Fatmir Zanaj - Filozofia e së drejtës


Picture



Libri i ri “Filozofia e së Drejtës”, botimet “Naimi”, Tiranë 2012, që serviret nga autori Fatmir Zanaj si tekst universitar, në fakt, është i destinuar për një lexues më të gjerë. Problematika e trajtuar, stili i të shkruarit dhe  mirëpritja e botimeve të mëparshme të autorit nuk mund të mos ngjallin kërshërinë dhe interesin e publikut.
Pas botimit, në fund të vitit 2009 të librit universitar “Sociologjia e së Drejtës”, i pari i këtij lloji në vendin tonë, dr. Fatmir Zanaj hyn në një fazë të re të kontributit të tij shkencor dhe akademik, duke u nisur nga analiza komplekse e fakteve, rrethanave dhe problematikave sociologjike të së drejtës, drejt arsyetimeve filozofike dhe bazave ideore të kësaj shkence.Mungesa e teksteve ose  botimeve të tjera rreth këtyre temave në vendin tonë, është një rrethanë tjetër që e bën tekstin “Filozofia e së Drejtës” të domosdoshëm, por edhe mjaft të dobishëm për audiencën të cilës i drejtohet.
Në këtë libër autori kombinon analizën logjike të ideve, paradigmave e teorive mbi ligjin e drejtësinë, me parimin historik, duke e parë zhvillimin e filozofisë të së drejtës në trajektoren e saj nëpër mendjet dhe kontributet më të ndritura të të gjitha kohërave.Libri na ofron një pluralitet idesh, produktesh, vlerësimesh dhe interpretimesh rreth bazave filozofike të së drejtës.
Autori ka bërë kujdes të shmangë trajtimin eurocentrist të mendimit filozofik ligjor, duke u zhytur në krijimtarinë ligjore-mitike të qytetërimeve të lashta asiro-babilonase, perse, indiane, greke, romake, pa anashkaluar kontributin e etërve kryesorë të Kishës së Krishterë dhe të dijetarëve të Islamit në fushën e së Drejtës, të Montesquieu-së e Vico-së, të Hobbes-it e Locke-s, të Rousseau-së, të Benthamit dhe John Austinit, të Kantit e të Marksit, duke mbërritur deri në ditët tona me filozofët modernistë e postmodernistë, si H. L. A. Hart, Hans Kelsen, Lon Fuller, John Finnis, Ronald Dworkin, John Rawls, Michel Foucault, Richard Rorty, Jacques Derrida etj.
Arsyetimet e thelluara të këtyre të fundit rreth problematikave filozofiko-juridike të kohës sonë, duke qenë një pasuri ideore, intelektuale dhe instrumentale për shoqërinë e sotme, i japin një meritë edhe autorit, për nga korrektësia e paraqitjes dhe inkorporimi në kontekstin teorik i raporteve të ndërlikuara midis këtyre dy degëve të mendimit intelektual dhe shkencor bashkëkohor.
Autori ka bërë përpjekje të dëshmojë kontributin e dhënë në fushën e mendimit filozofik ligjor prej filozofëve e juristëve të famshëm të të gjitha kohërave, duke iu shmangur rivalitetit të nisur që në periudhën e Ciceronit e të Romës së lashtë, i shfaqur herë pas here ne raportet midis tyre, nisur nga paragjykimi se ligji dhe drejtësia janë çështje monopol të juristëve profesionistë.
Autori shpjegon qartë dhe të mbështetur në argumente problemin themelor të filozofisë të së drejtës, debatin shumëshekullor midis të drejtës natyrore dhe të drejtës pozitive, duke sqaruar me kompetencë dhe rrjedhojat që ka sjellë e sjell debati rreth tij në fusha të ndryshme të zbatimit të ligjit, në fushën e moralit dhe të politikës, në ato të zhvillimeve konstitucionale e demokratike.
Stili i zhdërvjelltë, gjuha e pasur dhe e pastër, rigoroziteti i parashtrimit logjik, e bën librin të këndshëm për t’u lexuar dhe të thjeshtë për t’u kuptuar.Literatura mjaft e pasur, e cila u referohet autorëve më të njohur e më të cituar të filozofisë botërore të së drejtës, shkollave më përfaqësuese të Amerikës së Veriut dhe të Europës Perëndimore, është një aset i padiskutueshëm i librit.
Respektimi rigoroz i kriterit akademik, paraqitja e mendimit shkencor të autorëve të shquar duke iu referuar studimit dhe analizës së drejtpërdrejtë të veprave të tyre kryesore, e bën këtë tekst jo vetëm cilësor e profesional, por edhe një burim për eksplorime, arsyetime dhe kontribute të mëtejshme në këtë fushë.
Studentëve të fakulteteve të drejtësisë të universiteteve shqiptare, juristëve e punonjësve të sektorëve të zbatimit të ligjit, intelektualëve të interesuar për problemet shoqërore, ligjore e filozofike do t’u rekomandoja ta lexonin këtë libër, i cili do t’i pajisë e pasurojë ata me koncepte, ide, paradigma dhe me arsyetime teorike për të kuptuar zhvillimet shoqërore aktuale në Shqipëri dhe rreth apo larg saj, dhe do t’i ndihmojë të bëhen më aktivë e produktivë në kontributet për evropianizimin e shoqërisë shqiptare.  

    Titulli: Filozofia e së drejtës
    Autori: Fatmir Zanaj
    ISBN: 978-9928-109-20-0
    Faqe: 416

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)