Gjatë parashtrimit të programit të
qeverisë, Rama deklaroi se “një nga synimet kryesore të qeverisë
është rritja e pagës minimale nga 30 mijë lekë të reja në 40 mijë lekë të reja
deri në fund të mandatit” (Citohet sipas: “Rama: Deri në fund të mandatit, paga minimale do të shkojë nga 30 në 40
mijë lekë të reja”. Faqja e internetit “Lapsi.al”. 16 shtator 2021).
Sa i lezetshëm
ky Rama! Se nuk e dimë nëse e ka me të vërtetë kur bën premtime të tilla, apo
ka qejf të bëjë shaka për të mashtruar me marifet. Lexuesit e nderuar le të
kthehen prapa në kohë dhe të kujtojnë premtimin e Ramës gjatë fushatës
zgjedhore të vitit 2013, kur ai vuri në lëvizje të gjithë armatën e jeniçerëve
të vet dhe poshtë derës së familjeve shqiptare rrasi një fletëpalosje me
premtime të bujshme. Po ndalem vetëm në
premtimin për uljen e tvsh-së së energjisë elektrike. Në atë fletëpalosje Rama
premtonte se tvsh-në e energjisë elektrike do ta ulte nga 20% në 06%. Rrjedha e
ngjarjeve vërtetoi se Rama mashtroi pa iu dridhur qerpiku: ai jo vetëm që nuk e
uli absolutisht tvsh-në në fjalë, por, përkundrazi, më 01 shkurt 2015, çmimin e
energjisë elektrike e rriti nga 7,5 lekë në 9,5 lekë për kwh. Po a e dinte Rama
se pas rritjes së çmimit të energjisë elektrike cilat do të ishin pasojat që do
të binin mbi pensionistët e varfër me një pension prej 7000 lekësh të reja në
muaj? Ja një rast me pasoja tragjike:
“E moshuara 91 vjeçare nga
fshati i Mirditës, Barbulla Pepa, e cila jetonte në kushte të varfërisë
ekstreme, krejt e vetme dhe pa energji elektrike, është ndarë sot nga jeta…
Ajo, që rreth një muaj më parë i kishte apeluar Qeverisë që ta bënin me energji
elektrike, nuk mundi që ta përballojë këtë dimër krejt e vetme. Kanë qenë
fqinjët që e kanë gjetur atë pa shenja jete brenda banesës së saj, që vetëm
emrin e kishte të tillë. Institucionet nuk i kishin dalur asaj në ndihmë, bile
ia kishin këputur energjinë elektrike, duke e lënë plakën në terr” (Citohet sipas: “Vdes nga të ftohtit plaka në Mirditë, që
institucionet e kishin lënë në terr”. Faqja e internetit “portalionline”. 10 dhjetor 2015).
Gjatë këtyre
tetë vjetëve në pushtet, Rama e shtoi varfërinë deri në atë shkallë, saqë më
shumë se gjysmë milioni njerëz u detyruan të braktisin vendin. Në televizionin
kombëtar RTSH, drejtoresha e INSTAT-it pati deklaruar se “nga 2013 e deri në shtator 2020 janë larguar zyrtarisht 610 mijë
shtetas” (Citohet sipas: Flamur Hoxha. “Të
prekësh me dorë dëshpërimin në Kukës”. Faqja e internetit “Fjala e Lirë”. 01 prill 2021).
Sot, për shkak të politikës varfëruese të
Ramës, një qytetari të thjeshtë, sikur të mjaftohej vetëm me dy vakte ushqimi përshesh
me kos në ditë, i duhet të shpenzojë 6000 lekë të reja në muaj.
Sikur Rama të
ishte i sinqertë në premtimet e veta, pagën minimale prej 40 mijë lekësh le ta
ngrinte para zgjedhjeve të 25 prillit, duke ndjekur shembullin e Kryeministrit
Berisha, i cili, gjatë fushatës për zgjedhjet politike të 28 qershorit 2009, rrogat
dhe pensionet i rriti me 10% që më 1 maj. Rama s’mund ta bënte dot një gjë të
tillë se yll karvani ka psikologjinë e mashtrimit. Për pensionistët, të cilëve
Kryeministri Berisha ua shtonte pensionin jo më pak se 4% në vit, Rama s’e tha
absolutisht as edhe një fjalë të vetme para Kuvendit.
Po çfarë
premtimesh të tjera bëri Rama gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2013, premtime
që rezultuan mashtrime të kulluara? Në një material, të botuar rreth pesë muaj
më parë, thuhet:
“Premtime të tjera të vitit 2013 ishin: “Do të heqim taksën 20% për
bukën, do ta heqim taksën për qumështin, do ta heqim taksën 20% për vezën, për
miellin, për vajin, për sheqerin, dhe orizin”. Sot e kësaj dite, kjo gjë nuk ka ndodhur dhe tvsh-ja e ushqimeve është
20%” (Citohet sipas: Eljona
Ballhysa. “Premtimet e reja të Partisë Socialiste dhe
një rrugëtim në premtimet e parealizuara të 8 viteve”. Faqja e internetit “portvendore.al”. 05 maj 2021).
Para Kuvendit, Rama bëri edhe një tjetër
premtim prej kryeministri hipokrit. Ai deklaroi:
“Qershorin e vitit tjetër do të hyjë në fuqi
ndalimi i përdorimit të qeseve plastike që janë kthyer në një makth” (Citohet
sipas faqes së mësipërme të portalit “Lapsi.al” të datës 16 shtator 2021).
Si nuk i vjen zor këtij Ramës, xhanëm, që deklaron
gënjeshtra të tilla nga njëri mandat te tjetri. A nuk ishte vallë ky Rama, i
cili, me gojën e ministrit të turizmit Blendi
Klosi, në mandatin që kaloi pati deklaruar se ndalohej prodhimi i qeseve
plastike? Në njërën nga faqet e internetit të qeverisë gjatë atij mandati,
thuhej:
“Nga korriku i këtij viti
do të ndëshkohet çdo biznes që prodhon, importon apo tregton qese plastike.
Vendimi i Këshillit të Ministrave është prezantuar nga ministri i Turizmit dhe
Mjedisit, Blendi Klosi, gjatë takimit me grupe interesi, prodhues dhe importues
të qeseve plastike” (Citohet sipas: “Shqipëria ndalon prodhimin, importimin,
tregtimin e qeseve plastike”. Faqja e internetit “turizmi.gov.al”.
09 maj 2018).
Me sa duket, Rama ka krijuar bindjen e patundur se ose populli
shqiptar e ka kujtesën të shkurtër, prandaj e gënjen, e mashtron si pa gjë të
keqe, ose populli shqiptar atë e do edhe më shumë kur e gënjen dhe e mashtron
më shumë. Se cila është e vërteta, këtë duhet ta sqarojnë analistët-psikologë,
edhe me ndihmën e specialistëve të neuropsikiatrisë. Se të premtosh më shumë se
tre vjet e gjysmë më parë për ndalimin e prodhimit dhe të importimit të qeseve
plastike dhe një premtim të tillë ta përsëritësh edhe në fillim të mandatit të
tretë, ky është një mashtrim skandaloz që i bëhet mbarë opinionit publik. Por
s’kemi ç’bëjmë. Elektorati socialist, që përbën shumicën e votuesve, e ka qejf
mashtrimin e Ramës, prandaj edhe Ramën vazhdon ta mbajë në krye të partisë.
Sepse varfëria i është bërë pjesë përbërëse e jetës së përditshme, se udhëhiqet
nga parimi “i varfër, por me Ramën në
krye”. Le ta gëzojnë. Elektorati socialist është trashëgimtar i
pararendësve të vet komunistë, të cilëve kryekrimineli Enver Hoxha u pati
premtuar në fillim se do të hanin me lugë floriri dhe në vitet ’80 e panë me
sytë e tyre se në ç’varfëri të tmerrshme i katandisi.