
Eurodeputetët e Komisionit për Punë të Jashtme i kanë bërë thirrje BE-së që sa më shpejt të jetë e mundur të hiqet regjimi i vizave për shtetin e Kosovës.
Po ashtu, ata kanë bërë thirrje për hapje bisedimesh me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Mbajtja e derës së hapur për vendet e Ballkanit Perëndimor është në interesin e vet politik, të sigurisë dhe të Bashkimit Europian”, kanë thënë eurodeputetët.
“BE-ja duhet të sigurojë që metodologjia e saj e zgjerimit të mbështesë reformat dhe të sigurojë anëtarësimin e plotë si qëllimin përfundimtar për vendet që do të hyjnë”, përfunduan eurodeputetët e Komisionit për Punë të Jashtme në rekomandimet e tyre për Ballkanin Perëndimor, të miratuar të hënën.
Angazhim më i madh me vendet e Ballkanit Perëndimor
Vendimi për të hapur bisedimet për pranimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë e Veriut është në interesin politik, të sigurisë dhe të BE-së, thonë eurodeputetët.
Në thirrjen drejtuar BE-së për lejimin e liberalizimit të vizave në Kosovë ata thanë se BE duhet të angazhojë nga afër përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor në nismat e përbashkëta europiane (p.sh. politikat sektoriale dhe programet) përpara pranimit të tyre, përfshirë Konferencën për Ardhmërinë e Europës.
Luftimi i korrupsionit dhe promovimi i bashkëpunimit rajonal
Eurodeputetët shtuan se BE duhet të sigurojë që reformat në Ballkanin Perëndimor të përqëndrohen në ndërtimin e kapaciteteve shtetërore, zbatimin e vendimeve gjyqësore, reformat gjyqësore dhe përpjekjet për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.
“BE duhet të angazhohet gjithnjë e më shumë në zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura bilaterale në rajon, duke promovuar marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimin rajonal”.
Financimi i duhur para pranimit, që të përfitojnë qytetarët e Ballkanit Perëndimor
Eurodeputetët kundërshtojnë çdo ndërprerje të fondeve të ndihmës para pranimit që mund të ngadalësojnë reformat në BE.
“BE duhet të prioritizojë projekte specifike në dobi të popujve të Ballkanit Perëndimor dhe të sigurojë që fondet para pranimit të ndahen në mënyrë transparente, proporcionale dhe jo-diskriminuese, bazuar në treguesit e performancës që matin përparimin e vendeve përfituese në zbatimin e reformave”.
Raportuesi i PE-së Tonino Picula tha: “Ky raport është një shenjë e qartë e mbështetjes së Parlamentit Europian për aspiratat dhe përpjekjet e vendeve të Ballkanit Perëndimor për t’u bërë anëtare të BE-së, pasi të plotësohen të gjitha kriteret. Është gjithashtu një shenjë e qartë që ne mbështesim vazhdimin e procesit të zgjerimit në përgjithësi, pasi ai ka qenë një nga politikat më të suksesshme të BE-së. Politika e zgjerimit është gjithashtu një parakusht për të promovuar praninë e BE-së dhe interesin e saj strategjik në Ballkanin Perëndimor, kështu që duhet parë se është në interesin tonë të ndërsjellë”.
Rekomandimet u miratuan me 58 vota pro, 7 kundër dhe 5 abstenime. Ato do të dorëzohen në Plenarin e PE në një nga seancat e ardhshme, shkruan Klan Kosova.
Më 26 mars, Këshilli Evropian vendosi të hapë negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Para kësaj, në shkurt, Komisioni propozoi një metodologji të rishikuar që duhet t’i japë impuls të përtërirë zgjerimit të BE-së. Samiti për Ballkanin Perëndimor është planifikuar të mbahet para fundit të Presidencës Kroate në qershor.
Përveç Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, Mali i Zi dhe Serbia tashmë kanë filluar negociatat e pranimit, ndërsa Bosnja e Hercegovina dhe Kosova janë kandidatë të mundshëm.
Eurodeputetët apel politikanëve në Kosovë: Mos e keqpërdorni gjendjen aktuale për manovra
Disa eurodeputetë, përmes një letre drejtuar politikanëve në Kosovë, kanë apeluar që të mos keqpërdorin situatën me pandeminë e koronavirusit për të bërë manovra politike.
Përmes këtij apeli, ata kanë thënë se manovrat politike për vendin në këtë kohë do të dëmtonin shumë shtetin, reputacionin e tij dhe rrugën drejt demokracisë e lirisë.
“Nënshkruesit e këtij apeli ftojnë të gjithë akterët e përfshirë në politikat e Kosovës që të qëndrojnë të qetë dhe të matur. Situata aktuale bart rrezik të lartë të eskalimit. Qeveria e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës u rrëzua me mocion në Parlament në një procedurë të rregullt. Gjithsesi, formimi i shpejtë i një qeverie të re në mes të pandemisë kërcënon të ardhmen e institucioneve ende të brishta të vendit”, thuhet në letrën e eurodeputetëve. “Besimi në liderët politikë të këtij riorganizimi qeveritar ka rënë ndjeshëm brenda e jashtë vendit. Çdo formimi i Qeverisë së re duhet të bëhet në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe të ketë legjitimitet përmes mbështetjes së një shumice të zgjedhur në zgjedhjet demokratike”, thuhet tutje aty.
Ata kanë renditur këto pika kryesore:
Ne përkrahim një përafrim në shkallë të barabartë në dialogun dhe konsolidimin e raporteve mes Kosovës e Serbisë. Gjithsesi, modalitetet e këtij procesi nuk duhet të çojnë në amnisti të përgjithshme krimet e kryera të luftës dhe jo ende të proceduara.
Lusim liderët politikanë të përmbahen nga çdo lloj marrëveshje të shpejtë mes Serbisë e Kosovës nëse ajo rrezikon destabilizimin e rajonit. Kjo do të ishte sidomos nëse ofrohet ndarja etnike mes shteteve. Një marrëveshje e tillë duhet të ketë përkrahjen e popullit dhe të forcojë ligjin e demokracinë përtej kufijve etnikë.
Fuqishëm rekomandojmë që parimet e demokracisë të respektohen në mënyrë që të ketë zgjidhje politike. Shpresojmë dhe besojmë në fuqinë e institucioneve dhe Gjykatës Kushtetuese që t’iu përmbahet këtyre parimeve. Përndryshe, s’ka mënyrë tjetër të sqarimit të vullnetit të popullit për zgjedhje të reja sapo të lejohet për shkak të situatës. Vetëm një qeveri me legjitimitet demokratik mund të nxjerrë vendin nga kjo krizë politike.
Ata kanë kërkuar nga qytetarët të mos dalin në protesta apo të reagojnë nëpër rrugë.
Nënshkruesit janë:
Cédric Wermuth, anëtar i Këshillit Kombëtar, Zvicër
Nezahat Baradari, eurodeputet, Gjermani
Viola von Cramon, eurodeputete, Gjermani
Tanja Fajon, eurodeputete, Slloveni
Knut Fleckenstein, ish-eurodeputet, Gjermani
Romeo Franz, eurodeputet, Gjermani
Metin Hakverdi, Gjermani,
Evin Incir, Suedi,
Ueli Leuenberger, Zvicër
Fabian Molina, Zvicër
Kati Piri, Holandë
Andreas Schieder, Austri
Johannes Schraps, Gjermani
Stefan Schwartze, Gjermani
Thomas Waitz, Austri
No comments:
Post a Comment