Në analizat e politologëve është thënë shpesh se shqiptarët dhe serbët gjatë historisë janë munduar të manipulojnë me faktorin etnik me qëllim të përfitimeve politike.
Që nga koha e ish-mbretërisë jugosllave ka pasur projekte të ndryshme për ndryshimin e strukturës etnike të Kosovës.
Përqindjet e popullsisë kanë lëvizur varësisht nga zhvillimet në terren, por shqiptarët gjithmonë kanë qenë shumicë e konsiderueshme.
Regjistrimi i parë i popullsisë që u bë pas Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1948, flet se 23 përqind e popullsisë në Kosovë kanë qenë serbë, ndërsa 69 përqind ishin shqiptarë.
Demografët thonë se përqindja më e lartë e popullsisë serbe në Kosovë shënohet në regjistrimin e vitit 1961.
Sipas të dhënave të asaj kohe, 23.6 përqind e banorëve të Kosovës ishin serbë. Demografi Rifat Blaku flet për atë qe ai e quan politikë favorizuese serbe.
"Ndiqej një politikë krejtësisht favorizuese për serbët dhe një politikë diskriminuese, lënie nën margjina dhe si qytetarë të rendit të dytë, për shqiptarët," thekson zoti Blaku.
Ndryshim i strukturës etnike
Historianët ndërkaq thonë se në periudhën prej vitit 1945 deri me 1965 në Kosovë janë sjellë rreth 64.000 qytetarë me prejardhje sllave.
Struktura e popullsisë në Kosovë filloi të ndryshonte pas vitit 1966, e posaçërisht pas nxjerrjes së Kushtetutës të vitit 1974, e cila u jepte shqiptarëve gati të drejta të barabarta me popujt e tjerë në Jugosllavi.
Zoti Blaku thotë se disa serbë, duke mos u pajtuar me barazinë etnike, filluan të shpërngulen nga Kosova.
Struktura nacionale e popullsisë në vitin 1981 në Kosovë ishte: shqiptarë 77,4%, serbë 13,2%, malazezë 1,7% dhe turq 0,8%.
Azem Vllasi ka qenë funksionar i lartë në ish-Jugosllavi. Ja çfarë thotë ai për shpërnguljen e serbëve nga Kosova në vitet 70-të e 80-të.
"Atëherë nga propaganda dhe politika serbe thuhej se po shpërngulen serbët për shkak të presioneve të shqiptarëve, mirëpo të gjitha analizat që bëheshin atëherë tregonin se shpërngulja më e madhe e serbëve nga Kosova ndodhte për arsye ekonomike", thotë zoti Vllasi.
Politikani serb i Kosovës, Momçillo Trajkoviq, thotë se arsyet e shpërnguljes së serbëve nga Kosova kanë qenë jo vetëm të natyrës ekonomike, por edhe politike.
"Në vitin 1981 edhe pse shqiptarët kanë patur pothuajse shtetin e tyre, sipas Kushtetutës së vitit 1974, proceset në Kosovë kanë qenë mjaft të rënda, ka patur shpërngulje të mëdha të serbëve.
Sigurisht që shpërnguljet janë bërë për shkaqe ekonomike, por edhe nën presionin e shqiptarëve, sepse njëra nga tezat e tyre ka qenë se Kosova do të bëhet republikë vetëm nëse do të ketë sa më pak serbë, sepse atëherë ka qenë e rëndësishme përqindja e popullsisë për t'u realizuar kërkesa për shkëputjen e Kosovës nga Serbia dhe Jugosllavia, përkatësisht që Kosova të jetë Republikë në kuadër të Jugosllavisë së atëhershme", u shpreh njëri nga udhëheqësit komunistë të Kosovës, Momçillo Trajkoviq.
Zoti Trajkoviq thotë se komunistët në Beograd nuk kanë mundur të parandalojnë shpërnguljen e serbëve nga Kosova.
"Më 1983-84, domethënë pas vitit 1981, kur u mbajtën demonstratat e shqiptarëve, filloi buja serbe. Serbët kërkonin ndërprerjen e kësaj politike.
Në një lëvizje të tillë, ekzistonin opsione të ndryshme, prej atyre që kanë patur qëllimin më të mirë, që të parandalohej shpërngulja e popullsisë.
Një qasje të tillë e kishin edhe komunistët shqiptarë. Ata thonin se kjo shpërngulje duhet të ndalet dhe atëherë flitej për kthimin e atyre që ishin zhvendosur për shkak të presionit.
Një ambient të tillë e kanë shfrytëzuar lëvizje të ndryshme ideologjike edhe në Beograd, edhe në Serbi, duke krijuar mundësinë që gjërat të komplikohen më shumë", deklaroi Momçillo Trajkoviq, njëri nga ish- funksionarët serbë në Kosovë.
Pas rrënimit të autonomisë së Kosovës në vitin 1989, pushteti serb filloi zbatimin e projekteve për popullimin e Kosovës me serbë. Për këtë qëllim ndërtoi të paktën pesë vendbanime kolektive, duke vendosur edhe mbi një mijë serbë dhe malazezë të Shqipërisë në Kosovë.
Gazetari Zenun Çelaj jep hollësi të këtyre projekteve.
"Serbia hartoi plane për rikolonizimin e Kosovës dhe hartoi plane për ndërtimin e vendbanimeve për ata serbë. Ato gjurmë i kemi edhe sot afër Vushtrrisë, Gjakovës dhe në ato pjesë ku popullsia ishte më e pastër etnikisht, Serbia donte të fuste serbë. Në Deçan ata erdhën me numër të kufizuar dhe u larguan natyrisht kur shpërtheu lufta", thotë gazetari Çelaj.
Dëshmitarët e kësaj periudhe thonë se serbët që ktheheshin nga Serbia në Kosovë pas viteve të 90-ta kishin privilegje të mëdha. Atyre u sigurohej një vend pune, u jepej banesë apo ndonjë parcelë, kredi afatgjata pa kamatë si dhe përfitime të tjera, ndërkohë që shqiptarët largoheshin dhunshëm nga vendet e tyre të punës. Edhe avokati Azem Vllasi, ish-shef i partisë në Kosovë, thotë se në dekadën e fundit të shekullit të kaluar, kishte lëvizje të mëdha të serbëve që vinin nga republikat ish-jugosllave në Kosovë.
"Prej vitit 1990 deri më 1999 prej të gjitha pjesëve të Serbisë dërgoheshin njerëz në Kosovë në shërbim policor, në administratë apo punë të tjera dhe ishin të detyruar që, nëse shërbenin dy muaj në Kosovë, ta paraqisnin vendqëndrimin këtu", deklaron z.Vllasi.
Sipas historianëve lufta në Kroaci dhe përndjekjet e serbëve nga atje, reflektuan në ndryshimin e strukturës etnike në Kosovë. Sipas të dhënave statistikore, brenda një kohe të shkurtër në Kosovë, u vendosën rreth 14 mijë serbë të ardhur nga Kroacia e Bosnja. Ish-presidenti serb, Sllobodan Millosheviq, po planifikonte të sillte në Kosovë edhe mijëra serbë të tjerë. Por e gjithë kjo u ndërpre për shkak të konfliktit të fundit.
Tërheqja e forcave ushtarake e policore të Serbisë nga Kosova morri me vete edhe një valë të madhe të refugjatëve serbë. Disa prej tyre u dëbuan, ndërsa një numër syresh u larguan nga frika e hakmarrjes së shqiptarëve. Kjo bëri që të ndryshojë pasqyra etnike e Kosovës, këtë herë në dëm të serbëve.
Milivoje Janiçeviq, rreth të gjashtëdhjetave, është njëri nga të zhvendosurit serbë nga Kosova. Zoti Janiçeviq bashkë me familjen e tij 11 anëtarëshe tani jeton në Batoçinë, një qytezë afër Kragujevcit në Serbi.
"Fqinjët kanë ardhur të më thonë që të largohem për 2-3 ditë, unë kam shkuar nga Kaçaniku në Ferizaj dhe aty kam qëndruar tre ditë, prej aty na kanë dëbuar pastaj. Përndryshe në Kacanikun e Vjetër, jam rritur me shqiptarë dhe nuk kam patur kurrë probleme. Jam nisur në Serbi. Nuk kam dashur të largohem sepse në Serbi nuk kam pasur askënd të familjes. Kam shkuar pa dëshirë", shprehet ai.
Shtëpia e Milivoje Janiçeviqit në Kaçanikun e Vjetër është shkatërruar pas luftës në Kosovë. Ky qytetar serb thotë se serbët ia kanë vrarë vajzën e tij, e cila punonte si infermiere në Kosovë në kohën e luftës. Zoti Janiçeviq thotë se traumat që ka pësuar gjatë periudhës së konfliktit, e pengojnë të kthehet për të jetuar në Kosovë.
"Unë do të isha kthyer në Kosovë, sikur ta kisha vajzën gjallë, por atë e kanë vrarë njerëzit tanë, serbët. Çka të them më shumë", deklaron z.Janiqeviq.
Autoritetet në Kosovë nuk kanë shifra të sakta që flasin për numrin e të zhvendosurve serbë në periudhën e pasluftës. Zyrtarët në Beograd kanë thënë së numri i të shpërngulurve serbë nga Kosova ishte rreth 250 mijë. Por këto të dhëna janë hedhur poshtë nga zyrtarët vendorë e ndërkombëtarë në Prishtinë.
Fatmir Sheholli është zëdhënës në Ministrinë për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës.
"Rreth 160 mijë serbë të zhvendosur nga Kosova janë në Serbi. Në Mal të Zi kemi gjithsej rreth 17 mijë të zhvendosur, prej tyre 60 përqind janë serbë, pra në Mal të Zi gjenden nëntë deri në dhjetë mijë serbë", thotë z.Sheholli.
Qeveria e Kosovës dhe donatorët ndërkombëtarë kanë dhënë miliona euro për kthimin e serbëve të zhvendosur, por rezultatet janë shumë të vogla. Kjo për shkak të politizimit të çështjes së kthimit nga ana e Beogradit, thotë zëdhënësi i Ministrisë për Kthim dhe Komunitete, Fatmir Sheholli.
"Arsyet për këtë duhet t'i kërkojmë kryesisht në mosbashkëpunimin dhe në aspektin e asaj që Beogradi zyrtar nuk ka dashur të punojë në koncept të mirëfilltë të kthimit të të zhvendosurve, por ka politizuar shumë me këtë çështje", vlerëson ai.
Situata e pasluftës në Kosovë ka ndikuar edhe në lëvizjen e brendshme të popullsisë serbe. Mijëra serbë që janë zhvendosur nga pronat e tyre në pjesë të ndryshme të vendit, pas vitit 1999 janë përqëndruar në Kosovën Veriore, ku aktualisht përbëjnë shumicën e popullsisë. Ata kanë ruajtur lidhjet e tyre me Beogradin zyrtar, kanë organizuar institucione paralele, ndërsa janë distancuar nga strukturat legjitime të Kosovës.
Kosova është i vetmi vend në Evropë ku nuk ka pasur një regjistrim të popullsisë për më shumë se 25 vjet, kështu që askush nuk e di me saktësi se sa banorë ka ajo. Por bazuar në regjistrat që janë bërë për zgjedhjet në Kosovë, besohet se përqindja e popullsisë aktualisht është mbi 90 përqind shqiptarë dhe më pak se 10 përqind të tjerë, duke përfshirë këtu edhe serbët që përbëjnë pjesën dërmuese të këtij dhjetë përqindëshi.