Akademik Eshref Ymeri,PhD.
Publicisti i njohur nacionalist Skënder
Kapiti, sot kishte botuar në internet Esenë e studiuesit Vladimir Muça, me
titull “Rreth librit “Triumfi i Kombit”
të Skënder Kapitit”.
E përshëndes ngrohtësisht autorin e Esesë, e
cila është e nivelit akademik në trajtimin e nacionalizmit, ndaj meriton
plotësisht të jepet si leksion me vlera të jashtëzakonshme njohëse në auditoret
e fakultetit të filozofisë. Sepse studentëve u duhet sqaruar përfundimisht se
ç’është nacionalizmi. Kjo për arsye se sot, në Shqipërinë Londineze, në mjetet
e informimit masiv, si zor të haset kund termi nacionalizëm. Jo
vetëm kaq, por edhe kur përmendet, ky term shoqërohet me një mbiemër
qesënditës: nacionalizëm folklorik. Por një herë e një kohë,
kur komunistët nuk kishin dalë në skenën e jetës shqiptare, ky term ishte mjaft
i respektuar. Madje për lartësimin e kuptimit të këtij termi, ishin të
interesuara drejtpërsëdrejti strukturat më të larta të shtetit shqiptar, deri
te vetë Mbreti Ahmet Zogu. Dhe një interesim i tillë nuk ishte i rastësishëm.
Sepse nacionalizmi, në thelb, përfaqëson në vetvete një ideologji dhe një
orientim të politikës që ka si parim themelor tezën për vlerën e kombit, si
formën më të lartë (më supreme) të unitetit shoqëror në procesin e
shtetformimit. Nacionalizmi, si një lëvizje politike, ka si pikësynim mbrojtjen
e interesave të bashkësisë kombëtare në raport me pushtetin shtetëror. Në
themelin e vet, nacionalizmi predikon besnikërinë ndaj kombit, pavarësinë
politike dhe punën në të mirë të popullit, ngritjen kulturore dhe shpirtërore
të tij, bashkimin e vetëdijes kombëtare për mbrojtjen e kushteve të jetesës së
kombit, të territorit ku ai banon, të resurseve ekonomike dhe të vlerave shpirtërore.
Ai mbështetet mbi ndjenjën kombëtare, e cila do të thotë atdhetari. Si
ideologji, nacionalizmi ka për qëllim të bashkojë shtresat e ndryshme të
shoqërisë, pavarësisht se ato mund të kenë edhe mospërputhje interesash.
Një historian i njohur
flet me fakte konkrete për vlerat e nacionalizmit shqiptar në kohën e
Mbretërisë:
“Mbreti
Zog kishte merak të madh edukimin e fëmijëve të shkollave me ndjenja patriotike
e nacionaliste. Më 1927 Ministria e Arsimit shpalli konkurs
kombëtar për tekstin më të mirë për “Patriotizëm e
nacionalizëm”, konkursin e fitoi Kristo Floqi, një
intelektual mjaft i njohur i kohës, dhe me lejë nr. 1290, datë 24. XI. 1927,
botohej teksti i tij “Patriotizëm dhe nacionalizëm”, i
detyruar “Për shkollat publike e private të shtetit. Tiranë
1928”, shkruhet në faqen e parë të tekstit. Është tekst shumë i mirë
që edhe sot nga të rritur e të rinj do të lexohej me kënaqësi” (Citohet
sipas: Vasfi Baruti. “Enver Hoxha në optikë të re”. Shtëpia
Botuese UEGEN. Tiranë, 2013, f. 206).
Për
fatkeqësinë tonë kombëtare, politikanët shqiptarë, në shumicën e tyre
dërrmuese, janë mercenarë në shërbim të të huajve dhe për shkak të mangësisë që
kanë në formimin e tyre intelektual, këshillojnë Athinën dhe Beogradin “të
heqin dorë nga nacionalizmi i tyre i sëmurë”. Të
mjerët politikanë që janë kaq injorantë. Ngatërrojnë shovinizmin me nacionalizmin. Sikur
Athina dhe Beogradi të ishin nacionalistë në qëndrimin ndaj kombit shqiptar,
kjo për ne nuk do të përbënte kurrfarë shqetësimi, se ata kësisoj mbrojnë vlerat
e tyre kombëtare, por ato dy vatra ballkanike kanë qenë, janë dhe do të
vazhdojnë të mbeten vatra shovinizmi në
qëndrimin ndaj kombit shqiptar. Se në ato qëndrime ndaj nesh është manifestuar
dhe vazhdon të manifestohet vetëm shovinizëm i kulluar.
Me veprën e vet,
publicisti i shquar Skëndet Kapiti, i ka dhënë një leksion fort kuptimplotë
klasës politike shqiptare, e cila duhet të ndërgjegjësohet, duhet të heqë dorë
nga mercenarizmi dhe servilizmi para të huajve dhe ta kuptojë një herë e mirë
se pa edukimin dhe kalitjen e ndjenjave
nacionaliste, pa vendosjen e nacionalizmit në themelet e jetës sonë, çka do të
thotë çelikosje e vetëdijes së lartë kombëtare, do të jetë i pamundur realizimi
i idealit mbarëkombëtar për ribashkimin e trojeve tona etnike.
San Diego, Kaliforni
08 tetor 2021
No comments:
Post a Comment