Ish-Sekretari i Shtetit Colin Powell humb jetën nga COVID-19

 




Colin Powell, Sekretari i parë afrikano-amerikan i Shtetit dhe një ushtarak i lartë amerikan, vdiq të hënën (18 tetor) në moshën 84 vjeçare si pasojë e ndërlikimeve të shkaktuara nga sëmundja e COVID-19-s. Në një deklaratë në Facebook, ku njoftohej lajmi i vdekjes së zotit Powell, familjarë të tij shkruanin se ai ishte plotësisht i vaksinuar.

"Kemi humbur një burrë, baba, gjysh dhe një amerikan të mrekullueshëm e të dashur", shkruanin familjarët e tij.

Për dekada të tëra zoti Powell ishte një nga figurat më të shquara që përfaqësonin komunitetin afrikano-amerikan në vend. Ai u emërua në poste të larta nga tre presidentë republikanë dhe arriti majat e karrierës në ushtrinë amerikane, në një kohë kur ajo po rimëkëmbej nga trauma e luftës së Vietnamit. Vetë zoti Powell ishte plagosur në atë luftë.

Zoti Powell, një ish-gjeneral me katër yje i ushtrisë , ka shërbyer në detyrën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë nën Presidentin George H.W. Bush gjatë Luftës së Gjirit në vitit 1991, gjatë së cilës forcat e drejtuara nga SHBA-ja dëbuan trupat irakiane nga Kuvajti fqinj.

Në vitin 1996, zoti Powell, një republikan i moderuar dhe pragmatist, po shihte mundësitë për të kandiduar për Shtëpinë e Bardhë, çka do ta bënte atë nëse fitonte, presidentin e parë me ngjyrë të vendit. Por shqetësimet e bashkëshortes së tij Alma, lidhur me sigurinë e tij, bënë që ai të ndyshonte mendje.

Në vitin 2008, zoti Powell doli kundër partisë së tij duke mbështetur demokratin Barack Obama, i cili u bë i pari president afrikano-amerikan në historinë e vendit.

Zoti Powell do të mbahet mend ndër të tjera për fjalimin e tij të diskutueshëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së më 5 shkurt 2003, në mbështetje të qëndrimeve të Presidentit George W. Bush, se Presidenti irakian Saddam Hussein përbënte një kërcënim urgjent për botën për shkak të rezervave me armë kimike e biologjike.

Por më vonë zoti Powell e pranoi se fjalimi i tij ishte i mbushur me pasaktësi dhe informacione zbulimi shtrembëruara, duke e quajtur atë "një njollë" që "do të ishte gjithmonë pjesë e historikut të tij".

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)