Akademik Prof.dr.Eshref Ymeri
Kryeservili i
serbosllavizmit
Në Portalin “Voal” të ditës së sotme, 24 gusht, lexova shënimin me titull “Rama për Bregoviçin: Muzikant i jashtëzakonshëm, ata që e sulmojnë janë
kategoria më e ulët njerëzore”.
Në këtë shënim, lexuesit me vetëdije të
lartë kombëtare, njihen me përpjekjet e dëshpëruara të Ramës për t’u prezantuar
shqiptarëve një tjetër Bregoviç, i cili, sipas tij, na përfaqësuaka “simbolin”
e bashkëjetesës së popujve në gadishullin tonë. Me sa duket, Ramës nuk i paska
bërë fare përshtypje Eseja e shkëlqyer e gazetarit dhe e publicistit të
talentuar Skënder Buçpapaj, me titull “Ftesa
për Bregoviçin është politike”, e botuar po në Portalin “Voal”, të datës 18 gusht. Mbështetur në
fakte konkrete, autori i ka bërë “rezonancën
magnetike” figurës së Goran Bregoviçit, i cili, siç theksohet në Esenë në
fjalë, “është tashmë zyrtarisht Hero
i Popullit i Serbëve, pra, ai vjen në këtë veprimtari si hero i popullit të
tij. Ai është fare i freskët nga marrja e Urdhërit të Yllit të
Karagjorgjeviçit, dekretuar e dorëzuar nga presidenti Aleksandër Vuçiç. Lexojmë
te zëri përkatës enciklopedik se ky urdhër është dekorimi më i lartë civil dhe
ushtarak i Serbisë. U themelua në Mbretërinë e Serbisë dhe fillimisht iu dha
ekskluzivisht qytetarëve serbë në këmbim të shërbimeve të kryera ndaj monarkisë
serbe, popullit serb dhe shtetit serb”.
Në të
njëjtën kohë, autori i nderuar i Esesë, i ka bërë “rezonancën magnetike” edhe vetë Ramës, mikut të përzemërt të
Bregoviçit, duke theksuar:
“Vështirë të gjejë shpjegim tjetër inferioriteti i Ramës ndaj
Bregoviçit, kur kryeministri i Shqipërisë, prej 24 vjetësh në pushtet e prej 31
vjetësh në politikën aktive, nisur nga statistikat e internetit, është
dymbëdhjetë herë më i famshëm se i ftuari i tij në festivalin e Korçës. Ndërsa
Vuçiçi, sipas këtyre statistikave, është dhjetë herë më i famshëm se
Bregoviçi.Nga ata fëmijë të çmeritur të Bllokut dhe të periferive të tij, që iu
ka mbetur i rrënjosur në tru Bregoviçi dhe jugosllavi i viteve 1970 e 1980,
mund të jetë kryeministri aktual i Shqipërisë”.
Domosdo, duke qenë vetë
viktimë e kompleksit të inferioritetit, Rama e ka truallin të gatshëm për të
qenë inferior ndaj të huajve, të cilët, në rastin konkret, për mjerimin e tij,
janë armiq të kombit shqiptar.
Sepse Bregoviçi,
paçka se nuk ka vrarë shqiptarë me dorën e vet,
nuk ka ndonjë dallim nga kriminelët serbë, për të cilët ka kënduar, këndon, ka
ushqyer dhe vazhdon të ushqejë simpati nën maskën e neojugosllavit.
Duke
provokuar rëndë Prishtinën me ftesën që i bëri Bregoviçit, Rama dëshmoi fare
shkoqur se është një kryeservil i regjur i serbosllavizmit, se është përçarës
shembullor i kombit shqiptar, se është vazhdues i sprovuar i trashëgimisë
serviliste të kryekriminelit të popullit shqiptar Enver Hoxha, i cili, siç
dëshmon intelektuali i njohur me brumosje të admirueshme nacionaliste,
inxhinieri kimist nga Çamëria, Sali Bollati, kishte dhënë porosi që, në librin
e Abetares së fillores në vitet
1945-47, në faqen e parë, të botohej fotoja e mareshalit Tito, e shoqëruar me
vjershën:
Tito luftëtar,
Tito Çlirimtar,
Tito Shpëtimtar i Popullit Tonë!
Ashtu si
kryekrimineli Enver Hoxha, i cili, i brumosur deri në pore me kryeservilizmin e
pështirë ndaj Titos, s’e kishte për gjë të shkelte mbi gjakun e dëshmorëve që
dhanë jetën për çlirimin e vendit, edhe Rama s’e ka për gjë t’i fyejë rëndë të
gjithë shqiptarët atdhetarë që ishin kundër ftesës për Bregoviçin dhe t’i
vlerësojë ata si “kategoria më e ulët njerëzore”.
Të gjithë ata bashkëkombas
të nderuar dhe të respektuar, që Rama i fyen publikisht për qejfin e Vuçiçit
dhe të këngëtarit të tij, të cilin e ka dekoruar me dorën e vet, të mos e
ndiejnë veten aspak të fyer. Përkundrazi, duhet ta ndiejnë veten krenarë. Le të
lexojnë materialin e avokatit, shkrimtarit dhe publicistit të njohur Ilir
Malindi, me titull “Edi Rama një i sëmurë psikik tepër
i rrezikshëm. Ka diagnozën “skizofren agresiv”” (Faqja e internetit “Albaniapress”. 26 maj 2020). Le të
lexojnë, gjithashtu, artikullin bukur të goditur, me autor A. Morina, me titull
“Edi
Ramës i vjen një ‘goditje’ e rëndë: Ti je turp kombëtar, mohove gjenocidin serb
mbi shqiptarët” (Faqja e internetit e gazetës “Bota Sot”. 24 gusht 2021).
Feniks, Arizona
gusht 2021