Akademik Prof.dr. Eshref Ymeri
Si shkak për hedhjen në kompjuter të shënimeve në vijim, u bë përkthimi
i një fjalie, të shkëputur nga reagimi i zëdhënëses së Ministrisë së Punëve të
Jashtme të Rusisë, Maria Zaharova, ndaj deklaratës së Kryeministrit Rama për
bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Reagimi i saj ishte botuar në disa portale.
Ja cila është
fjalia:
“Ne presim një reagim të përshtatshëm nga mentorët perëndimorë të
projektit të shtetndërtimit të Kosovës ndaj këtij provokimi të pacipë” (Citohet
sipas: Zaharova:
“Deklarata e Ramës për bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë e papranueshme për
Rusinë”. Faqja e internetit “Teuta”.
11 tetor 2021).
Ky përkthim
haset po në faqen e internetit “gazetaexpress”
të po kësaj date. Po i njëjti përkthim përcillet edhe në Platformën
mediatike analitike në youtube “Pamflet” të
së njëjtës datë.
Më bëri
përshtypje shumë të keqe dhe madje më revoltoi togfjalëshi “provokim i pacipë”, prandaj thashë me vete:
“Kryeministri
Rama ka plotësisht të drejtë që ministrinë ruse të punëve të jashtme ta paditë
në një gjykatë evropiane për fyerje publike, sepse deklarata e tij për
bashkimin e dy shteteve shqiptare nuk përbën absolutisht “provokim të pacipë”.
Mbiemri “i pacipë”, sipas Fjalorit të gjuhës
shqipe të vitit 2006, do të thotë: “që nuk ka
fare turp”.
Megjithatë, më lindi një hije
dyshimi për saktësinë e përkthimit të këtij togfjalëshi. Prandaj vendosa “të
shtegtoj” nëpër portale të tjera, ku hasa në një tjetër variant përkthimi, si
ky në vazhdim:
“Presim reagimin e duhur nga
kujdestarët perëndimorë rreth projektit për ndërtimin e kombit të Kosovës, që
është një provokim i pastër” (Citohet sipas: “Deklarata e Ramës për bashkimin e Kosovës me
Shqipërinë, reagon Rusia”. Faqja e
internetit “alsat”. 11 tetor 2021).
Gjithsesi,
për t’u bindur përfundimisht për dyshimin që më lindi, duhej bërë krahasimi me
fjalinë e tekstit origjinal të deklaratës së Maria Zaharovës. Ja fjalia, e
nxjerrë nga teksti origjinal.
“Рассчитываем на
адекватную реакцию западных опекунов проекта косовской “государственности” на
эту откровенную провокацию (Citohet sipas: “Koment i zëdhënëses së MPJ të Rusisë M.V. Zaharova lidhur me deklaratën e kryeministrit të Shqipërisë E. Rama”. Faqja e
internetit e MPJ të Rusisë “mid.ru”. 10
tetor 2021).
Dyshimi im
paskej qenë me vend. Togfjalëshi i gjuhës ruse “откровенная провокация”, në përkthimin fjalë për fjalë, do të thotë “provokim i hapur”. Në portalin “alsat”
është përthyer shumë bukur - “provokim i pastër”.
Atëherë lind pyetja: po portalet “Teuta”,
“gazetaexpress” dhe “Pamflet”
nga e shpikën mbiemrin “i pacipë”, nga
ç’gjuhë e kanë përkthyer? Cili ka qenë ai përkthyes i papërgjegjshëm, i cili “i ka thënë këmbës dorë”? Sepse me
mbiemrin “i pacipë”, për mungesë të
theksuar etike, akuzohet rëndë padrejtësisht ministria ruse e punëve të jashtme
dhe, po padrejtësisht, fyhet keq Kryeministri Rama.
Në përkthimin
e fjalisë së sipërcituar, ka edhe
pasaktësi të tjera. Në fjalinë e përkthyer në të katër portalet e
mësipërme, është shmangur qëndrimi i njohur antishqiptar i politikës ruse
kundër Kosovës, si shtet i pavarur. Në të tre portalet e para, fjala e
origjinalit në gjuhën ruse “государственность”,
është përkthyer “shtetndërtim”, kurse
në portalin “alsat” - “ndërtimi i kombit të Kosovës”.
Së pari, fjalën “государственность”,
që do të thotë “organizim shtetëror”
(le ta pranojmë si variant përkthimi edhe kompozitën e shqipes “shtetndërtim”), zëdhënësja e ministrisë
ruse të punëve të jashtme e ka vënë në thonjëza, çka do të thotë se Moska
shprehet ironikisht për organizimin shtetëror të Kosovës, sepse ajo nuk e njeh
Kosovën si shtet të pavarur, duke e konsideruar si pjesë të Serbisë. Prandaj
kompozita shtetndërtim duhej dhënë në
thonjëza.
Së dyti, me shprehjen “ndërtimi i kombit të Kosovës”, përkthyesi
i ka lejuar vetes tri gafa:
a. shprehjen duhej ta jepte në thonjëza.
b. fjalën “государственность”
duhej ta përkthente “organizim shtetëror”,
jo “ndërtimi i kombit”.
c. fjalën “komb” e ka shpikur nga xhepi, duke sajuar një “komb kosovar” të paqenë, çka është në përputhje me falsifikimet
historike të serbosllavizmit dhe të mercenarëve në shërbim të tij në Prishtinë,
si Profesor Nexhmedin Spahiu e disa të tjerë, sipas të cilëve banorët rrënjës
të Kosovës “janë komb më vete” që “nuk kanë lidhje” me kombin shqiptar.
Këto tri gafa dëshmojnë për
mungesë të theksuar të formimit profesional të përkthyesit dhe për horizontin e
tij kulturor gjysmak.
Në këndvështrimin tim, varianti më i goditur i përkthimit të
fjalisë, që është nxjerrë nga një tekst i natyrës politike nga fusha e
diplomacisë, do të ishte ky në vijim:
“Jemi në pritje të reagimit të duhur nga ana e kujdestarëve perëndimorë,
që ndjekin nga afër zbatimin e projektit për “organizimin shtetëror” të Kosovës,
ndaj këtij provokimi të pastër”.
Portalet që përkthejnë
materiale nga gjuhë të tjera, duhet të punësojnë përkthyes të talentuar, të
cilët e zotërojnë gjuhën e huaj në mënyrë të përsosur. Në të kundërt, do t’i
lejojnë vetes t’u shpëtojnë gafa të rënda, si ato që përmenda më lart, çka do
të thotë se përkthyesi, sipas asaj fjalës së urtë, “është marrë nga dhitë dhe është vënë zabit”.
Në të njëjtën kohë, portalet duhet
të kenë edhe redaktorë të talentuar, të cilët duhet të jenë jo vetëm të formuar
nga ana profesionale, por edhe të pajisur me një horizont të gjerë kulturor.
Por, me sa duket, portalet, fatkeqësisht, nuk kanë fare redaktorë, prandaj edhe
u kanë shpëtuar gafat që përmenda më lart.
Herë tjetër, lexuesit e nderuar
do t’i njoh me gabime në përkthim në praktikën botërore të komunikimit, gabime
që kanë shërbyer edhe si skena humori, edhe si arsye për ndonjë ndëshkim të
rëndë, edhe si shkak për pasoja tragjike të përmasave të mëdha.
San Diego, Kaliforni
18 tetor 2021
No comments:
Post a Comment