Flori Bruqi
Djemtë ,vashat,pleqët , plakat dhe fëmijtë e Kosovës martire përjetuan nga hordhitë fashiste serbe mizoritë më çnjerëzore të fund shekullin e XX-të .
Shumë prej tyre dhanë jetën e tyre për Lirinë që ne gëzojmë sot.
Heroikisht në luftën e përgjakshme të Kosovës u vranë mbi 15.000 përsona nga të cilët 2400 luftar të UÇK-së e të tjerët qytetarë të thjeshtë.
U vranë heroikisht nga bandat udbeske serbe Herojt e Lirisë :
Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka,Bardhosh Gërvalla, Enver Hadri (17 janar 1982) Zair Pajazati,Edmond Hoxha,Hakif Zejnullahu
(31 janar 1997).
Heroi i Lirisë : Adem Jashari
U vranë heroikisht Mujë Krasniiq, Luan dhe Shkelzen Haradinaj, Rrustem Bruqi , Fehmi Muhamet Lladrovci ,Sali Çeku, Agim Ramadani, Bekim Berisha e qindra heronjë tjerë në betejat e lavdishme të Kosovës për çlirim e bashkim.
Duhet t´ua shpjegojmë të rinjve rëndësinë e këtyre betejave, ku luftëtarët tanë e thyen me vullnet politik e ushtarak ushtrinë Jugosllave e cila për nëntë dekada kombin tonë e kishte përgjysmuar. Ajo ka pa ndarë familje e individë, komunitete e ekonomi, por nuk ka arritur të ndajë kulturën, gjuhën dhe aspiratat tona.
Në ato beteja ranë shumë dëshmorë, shqiptarë nga Kosova por edhe nga trojet e tjera. Gjaku që derdhën dëshmorët e martirët, nuk shkoi kot. Sakrifica e tyre sublime e përshpejtoi Kosovën në rrugën e çlirimit dhe faktorët ndërkombëtarë perëndimorë, respektuan dëshirën e shqiptarëve për liri.
Aleatë të mëdhenj, ShBA, NATO, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar,Italia e Franca e shumë vende të tjera ishin bashkuar në ndërhyrje, në ndihmë të luftës sonë.
I kujtojmë me nderim dëshmorët e Prekazit Logjës,Koshares, Llapushnikut ,Pashtrikut ,Karadakut,Gollakut etj. dhe nuk ua harrojmë idealin. E veteranëve të atyre betejave e shumë betejave të tjera, iu premtojmë se do ta mbajmë luftën të pastër dhe ashtu do t´ia përcjellim gjeneratave të ardhme, sepse ideali i luftës është themeli politik i jetës sonë.
Pa luftën, vetëm mbijetonim, edhe atë jo të gjithë, e sigurisht pa liri e me dinjitet të shkelur. Me luftën, ne sot mund të jetojmë. Ata pak njerëz të papërgjegjshëm që duke dashur të përfitojnë prej luftës rrezikuan ta përlyejnë kujtimin e saj, fatmirësisht janë pak dhe nuk mund të dëmtojnë më.
Lavdi luftëtarëve , lavdi ushtarëve të UÇK-së.
Ata na sollën lirinë. Le të jenë shembull udhëheqës për ne, si popull, në betejat tona moderne e paqësore, që synojnë zhvillimin dhe forcimin e shtetësisë, ekonomisë dhe shoqërisë së Kosovës, derisa ta arrijmë barazinë mes shqiptarëve dhe kombeve të tjerë në rajon.(Flori Bruqi)
******
Bedri Halimi
Falë luftës së UÇK-së, ndërhyri NATO ...
Duke dëgjuar ato çka i kishte thënë ky njeri në opinionin publik, çdo njeri normal do të vinte në këtë përfundim: ose Shkelzen Gashi është shumë i informuar dhe ka guxim të flet, ose Shkelzen Gashi është vënë në shërbim të dikujt thënë më së buti. Cila do qoftë kjo, duhet dhënë përgjigjje. Përgjigjje të tretë nuk ka, dhe nuk mund të ketë. Përgjigjja e tretë do të ishte vërtetimi i konzoliumit të psikiatërve se ky njeri nuk është normal. Falë luftës së UÇK-së, ndërhyri NATO dhe falë të dyjave, Serba nuk është më në Kosovë.
Shkelzeni pas lufte ka shkuar pa frikë në studime, sepse Serbia nuk ka qenë prezente për të penguar në mbarvajtjen e studimeve të tij. Duke i marrë disa nota të larta, Shkelzeni u dashurua në vetvete. Madje u dashurua tepër shumë, sa që si duket, të gjithë pjestarët e UÇK-së atij i janë dukur miza. Duke menduar kështu, Shkelzeni filloi tu ‘vëjë nota UÇK-së dhe pjestarëve të saj’, duke harruar që ta shoh veten në pasqyrë, pale pastaj për ta vlerësuar edhe me notë vetveten. Shkelzeni filloi të gjejë të meta, mangësi në çdo gjë dhe ndaj gjithkujt. Ukshin Hoti do të thoshte: ‘Shkelzeni filloi ta ndaj qimen përgjysëm’. Dhe Shkelzeni me entuziazmin e tij provoi ta ndaj edhe qimen, edhe pse nuk doli asnjëherë me rezultatin e ndarjes së qimes. Për shkak se ka lindur me vonesë (duke u bazuar në pretendimete tij) dhe e ka ndjer sindromin e mangësisë së madhështisë, po ky Shkelzen, i jep kosës herë në të djathtë e herë në të majtë. Askush nuk është i sigurt që të qëndroj afër tij, sepse nga cilado anë që të qëndrosh, mund të jesh i rrezikuar nga kosa e tij qoftë e pa mbrehur fare. Por ja që Albini ka zgjedhur një kostar të dobët. Është e drejtë e tij. Dhe këtu nuk i vëj ndonjë faj. Por Shkelzeni me këto qëndrime doli pas krijimit të tribunalit, pas deklarimit të Dick Martit, pas qiftes në krah të Carla Del Pontes, pas Bllacës dhe bllacave të tjerë që të deklaroj më shumë se të gjithë këta. Ky i dha vetes të drejtë që në një emision televiziv të deklaroj se: UÇK- i ka vra 1000 civil serbë. Ku deklaron pastaj “Ku unë them se Dick Marti nuk është antishqipëtar, ai e ka publikuar një raport ku flitet për krimet që pjestarët e UÇK-së i kan kryer ndaj pjestarëve të pafajshëm” për të vazhduar pastaj “Dyshohet sepse njerëzit janë të vrarë, i kemi 1000 serb civil që janë vrarë, shumicën dërmuese i kan kryer pjestar të UÇK-së, se skan mujt me qenë pjestar të shoqatës kulturore artistike Hajdar Dushi”. Dhe jo vetëm kaq, por duke vazhduar më tej “por për fat të keq shumë prej këtyre pjestarëve që kanë qenë të implikum në këto krime kanë qenë në pozita udhëheqëse, komandant zonash, ose antar të shtabit të përgjithshëm të UÇK-së”. Së pari, kush është Shkelzen Gashi? Së dyti, nga e din ky njeri, që Dick Marti nuk është antishqiptar? Cili është argumenti i këtij njeriu që deklaron me kaq paturpësi se Dick Marti është proshqiptar? Ose më qartë, cili është kontributi proshqiptar i Dick Martit sipas Shkelzen Gashit? Shkelzen Gashi duke qenë këshilltar i Kryeministrit të Kosovës deklaron se “Dik Marti e ka publikuar një raport ku flitet për krimet që pjestarët e UÇK-së i kanë kryer ndaj popullatës civile të pafajshme”. Si këshilltar që është, kjo dmth. që Shkelzen Gashi din shumë, pra dijenia e tij paska arritur deri te pretendimet se din edhe për krimet që pjestarët e UÇK-së i kanë kryer ndaj popullatës së pafajshme! Nëse është kështu, atëherë përse Shkelzen Gashi ka heshtur deri më tani? Përse deri tani nuk i ka përkrahur (publikisht) akuzat e Dick Martit? Nëse nuk është kështu, atëherë në bazë të cilave të dhëna Dick Marti ka publikuar një raport, dhe për të cilën sipas Shkelzen Gashit Dick Marti nuk është antishqiptar? Në bazë të cilave “fakte” Dick Marti përpiloi raportin e tij? Shkelzen Gashi nuk e dimë a e ka ndier luftën në mish apo në këmish, pra nuk e dimë edhe a e ka ndier okupimin serb dhe si e ka ndier, por e dimë që deklaron se “kemi gati 1000 serb të pafajshëm që janë vrarë”. Dhe jo vetëm kaq. Shkelzen Gashi deklaron: “Shumicën dërmuese i kanë kryer pjestarët e UÇK-së, duke ironizuar se skan mujt me qenë pjestar të Shoqërisë kulturore Hajdar Dushi”. Jo vetëm në bazë të fizionomis së Shkelzen Gashit por edhe në bazë të veprimtaris së deritashme të tij, nuk mund të flitet për ndonjë afinitet artistik të Shkelzen Gashit: as në recitim, as në këndim, as në vallëzim. Prandaj edhe nëse s’ka qenë në UÇK nuk e ka plotësuar asnjë kriter për të qenë edhe në “Hajdar Dush”. Prandaj Shkelzen Gashi duhet ta sqaroj nëse jo publikisht të paktën atje ku duhet, në organet e drejtësisë, se vërtet meqë i ditka se këto krime i ka kryer UÇK-ja, atëherë të dëshmoj se kush nga UÇK-ja ka kryer cilin krim ndaj cilit pjestar të komunitetit Serb? Dhe sërish jo vetëm kaq! Shkelzen Gashi duhet që të jap llogari pse këto “fakte” që i paskësh ditur, deri tani i ka mbajtur brenda vetes dhe nuk i ka deponuar para organeve të drejtësisë, pra atje ku duhet. Dhe adresat e deklarimit për Shkelzen Gashin kanë mundur të jenë tri: organet e Kosovës, ekipi i Dick Martit dhe organet e Serbisë. Çeshtja e lirisë së shprehjes ja lejon që të deklarohet në ndonjërën nga këto adresa. Në këtë drejtim, edhe Albin Kurti jo vetëm që duhet të distancohet publikisht nga deklarimet e pa përgjegjshme të këshilltarit të tij, që janë në esencë deklarime antikombëtare por duhet edhe ta shkarkoj nga detyra, duke kërkuar madje vet kryeministri në detyrë, që çeshtja e deklarimit te Shkelzen Gashit të trajtohet nga organet e drejtësisë në Kosovë. Edhe Albin Kurti besoj se e din, siç duhet ta dinë të gjithë, se në të ardhmen nuk do të ketë dokumentar, punim të ashtuquajtur shkencor apo edhe emison rreth kësaj teme, ku nuk do të merret si pikë referimi “Guximi” i deklarimeve të tilla, edhe pse të thëna në formën e prostitucionit politik të Shkelzen Gashit. As i paguar po të kishte qenë, kaq poshtërsisht nuk do të kishte ditur të deklarohej.( Bedri Halimi)
******
Nijazi Halili
As në ënderr nuk e kisha besuar!
Me pas pa ënderr se Kosova, një ditë do të shkëputet nga shtetit hegjemonist serb, e do të bëhet shtet i pavarur, e demokratik e i njohur nga shtetet më të fuqishme të botës, të them të drejtën kurr nuk e kisha besuar, pika do të më kishte ra në zemër, por falë UÇK-së dhe të gjithë atyre që ranë në altarin e lirisë dhe aleatit tonë historik SHBA në krye me NATO-n, sot jemi të lirë, e marrim frymë lirshëm!
UÇK kishte ideale dhe ishte e pastër si loti, edhe pse kishte shumë tendenca për ta njëllosur luftën e sajë , për liri nuk ja dolën , sot kemi Ushtrinë e Kosovës, e cila e mbron dhe ruan integritetin e sovranitetin e vendit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Krejt për fund çdo njëri që fletë shqip , duhet të ruaj në memorien e tijë, se pa luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kurrë, Kosova nuk do të ishte çliruar nga kthetrat e shkaut!(Nijazi Halili)
******
Ekrem Gërvalla
Simfonia e tenxhereve
A po i dëgjoni kambanat e alarmit?
Ju oligarkë të vendit më të varfër në Evropë, dilni sonte në ora 20:00 në ballkon e dëgjoni melodinë e mjerimit, dilni aty ku zakonisht, pas intrigave e lezetit të errësirës e pini kafen e mëngjesit, aty ku tymosni puro nga Kuba e Fidel Castros, hashash të sulltanit turk dhe pini verë të kuqe franceze. Dilni nga vilat tuaja super luksoze, dilni e dëgjoni thirrjet e invalidëve dhe veteranëve të luftës, rrëfimin e Vasfies dhe të 20 mijë nenave, motrave e vajzave tona të përdhunuara nga barbarët serb (ato nuk ishin motrat, nënat e bijat tuaja, sepse tuajat gjatë gjithë luftës ua ruajti Fatos Klosi në haremin e Rognerit në Tiranë). Dëgjojeni dënesën e fëmijëve të mitur të cilët bartin mbi supet e tyre të njoma thasë ambalazhesh nga drekat e darkat tuaja të majme për ta siguruar kafshatën e gojës për vete e prindërit gjytyrym! Dilni e dëgjoni kërkesat e mijëra punëtorëve që bredhin rrugëve pa punë e pa shpresë, të qindra e mijëra të rinjve me diploma fakulteti të cilët ju shërbejnë nëpër restauronte ju o të pangopur. Dëgjojeni vajin e shumë vajzave që janë të shtrënguara t’ju zbavitin ju, me valle ekzotike e përlyerje nderi pas darkave e drekave që i hani mbi shpatullat e kërrusura të popullit të zhvatur që për një lëpirje ashti i detyroni t’ua shesin votat! Dilni e dëgjojeni trokëllimën e lugës në tenxhere e pjata të zbrazëta të qindra e mija prindërve kosovarë që s’kanë as drekë e as darkë për fëmijët e tyre! Hapni veshët vetëm njëherë e dëgjoni rënkimin e gjysmës së kombit që e shpërndatë nëpër botë si zogj qyqeje. Këto goditje nuk janë thjeshtë lugë tenxheresh boshe, janë tinguj gishtash që godasin në ndërgjegjen tuaj duke ju bërë thirrje të zgjoheni nga agonia sa nuk janë shndërruar në goditje grushtesh!
Por, ju nuk doni të dilni në ballkon, sepse mbrëmja është e ftohtë për ju! E keni mirë në sarajet tuaja të grabitura, në shilte pashallarësh plot pupla, me këmbët mbi tavolinë, celular në vesh e biseda të stërzgjatura me miqtë tuaj kombëtarë e ndërkombëtarë duke thurur intriga së si ta rrëzoni qeverinë e zgjedhur nga populli fukara i ngopur deri në gogësimë me gënjeshtra tuaja pikante... dhe tringëllima e tenxhereve bosh është e frikshme për ju sepse ato barqe të thata, që për 20 vjet nuk u ngopën me fjalët tuaja boshe, druani, se një ditë do t’ua hanë kryet!
Kambanat po bien çdo natë. Edhe pse ju, si struci kokën e mbani në zall për mos ti dëgjuar, ato vazhdojnë të bien për ju dhe kundër jush! Po bien për ju njerëz të zi, më të zi se terri. Dilni e dëgjojeni simfoninë e tenxhereve! Kjo simfoni, përzier me melodinë e barkut bosh, për mjerimin është me e mirë se simfonia e nëntë e Bethovenit, sepse është simfoni zgjimi nga vuajtjet që ia shkaktuat këtij populli për njëzet vite me radhë!(Ekrem Gërvalla)
******
Dibran Fylli
Drenica flamurtare e lirisë
Kjo trevë kreshnikësh në antikë njihej me emrin Klapotnik. Kur përmendet ky emër, nuk mund të mos kujtohet historia e lavdishme kombëtare dhe emri Drenicë. Kjo trevë gjithmonë ka qenë, është dhe do të mbetet tmerr për armikun. Është fole trimash që u bë sinonim i rezistencës dhe i qëndresës mbarëshqiptare për liri dhe pavarësi kombëtare.
Drenica në historinë kombëtare, mbetet territor i qëndresës shqiptare, që secilit pushtues i rezistoi me armë. Që nga Beteja e Kosovës (1389) e deri më sot, nga kjo trevë dolën njerëz që me pushkë e me penë qëndruan për çlirim dhe pavarësi kombëtare. Në Betejen e Kosovës, Millosh Nikollë Kopiliqi (ishte nga fshati Kopiliç i Skënderajt) e plagos për vdekje Sulltan Muratin I.
Drenica ua fuste frikën armiqve. Edhe vet Sulltanin nuk e linte të qetë në Stamboll. Terë Ballkani dhe Evropa ishin qetësuar, kurse në Drenicë ende s’kishte pushtet të plotë turk, edhe atëherë kur provuan ta vejnë pushtetin, më 1891, dështuan, Saraji Hamidije në mes Llaushës, Palacit e Prekazit u rrënua plotësisht, kurse kajmekami me gjithë nëpunësit e tij u dëbua nga Drenica brenda natës.
Drenica përfshin një territor kodrinor ndërmjet Fushës së Kosovës në lindje prej Goleshit e Qyqavicës, maleve të Carralevës në jug, malit Mokna në veri dhe Rrafshit të Dukagjinit në perëndim. Drenica paraqet një territor kompakt, një tersi gjeografike, në të cilen gravitojnë mbi 100 fshatra. Në pikëpamje administrative është e copëtuar dhe fshatrat e saj u takojnë disa qendrave komunale: Skënderajt, Gllogofcit, Klinës, Lypjanit, Vushtrrisë dhe Malishevës.
Pushteti borgjez serb ia kishte frikën aq shumë kësaj treve, sa që e quante “Vend grejzish”. Edhe në elaboratet e ndryshme që gatuheshin nëpër kabinetet e krerëve dhe akademikëve serb për shpërnguljen dhe zhdukjen e shqiptarëve, Drenica parashikohej si vendi më i rrezikshëm prej nga duhej dëbuar popullsia vendëse shqiptare. Vetë Mbreti Aleksandër kishte propozuar që ky territor të shkatërrohej plotësisht. Borgjezia serbe mendonte se me djegien e fshatit të fundit dhe me vrasjen e fëmijës së fundit në Drenicë, do të hiqet nga rendi i ditës çështja shqiptare…
AHMET DELIA DHE BETEJAT E TIJ
Atëherë kur xhandarmëria e Pashiqit kishte filluar reprezaljet nëpër disa fshatra të Drenicës, Ahmet Delia, i vetëdijshëm për qëllimet e Serbisë, mblodhi krerët e Drenicës në kullën e tij, dhe së bashku me trimat, bënë edhe një Kuvend duke kujtuar besën e dhënë!
Në fillimin e janarit të vitit 1913, veprimet kriminale e të dhunshme të xhandarmërisë serbe po shtrëngonin dhe po ashpërsonin rrathët e krimeve mbi popullin e Drenicës. Aty ishte dhënë edhe një herë fjala e burrave se do të rezistojnë me të gjitha mjetet e mundshme, pa e kursyer as jetën në mbrojtje të tokave dhe të popullit shqiptar, duke i dalë në mbrojtje vëllai vëllait, fqinji fqinjit, fshati fshatit…
Një grup prej 13 xhandarësh serbë, pak ditë pasi që ishte dhënë “besa e burrave”, në kullën e Ahmet Delisë, kishin mësyrë Prekazin, duke terrorizuar dhe plaçkitur dy-tri shtëpi në Prekaz. Lajmi kishte shkuar tek Ahmet Delia, i cili lëshoi zërin e mobilizimit, por ai nuk priti as sa të mblidheshin trimat! I vendosur dhe pa humbur kohë, mori sëpatën dhe i lëshoi zë të birit, Murselit, që të shkonin në mbrojtje të fqinjit të tyre, Halilit!
Ahmeti me të birin Murselin, i marrin sëpatat shpejt e shpejt dhe pa hezituar i shkojnë ne ndihmë fqinjit të tyre. Në derë të oborrit, takohen në rojën serbe dhe aty fillon beteja në mes pushkës se çetnikëve dhe sëpatës se Ahmet Delisë, e cila doli fitimtare duke e lënë në vend rojën serbe.
Në brendësi të oborrit, Murseli ia nxjerr pushkën një serbi dhe fillon të godasë, me ç’rast vret disa xhandarë. Ahmet Delia mësyn kullën, Në të hyrë të saj, në shkallë ndeshet me një tjetër
xhandar dhe e godet me sëpatë. Përleshja ishte e ashpër. Ndërkohë Ahmeti plagoset rëndë, kurse trimat e tjerë të Prekazit, si Ramë Islami, Xheladini, Jetullahu, Hajredini e shumë trima të tjerë të pushkës, kishin rrethuar vendin.
Në këtë qëndresë heroike të burrave që kishin lidhur besën për ta mbrojtur atdheun, ra në altarin e lirisë, Ahmet Delia, kurse nga ekspedita e xhandarëve, 12 mbetën të vrarë, shpëtoi vetëm Jovani.
Organizimi luftarak për çlirimin e atdheut në Drenicë, nuk u shua asnjëherë. Përpjekjet për çlirim vazhduan nën udhëheqjen e trimit të shquar Shaqir Smaka, ndërkaq pas rënies së tij, Lëvizjes i priu Azem dhe Shotë Galica. Gjatë tërë kohës së rezistencës për çlirim kombëtar, Murseli, i biri i Ahmet Delisë, ishte ndër luftëtarët më të shquar në çetën e Azem Bejtë Galicës dhe njeriu më i afërt i tij.
Murseli nuk e hoq për asnjë çast pushkën nga krahu. Ai vdiq në vitin 1930, në rrethana misterioze në një spital të Shkupit. I vetmi trashëgimtar i Murselit, nga gjinia mashkullore, mbeti i biri i tij, Zeneli, i cili nuk jeton më. E tërë veprimtaria e Ahmet Delisë ishte në shërbim të organizimit të rezistencës për çlirimin e atdheut.
BETIMI I AZEM GALICËS
Në pranverën e vitit 1915, Azemi vendosi ta formojë çetën e vet luftarake. Bashkë me dy vëllezërit dhe disa trima nga fshatrat përreth që u grumbulluan në Galicë, nën hijen e Qarrit qindravjeçar (Lisi i varreve), e shtruan sofrën dhe u ulën rreth saj. Nëna Sherife ua solli flamurin kombëtar, që e kishte ruajtur në fundin e arkës dhe pasi e shpalosi, e shtroi mbi sofër. Trimat me dorën e majtë në zemër e me të djathtën mbi flamur njëzëri u betuan: “Betohemi në këtë flamur të shenjt se sa të jemi gjallë do të luftojmë për lirinë e këtyre trojeve. Betohemi dhe bëjmë be se për Kosovë japi jetën sikurse me le”.
Kjo çetë, e cila më vonë do të bëhet “Nëna e çetave të Kosovës”, menjëherë filloi aksionet e veta luftarake. Kështu nisën edhe ditët e frikshme për xhandarët e postave në Drenicë dhe për spiunët. Gjatë trembëdhjetë vjetëve, sa ekzistoi kjo çetë, arriti t’i zhvillojë mbi shtatëdhjetë beteja të suksesshme e fitimtare.
KOMANDANT SHABAN PALLUZHA
Komandanti Suprem i FBLÇBK-së, Shaban Palluzha, në fillimin e Luftës së Drenicës më 1945, ishte shprehur: “Dominimi i komunizmit në Shqipëri, koalicioni me sllavët si dhe rreshtimi në krahun e Lindjes, në fakt, është njëri prej fataliteteve që shënoi dëmet më të mëdha në historinë e re kombëtare”. Për karakteristikat e Luftës së Drenicës, në vitin 1945, mjetet amerikane të informimit ishin shprehur qartë: “Drenica heroike, nën udhëheqjen e trimave të saj, Shaban Palluzha e Mehmet Gradica, i shpallën luftë ushtrisë jugosllave dhe ideologjisë komuniste, sikurse Pashallëku i Janinës, nën udhëheqjen e Ali Pashë Tepelenës që i shpalli luftë Perandorisë turke”.
TRIMI QË LA TË VRARË 13 MAJIN E PUSHTUESIT SERB
Burri i Dheut – trim i paepur, paraardhës i sakrificës ademjashariane për atdheun, Tahir Nebih Meha u lind, më 10 tetor 1943, në Prekaz të Drenicës, Panteon i dëshmuar i shqiptarizmës. I ndjekur nga i ati, 71 vjeç, Nebihu, Kullën stërgjyshore e ktheu në varr të hapur për pushtuesin jugosllav të tokave shqiptare, më 13 maj 1981. Gjyshi i Tahirit, Emin Lati ishte pjesëtar i Lëvizjes Kombëtare Kaçake të Kosovës, bashkëluftëtar i Azem Bejtës. Ishte Burrë i vendit e i kuvendit, symprehti i Çetës. Pas vrasjes së Azem Bejtës, më 14 qershor 1924, Emini e ruajti pushkën e Azemit me admirim e me krenari dhe, më 1941, ia dorëzoi të birit, Nebihut, që ky ta nderonte shqiptarinë në Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës në Sanxhak, pjesë historike e Shqipërisë. Pushka e Azem Bejtës në dorën e Nebihut shkëlqeu edhe në Luftën e Drenicës, nën udhëheqjen e Shaban Palluzhës dhe në Luftën e Tahir Mehës.
OSMAN GECI (1943-1998)
Osman Geci, i lindur në Llaushë të Skenderajt, ishte biri i Shaban Gecit, daja i Komandantit Legjendar Adem Jashari. Osmani i qëndroi besnik luftës për liri e bashkim kombëtar, si dhe nipave të vet, që nga dita kur Rifati, Hamza dhe Ademi ia kthyen pushkën pushtuesit serb. Dajë Osmani kishte qëndrim burrëror dhe i vendosur në qëndrimet e veta me dukje prej mashkullores. Ishte njohës i shkëlqyer i historisë së popullit shqiptar dhe i luftërave kaçake.
Që nga viti 1981, Dajë Osmani, kudo që ndodhej, nëpër oda, tubime e manifestime ishte ligjërues dhe këshilldhënës se si duhet bërë luftën kundër pushtuesit serb, në fakt ishte kënaqësi ta dëgjoje tek fliste për historinë e lavdishme të shqiptarëve të Kosovës e të Shqipërisë. Për luftën e trimave që kishin luftuar e po luftonin kundër okupatorit serb dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Meqë, pushtuesi serb i kishte rënë në gjurmë, Dajë Osmani që i detyruar t’ia vërë armën krahut dhe t’iu ngjitet maleve të Drenicës bashkë me nipat e tij.
Ky burrë Drenice, shumicën e kohës e kaloi në Prekaz, te nipat e tij, duke u bërë pjesë e pandarë e grupit të parë të armatosur të Adem Jasharit.
Një natë para Epopesë së Lavdishme të UÇK-së, më 5 mars 1998, Dajë Osmani së bashku me nipin e tij Ademin, u nisën prej fshatit Ticë për në Kullën e Qëndresës në Prekaz. Aty, së bashku me dhëndrin e tij, Shabanin, me nipat Hamëz e Adem Jashari dhe anëtarët e tjerë të Familjes Jashari, për tri ditë rresht luftuan kundër makinerisë policore e ushtarake serbe dhe ranë heroikisht për të mos vdekur kurrë.
ADEM JASHARI (1955-1998)
Më 28 nëntor 1955, Shaban Jasharit, krahas Festës së Flamurit, që e festonte për çdo vit, iu shtua edhe një festë tjetër, Datëlindja e djalit të cilin e pagëzoi me emrin Adem. Ishte e natyrshme që djepin e të porsalindurit ta mbulojë me flamurin e Skënderbeut. Kështu ndodhi atë ditë në familjen Jashari, në Prekazin e Ahmet Delisë. Familjes se Shaban Jasharit iu shtua edhe një pushkë, në Drenicë jehuan krismat e pushkëve për flamur dhe ushtarin e porsalindur të lirisë së Kosovës.
Atë ditë, Flamuri – Lindja – Krisma e jehona ishin lavdi për Prekazin, Drenicën, Kosovën e krejt shqiptarinë. Adem Jashari erdhi në këtë botë me të vetmin ndryshim nga gjithë moshatarët e tij, sepse ky u lind në ditën e fitoreve më të lavdishme të popullit shqiptar, në Ditën e 28 Nëntorit. Shabani ishte i kujdesshëm me të gjithë fëmijët, por ndaj Ademit tregonte një kujdes të veçantë,
ndoshta pse i kujtohej dita e lindjes, i kujtoheshin krismat e pushkës dhe jehonat e përsëritura të atyre krismave në 28 Nëntorin e vitit 1955.
Kështu po rritej Ademi së bashku me vëllezërit e tij, Rifatin dhe Hamzën. Ai kishte një interesim të veçantë për armët, për bëmat e trimave gjatë historisë, e sidomos i interesonte akti burrëror i Ahmet Delisë. Sëpata e Ahmet Delisë, ajo që bandës çetnike ia ndau kokat më dysh, ishte bërë legjendë, legjendë e historisë në mbrojtje të nderit dhe dinjitetit kombëtar. Akti i flijimit të Ahmet Delisë ishte edhe një mësim shtesë për të dëshmuar veprën heroike të bashkëvendësve
që kishin filluar prej kohësh duke kundërshtuar me armë bandat çetnike serbe. Kështu, këtë mesazh më së miri e kuptoi Adem Jashari, i cili që në moshën rinore u angazhua në veprimtarinë patriotike ilegale, duke marrë pjesë aktive në demonstratat e pranverës së vitit 1981. Menjëherë pas kësaj, një ngjarje tjetër që i dha të kuptojë Adem Jasharit dhe familjes së tij se pushteti serb nuk duhet lejuar që të zgjasë sundimin e tij, ishte edhe rezistenca e Tahir e Nebih Mehës kundër forcave ushtarake policore jugosllave. Ky akt i flijimit për atdhe, i Tahir e Nebih Mehës, la mbresa të thella në shpirtin dhe vendosmërinë e Shaban, Adem dhe Hamëz Jasharit, të cilët në ceremoninë e varrimit të këtyre dëshmorëve, u betuan para trupit të Tahir Mehës se, “Luftën që nise ti, do ta vazhdojmë ne, deri në pikën e fundit të gjakut”.
Përcaktimi për t’u flijuar për atdhe ishte akti më sublim i Adem Jasharit dhe familjes së tij. Kjo dëshmon se cili ishte orientimi i tij në kërkim të shtigjeve të lirisë dhe se si duhet bërë përpjekje dhe sakrificë për ta çliruar vendin nga dhuna dhe terrori i pushtetit serb. Demonstratat e vitit 1981, ngjarjet e Pranverës së madhe studentore, të cilat u shndërruan në lëvizje të madhe popullore, që me vite mbajtën të ndezur flakadanin e lirisë e të çlirimit të kombit, patën ndikim magjik në brezin që formuan, organizuan dhe udhëhoqën politikisht dhe ushtarakisht
Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Adem Jashari dhe çeta e tij ka qenë dhe ka mbetur bërthama themeltare e UÇK-së.(Dibran Fylli)
******
Nexhi Baushi
Harresa!
Kaq shpejt u harruan burrat, gratë e fëmijet që Serbi i vrau, i gjakosi i damkosi. Kaq shpejt harruan luftën që bënë djemtë e nënave që ranë dëshmorë për liri, kaq shpejt harruan sa i ndihmojë NATO E AMERIKA, sa familje u shuan për atë tokë që Zoti të bekuar e ka. Unë nuk besojë qe ata janë Shqiptarë, janë njerëz të shpërfytyruar dhe të damkosur për jetë. Ngrihuni dhe Bjeruni që nga Mitrovica e deri në Prizeren, që nga Gryka e Rugovës e deri në Kaçanik. Ta dinë se vendi ka Zot e ata janë bijtë e shqiptarisë me të mirë! (Nexhi Baushi,shkrimtare,Tiranë, 27.04.2020)
No comments:
Post a Comment