, marrëdhënia e punës u vazhdohet deri në fund të vitit shkollor, dhe në të njëjtën kohë do të sigurohet edhe zëvendësim për çdo vend pune të lirë për mësimdhënës.
Masa tjetër ka të bëjë me regjistrimin e fëmijëve në klasë të parë, i cili normalisht dhe në përputhje me rregulloret ligjore fillon në maj, por që sipas kushteve do të fillojë në qershor.
Dy masat e tjera, tha ministri Ademi, garantojnë që asnjë shkollë gjatë gjendjes së jashtëzakonshme nuk do të mbetet pa strukturat e menaxhimit dhe organet administrative që kanë detyrimin të organizojnë punën pa pengesa dhe kryesisht në interes të nxënësve dhe mësimdhënësve, përkatësisht vazhdohen mandatet e kryesive dhe administrimit të shkollave, si dhe vlefshmëria e licencave për drejtorët.
Ndërkaq, sa u përket nxënësve në vitin e fundit në shkollate mesme, ata janë të liruar nga provimi i maturës shtetërore, maturës shkollore dhe provimi përfundimtar në vitin shkollor 2019/2020, dhe do të jenë në gjendje që me diplomat dhëna për mbarimin e arsimit të mesëm të regjistrohen në një nga institucionet e arsimit të lartë në vend.
Kujtojmë se ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, më 10 mars njoftoi se qeveria ka vendosur të pezullojë procesin arsimor në të gjitha kopshtet, shkollat fillore dhe të mesme, si dhe aktivitete mësimore në institucionet e arsimit të lartë në gjithë vendin për 14 ditë, por ky vendim më pas vazhdoi dhe është ende në fuqi.
No comments:
Post a Comment