Ka shumë të drejtë intelektuali i
njohur Mentor Serjani për gjithçka që shkruan në analizën e shkurtër, me titull
“Kishim nevojë për demokraci, por humbëm
virtytet”, të botuar në numrin e
sotëm të Portalit “Fjala e Lirë”. Në
atë analizë ai shpërthen me trishtim:
“Demokracia nuk erdhi nga
poshtë, nga populli, por nga lart, nga individët”.
Sigurisht,
demokracia në Shqipëri duhej të vinte nga poshtë, pas atij terrori dhe sundimit
të egër të diktaturës së përbindshme të kryekriminelit Enver Hoxha, të cilën
populli e pati hequr mbi kurriz për gati gjysmë shekulli. Por një gjë e tillë
ishte e pamundur. Sepse ajo diktaturë
kriminale, me atë kryekriminel në krye, e pati depersonalizuar
popullin në maksimum, e pati zhveshur tërësisht nga dinjiteti personal, ia
pati shuar krejtësisht aftësitë vetorganizuese, duke e shndërruar në një robot
në shërbim të shportës së karavidheve, të mbyllura brenda Bllokut famëkeq që
mbrohej nga bajonetat e Gardës së Republikës.
Në
këto kushte, ishte kotashpresë ta mendoje se demokracia mund të vinte nga
poshtë. Prandaj ajo erdhi nga lart, duke ndjekur piketat që pati vendosur
krimineli Ramiz Alia në dy fjalimet e veta, të mbajtura në mbledhjet e Byrosë Politike të nëntorit 1989 dhe të 13
dhjetorit 1990. Ideja themelore që shprehte ai kriminel, përmblidhet në
rreshtat në vijim:
“… brenda
dy-tre legjislaturave, do të arrijmë që nga Klasa Komuniste të krijojmë Klasën
Kapitaliste, e cila do të na përjetësojë në Pushtetin Politik të së Ardhmes, që
e kemi planifikuar dhe po e përgatisim Vetë. Të jeni të sigurtë që e Ardhmja do
të jetë e Jona. Kurrë nuk do të lejojmë restaurimin e pushtetit politik të
armiqve tanë. E ardhmja e fëmijëve tanë do të
jetë e mrekullueshme...”.
Duke pasur parasysh pikërisht këto
orientime të kriminelit Ramiz Alia, lëvizjen e dhjetorit 1990 dhe ngjarjet që
pasuan pas saj, në analizat e mia i kam vlerësuar dhe vazhdoj t’i vlerësoj si
demoshëmti dhjetoriste. Nisur nga fakti se ç’individë u katapultuan në pushtet
pas demoshëmtisë dhjetoriste, e cila, në përputhje me piketat e vendosura nga
krimineli Ramiz Alia, s’ishte gjë tjetër, veçse zëvendësim i pushtetit të
komunistëve veteranë me pushtetin e neokomunistëve, populli duhej të kishte
reaguar nëpërmjet votës, për të mos lejuar që ligjin ta bënin pasardhësit e
nomenklaturës komuniste. Por, për arsyet që u parashtruan më lart, populli, i
robotizuar në maksimum në diktaturë, iu përshtat plotësisht neodiktaturës, çka do
të thotë se varfëria dhe vuajtjet e shkaktuara prej saj gjatë diktaturës, qenë
bërë pjesë e pandarë e formatit të tij shpirtëror, me gjurmë të thella në
vetëdijen e tij, pra, edhe në kushtet e neodiktaturës. Që lexuesit e nderuar të
binden plotësisht se varfëria, me pasojat e saj të dhimbshme, qe rrënjosur në
formatin shpirtëror të popullit tonë, le të sjellin në kujtesë deklaratat
publike të atyre dy grave (të cilat nuk e meritojnë t’i quash zonja), militante
të partisë socialiste në Berat dhe në Vlorë. Ajo beratasja, duke iu drejtuar
Fatos Nanos dhe Ilir Metës, deklaroi:
“Ne
nuk duam as ujë, as drita, vetëm ju të dy të shkon i mirë me njëri-tjetrin”.
Kurse ajo vlonjatja lëshoi një
deklaratë edhe më të fortë:
“Edhe
pa bukë të mbetem, për partinë socialiste do të votoj”.
Këto dy deklarata dëshmojnë më së
miri se militantizmi partiak majtist është aq i verbër, saqë, në raport me
mirëqenien, parapëlqen vuajtjen, varfërinë.
Duke pasur parasysh që elektorati
i majtë përbën shumicën në radhët e popullit tonë, dy deklaratat e mësipërme,
kohë pas kohe më sjellin në kujtesë dy personalitete të njohura të kulturës
ruse, shkrimtarin Fjodor Dostojevski (1818-1881) dhe shkrimtarin dhe
publicistin Ivan Shmelov (1873-1950).
Në librin me titull “Ditari i një shkrimtari”, të botuar në
vitin 1873, Dostojevski shkruan:
“Mendoj se
kërkesa më kryesore, më rrënjësore e shpirtit të popullit rus, është kërkesa
për vuajtje, për një vuajtje të përhershme dhe të pashuar, kudo dhe në çdo gjë...
Në vuajtje populli rus sikur gjen kënaqësi”.
Në veprën që
titullohet “Dielli i të vdekurve”, të
botuar për herë të parë në Paris në vitin 1923, Ivan Shmelovi shkruan:
“Rusët janë një popull që e urren lirinë dhe hyjnizon skllavërinë, i ka qejf prangat në duart dhe në këmbët e
veta, i do despotët e vet...”.
Inteltuali
Mentor Serjani i flak tutje ne neveri petët e lakrorit neokomunist me mbulojë
socialiste. Ai shkruan:
“Shqiptarët
i diskreditoi klasa e tyre politike. Çdo gjë është e krimbur, që nga Partitë,
nga lart deri poshtë. Që nga administrata, që nga lart deri poshtë… Pa futur në
burg që nga luanët e mëdhenj e deri tek çakejtë e dhelprat, ky vend do vuajë
shumë”.
Duhet të jemi të vetëdijshëm se burgosja që
përmend intelektuali Mentor Serjani është një utopi e kulluar. Sepse agallarët
e politikës i kanë kopsitur punët për bukuri, duke gëzuar edhe mbështetjen e
brukselizmit Një burgosje e tillë mund të bëhej fakt i kryer sikur demokracia
të ringjallej nga poshtë, në mënyrë që të kryhej një përmbysje a la francaise, si ajo e vitit 1789. Por
kjo është një ëndër në diell. Megjithatë, sikur populli të kishte sadopak
aftësi vetorganizuese, kastën politike që e ka krimbur vendin fund e krye, mund
ta hiqte qafe fare kollaj: ditën e zgjedhjeve politike askush të mos shkonte të
votonte dhe kryeoligarkët e politikës do të shporreshin nga skena politike si
me frymën e shenjtë. Po hajde t’u mbushësh mendjen militantëve partiakë të mos
shkojnë të votojnë! Rama e njeh mirë psikologjinë e militantëve socialistë,
prandaj edhe e ka shndërruarr vendin në domenin e vet.
San Diego Kaliforni
10 tetor 2021
No comments:
Post a Comment