Justina Shiroka-Pula, anëtare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), dhe Suzana Manxhuka-Kërliu, Dekane e Fakultetit të Mjekësisë, kanë rrëfyer përvojat e tyre dhe vështirësitë që kanë kaluar si gra, gjatë rrugëtimit të tyre profesional dhe avancimit në karrierë.
Në “Java Sonte me Rronin” të KTV-së, Shiroka-Pula e Manxhuka-Kërliu kanë kërkuar që edukimi për barazinë gjinore dhe avancimin e vajzave, të nisë nga familjet.
Shiroka-Pula ka thënë se avancimi i femrës në shoqëri nënkupton edhe avancim dhe zhvillim të shoqërisë në përgjithësi. Sipas saj, avancimi i femrës duhet ndihmuar në katër segmente.
“Mendoj që një avancim i femrës duhet shikuar në katër segmente: përkrahja e familjes së ngushtë e pastaj edhe familjes së dytë, familjes së burrit, e dyta duhet motivi dhe iniciativa, e treta, femra duhet të ballafaqohen edhe me stereotipe, dhe e katërta, është pengesë edhe ndikimi i politikës në avancimin e femrës. Për avancimin duhet të nis edukata që nga fëmijëria, të mos bëhen dallime mes gjinive", ka thënë Shiroka-Pula.
Ajo ka thënë se femra duhet ta planifikojë jetën dhe të mos bëhet vetëm kujdestare e shtëpisë dhe fëmijëve.
Ndërkaq, Manxhuka-Kërliu ka deklaruar se ka sakrifikuar shumë për tu avancuar në profesion, duke u larguar nga vajza e saj e vogël për kohë të gjata, për shkollim.
Ajo ndihet krenare që sakrifica, çmimin e të cilës siç thotë e ka paguar, po i shpërblehet, duke thënë se tani ajo u shërben vajzave të saj si rol model, për të qenë të suksesshme.
“Më është dashur studimet e mjekësisë janë shumë të gjata, të integruara, është dashur të shkojë në Kroaci për specializim, pastaj në SHBA dhe në Evropë, kam lëvizur shpeshherë nëpër Kongrese dhe është dashur që të kem përkrahjen e familjes. Është një sakrificë e madhe që të largohesh nga familja. Kur më së shumti i jam nevojitur vajzës më është dashur të udhëtojë. Por tani vajzave ju shërbej si një rol model për të qenë të suksesshme ngase sakrifica duhet të ketë edhe çmim”, ka thënë ajo.
Duke qenë dekanja e parë femër pas 50 vitesh në Fakultetin e Mjekësisë, Manxhuka-Kërliu ka thënë se femrat janë udhëheqëse të mira dhe më të përkushtuara në punë dhe profesion.
“Femrat janë më precize dhe më të sakta, shefet e Degëve në katër degë të Fakultetit të Mjekësisë janë femra”, është shprehur ajo.
Edhe Shiroka-Pula ka thënë se femrat janë udhëheqëse të zonja, të cilat e ruajnë integritetin e tyre profesional dhe janë vështirë të korruptueshme.
No comments:
Post a Comment