Skip to main content

Pse i kanë harruar televizionet tona rilindasit tanë të mëdhenj

 

Pse i kanë harruar televizionet tona rilindasit tanë të

 “Një epokë quhet e errët, jo se drita nuk shkëlqen, pohonte Jemes A. Michener                            (Anëtar i misionit britanik), por sepse njerëzit refuzojnë ta shikojnë atë”. Kjo sentencë merr një vlerë të madhe, veçanërisht për ne shqiptarët, kur, duke kujtuar faqet e historisë sonë, sjellim ndërmend epokën e Rilindjes Kombëtare, që pati lindur si lëvizje kombëtare për çlirimin nga robëria turke dhe si lëvizje e madhe kulturore, që do ta frymëzonte luftën e shqiptarëve për liri, që nga fillimi i shekullit XIX deri në ditën e shpalljes së pavarësisë. Kjo kishte të bënte me parullën lapidare të rilindasve tanë të mëdhenj, me thirrjen e tyre: “Me pushkë e penë për mëmëdhenë”. Ky ishte zëri i rilindasve tanë të mëdhenj Jeronim De Radës, Gavril Dara i Riu, Zef Serembe, Naim Frashërit, Andon Zako Çajupi, Ndre Mjeda, Aleksandër Stavre Drenova (Asdreni), Risto Siliqi e të tjerë, zë që gjëmoi fort krahas krismave të armëve të shqiptarëve në vitet e rënda të robërisë turke. Ky zë jehonte si krismat e pushkëve të atdhetarëve shqiptarë, kur Naim Frashëri thërriste nga thellësia e shpirtit të tij: “Ti, Shqipëri, më ep nder, më ep emrin shqiptar/ Zemrën ti ma gatove plot me dëshirë e me zjarr”. Ky zë jehonte kur Naimi ynë i madh, këndonte për “malet e lartë”, që përpinin “qiejt e retë” për “çuka, kodra dhe pyje të gjelbëruar” e kur Çajupi, pasi thërriste se “Shqipërinë e mori turku, i vu zjarr”, lëshonte kushtrimin:

        “Merrni pushkët në duar

        Edhe bëni besa-besë:

        Shqipëria do shpëtuar

        Këmbë turku të mos mbesë”!

                (“Historia e Letërsisë së Rilindjes”, v. II, f. 440)

   Ky zë do të dëgjohej fort gjatë gjithë gjysmës së dytë të shekullit XIX. Do të dëgjohej ky zë edhe kur ideologu i shquar i rilindjes kombëtar, Sami Frashëri, u tregonte bashkatdhetarëve të vet se “Liria është thelbi i shpirtit dhe i mendjes”; se “aty ku s`ka liri, mendja dhe shpirti thahen si bima pa ujë”. Ky zë do të ngrihej edhe më lart në vitet e para të shekullit XX, kur rilindasi i shquar Mihal Grameno lëshonte zërin kushtrim për gjithë shqiptarët:

     “Poshtë rob`rija! Posht` errësira,

     Që po përdorin armikët sot!

     Njëri me kisha, tjetri me xhamia;

     Jemi vëllezër, s`na ndajnë dot”!       

   Këtë zë do ta përcillte edhe Asdreni ynë i madh, jo vetëm kur do të shkruante tekstin e Himnit tonë Kombëtar, të cilin ka rrezik të mos e njohin shumë nxënës të shkollave të mesme, po edhe kur, si Mihal Grameno, do t`u drejtohej bashkëkombasve të tij me vargjet, që tingëllojnë aktualë edhe në ditët tona:                        

     “Gegë e toskë, vëllazën jemi,

     Te dy bashkë një emër kemi

     Dhe një fat në këtë botë:

     Shqiptarë jemi, fjala thotë”.

                             (“Vepra”, f. 277)

   Dhe duket se i paharruari Naim Frashëri nuk u fliste vetëm bashkëkohësve të vet, por gjithë pasardhësve, kur shkruante: 

     “S`jemi as turq as kaurrë,

     Mos e thoni këtë kurrë!

     S`jemi grekër as bullgarë,

     Jemi të gjithë shqipëtarë”!                                                          

                            (Vepra të zgjedhura, I, f. 227)

   Sikur televizionet shqiptare, në vend të reklamave të stërpërsëritura e, shpesh herë edhe bajate, të përcillnin në programet e tyre emisione të ndryshme për veprat e rilindasve tanë, si veprat “Shqipëria ç`ka qenë, ç`është e ç`do të bëhet” të Sami Frashërit, “Historia e Skënderbeut” e Naimit a nga sonetet e famshme të rilindasit Ndre Mjeda në vëllimin poetik “Juvenilja”, do t`u servirnin shqiptarëve të ditëve tona jo vetëm të vërteta të mëdha historike, por edhe vlera të mëdha artistike, që do të ndikonin fuqishëm në botën e tyre shpirtërore të tyre. Se kishte të drejtë shkrimtari Ismail Kadare i viteve të socializmit, kur shkruante me zemërim:           

     “Pështyj mbi sensacionet e përtej detit,

     Mbi yj e supëryj e gjithë ç`janë;

     Të gjitha këto dinjitetin

     E një are me grurë nuk e kanë”

   Se, për fat të keq, rrallë po i dëgjojmë në ditët tona zërat e rilindasve tanë për bashkim kombëtar; rrallë po i dëgjojmë vargjet e Ndre Mjedës: “Geg`e toskë, malci, jallia,/ Janë nji komb, m`u da s`duron!/ Fund e majë nji asht Shqipnia/ E nji gjuhë t`gjithë na bashkon”, e kur Gjergj Fishta lëshonte kushtrimin: “Mblidhi bashkë si kokrra n`shegë”! Por ja që disa nga televizionet tona nuk para i pëlqejnë ca ide demokratike dhe emancipuese të rilindasve tanë të mëdhenj. Se duket si pabesueshme, por është një e vërtetë e hidhur, që, “për qefin” e ndonjë prej televizioneve tona, Artisti i Popullit Reshat Arbana, duke recituar fragmente nga vjersha madhore “O moj Shqipni” të Pashko Vasës, jo vetëm kalon pa e recituar distikun “Priftët e hoxhët u kanë hutue,/ Për me u da, me u vorfnue”, por, çuditërisht, shmang strofën lapidare:

   “Çoniu, shqyptarë, prej gjumit çoniu,

   Të gjithë si vllazën në nji besë shtrëngoniu,

   Dhe mos shikoni kisha e xhamia,

   Feja e Shqiptarit asht Shqiptaria”.  

                                         (Vepra letrare 1, f. 39)

   Se nuk kanë qënë komunistët ateistët e parë të kësaj bote, po filozofët e mëdhenj të epokave të ndryshme, përpara se të lindte doktrina komuniste. Se nuk ishte komunist as Rilindasi ynë Sami Frashëri, kur u kishte folur gjithë shqiptarëve të kohës kur jeto: “Shqiptar i vërtetë e i mirë është ai që vë gjithnjë kombërinë përpara fesë. Nuk ka vëllezër ata që ka në besën (besimin) e tij, por ata që ka në kombëri të tij”. Se komunist nuk ishte as matematikani e poeti i famshëm arab Omar Khajam, i cili në Rubairat e tij, të përkthyera nga kryeprifti ynë, Fan S. Noli, shkruante:

     “Xhami e kish` e tempull: Robëri!

     Këmban` e minare: Një batërdi

     Dërvish e prift e hoxh` e kryq e hënë,

     Pengesa që të gjitha për Liri”!

                                (“Rubairat”, f. 50)

   Gjithsesi, duke e lënë mënjanë fenë, çdo televizion shqiptar do t`i bënte nder vetës, po edhe kombit tonë, po të përcillte në ndonjë nga emisionet e tij fjalët lapidare të rilindasit tonë të madh Jeronim De Rada, që janë shënuar në faqen 3 të librit të tij “Flamuri i Arbrit”, ku ai thotë : “Unë do të rroj gjersa të shoh të bukurën, të dashurën, Shqipërinë të lirë dhe të madhe e pastaj me gëzim le të më vijë vdekja”.

*Autor i 23 librave poetikë, publicistikë, historikë e gjuhësorë

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas   Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas   Mehmet Bislimi Ekskluzivisht për   www.sa-kra.ch LIRIKAT E FJETURA Shkarko falas Renato Kalemi DYMBËDHJETË (tregime nga teatri  i absurdit) Shkarko falas   Begzat Rrahmani TROKU I KALIT TË ZI Shkarko falas   Arjan Th. Kallç0 ËNDRRAT THYEHN SHPEJT Shkarko falas   Nase Jani GRUAJA NË KAFAZ Shkarko falas   Rhonda Byrne FORCA Shkarko falas   Adem Zaplluzha Ekskluzivisht për   www.sa-kra.ch KRAKËLLIMAT E NATËS Shkarko falas   Adem Zaplluzha Ekskluzivisht për   www.sa-kra.ch DRURI I PIKËLLUAR Shkarko falas   Adem Zaplluzha Ekskluzivisht për   www.sa-kra.ch LOTI I GOTËS SË DEHUR Shkarko falas   Xhevat Hasani Ekskluzivisht për   www.sa-kra.ch NJË JETË NË SHËRBIM TË LIRISË - KUSHTUAR NASER HANIT Shkarko falas   Adem Zaplluzha Ekskluziv

Ese për Vitin e Ri

Viti i ri, festa ime e preferuar, eshte njera prej diteve me te festuara ne bote. Dita eshte e zbukuruar me kostume te bukura dhe me tradite. Secili popull e feston vitin e ri ne menyren e vet. Ne festojmë Vitin e Ri në 31 dhjetor. Kjo është festë e madhe. Ne blejmë rroba të reja dhe gjëra të reja. Ne e vendosim pemën e Vitit të Ri në një cep të shtëpisë sonë. Prindërit blejne dhurata për ne. Ne vendosim mbulesë tavoline dhe e vënë shumë gjëra të shijshme në të. Të tilla si tortë me fruta të ndryshme dhe përgatisim ushqime të ndryshme. Dhe njeri nga familja ime veshin kostumin e Babadimrit. Ne fikim dritën dhe bërtasim Gezuar Viti i Ri tri herë vetëm për argëtim. Ne këndojmë këngë, luajmë lojra, valle dhe kemi shumë kenaqesi. Në qoftë se bie borë bëjmë dordolec prej dëbore dhe në hundën e tij vëmë karrota ose luajmë me topa bore. Por zakonisht koha është e ngrohtë dhe nuk ka borë. Pastaj ne hedhim fishekzjarre jashtë dhe dëgjojmë tingujt me zë shume te lartë.Tingujt e krismave,

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Vërtetësinë e Mujit dhe Halilit në fshatin Marinë nuk e konteston askush. Gurët e këtyre kreshnikëve, që gjenden në këtë fshat, janë krenaria dhe njëkohësisht burimi i një frike të vjetër. Sipas banorëve, ata që janë munduar të ndryshojnë vendin apo formën e gurëve të Mujes dhe Halilit, sot nuk jetojnë më. Legjendat Muji dhe Halili, të cilët kanë jetuar vetëm në imagjinatën e shkrimtarëve, janë ringjallur në një fshat të Drenicës. Në telin e Lahutës, ata edhe më tutje shkulin lisa dhe peshojnë shkëmbinj. Muji dhe Halili kanë qenë dy malësorë që kanë pasur fuqi mbinatyrore. Ata, sipas legjendës, ishin shtatgjatë, muskulorë dhe me mustaqe të gjata. Madje, fshati Marinë i Drenicës ka një lidhje shumë të veçantë me këta dy malësorë. Këtë lidhje e bëjnë më të fortë dhe të prekshme tre gurë të mëdhenj, të cilët qëndrojnë afër shkollës së fshatit. Brez pas brezi në Marinë me rrethinë tregohen legjenda se si këta gurë janë peshuar nga duart e Mujës dhe Halilit. Ndërsa profesor