Nga Flori Bruqi ,PHD
Leon Tolstoi ( 1828-1910) ishte një shkrimtar, filozof, mësimdhënës dhe aktivist i shquar shoqëror rus.
Leon Tolstoi(1828-1910)
Tolstoji njihet edhe si një entuziast i dalluar në fushën e arsimit dhe pedagogjisë, sidomos për punën dhe kontributin e tij të pazakontë në Jasna Poljana , me të cilin ai ka një ndikim pozitiv në konceptimet e reja pedagogjike. Ai i kushtoi tërë kontributin e tij arsimor, pedagogjik dhe letar zgjidhjes së situatës së vështirë shoqërore në Rusi duke argumentuar që problemet mund të zgjidheshin vetëm në mënyrë paqësore përmes iluminizmit, arsimit dhe edukimit.
Kontributi dhe aktiviteti i pasur arsimor dhe pedagogjik i Tolstoit mund të ndahet në tre periudha.
- Periudha e parë (1859-1862) shënon hapjen e shkollës Jasna Poljana dhe nisjen e revistës me po të njëjtin emër Jasnaja Poljana,
- Periudha e dytë (1870-1876) i referohet aktivitetit arsimor e edukativ botues, është kjo koha kur botoi veprat: "Alfabeti" , "Alfabeti i ri", "Aritmetika", "Arsimi popullor" dhe "Librat e leximit (I, II, III, IV)", njëkohësisht merret me problemet praktike të arsimit dhe edukimit.
- Periudha e tretë i referohet punës së tij kuptimplotë për pjesën tjetër të jetës së tij, kur ai zhvendoset në pozicionet e mistikës fetare dhe madje trajton çështje edukative dhe arsimore në frymën e të kuptuarit mistik e fetar të botës.
Teoria e tij e edukimit të lirë, e cila ishte nën ndikimin e teorisë së Jean - Jaques Rousseau , e çoi atë në diferencimin e edukimit nga arsimi, me shpjegimin se edukimi ishte një ndikim i detyruar mbi një njeri tjetër dhe se ai korrupton më shumë sesa riparon njeriun. Megjithatë aty kah fundi i jetës së tij, ai braktisi këtë qëndrim dhe pranoi paqëndrueshmërinë e teorisë së arsimit të lirë. Marrë në tërësi, anët e saj pozitive ishin trajtimi individual i fëmijëve, dashuria dhe respekti, njohja dhe zhvillimi i personalitetit të fëmijëve. Madje edhe sot, pas rreth një shekulli e gjysëm, mënyra e punës edukative dhe arsimore e Leon Tolstojit dhe shkrimet në fushën e arsimit dhe pedagogjisë janë njohur si një kontribut domethënës në zhvillimin e arsimit dhe punës me fëmijë.
Veprat dhe shkollat
Që në vitin 1849 Tolstoi kishte filluar të organizonte shkolla për fëmijët e fshatarëve të tij në Jasna Poljana.
Tolstoi e themeloi shkollën në duke qenë i nxitur nga një lloj entuziazmi. Së shpejti sipas shembullit të saj do të themelohen edhe 12 shkolla të tjera për fëmijët e fshatarëve të Rusisë, të cilët, pas reformave të vitit 1861, sapo kishin nisur të emancipoheshin nga skllavëria. Tolstoi i paraqiti parimet e përgjithshme të shkollës në në vitin 1862, në esenë e tij me titull "Shkolla në Jasnaja Poljana".
Pas një kohe të shkurtër, duke pasur parasysh suksesin e shkollës së tij të parë në Jasna Poljana ai filloi të thellohet në problemet e pedagogjisë dhe nisi të mendojë për një model të shkollës shtetërore për tërë Rusinë. Ai gjithashtu do t’i shkruajë vëllait të Ministrit të Arsimit Kombëtar. Sidoqoftë, nuk do të marrë ndonjë inkurajim.
Në vitin 1860 Tolstoi shkroi esenë e tij të parë mbi Pedaogjinë , me titull: Vëzhgime dhe materiale pedagogjike pas së cilës zuri të skicojë projektin e një shoqërie për arsimin popullor. Më 1861 numri i shkollave të themeluara nga ai arriti në dymbëdhjetë (dhe me kalimin e viteve ato do të rriten gjithnjë e më shumë) dhe njëri nga mësimdhënësit e tyre ishte vet Tolstoi. Në vitin 1862 , (në muajt para dhe pas martesës së tij, që u zhvillua në atë vit) shkroi ese të shumta pedagogjike, përfshirë këtu edhe Kush duhet të mësojë të shkruajë nga kush: djemtë fshatarë nga ne, apo ne nga djemtë fshatarë?
Më 1872 publikohet Abetarja voluminoze, e cila me mbi një milion kopje të shitura; - paraqet një nga sukseset më të mëdha të Leon Tolstojit. Një vit më pas zhvillohet një polemikë lidhur me metodat e tij arsimore e pedagogjike. Komiteti për shkrim-lexim në Moskë nis me një eksperiment publik për ta vlerësuar efektivitetin e metodës inovative me të cilën Tolstoi organizonte mësimin e leximit dhe të shkrimit fillestar, së pari në një klasë të punëtorëve analfabetë, pastaj në një klasë të fëmijëve. Komisioni e konsideron rezultatin të kënaqshëm, por jo përfundimtar. Më 1874 Tolstoji pezullon shkrimin e veprës Anna Karenina për t’iu përkushtuar tërësisht arsimit dhe pedagogjisë si dhe drejtimit të shkollave të themeluara prej tij, të cilat tani kanë arritur në një numër prej rreth shtatëdhjetë shkollash. Ai shkruan një "Gramatikë për shkollat rurale" dhe boton esenë "Arsimi publik", teza themelore e të cilit është si vijon: Nëse arsimi dëshiron të jetë me fitim real, ai duhet të bazohet në një liri të mësimit që lejon nxënësit dhe studentët të zgjedhin vetë, çfarë të studiojnë dhe çfarë jo, ndërsa mësuesi duhet të përshtatet me zgjedhjet e tyre. Autori drejton një kritikë të ashpër ndaj sistemi shkollor të kohës. Më 1875 ribotoi një "Përmbledhje tregimesh", "Abetaren e Re" dhe Katër libra të leximit në gjuhën ruse.
Në esenë Mbretëria e Zotit është në Ju ( 1893 ) Tolstoi kritikon sistemin e arsimit të detyrueshëm sepse ai e sheh arsimin dhe shkollat më shumë si një instrument kontrolli, sesa si një ngritje e masave.
Kontributi dhe veprimtaria praktike e Tolstoit në fushën arsimore nuk zgjati shumë, pjesërisht për shkak të ngacmimeve nga policia cariste.
Sidoqoftë, si një pararendëse e drejtpërdrejtë e Shkollës Summerhill të themeluar nga A.S.Neill ,Shkolla në Jasna Poljana , mund të pretendohet në mënyrë të justifikuar si shembulli i parë i një teorie koherente të arsimit dhe edukimit demokratik.
Organizimi i mësimit
Në hyrje të shkollës në Jasna Poljana kishte një shenjë që thoshte "hyr dhe dil lirshëm". Mësimet fillonin midis orës 8 dhe 9, në mesditë mësimi ndërpritej për drekë dhe pushim, dhe rifillonte pasdite për rreth 3 ose 4 orë. Kishte tre klasa, nxënës të rinjë, të mesëm dhe të moshuar. Nuk kishte vende të zgjedhura për fëmijët nga jashtë, por secili fëmijë zgjidhte vendin e vet. Asnjë detyrë shtëpie nuk kërkohej. Vetë Tolstoi jepte mësim nga lëndët e matematikës, fizikës, historisë dhe lëndëve të tjera nxënësve më të moshuar.
Përmbajtjet mësimore
Është e nevojshme të thuhet se në mesin e shekullit 19 në Rusi nuk kishte shkolla për fëmijë fshatarë. Tolstoi do të paraqesë disa probleme madhore në lidhje me arsimin:
- A ekziston e drejta e arsimimit?
- E megjithatë kush është ai që edukon?
Tolstoi e kuptoi që shkolla shpreh kulturën e klasave mbizotëruese. Dhe nëse kjo mund të jetë "e drejtë" për fëmijët e klasave të larta, nuk është e mirë për fëmijët fshatarë. Atëherë, cilat vlera propozoni? Zgjidhja do të jetë të propozojmë një shkollë krejtësisht çlirimtare, me shumë respekt për kulturën e tjetrit (në këtë pikë paralelet me Don Milanin janë të pashmangshme).
Jo rastësisht "Tolstoi, një nga shkrimtarët më të mëdhenj që ka ekzistuar ndonjëherë, kur e trajtoi mësimin e shkrim-leximit për fshatarët e tij të vegjël, mes tjerash pyet: Fëmijët fshatarë duhet të mësojnë të shkruajnë prej nesh, apo ne duhet të mësojmë të shkruajmë prej tyre? "
- Pse arsimi?
Tolstoi besonte se mungesa e arsimit ishte një nga shkaqet e despotizmit, dhunës dhe padrejtësisë. Ende është e rëndësishme të theksohet se ky besim ndodhi në një kohë kur në njërën anë filloi revolucioni industrial në Rusi dhe nga ana tjetër skllavëria sapo ishte shfuqizuar (1861). Nga kjo pikëpamje zhvillimi kapitalist vartësoi dijet shkencore dhe teknologjike në qëllimet e tij, në vend që t'i drejtonte ato drejt të mirës së përbashkët.
- Si të krijohet një shkollë jo dogmatike?
Shkolla duhet të jetë jo e detyrueshme, kështu që nëse arsimi është i mirë, nevoja për arsim do të lindë spontanisht, siç është rasti me urinë.Një karakteristikë tjetër ishte keqpërdorimi i njohurive dhe aftësive të cilat fëmijët merrnin nga shkolla. Në atë kohë (por jo vetëm!) njohuritë që vinin nga bota jo skolastike normalisht konsideroheshin jo të dobishme dhe kundërproduktive.
- Për më tepër, me kalimin e kohës, një konceptim i shkollës do të piqet aty ku mësuesi është njëkohësisht arsimtar dhe edukator.
Në fakt, ai do të kuptojë se si mësuesi ushtron një ndikim të vetëdijshëm dhe të pavetëdijshëm te nxënësi: "Vetë jeta e mësuesit dhe e njerëzve të tjerë përreth përbëjnë pjesën e pavetëdijshme. Ai e pranon që fëmija vëren nëse pretendoj ose vërtet besoj në ato që them. "
Anna Karenina (Анна Каренина), e njohur edhe me emrin Ana Karenin, është një ndër novelat më të njohura ruse e shkruar nga Tolstoji gjatë viteve 1873 deri më 1877.
Në këtë vepër trajton stilin realist, duke treguar për familjet aristokrate në Rusi në atë kohë. Personazhi Ana Karenina është inspiruar nga vajza e Aleksandër Pushkinit, Maria Hartungu.
Ana Karenina
Kjo novelë ndahet në tetë pjesë. Vepra hapet me një citat madhështor "Familjet e lumtura janë të gjitha njësoj, ndërsa familjet fatkeqe janë fatkeqe ndryshe nga të tjerat".
Pjesa e parë
Së pari autori na prezanton me personazhin Princ Stepan Arkadieviç Obllonski, "Stiva", një aristokrat moskovit i cili ka prishur marrëdhëniet me gruan e tij Darja Aleksandrovna "Dolli", e cila ka zbuluar se burri po e tradhtonte me guvernanten franceze. Stiva ishte i frikësuar se do e humbiste gruan e tij me të cilën trashëgonte fëmijët, kështu që ai thërret motrën e tij Ana Arkadjevna Karenina, nga Petersburgu, që ta bind Dollin t'i kthehet prapë.
Ndërkohë shoku i fëmijërisë së Stivës, Konstadin Dmitrieviç Levin, "Kostja" arrin në Moskë dhe i kërkon dorën motrës së vogël të Dollit, Kitit. Ajo e refuzon sepse ishte dashuruar me Kont Aleksej Kirilloviç Vronskin, por ai nuk kishte asnjë synim që të martohej me Kitin.
Stiva dhe Vronski takohen në Moskë në stacionin e trenit. Stiva priste motrën e tij, ndërsa Vronski të ëmën. Aty ndodh një aksident sepse një punëtor shtypet nga treni. Vronski sapo e sheh Anën dashurohet. Ata takohen prapë në ballon që mbahet në shtëpinë e Sherbackëve. Ana për fat arrin t'i bashkojë Dollin dhe Stivën dhe bëhet shoqe me Kitin. Në ballo Vronski vallëzon me Anën dhe Kiti bëhet xheloze.
Ana, e shqetësuar se do i prishte marrëdhëniet me Kitin për shkak të Vronskit, kthehet në Petersburg. Vronski niset për në Petersburg me të njëjtin tren. Në anën tjetër Levini i dëshpëruar për refuzimin e Kitit kthehet në fshat, në fermën e tij. Ana kthehet tek burri i saj Aleksej Aleksandroviç Karenin, dhe tek i biri Sergei ("Seriozha").
Pjesa e dytë
Mjeku personal i Sherbackëve tregon se shëndeti i Kitit ishte përkeqësuar për shkak se ajo ishte e mllefosur nga xhelozia ndaj Anës dhe Vronskit. Doktori i ri specialist i kishte rekomanduar për në llixhë për shërim. Kiti iu rrëfehet Dollit për pendimin e saj që ka zgjedhur Vronskin e jo Levinin.
Në kthimin e Anës në Petersburg ajo fillon të shpenzojë më shumë kohë me princeshën Beci dhe rrethin e saj, dhe më pak me rrethin moral dhe fetar ku bënte pjesë edhe Lidja Ivanova, me të cilën Ana ishte shumë e afërt. Vronski vazhdon ta ndjekë Anën. Ajo në fillim mundohet ta heqë nga vetja por ajo mposhtet nga dashuria për të.
Karenini i thotë Anës për bisedën e gjatë të saj me Vronskin, dhe se ajo po binte shumë në sy të shoqërisë. Pas një kohe ajo bie në dashuri përfundimisht dhe mbetet shtatzënë.
Vronski ndërkohë ka një garë kuajsh, ku merr pjesë me kalin e tij Fru-Fru. Gjatë garës kali i lodhur i vdes aksidentalisht dhe Vronski shpëton me pak lëndime. Aty vërehet frika e shprehur e Anës gjatë rrëzimit të Vronskit, duke bërë që të vërehet fare mirë nga shoqëria. Kjo në libër paraqitet si një pyetje nga shoqëria "Çka nëse?".
Në anën tjetër Kiti me të ëmën shkojnë për shërim në llixhën gjermane. Atje ato takojnë Madam Shtal dhe vajzën e saj të adoptuar Varjenka. E ndikuar nga Varjenka, Kiti fillon të përmirësohet. Dhe kështu ajo kthehet në Moskë.
Pjesa e tretë
Pjesa e tretë parqet jetën e Levinit në fermë jashtë qytetit. Ai mbetet i humbur në mendime se si ai kritikon qytetrimin dhe se si ndihet i gënjyer para të tjerëve. E gjithë kjo atij i ndodh për shkak të atij refuzimi nga Kiti.
Në anën tjetër Stiva e sjell Dollin në fshat tek Levini për shkak të një kontrate për shitjen e drunjëve.
Dolli takon Levinin, dhe mundohet t'i zgjojë përsëri ndjenjat e tij për Kitin. Ajo i tregon se ajo nuk është e martuar. Së pari ajo dështon, por pastaj ajo arrin që ta bindë se Kiti ende e do atë. Në Petersburg, Karenini e bezdis Anën duke refuzuar për t'u ndarë nga ajo dhe e kërcënon se ai nuk do ta lejoj ta shoh më të birin Seriozha deri sa ajo ta lë Vronskin.
Pjesa e katërt
Për Kareninin situata bëhet e padurueshme dhe fillon të ndjekë divorcin. Vëllai i Anës, Stiva, tregon se është kundër kësaj dhe e bind që të flasë me Dollin së pari. Përsëri plani i Dollit del i pasuksesshme, por Karenini ndryshon planet kur dëgjon se Ana po vdes në spitalin e lindjes. Tek shtrati i saj Karenini e fal Vronskin. Vronski i marrosur nga ndikimi i Kareninit tenton vetëvrasje. Megjithatë Ana merr veten, duke lindur vajzën e quajtur Ana (“Ani”). Stiva i lutet Kareninit që të kërkojë divorc. Vronski së pari vendos të fejohet në Tashkent por pastaj prish mendjen kur e sheh Anën dhe largohen në Evropë pa marrë divorcin me vete. Stiva organizon një takim mes Kitit dhe Levinit i cili del i suksesshëm. Ata të dy pajtohen.
Pjesa e pestë
Levini dhe Kiti martohen. Pas disa muajsh, Levini mëson se i vëllai Nikollaj po vdiste. Çifti shkon tek ai dhe Kiti bëhet infermiere deri sa të vdesë. Në Evropë Vronski dhe Ana mundohen të gjejnë shokë të cilët do t'i pranojnë dhe do të mbështesin aktivitetet të cilat do t'i argëtojnë ata, por ata shpejt kthehen në Rusi. Karenini është i ngushëlluar dhe i ndikuar nga mikja e tij Konteshë Lidja Ana. Ana Karenina niset për vizitë të të birit Seriozha e paftuar në datëlindjen e tij, por zbulohet nga burri i saj i zemëruar Karenini. Konteshë Ivanova i kishte thënë Seriozhës se e ëma kishte vdekur. Pas një kohe të shkurtër Vronski dhe Ana largohen nga vendi.
Pjesa e gjashtë
Dolli viziton Anën. Nga kërkesa e Vronskit, ajo i thotë Anës që të kërkoj divorcin nga burri i saj sepse vajza e saj dhe e Vronskit e mban mbiemrin e tij dhe kjo gjë e shqetëson Vronskin. Prapë duket se Dolli del e pasuksesshme, por kur Vronski largohet për pak ditë për shkak të zgjedhjeve provinciale, një mërzi dhe dyshim bën që Ana të kërkojë të martohet me Vronskin. Ajo i shkruan Kareninit ku i lutet që t'i japë divorcin por siç duket është e kotë . Kështu dashuria në mes tyre fillon të zbehet dhe ata vendosin të kthehen në Moskë.
Pjesa e shtatë
Levini dhe Kiti jetojnë në Moskë dhe ajo lind djalë. Stiva, gjersa kërkon një punë nga Karenini, përsëri ia bën të qartë kërkesën për divorc, por Karenini thotë se vendimi është i udhëhequr nga një “mbikëqyrës"- i rekombanduar nga Ivanova – i cili dukshëm e këshillonte ta anulonte. Marrëdhëniet midis Anës dhe Vronskit fillojnë të vyshken. Ata planifikojnë të kthehen në vendin e tyre, por Ana e zemëruar dhe xheloze niset më herët dhe shkon në stacionin hekurudhor ku bën vetëvrasje. (Tolstoj ishte frymëzuar nga gazeta që kishte lexuar për një vetëvrasje).
Pjesa e tetë
Tregimi pas vdekjes se Anës vazhdon. Stiva gjen punën që donte dhe Karenini merr nën mbikqyrjen Anien. Disa vullnetarë rusë, përfshirë edhe Vronskin, i cii nuk kishte ndërmend të kthehej në Rusi, largohen në revoltën serbe të nisur kundër turqve. Dhe, nga gëzimi dhe frika e të qenit baba Levini, zhvillon besimin tek Zoti i Krishterë.
Personazhet
- Ana Arkadjevna Karenina – Personazhi kryesor, motra e Stivës dhe e dashura e Vronskit
- Kont Aleksei Kirilloviç Vronski – I dashuri i Anës
- Princ Stepan Arkadjevitç Obllonski ("Stiva") – Vëllau i Anës
- Darja Aleksandrovna Obllonskaja ("Dolli") – Gruaja e Stepanit
- Aleksei Aleksandroviç Karenin – Burri i Anës
- Konstantin Dmitrieviç Levin ("Kostja") – Burri i Kitit dhe protagonisti tjetër i romanit
- Nikolai Levin – Vëllau i Levinit
- Ekaterina Aleksandrovna Shkerbackaja ("Kitty") – Motra e vogël e Dollit, gruaja e Levinit
- Konteshë Lidia Ivanovna – Kushërira e Kareninit dhe e interesuara në gjërat fetare dhe mistike.
Lufta dhe Paqja , është një roman historik që tregon për ngjarjet e trazuara në Rusi gjatë luftrave të Napoloeonit në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Mbështetur mbi një stil jete aristokratike që tashmë kish filluar të zhdukej gjatë kohës që Leo Tolstoji shkroi librin e tij në vitet 1860, romani përmbledh një periudhë relativisht të shkurtër – pesëmbëdhjet vjet – por paraqet jetët e karaktereve të ndryshëm nga të gjitha segmentet e shoqërisë me detaje të gjalla dhe të mirërealizuara.
Romani pasqyron përballjen e një gjeneratë me ndryshimin, i cili i bën disa që të luftojnë për të mbrojtur strukturën ekzistuese edhe me jetët e tyre, ndërsa të tjerë e kuptojnë se mënyrat e vjetra po zhduken.
Pjesërisht leksione historie, pjesërisht romancë e mrekullueshme, pjesërisht revizionizëm betejash, dhe pjesërisht leksione filozofie, Lufta dhe Paqja vazhdon të mbërthejë gjenerata të tëra lexuesish të cilët joshen me tregimin mbërthyes dhe kuptimin e qartë dhe inteligjent të shpirtit njerëzor.
Në vitin 1852, Haxhi Murati, një nga prijësit më të paepur të maleve, është tmerri i ushtrisë ruse. Rusët u kënaqën kur më në fund ai u dorëzua. Apo pa dashur kishin futur në gjirin e tyre një agjent të dyfishtë?
Me portretet sarkastike që përshkruan – nga Haxhi Murati enigmatik deri te cari i shëndoshë dhe despotik – historia e shkruar nga Tolstoi është një koment i mprehtë dhe i arrirë mbi natyrën e marrëdhënieve politike dhe shteteve në luftë.
Lev Tolstoi (1828 – 1910) është një nga shkrimtarët më të mëdhenj botërorë. Shumë i njohur për romanet e tij epike të shkëlqyera nga ana letrare si "Lufta dhe Paqja" dhe "Ana Karenina", ai trajton në veprat e tij probleme të shoqërisë, politikës dhe traditës ruse.
Koment nga Ismail Kadare
Romani "Haxhi Murati", një nga perlat më të bukura të Leon Tolstojit, ka mbetur romani më i panjohur i tij. Për një kohë të gjatë paradoksi mbeti i pashpjeguar. U desh të shpërthente lufta e egër midis Rusisë dhe Çeçenisë që vëmendja botërore të binte më në fund, mbi perlën e mbuluar nga pluhuri.
"Haxhi Murati" tregon pikërisht një luftë midis rusëve dhe çeçenëve. Një luftë të ndodhur 150 vjet më parë. Zanafillën e një krimi që ende vazhdon. Lev Tolstoji kishte marrë pjesë në luftën e Kaukazit. Gjysmë shekulli më pas, në pleqëri të thellë, në kohën kur çdo shkrimtar synon të shkruajë diçka testamentare, Tolstoji i madh shkroi romanin e fundit të tij, "Haxhi Muratin".
Ishte më shumë se një testament. Ishte testament e profeci bashkë. E ishte sidomos një thirrje që i bëhej ndërgjegjes së ardhme ruse. Vepra mbeti e pabotuar. E vetmja vepër e patriarkut të letrave që u censurua. Rusia cariste, ndonëse kishte hyrë në shekullin e njëzetë, i trembej romanit, që i kujtonte një krim të saj.
Habia më e madhe është se, edhe kur vepra u botua më pas, Rusia sovjetike, ajo që nuk linte rast pa denoncuar perandorinë cariste, për "Haxhi Muratin" mbajti pothuajse të njëjtën heshtje. Kjo tregon se diçka nga perandoria e carëve, nga pjesa më e keqe e saj, vazhdonte të jetonte, e fshehur tashmë nën petkun e komunizmit.
Shefi i kësaj Rusie të re, Stalini, njëlloj si cari i shpërnguli e i shtypi çeçenet gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pas përmbysjes së komunizmit, një Rusi e tretë tashmë, Rusia demokratike, ajo që, me të drejtë, dënonte krimet staliniane, për romanin e Tolstojit, tregoi të njëjtën ftohtësi. Shkaku i ftohtësisë u kuptua kur kjo Rusi e fundit iu sul çeçeneve njëlloj si cari, njëlloj si Stalini.
Një roman kaloi kështu, padashur, në tri epoka, për arsyen e thjeshtë e monumentale ishte sipëran mbi të trija. Tolstoji i madh, me kryeveprën e tij të fundit, vuri në provë të rëndë ndërgjegjen ruse. Për fat të keq, shumica e shkrimtarëve dhe intelektualëve rusë, madje edhe ata, që kishin bërë për flamur liberalizmin dhe të drejtën e njeriut, si Aleksandër Solzhenicini, nuk i qëndruan dot kësaj prove.
Provës nuk po i qëndrojnë dot as disa nga vendet demokratike, të cilët, për interesa të çastit kanë mbyllur sytë përpara tragjedisë së një populli që po shfaroset. Sfida e Tolstojit vjen e merr kështu përmasa planetare.
Koment nga Colm Tóibín
Në veprën e tij, "Haxhi Murati", Tolstoi pasqyron takimin e jashtëzakonshëm midis dy kulturave të polarizuara – oborrin e zgjedhur, të evropianizuar të carit rus dhe prijësit të ashpër mysliman të kodrave çeçene.
Ky trill i shkëlqyer, kumbues nga këndvështrimi kulturor është shkruar rreth viteve të fundit të jetës së Tolstoit, por konflikti që ai përshkruante ka një përqasje të qartë, ironike me çështjet aktuale.
Në këtë libër janë paraqitur tre novela vërtet të mrekullueshme: "Ç'e mban gjallë njeriun", "Tri pyetje" dhe "Zotëria dhe shërbëtori".
Në vitin 1843 shkoi në Universitetin e Kazanit, ku studioi gjuhët orientale. Por pa kaluar shumë kohë, i braktis studimet dhe nis të studiojë për jurisprudencë. Edhe në këtë fakultet i ndërpret studimet dhe në vitin 1847 kthehet në çifligun e vendlindjes. Pas 3 vjetësh regjistrohet në ushtrinë ruse dhe nga viti 1854 – 1855 merr pjesë në luftën e Krimesë si rreshter artilerie.
Gjatë kësaj periudhe shkroi veprat autobiografike "Fëmijëria", "Adoleshenca", "Rinia", "Furtuna" etj. Pas sukseseve të para, vendosi t'i përkushtohej letërsisë. Pas luftës, Tolstoj shkoi në Petërburg. Në vitin 1857 shëtiti nëpër Europë. Gjatë kësaj kohe krijoi lidhje me institucionet arsimore. Kthehet sërish në Rusi dhe hap në çifligun tij një shkollë për fëmijë.
Në vitin 1860 ndërmerr udhëtimin e dytë nëpër Evropë, ku studioi me imtësi institucionet arsimore atje. Në fund të këtyre shkurtimeve, arriti në përfundimin se civilizimi artificial dhe material perëndimor nuk ishte gjë tjetër veçse një arsye që prish natyrën njerëzore. Në vitin 1862 u martua me Sofia Andrejevnën, nga martesa me të cilën pati tre fëmijë.
Pas vitit 1880, Tostoji nisi të kritikonte idetë e pavdekshmërisë së krishtërimit, Kishën Ortodokse, të gjitha sistemet qeverisëse dhe zhvilloi një mendim personal të krishtërimit. Pasi bëri të njohur idetë e veta në artikujt "Kritika e teologjisë dogmatike", "Atëherë ç'duhet të bëjmë" dhe "Sundimi i Hyjit ndodhet brenda nesh", çkishërohet nga Kisha në vitin 1901.
Veprat e tjera të tij si "Vdekja e Ivan Iliçit", "Sonata e Krojcerit", "Haxhi Murati" dhe romani i tij i fundit "Ringjallja" janë vepra të shkruara me po të njëjtin kërkim shpirtëror. Pas vitit 1900, marrëdhëniet e tij me familjen u përkeqësuan për arsye të ideve radikale të tij në lidhje me ekonominë familjare, ndërsa fama e tij mes intelektualëve rusë sa vinte e shtohej. Këto dy ngjarje u bënë shkas për stres dhe zhytjen e tij në një vetmi shpirtërore. Më 7 nëntor 1910 vendos të braktisë familjen. Bashkë me doktorin dhe vajzën e tij të vogël niset për udhëtim. Pak kohë pas udhëtimit, gjendet i vdekur nga malaria në stacionin e trenit Astapov.Etj.
No comments:
Post a Comment