Dymbëdhjetë vjet që prej miratimit, Kushtetuta e Republikës së Kosovës vazhdon të nxisë debate të reja rreth interpretimit të disa prej neneve të saja më të rëndësishme lidhur me formimin, funksionimin, detyrat dhe kompetencat e institucioneve kyç. Rëndom, pasi që Gjykata Kushtetuese e jep vendimin përfundimtar për çështje të rëndësishme politike që i referohen, të gjithë akterët politikë dhe pjesëmarrësit relevantë të jetës politike i nënshtrohen asaj që Gjykata konstaton. Sidoqoftë, Gjykata fatkeqësisht ka manifestuar prirje për t’i ndryshuar interpretimin dhe arsyetimin për t’iu përshtatur kujtdo që aktualisht ushtron ndikim dhe pushtet më të madh politik për çështjen e nxjerrë para saj. Kjo gjë ka gërryer besueshmërinë dhe respektin që qytetarët e Republikës kanë për Gjykatën Kushtetuese.
Në vitin e parë të ekzistencës së saj, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ishte përballur me njërën prej rasteve më të vështira, me të cilat mund të përballet një gjykatë e këtij lloji.
Çështja në fjalë – nëse presidenti po e shkelte Kushtetutën, duke e mbajtur njëkohësisht edhe pozitën e kreut të partisë politike – u shpalos, për shokimin dhe befasinë e çdokujt, rreth faktit se askush nuk e dinte se ku mund të gjendeshin punimet përgatitore të Gjykatës Kushtetuese. Këto dokumente, të cilat çdo shtet i ruan me kujdes të veçantë (ngase ofrojnë interpretim autentik të asaj çfarë hartuesit e Kushtetutës nënkuptuan dhe menduan për normat konkrete të saj), nuk u gjetën kurrë. Për këtë arsye, debati rreth synimit të njëmendtë të hartuesve të Kushtetutës është bazuar më shumë në dëshminë e anëtarëve të Komisionit apo të atyre që kanë qenë të lidhur drejtpërsëdrejti me procesin.
Pasi që Gjykata Kushtetuese vendosi se presidenti e kishte shkelur Kushtetutën më 2010, dhe më 2011 se një tjetër president ishte zgjedhur nga Kuvendi me procedurë jokushtetuese, viti 2014 e gjeti Gjykatën dhe opinionin publik në Kosovë duke e adresuar çështjen se kush ka të drejtë që ta formojë Qeverinë.
Gjykata kundërthënshëm vendosi se presidenti është i obliguar ta kërkojë një kandidat për kryeministër nga partia apo koalicioni që e fitoi shumicën e votave në zgjedhjet më të fundit (gjë kjo që e favorizoi PDK-në në atë kohë), në vend të një personi të përzgjedhur nga partia apo koalicioni që e gëzonte shumicën absolute të votave në Kuvendin e Kosovës, që nevojitet ashtu që një Qeveri të funksionojë efektshëm.
Në demokracitë parlamentare, termi “shumicë” nuk është referencë për partinë apo koalicionin që fiton më së shumti vota në zgjedhje, por për atë që ka shumicën absolute të votave të anëtarëve të zgjedhur në Parlament. Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës pati mendim ndryshe. Si pjesëmarrës dhe dëshmitar i procesit të përpilimit të Kushtetutës në Kosovë, u shokova me konstatimet e Gjykatës, siç u shokuan edhe shumica e ekspertëve të së drejtës kushtetuese me njohuri rreth Kosovës dhe zhvillimit të saj kushtetues.
Megjithëkëtë, vendimi i Gjykatës i përcaktoi rregullat e lojës dhe tani duhet respektuar. Kushtetuta e Kosovës, e cila është pasuese e Propozimit Gjithëpërfshirës të Zgjidhjes së Statusit të Kosovës, parasheh se i vetmi trup me sovranitetin dhe legjitimitetin e dalë nga dhe që e reflekton vullnetin e popullit është Kuvendi i Kosovës, i përbërë prej përfaqësuesve të zgjedhur në zgjedhjet e përgjithshme të Kosovës. Ky është një trup që, me anë të ushtrimit të kompetencave zgjedhore, i zgjedh presidentin dhe Qeverinë.
No comments:
Post a Comment