Huazuar nga Gazeta Dielli
Prof. as. dr. Jonela Spaho, Dekane, Fakulteti i Edukimit dhe Filologjisë, Universiteti “Fan S. Noli” Korçë, rrëfen për gazetën ‟Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, studimin “Kristo Floqi, koha dhe vepra e tij letrare” ku paraqet jetën dhe veprën e gjërë të Kristo Floqit në politikë, media, jurisprudencë, kulturë, komedi, dramaturgji, poezi por fokusohet veçanërisht te veprimtaria e Kristo Floqit si Ministër i Arsimit, deputet i Dibrës dhe i Korçës dhe Këshilltar Shteti ku Floqi ishte një nga juristët më të shquar të kohës, sepse ishte organizues i drejtësisë shqiptare në Qeverinë e Ismail Qemalit, Kryetar i Gjykatës së parë në Shqipëri, botues dhe përkthyes i literaturës juridike në shqip. Me Prof. as. dr. Jonela Spahon bisedoi Editori i ‟Diellit” Sokol PAJA.
KRISTO FLOQI, NJË PERSONALITET POLIEDRIK
Kristo Floqi është një personalitet poliedrik, vepra e të cilit ngjall kureshtje dhe ngacmon çdo studiues të interesuar, veçmas, për periudhën e gjysmës së parë të shekullit XX. Edhe pse i diplomuar në fushën e jurisprudences, roli i tij si njeri aktiv në fushën e kulturës dhe mendimit shqiptar duhet çmuar, veçanërisht në kontekstin kohor si një nga lëvruesit sasiorë dhe cilësorë të gjinisë dramatike, vepra e të cilit u pëlqye dhe u receptua gjerësisht nga audienca e kohës, nëpërmjet vënies në skenë nga, pothuaj, të gjitha trupat e teatrove amatore të Shqipërisë në atë kohë, veçanërisht komedia e tij nëpërmjet së cilës ai u bë autori më prodhimtar dhe më popullor i periudhës. Horizonti i pritjes për komeditë e Kristo Floqit ka qenë më i ndjeshëm ndaj shfaqjeve në skenë të veprave të tij, sesa ndaj tyre si tekst letrar. Në këtë kuptim, është e përligjur vëmendja që mund t’i kushtohet dhe aspektit të pritjes, apo receptimit të veprës së tij nga publiku, nëpërmjet vënies së saj në skenë. Lidhur me figurën e Kristo Floqit është folur pak dhe kritika rrallë eshtë marrë me të, sepse për një kohë të gjatë, gati gjysëmshekullore, emri dhe vepra e tij u mbuluan me heshtje dhe autori u anatemua dhe u përndoq.
KRISTO FLOQI NGA MINISTËR I ARSIMIT, DEPUTET I DIBRËS DHE I KORÇËS E KËSHILLTAR SHTETI
K.Floqi ka një aktivitet të dendur në fushën politike të gjysmës së parë të shekullit XX, si Ministër i Arsimit, deputet i Dibrës dhe i Korçës dhe Këshilltar Shteti. Ai ka qenë një nga juristët më të shquar të kohës, sepse është organizues i drejtësisë shqiptare në Qeverinë e Ismail Qemalit, Kryetar i Gjykatës së parë në Shqipëri, botues dhe përkthyes i literaturës juridike në shqip.Veçanërisht duhet përmendur aktiviteti i tij si patriot dhe publicist sepse ai ishte pjesëmarrës i rretheve patriotike për dëbimin e pushtuesve të huaj, delegat i Kongresit të Triestes, themelues i Federatës Panshqiptare “Vatra”, në Amerikë, bashkë me F.Nolin dhe F.Konicën dhe Komitetit ”Shqipëria e Re” në Milano, bashkë me Xh.Skiroin dhe K.Seremben. Gjithashtu, ai ka refuzuar në mënyrë të vendosur ndryshimin e sistemit qeverisës në Shqipëri; nga republikë në monarki, duke dalë hapur dhe i vetëm me fjalimet e tij ne parlament kundër shpalljes së Zogut si mbret i shqiptarëve.
KRISTO FLOQI SI BOTUES I MEDIAVE “DIELLI”, “AGIMI” E “INDIPENDENCA SHQIPTARE”
Kristo Floqi është botues i së përjavshmes “Dielli” në Boston, “Zëri i popullit”, në Nju Jork, i të përmuajshmes “Agimi” në Shkodër, i gazetës “Indipendenca Shqiptare” në Tiranë etj. Por Kristo Floqi është dhe një nga shkrimtarët më të rëndësishëm të periudhës i cili shkroi dhe botoi rreth 20 komdi dhe farsa, tre drama, një tragjedi, ndërsa si poet ai u paraqit me vëllimet “Tingëllimat e zembrës”, ”Shkëndija ose antologji shkollore” dhe me poemat “Dëshmorët e Rilindjes” dhe “Shqyptarët”. Për të studiuar e pozicionuar më mirë veprën e tij dramaturgjike duhet ta shohim atë, së pari, në rrafshin e premisave historiko–letrare të zhvillimit të dramaturgjisë shqiptare, deri në gjysmën e parë të shekullit të XX. Në këtë periudhë dramaturgjia shqiptare, megjithëse nuk u zhvillua deri në atë masë që u zhvillua poezia dhe proza, njohu një zhvillim të ri. Në dramaturgjinë e kësaj periudhe u bënë përpjekje për krijimin e figurave artistike dhe karaktereve dramatike me botëkuptimin dhe prirjen realiste të pasqyrimit të realitetit historik dhe shoqëror, me gjithë notat e sentimentalizmit e melodramatizmit që e karakterizonin atë. Në suazën e zhvillimit të llojeve dramatike dallohet zhvillimi i komedisë, e cila ishte më e ndjeshme ndaj problemeve shoqërore. Në këtë periudhë (1912-1927), K.Floqi shkroi rreth 20 komedi dhe farsa, të cilat u botuan më vete, ose në organe të ndryshme të shtypit të kohës.
KRISTO FLOQI SI KOMEDIAN
Për analizimin e komedive të K.Floqit është e rëndësishme të vërehet tipologjia e llojit. Kështu, nëse do të flisnim për një tipologji të veprës së tij komike, duke u mbështetur dhe në përfundimet e studiuesve, mund të themi se në krijimtarinë komike të Kristo Floqit gjejmë dhe komedinë dhe farsën. Pas analizimit të përbërësve komikë, rezulton se pjesa më e madhe e krijimtarisë së tij janë komedi, për nga problematika që trajtojnë, për nga mënyra si janë realizuar karakteret dhe situatat komike, apo mënyrës si janë strukturuar subjektet dhe ndërtuar kontradiktat komike. Ndërsa një pjesë e krijimtarisë komike janë farsa, pra vepra komike me një përmbajtje të lehtë që provokojnë gëzim dhe hare, për shkak të humorit që shndërrohet si qëllim në vetvete, situatave absurde, ngjarjet e pamundura, ekzagjerimi i vesit etj. Komeditë e K.Floqit patën një reagim pozitiv nga publiku, pasi ai vuri në qendër të tyre probleme të mprehta që shqetësonin shoqërinë e kohës kur ai i shkroi ato, apo probleme që kishin të bënin me aspekte të ndryshme të jetës familjare. Koha kur Kristo Floqi krijoi pjesën më të madhe të komedive dhe farsave të tij, përkoi me ndryshime të rëndësishme politiko-shoqërore. Për këtë arsye, një pjesë e komedive të tij kanë në fokus problematikën politiko-shoqërore. Si njohës dhe vrojtues i mirë i problemeve të realitetit shqiptar, duke parë nga afër problemet, prapaskenat dhe dështimet e disa qeverive ai satirizoi me guxim klika e personazhe negative, që po e çonin vendin drejt kaosit. Gama e problemeve që trajton ai, në komeditë e tij, është e gjerë dhe duket se autorit nuk i ka shpëtuar asnjë fenomen dhe dukuri negative. Ai preku probleme të rëndësishme që kishin të bënin me gjendjen e arsimit shqiptar, me sistemin gjyqësor, me financat dhe infrastrukturën e vendit. Në to veprojnë një galeri e tërë personazhesh që fillojnë që nga majat e pushtetit e shkojnë deri te njerëzit e thjeshtë, të cilët janë bartësit e veseve dhe deformimeve morale. Në këto komedi, me këtë problematikë, ai dënon paaftësinë në detyrë, akraballëkun, abuzimin me postin, lakminë për pushtet, pafytyrësinë, mënyrën jo të ndershme të përfitimit, korrupsionin etj. Komeditë e K.Floqit shquhen gjithashtu për mjeshtërinë e realizimit të gjuhës së personazheve, me anë të së cilës ai arrin t’i individualizojë ato. Gjuha e personazheve të tij është në përputhje me shtresën, mjedisin, botëkuptimin dhe kulturën që ata përfaqësojnë, pra me thelbin shoqëror të tyre. Shpesh, nëpërmjet gjuhës ai zbulon te personazhet injorancën, lakminë, pafytyrësinë, hipokrizinë dhe budallallëkun, duke shfrytëzuar me mjeshtëri mundësitë e frazës për të zbuluar kontradiktën komike dhe për t’u pozicionuar ideoemocionalisht.
KRISTO FLOQI SI DRAMATURG
Kristo Floqi shquhet po ashtu edhe si një nga autorët e mirënjohur të dramave të kësaj periudhe. Ai në dramat e tij do ta drejtonte vëmendjen tek problemet me të mprehta të kombit shqiptar, do të vinte në qendër të tyre dedikimin e shqiptarit ndaj idealit të lirisë, do të pasqyronte botën e pasioneve të bashkatdhetarëve të tij dhe aftësinë e tyre për të përballuar sfidat më të mëdha në luftën për ekzistencë. Me mjeshtëri artistike, K.Floqi ka përhapur në dramat e tij aspiratat jetike dhe problemet e shpirtit dhe mentalitetit shqiptar, ka artikuluar anët më të ndërlikuara të problemeve ekzistenciale, me të cilat përballej populli në çastet e tij më dramatike. Duke pasqyruar, pikërisht këto probleme esenciale, të gjitha dramat e tij u bënë të pëlqyeshme dhe të mirëpritura nga publiku i kohës. Duke mos iu përmbajtur plotësisht të dhënave historike, autori ka ndjekur rrugën e dramaturgjisë së Rilindjes Kombëtare me subjektivizmin e ngjarjeve dhe me mitizimin e historisë, gjithnjë duke u nisur nga motive të pastra patriotie. Subjekti i këtyre dramave ndërtohet në mënyrë të thjeshtë, sipas parimit kronologjik. Ngjarjet ndjekin njëra – tjetrën në rendin e tyre kohor, por janë ndërtuar edhe sipas parimit shkak – pasojë. Autori parapëlqen, kryesisht prezantimin e personazhit kryesor që në fillim të veprës, nëpërmjet monologut dhe ndërkohë përgatit situatën për hyrjen në skenë të personazheve të tjera. Kësisoj, subjekti i ndërtuar si skema e marrëdhënieve midis personazheve, krijon një varësi të drejtpërdrejtë nga mënyra se si shfaqen personazhet në rrjedhën e veprimit dramatik dhe nga roli i tyre në zhvillimin e intrigës dramatike. Ndërtimi i subjekteve të tij është i ngjashëm me skemat e thjeshta të ndërtimit të subjektit të dramave me temë patriotiko – shoqërore të periudhës. Qëllimi dhe mesazhi kryesor i këtyre dramave ishte atdhedashuria, prandaj dhe rrjedha e shtjellimit të subjektit i është nënshtruar këtij mesazhi. Kristo Floqi nuk doli, me pak përjashtime, nga kuadri i ndërtimit të dramës shqiptare më këtë temë të periudhës në fjalë. Ndoshta ndërtimi i subjekteve, i veprimit dramatik dhe i situatave dramatike do të kërkonte forcë më të madhe realizimi artistik, për të shmangur një lloj shabllonizmi që vihet re jo vetëm në dramat e tij, por në gjithë dramat e periudhës.
KRISTO FLOQI DHE KRIJIMET E TRAGJEDISË
Në krijimtarinë dramaturgjike të Κristo Floqit hyn dhe tragjedia “Pirro Neoptolemi”, me të cilën ai u bë lëvruesi i gjithë tipologjisë dramaturgjike në atë periudhë. Duke e vënë veçanërisht theksin mbi zbulimin e disa të vërtetave historike, ai është munduar në këtë tragjedi t’i qëndrojë sa më besnik historisë, duke u konsultuar me burime të hershme dhe duke bërë krahasime midis tyre. Ndryshe nga Rasini dhe Euripidi, që e përfundojnë tragjedinë me vrasjen e Pirros, Kristo Floqi e mbyll këtë tragjedi me vdekjen e Andromakës dhe Hermionës. Kjo tragjedi sjell skena të realizuara mbi mënyrën se si zhvillohet jeta në kushtet e mungesës së dashurisë respektive, kur ajo zëvendësohet me vese, kur ngec vetëdija dhe kur margjinalizohen çështjet ekzistenciale, deri në masën e vetmashtrimit. Fataliteti i heroinjve këtu shihet si pasojë jo e fatit, por e veprimeve njerëzore dhe e paaftësisë së tyre për t’i baraspeshuar pasionet me arsyen.
KRISTO FLOQI SI POET
Tiparet kryesore të stilit poetik të autorit, që shfaqen në këtë vëllim janë, lirizmi i thellë, psikologjizmi që buron prej tij, introspeksioni, sinqeriteti, shpërthimi i ndjenjës dhe përshkrimi. Lirizmi i thellë dhe depërtues që qëndis gjithë perlat dashurore të tij, krijohet prej faktit që kjo poezi është një lirikë, e pasur me konkretësinë e ndjenjës, dhimbjes dhe gëzimit të çastit. Lirika e tij mund të themi se është e varfër nga mendimi por është e pasur me alternim gjendjesh. Duke qënë në thelb një poezi me nota të theksuara autobiografike, por dhe një poezi e lokalizuar në një mjedis të caktuar shpirtëror dhe shoqëror, poezia e tij pasqyron në thelb qerthullin e ndjesive njerëzore që marrin spunto dhe ngacmohen nga shfaqje të ndryshme të natyrës dhe marrëdhënieve njerëzore, që në këtë vëllim janë specifikuar si marrëdhënie mes vajzës dhe djalit, të cilët si pjesë e një ambienti të caktuar, me guximin e tyre për të realizuar dashurinë dhe lumturinë që buron prej saj, sjellin notat e një emancipimi kulturor të trevës së cilës i përkiste autori. Në lirikën e Kristo Floqit vërehet dukshëm dhe ndikimi nga poezia popullore në mjetet stilistikore dhe në figuracionin popullor që përdoret dendur, sidomos në përshkrimin e portretit të vajzës.