Feride Papleka: Omer Kaleshi,të mbetesh shqiptar në metropolet e botës

 “Kokat  e prera” në pikturën e Omer Kaleshit tashmë janë bërë të famshme. Ato koka sido që t’i interpretosh mbeten simbol i fatit të njeriut, në të cilin përfshihen disa të vërteta universale të jetës si : lindja, ëndrra, dashuria, vetmia… Piktori  krijon një botë të gjallë imagjinare me fytyra të menduara duke dhënë nga afër se çfarë lexohet te sytë e njeriut e ç’mistere fshihen në mendjen e tij. « Piktura, thoshte Leonardo da Vinçi, është diçka mendore ». Si e tillë ajo është njëlloj ligjërimi me anë të ngjyrës, revoltë, optimizëm dhe dashuri përmes shijes së absolutes dhe një misticizmi qenësor.



Me këto piktura ai nuk eksperimenton, por shfaq një mënyrë origjinale vështrimi duke e kërkuar frymëzimin te vrojtimi i brendshëm dhe te mekanizmi imagjinar që është tharmi i artit të tij. Ka një brishtësi, gati-gati legjendare në pikturat e tij, të arritur me pak mjete shprehëse të jashtme, por me një ritëm të brendshëm të përkryer. Barinjtë e tij dallohen për një paraqitje idilike, symbyllur, sentimentalë, ëndërrues, besimtarë të një parajse, në kontrast me modernitetin. 

Piktura e kokës si pjesa më e rëndësishme dhe më sublime e trupit të njeriut interpretohet edhe si energjia, si e ardhmja, si bukuria e konkretizuar, por herë-herë jeta duket sikur lëngon në një agoni të vazhdueshme me kokëprerje, me moskuptim të madh të njeriut me kohën. Ky aspekt i pikturës së Kaleshit mbase nuk është vënë në dukje sa duhet e megjithatë në substancë ai është një qëndrim ideoemocional i përhershëm, një temë themelore që përcakton objektivin e tij, pushtetin e kohësisë e të ngjyrës. Ka heshtje, ëndërrim, por edhe vuajtje, ndalje, aq sa në disa raste kokat shndërrohen në simbol të vdekjes, sidomos kur i dorëzohen fatit të futura në një shportë të varur.

Në shikim të parë duket si absolutisht e pamundshme për piktorin ta mishërojë trupin njerëzor, sepse në realitetin e përditshëm trupi i njeriut është jo rrallë i çmishëruar, i capërluar, i dërrmuar nga luftërat klasore, ekonomike, atomike, fetare apo terroriste. Kjo gjëmë e realitetit tonë hyn si jehonë e historisë, si frymë e ngjizur pavarësisht nga vetë piktori. Njeriu i sotëm është i gatuar së bashku me dhimbjen, sidomos nga aktet e shumta të terrorizmit. Ky motiv me një vështrim sado të shkurtër nëpër tablotë e tij do të na tregojë se çdo të thotë dhimbje dhe të duket sikur piktori i bën gjithkujt një thirrje të heshtur të ndalet për ta vështruar. Bota e dhimbjes ka relief të thellë e tronditës në tablotë e tij. Mes shumë të tjerave dy tablotë monumentale « Dramë ballkanike II» dhe « Dramë ballkanike III (1994) e reflektojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë këtë përmbajtje. Me perspektivën e saj të shkurtër, drejt, përpara syve tanë, duke ruajtur kontrastin që krijon në imagjinatë realja dhe syrrealja, drama është pikturuar në kuptimin më të ngushtë të fjalës, domethënë lufta ka përherë viktimat e saj, por edhe në kuptimin universal : njeriu mbetet një gjah në duart e së Keqes.

Tablotë e Kaleshit në vështrim të parë mund t’i interpretosh si të papërfunduara, por ato fragmente trupash, të simbolizuar te koka, bartin ide të fuqishme. Fragmentares i kanë thurur lëvdatë shumë shkrimtarë dhe artistë në shekullin XX.  Madje efektin e saj e kanë krahasuar me vetëtimën apo me zbulimin e papritur. Fragmenti te Kaleshi është një arsye e thellë e ekzistencës së pikturës së tij, një histori e plotë.

Omer Kaleshi është mjeshtër i pikturës fragmentare. Pavarësisht nga punët e ndryshme që bëri si student në shkollën e Arteve të Bukura në Stamboll, ai nuk u ndahet « kokave » duke dhënë tërë pozicionet e mundshme të shtrirjes së mendimit e të ëndrrave, qofshin ato të lumtura, qofshin ato të vrara. « Bariu i ri XI » (1990) i tij është një shprehje e funksionit natyror të njeriut, përjetim i botës reale në brendësi. Duke soditur me vëmendje punët me figurat e barinjve të rinj apo të dervishëve të çuditshëm të titulluara « Dervishë dhe spektatorë » (1994), e ndien fuqinë meditative të kësaj pikture, e cila është thuajse si një spektakël madhështor i botës njerëzore. Fytyrat paraqesin tipare që të krijojnë herë përshtypjen e një ëndërrimi të fjetur e herë të një lëvizjeje të pandërprerë jetësore.

Personazhet « koka » përbëjnë tashmë repertorin më të rëndësishëm të pikturës omeriane. Kjo gjë, domethënë përqendrimi i psikologjisë pikturale te koka, vihej re edhe në pikturat dhe skulpturat e antikitetit Egjiptian, i cili e transformoi kokën në simbol me një domethënie epokale. Realizimet më të bukura të Kaleshit nënvizojnë dinjitetin e njeriut, shprehësinë e një fytyre, në një lëvizje poetike të brendshme, sikur t’i përkisnin një bote tjetër, të mbushur me një lloj nostalgjie që i lejon shikuesit të vëzhgojë diçka që gjithsesi mbetet e përjetshme : shpirti njerëzor i shqetësuar. Kjo njohje e brendshme, tregon edhe shtendosje nga rregullat e vendosura, një krijimtari e lirë që është shumë e rëndësishme për identitetin e tij të thellë si piktor. Prandaj, piktura e tij ka unicitet. Kokat vendosen përherë në plan të parë, në qendër të tablosë dhe thellësia e kompozimeve, arrihet me një thjeshtësi të mahnitshme, duke kombinuar ngjyrat. Në tablotë e quajtura thjesht « kokë » dallohet një punim « Kokë » (2002) që të kujton kokën e prerë të një shqiptari në Reçak në kohën e Luftës së Kosovës. Aty e kupton sesi rishpiket jeta në tërësinë e një kompozicioni pikturor, për t’u shfaqur paskëtaj plot sublimitet, me koka engjëllore, gati për të vdekur, si koka madhështore, pa jetë e Gjon Pagëzorit në tabaka. « Kuptohet, kjo kërkon të zbulosh jo vetëm çfarë del nga këto tablo, por çfarë dëshmojnë ato për botën nga vijnë », shkruan Jacques Lacarrière, në parathënien e albumit të tij më të ri. Lacarrière, u njoh me pikturën e Omer Kaleshit në Unesco më 1990, kur piktori ekspozoi dhjetë piktura së bashku me disa piktorë turq.

*

Por, cili është Omer Kaleshi ? “Piktor ballkanas”,- u përgjigjet ai qetësisht gazetarëve. Do të donim të thoshte : piktor shqiptar, por ai në atë përkatësi përfshin tri hapësira dashurie : Maqedoninë, ai u lind dhe u rrit në Kërçovë; Shqipërinë që e ka vendin e të parëve, në dejtë e tij rrjedh gjak shqiptari dhe Turqinë, e cila e bëri piktor e ku jeton edhe familja e tij.

Për mua ishte diçka sugjestionuese, pothuaj një mister, që një piktor jeton dhe punon në Paris që në vitet e rinisë së tij, si të thuash është parizian më shumë se de jure dhe i mbush tablotë me figura burrash qeleshebardhë që e tresin vështrimin larg në humbëtirat e kohërave, me njerëz shpatullgjerë si të dalë nga legjenda e Mujit dhe Halilit. Misterin e shtonte edhe më tepër teknika e tij e veçantë që mund të quhet teknikë omeriane. Mendja më shkonte pastaj te Homeri i Iliadës, te Omeri i Ciklit të Kreshnikëve, te Omer Khayami dhe krijoja në imagjinatë një personazh të ri të kohërave moderne, Omer Kaleshin, piktor. Rasti fatlum e solli që ta takoja një ditë vjeshte të vitit 2010, kur isha në Paris për kontroll mjekësor.

Omeri tregon se i ka hyrë rrugës së pikturës në një mënyrë të çuditshme, aq sa e ritreguar sot, ajo ngjan me një fiksion. Ndodhi kështu : Një ditë që kthehej nga puna, – kishte rreth një vit që kishte filluar punë në Centralin Elektrik të Shkupit, – atij i tërhoqi vëmendjen një grumbull njerëzish para një muzeu. U afrua kureshtar dhe e mori vesh se ishte hapur një ekspozitë me vepra të skulptorit dhe vizatuesit anglez Henry Moor. E vizitoi ekspozitën dhe e pëlqeu. Madje e dashuroi aq fort atë lloj arti, sa në mënyrë misterioze që atë ditë në zemrën e tij u skalit një mendim i fuqishëm : do të bëhej piktor. Ishte viti 1955. Deri atë çast ai s’kishte pasur ndonjë lidhje me artet pamore. Ishte hera e parë.

Kështu ai nisi të punonte fshehurazi pikturë e skulpturë në allçi e të vizitonte ekspozita. Kur e pa njëherë i ati, e këshilloi që të pikturonte lule, sepse në Kuran paraqitja e figurave njerëzore quhet mëkat. Omeri iu përgjigj : « Edhe zoti vetë, piktor është, përderisa ka bërë Adamin nga balta ». I ati, një njeri i fesë e vazhdoi bisedën : « Por ai e ka bërë vetëm sa t’i frynte e t’i jepte shpirt ». Sigurisht Omeri i ri heshti, sepse ai s’mund të matej me të atin që lexonte arabisht dhe ishte njeri me kulturë të madhe. I ati i tij qe i pari në Kërçovë që i çoi fëmijët në shkollë.

Pas një viti familja e tij si  e shumë shqiptarëve të tjerë të përndjekur nga Rankoviçi, u shpërngul në Turqi dhe u vendos në Stamboll. Për Omerin, sidoqoftë u hap rruga e artit. Ai mori pjesë në një konkurs pikture, fitoi dhe u regjistrua në Akademinë e Arteve të Stambollit. Por në fillim nuk punonte dot në klasë, sepse ishte i druajtur dhe me shumë emocione. Druajta dhe emocionet lidheshin së pari me moshën, ai ishte pak më i madh se studentët e tjerë dhe së dyti me gjuhën që nuk e kuptonte mirë. Gati një vit ai mbeti fare i bllokuar, nuk zuri penel me dorë në klasë. Bënte piktura në shtëpi pa model, përmendësh. 

Pas një viti kur kishte ecur mjaft me gjuhën dhe ishte çliruar disi nga kompleksi i moshës, si të gjithë studentët e tjerë ai mori detyrë të zgjidhte mjeshtrin dhe ngjyrën. Omeri zgjodhi piktorin Franisco Goya dhe si ngjyrë, të kuqen. Gjatë pushimeve të vitit të dytë erdhi në Europë dhe u njoh me pikturën perëndimore. Kur mbaroi vitin e tretë pati fatin të vizitonte Muzeun « Prado » në Madrid për të njohur nga afër punët e mjeshtrit të tij. Përse zgjodhi ai Francisko Goya-n si piktor është mister. Dhe pastaj ngjyrën e kuqe. Kjo është më e shpjegueshme: e kuqja është ngjyra e gjakut, e zemrës së dashuruar, e flijimit, e fitores. Kur i analizon në hollësi pikturat e tij mund t‘i afrohesh disi misterit.

Teknika e veçantë e punës së Omerit lidhet edhe kjo me një histori origjinale. Ai kaloi gati gjashtë muaj për të përftuar nuanca duke realizuar me dhjetëra kombinime gati magjike të së kuqes në gjithë spektrin e saj. Për të përzier ngjyrat i duhej një vegël e fortë; ishte e bukur, por e lodhshme të përftoje qoftë edhe një ngjyrë të re. Dhe ai krijoi një spatul të veçantë që u bë më vonë mjeti  kryesor i punës për pikturën e tij të ardhshme, e që i jep Omer Kaleshit titullin e piktorit shpikës, i vetmi në Ballkan gjer më sot që përdor një teknikë të tillë. Madje as në Europë nuk njihet ndonjë rast tjetër i ngjashëm. Te rrëmbimi për ngjyrën e kuqe i ka rrënjët edhe talenti i tij i fshehur për shumë vite.

Për Omerin piktura është aq jetësore, sa tani ai e vë në dyshim nëse mund të merrej me tjetër gjë. Bota e parasë nuk e tërheq dhe çdo punë për të jetuar, ai do ta bënte aq artistike, sa do ta çonte larg konsumit të përditshëm.

Në Shqipëri për herë të parë Omeri ka ardhur më 1989. Ashtu si e pohon vetë, atë e zbuloi që ishte shqiptar, ambasadori i Shqipërisë së asaj kohe në Turqi, Nesip Kaçi e më pas e ftoi Ramiz Alia. Vizitoi disa qytete, sidomos Beratin që i pëlqeu shumë. Shqipëria iu duk e bukur dhe ai vlerëson së tepërmi faktin se ajo është vendi ku bashkëjetojnë të gjitha fetë në liri e paqe. Ai thotë se ka pasur një dëshirë të hershme të ekspozonte si shqiptar, pavarësisht se kjo u realizua më 2003.

*

Omeri u bë piktor në Stamboll. Nga kujtesa dhe zemra e tij nuk mund të fshihet kurrë Turqia, e cila e trajtoi si të ishte bir i asaj toke. Në Paris ai njihet si piktor turk. Ne si shqiptarë ndihemi pak « xhelozë » për këtë gjë, por realiteti nuk duhet të marrë fytyrën e pasionit. Për të shmangur këto keqkuptime, kur e pyesin për përkatësinë kombëtare ai ka filluar të përgjigjet  në një mënyrë të re: Artist. Dhe nuk e fsheh se të vetmet lëvdata apo qortime që i pëlqejnë janë ato që lidhen me pikturën. Lufta e bën të vuajë. Mosmirënjohja e zemëron dhe  e trondit.

Kur kërkon të mësosh se cili mbetet momenti më i bukur i jetës së tij, ai të përgjigjet se kjo ka ndodhur në Stamboll, kur u pranua në Akademinë e Arteve. Atje ai ka hapur disa ekspozita. Ekspozita ka hapur edhe në Shkup, në Beograd, në Prishtinë dhe në Tiranë.

Duke folur nga lartësia e viteve të piktorit, mund të thuash se Omer Kaleshi ia ka kushtuar jetën pikturës në kuptimin e plotë të fjalës. Ai ka sakrifikuar familjen që e la në Stamboll dhe familjen që s’e krijoi në Paris, vetëm e vetëm që të ruante në mënyrë sa më të kulluar dashurinë për pikturën. Ky është një shembull i njohur në historinë e artit duke filluar nga Fidias në Antikitet dhe deri te William Turner e të tjerë në kohët moderne.

*

Shtëpia e tij në Paris është një dhomë e madhe në katin e shtatë të një pallati, në bulevardin Arago, në lagjen 13, shtëpi dhe atelie bashkë, tërë dritë nga xhamat që zënë një faqe të tërë muri. Atje poshtë në  Place des Gobelins atë ditë kur i bëra vizitë, hapej një peizazh vjeshtor, melankolik me një rrugë të qetë ku gjethonin ca gështenja të egra. Po t’i hidhje sytë më tej, dukej Sorbona dhe Panteoni. Në krahun e majtë çante qiellin Kulla Monparnas. Dhe tutje, larg në një hapësirë të madhe, nën rrezet e një dielli të ngrohtë për stinën, mund të shihje një pjesë të Parisit, me një bardhësi të dendur, kombinuar me grinë në blu të çative të pallateve të ndërtuara një shekull, dy, madje disa edhe tre shekuj më parë; një qytet aq piktorik, sa të dukej vetja sikur ishe një personazh që kishe dalë nga romanet baritore mesjetare. Kur gjendeshe  brenda në studion e tij, pareti i xhamtë fillimisht ngjante si mirazh. Madje mbi tryezë na priste edhe rakia. Në telefon para se të niseshim, ai i tha Orionit, tim biri: “Ejani se kam raki Shqipërie !»

*

Omerin dhe shtëpinë e tij atelie nuk mund të mos i shihja pa emocione gjatë gjithë kohës që isha aty. Kjo s’më kishte ndodhur kurrë herë tjetër. Qëkur u nisa, vërtet mendoja për një të papritur, por të tjetërllojtë. Omeri kishte një jetë të tërë në Paris dhe unë mendoja për vulën e « llahtarshme » që duhej të kishte lënë ai qytet te shqiptari ynë. Një vulë që nuk më pëlqen sado që e dua Parisin. Por, Omeri hapi derën e na dha dorën, duke thënë « urdhëroni », thjesht e me ngrohtësi, shqiptarçe. « Ah, – pëshpërita në heshtje,- kjo është e pabesueshme, një ëndërr e shndërruar në realitet shqiptar aty për aty». Dhe isha në zemër të Parisit ! Në një metropol që gllabëron në mënyrë të pamëshirshme imtësitë. Megjithatë Omeri qëndronte i palëkundur me pikturën e tij plot imazhe pakohësie dhe shqiptarie njëkohësisht. Ligjërimi në gjuhën e bukur shqipe (çdo gjuhë kur është gjuha jote është e bukur), e cila i shuan të gjitha pengesat në komunikim, na bëri që të ndiheshim si të njohur të hershëm.

*

Piktori ynë ka flokë të bardhë që ia shtojnë fisnikërinë e fjalës, sy të qeshur, të zinj që e gjallërojnë kur flet, zë të butë që e bën të thjeshtë e të dashur. Ka mbetur shqiptar, i pastër, si ata heretikët e lashtë që i dënonin të ecnin duke mbajtur prush të gjallë ndër duar dhe kur arrinin te vendi i caktuar, i kishin duart të pacenuara. Aty çdo gjë ishte shqiptare : tymtar muzeal i formës tradicionale, me vatër të rrumbullakët, i ndërtuar nga vetë Omeri, me çengel dhe me një kusi dekorative si dhe elemente të tjera të vatrës së dikurshme si: këmbja, luga e gacave, mangall bronzi në sofër druri etj. Pastaj një fron me tri këmbë pranë vatrës e që ishte i familjes së tij, këtu e njëqind vjet të shkuara; tryezë e ulët druri si « tërvezat » e dikurshme ; mindere me shtrojë tipike, një pëlhurë e endur në tezgjah me vija dhe me motive të tjera gjeometrike. Në mur, në mjedisin e ndenjjes, ishin varur një ikonë e shën Sebastianit dhe një syret kurani i të atit ; hoja të punuara nga e motra (në familjen e tij kanë qenë dhjetë fëmijë, pesë vajza e pesë djem, Omeri ishte i shtati); një tufë çibukësh të punuar nga vetë ai e shumë objekte të tjera tipike. Mjedisi shqiptar vihej re në çdo hollësi të asaj shtëpie studio. Ai kishte krijuar një univers të vogël shqiptar. Një palë shkallë të brendshme të ngjisnin te këndi i fjetjes. Dhe gjithçka ishte punuar nga duart e tij. Madje edhe një dollap i vogël ushqimesh si ata të hershmit, me tre-katër rafte e dy kanate me xhama ishte vendosur në mjedisin e quajtur kuzhinë. Mbi tryezë rrinte edhe një kuti shahu. 

Omeri ishte vërtet një mjeshtër ndërtimi e një mjeshtër i punës me dru. Por mjeshtëritë e dyta nuk mbaronin me kaq. Në murin përballë, midis paretit të madh me xhama që kishte një ndërprerje me hapësirë muri në mes, ishte vendosur një vepër elektrike. Them vepër se aty ishin me dhjetëra çelësa, priza, llamba që kur i vuri në punë u ndezën si një maket i një qyteti me arkitekturë dritash të shumëngjyrshme. Kjo dobësi flinte brenda tij në heshtje. Omeri ka mbaruar studime të mesme elektrike dhe aty ai kishte fiksuar një pjesë të atyre dijeve si të nguroste një dashuri të humbur, së cilës nuk mund t’i përgjigjemi.

*

Atelieja e Omerit ishte e mbushur me tablo që i kishte paketuar për një ekspozitë dhe punët e reja të tij ne i pamë në një album të botuar rishmëzi.  Te ai  shihet edh një lëvizje drejt figurës së plotë njerëzore. Duke pasur parasysh ato piktura që nuk lidhen me imazhet e tij, si Trung, seria Peshqit që i kërkoheshin kur ishte student si dhe një nudo à la Giaccometi, pa e njohur ende skulpturën syrrealiste, duket se Kaleshi është vazhdues brenda identitetit të tij të thellë si piktor. Ka njëlloj aureole te ato fytyra që të druajtura e në heshtje rrëfejnë për një të kaluar, për një histori të përjetshme. E shkarkuar nga baroku, nga sajimi i së vërtetës, për të cilën nuk është nevoja, sepse ajo ekziston dhe duhet zbuluar, tabloja e tij ndonjëherë thotë se njeriu duhet të luftojë edhe kur ia kanë rrëmbyer dëshirën për të luftuar. Kjo shprehet sidomos në elementin karakteristik si pozicioni i ngurosur, që është mungesë lirie, të cilën personazhi përpiqet ta fitojë, prandaj edhe karakteri i tyre jepet nëpërmjet shfaqjeve të dritës që triumfon mes errësirës. Ruskin-i thotë se edhe  mrekullia më e përsosur nuk mund të ekzistojë pa u përzier me pak mjegull. Sepse arti i vërtetë ka anën e tij të panjohur, anën misterioze që duhet të na nxitë për ta njohur më shumë vetveten. Domethënia e  jashtme e tablove të tij është simbolika e një brendësie ku ligjërimi ia ka lënë vendin heshtjes. Si çdo krijues këto histori ai i ka të gdhendura në identitetin e tij. 

*

Pikturat e Omer Kaleshit janë përsiatje filozofike, për një univers të rikrijuar, të ri, të panjollë. Pika orientuese, ajo që udhëheq vështrimin tonë janë sytë, shikimi i tyre i fshehtë. Dhe ky është në radhë të parë një raport me rëndësi jetësore. Është një përpjekje për të zhbiruar unin. Te vetvetja është rifillimi dhe vazhdimësia e jetës. Ato koka mbushin zbrazëtinë dhe flasin me memecërinë e tyre për vuajtje dhe dashuri të pashprehura, për fjalë të pathëna, për druajtje, për lot, për ëndrra. Është një realitet që ngrihet përtej imagjinatës. Tej këtij realiteti, ekziston edhe një realitet mitik, të cilin piktura e tij përpiqet ta japë me ngjyra të mbyllura që shprehin thellësi e trishtim.

Omer Kaleshi është vërtet një piktor i papërsëritshëm.

Paris-Tiranë, dhjetor 2011

_____________________

Shënim:

Ky ribotim mori shkas nga një e-mail i datës 19 gusht 2021 që shkëmbeva me Z. Luan Rama në Paris, në të cilin e pyesja për shëndetin e Omerit;  para disa kohësh, fillimisht qe lidhur im bir me telefon për të ditur diçka në situatën e re të krijuar nga COVID 19. Luani është njohës i thellë i pikturës dhe i personalitetit të Omer Kaleshit si dhe autor i një libri për të. Përveç kësaj, vitin e kaluar ai i ka shpëtuar jetën, si të thuash, nga që e shpuri menjëherë në spital se e gjeti midis jetës dhe vdekjes kur sapo i kishte rënë ishemi cerebrale. Ndër të tjera Luani më shkruan: “Une jam ne Normandi dhe neser kthehem ne Paris. Ne fakt te shtunen do te jem tek Omeri ta shoh. E pashe dhe para nje jave. Ka mbetur ne klinike qe nga ishemia cerebrale […]. Te shtunen do te bej nje lidhje me video me familjen ne Turqi qe te komunikojne permes telefonit … » 

 Në spital Omeri ka kaluar prova të tjera të vështira se u sëmur edhe me Covid.  Para dy vjetësh e ca unë e takova vetë Kaleshin në panairin e librit të Ballkanit. I dashur dhe energjik si përherë. Shqiptar i rrallë, thashë me vete duke e përqafuar kur u ndava. 

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Legjenda e Mujit dhe Halilit