2020-04-25

Naim Frashëri - Endërrimet (Tehajjulat)


Picture

Kishte gati plot një shekull që përmbledhja poetike “Tehajjulat”, një nga perlat e lirikës naimiane, për shkak të barrierës gjuhësore, kishte mbetur e panjohur, thuajse e humbur për lexuesin shqiptar. Studiuesit e Naimit nuk kishin mundur të thoshin asgjë më tepër, veç të pohonin si fakt ekzistencën e saj. Kështu “bukuroshja e fjetur” priste mjeshtrin që do t’i hiqte vellon e misterit dhe do të zbulonte hiret e saj. Ky mjeshtër do të ishte Vexhi Buhara, që e bëri të flasë me shqipen e tij elegante muzën persiane të poetit kombëtar të shqiptarëve. Naimi i “Ëndërrimeve” na duket “tjetër” Naim.
                                                                                                                                   Jorgo Bulo, Akademik
Naim Frashëri mori përsipër të krijojë lexuesin e një letërsie kombëtare, ose, siç shkruante shumë kohë përpara albanologu H. Pedersen, t’u jepte bashkatdhetarëve të vet, me “kryeveprat e tij në prozë e në vargje, shijen e të lexuarit”. Ndonëse kronologjikisht ishte De Rada i pari që e filloi letërsinë moderne shqipe, për shkak të rrethanave historike e letrare Naim Frashëri njihet si themeluesi i saj. Naimi e krijoi Shqipërinë kulturore para se të krijohej Shqipëria politike. Ai u tregoi shqiptarëve se si mund të njehsoheshin si “të vetët”, për dallim nga “të tjerët”.
                                                                                                                               Shaban Sinani, studiues
Ne i falemi me mall e me nder këtij atdhetari të pavdekur. Kemi shpresë, kemi besë të rrënjuar, se një ditë do të vijë që shqiptarët do t’i sjellin eshtrat e Naim Frashërit në atë Shqipëri që e deshi dhe i shërbeu aq mirë. Ahere, nuk do ta përcjellin treqind atdhetarë, po do ta presë një komb i tërë.
                                                                                                                                                                                            Faik Konica (1901)
E konsideruar nga studiuesit si “bukuroshja e fjetur”, edhe për shkak se prej afro një shekulli, duke  qenë e shkruar në gjuhën persishte, nuk mundi të lexohej e shijohej nga vetë shqiptarët, vepra e parë poetike e poetit tonë kombëtar Naim Frashëri, e titulluar “Ëndërrime”, jo “Ëndërrimet” siç është botuar apo citohet shpesh (“Tehajjulat”-titulli në origjinalin persisht), mund të konsiderohet, gjithashtu, si vepra me nivelin artistik më të lartë, kurora e artë e artit naimian.
Nuk është rastësi që kjo vepër, e shkruar dhe botuar më 1885 në kryeqendrën e perandorisë osmane në shtypshkronjën “Mirhan” të  Stambollit, ku jetonte dhe punonte aso kohe Naimi, u konceptua pikërisht në gjuhën perse. Persishtja ishte gjuha e elitës kulturore dhe letrare të asaj perandorie, siç ishte në perandorinë romake latinishtja apo më larg, greqishtja në kohët antike.
Naim Frashëri guxoi dhe përmes kësaj vepre arriti të dëshmojë se mund të ballafaqohej me dinjitet në garën “perandorake” të poezisë. Naim Frashëri, “babazoti i letërsisë shqipe”, bëri kështu i pari aktin e ndërkombëtarizimit të verbit poetik shqiptar. 
    Autori: Naim Frashëri
    Titulli: Ëndërrime (Tehajjulat)
    Kolana: “Në 100-vjetorin e shtetit shqiptar”
    Gjinia: Poezi
    Shqipëruar dhe shpjeguar nga Vexhi Buhara
    Shoqëruar me studimet e Akademik Jorgo Bulo dhe prof. dr. Shaban Sinani
    Përgatiti për botim: Naim Zoto
    ISBN: 978-9928-109-19-4
    Nr. i faqeve: 208

No comments:

Post a Comment

Myrvete Dreshaj – Baliu: Shëmbëlltyra e Adem Jasharit dhe familjes së tij në poezinë e sotme shqipe 1,2 3.

            Profesor Dr. Myrvete Dreshaj-Baliu, PHD.   Përmbledhje e shkurtër: Objekt i kërkimit në këtë studim është reflektimi i shëmbëllt...