Parathënie
Ky fjalor frazeologjik frëngjisht-shqip që po i jepet në dorë lexuesit,
është i katërti fjalor dygjuhësh i këtij lloji që ka dalë nga pena e prof.
Eshref Ymerit. I botuar vetëm dy vjet pas daljes së “Fjalorit frazeologjik
anglisht-shqip”, ai është dëshmi e intensitetit me të cilin është punuar për
hartimin e tij. Siç e kemi vënë në dukje në një rast tjetër, lëndën e shqipes
profesori e ka nxjerrë nga korpusi i pasur i frazeologjizmave, i krijuar prej
tij duke vjelë shprehjet frazeologjike (frazemat) nga fjalorët shpjegues e
frazeologjikë të shqipes dhe nga rreth 500 vepra artistike e publicistike. Edhe
masën më të madhe të frazemave të frëngjishtes ai e ka nxjerrë gjatë viteve kur
punonte për hartimin e “Fjalorit frazeologjik rusisht-shqip”, kohë gjatë së
cilës - në mungesë të fjalorëve shpjegues e frazeologjikë shqip ose të
fjalorëve frazeologjikë gjuhë e huaj - shqip
- për t’u gjetur frazemave të rusishtes barasvlerës sa më të afërt
shqip, qe i detyruar të qëmtonte fjalorët e anglishtes, të italishtes e të
frëngjishtes për të parë ç’frazema të këtyre gjuhëve u përgjigjeshin frazemave
të rusishtes. Ka qenë një punë fort e mundimshme e cila ka zgjatur disa
dhjetëvjeçarë, por që ia lehtësoi autorit barrën e hartimit të fjalorëve
frezeologjikë italisht-shqip, rusisht-shqip, anglisht-shqip dhe, më në fund,
edhe të “Fjalorit frazeologjik frëngjisht-shqip”. Inventarin e shprehjeve
frënge e ka pasuruar më tej z. Sefulla Kata, specialist i frëngjishtes,
bashkautor i Fjalorit, i cili, veç kësaj, ka verifikuar e saktësuar zë për zë
barasvlerësit apo përshtatjet shqip të frazemave frënge. Si rrjedhim i këtij
bashkëpunimi të një frazeologu me një specialist të frëngjishtes, ka dalë një
vepër e vëllimshme dhe mjaft e arritur, e cila shënon një sukses të ri të
gjuhësisë shqiptare.
Prof. dr. Rami
Memushaj
Për
ndërtimin e korpusit të Fjalorit autorët kanë shfrytëzuar një literaturë të
pasur në të dy gjuhët, që për frëngjishten përfshin rreth 18 fjalorë, nga të
cilët 6 fjalorë shprehjesh frazeologjike e proverbash; kurse për shqipen,
përveç kartotekës së pasur vetjake të prof. Eshref Ymerit, edhe 16 burime të
tjera: fjalorët shpjegues të shqipes, dy fjalorë sinonimesh, Fjalorin
frëngjisht-shqip të V. Kokonës, 7 fjalorë frazeologjikë, nga të cilët dy
fjalorë frazeologjikë të shqipes dhe pesë fjalorë frazeologjikë gjuhë e huaj -
shqip. Veç këtyre, është shfrytëzuar edhe korpusi i fjalëve të urta të shqipes,
i nxjerrë nga botimi i Institutit të Kulturës Popullore “Fjalë të urta të popullit shqiptar” (1983).
Ashtu si tre fjalorët e parë frazeologjikë, edhe ky
fjalor i ri përmban një lëndë të pasur gjuhësore nga të dyja gjuhët. Në
frëngjishte kjo pasuri arrin në 40.200 frazema të frëngjishtes, të ngritura mbi
7440 vatra kuptimore në 1526 faqe. Ky numër frazemash është gati dy herë më i
madh nga ai i fjalorëve të mëparshëm frazeologjikë të këtij autori, çka e bën
këtë vepër një fjalor frazeologjik të tipit të madh. Frazemat e shqipes është e
vështirë të numërohen, megjithatë mund të themi se kemi të bëjmë me një korpus
shumë të pasur.
Hartimi i një fjalori frazeologjik me përmasa të tilla,
në të cilin gjuha shqipe ballafaqohet me një gjuhë kulture të madhe dhe me një
leksik shumë të pasur, siç është frëngjishtja, ka qenë një sipërmarrje e
vështirë për autorët. Por ata e kanë përballuar me sukses këtë sprovë, duke
dëshmuar jo vetëm njohjen e thellë prej tyre të pasurisë frazeologjike të
shqipes, që e bën atë të aftë të ballafaqohet me një gjuhë letrare me një
traditë lëvrimi gati mijëvjeçare. Kësaj autorët ia kanë arritur falë lëndës së
pasur frazeologjike të shqipes dhe të frëngjishtes të grumbulluar gjatë një
gjysmë shekulli nga prof. Eshref Ymeri dhe përkushtimit të z. Sefulla Kata, që
me vullnet e durim e ka pasuruar më tej lëndën e fjalorit dhe ka saktësuar
barasvlerëset shqipe të frazemave frënge.
Ky fjalor i ri përbën një vepër tjetër madhore të
leksikografisë dygjuhëshe që autorët ua dhurojnë përdoruesve, në radhë të parë
përkthyesve prej frëngjishtes ose në frëngjishte. Botimi në harkun e më pak se
14 vjetëve i katër fjalorëve të mëdhenj dygjuhësh me autor të vetëm ose kryesor
prof. Eshref Ymerin, është dëshmi e gjallë e një pune që vetëm një studiues i
palodhur e me vullnet të hekurt mund ta përballonte. Pa e tepruar aspak, mund
të themi se këto ndihmesa e bëjnë atë kontribuesin më të madh në fushë të
fjalorëve frazeologjikë dygjuhësh dhe një ndër frazeografët më të shquar shqiptarë.
“Fjalori frazeologjik frëngjisht-shqip” paraprihet nga
Hyrja, në të cilën autorët shtjellojnë hapat e hedhur prej tyre për hartimin
veprës, burimet e shfrytëzuara dhe vështirësitë që paraqet hartimi i një
fjalori të tillë. Më tej ata vënë në dukje pasurinë e madhe frazeologjike të
gjuhës frënge, duke theksuar se burimet e kësaj pasurie janë të brendshme
(urtësia popullore, historia, folklori, letërsia artistike etj.) dhe të
jashtme, si bibla dhe huazime ndërgjuhësore, sidomos nga latinishtja, greqishtja
e vjetër, anglishtja, italishtja etj.
Në një syth të veçantë, autorët shpjegojnë se zërat e
këtij fjalori janë organizuar duke u mbështetur në fjalët që shërbejnë si vatër
kuptimore e frazemave, të cilat janë kryesisht emra dhe, më rrallë, një pjesë
tjetër emërtuese e ligjëratës (folje, mbiemër a ndajfolje). Vatrat kuptimore,
të renditura alfabetikisht, janë dalluar grafikisht, duke i dhënë me shkronja
të mëdha të trasha, ndërsa frazemat që lidhen me një vatër kuptimore janë
renditur poshtë saj gjithashtu alfabetikisht. Kjo mënyrë renditjeje e lehtëson
shumë gjetjen e një shprehjeje frazeologjike në fjalor, mjaft që përdoruesi i
tij të jetë në gjendje të dallojë vatrën e saj kuptimore. Për shembull, të
gjitha frazemat që kanë si vatër kuptimore fjalën ouvragei “punë”, janë renditur alfabetikisht
poshtë saj sipas shkronjës së parë me të cilën fillojnë frazemat:
OUVRAGEI
■ ouvrage de fée - punë me shije të hollë.
ouvrage de
patience - punë e mundimshme me shumë kujdes.
ouvrage frappé
(marqué) au bon coin - 1. artikull (produkt) i shkëlqyer. 2.
krijim i (vepër e) klasës së parë.
abattre (de)
l’ouvrage (de l’ouvrage) - bën lloj-lloj punësh, bie copë (copa, copash) në
punë, punon pa e ditur ç’është lodhja (pa e njohur lodhjen, pa u lodhur).
avoir un ouvrage
en portefeuille -
ia del në krye (në fund, në skaj) punës, i vë majën (pikë, kapak, kapakun,
vulën) punës, i jep fund punës, e qit mbanë punën.
c’est du (un)
bel ouvrage - puna është bërë (është kryer) mirë
(për bukuri).
caresser un
ouvrage - e bën (e kryen) punën me merak.
débiter de
l’ouvrage -
punon vendçe.
......
Fjalori përfshin njësi frazeologjike të mirëfillta dy-ose
shumëfjalëshe, rrallë edhe njëfjalëshe (si p.sh., illico “aty për aty, fët e fët, në vend, pa e bërë të gjatë”; pedibus “më këmbë”; pic “1. drejt, pingul. 2. pikërisht në
kohën e duhur”); shprehje-kalke
fluturake, që lidhen me mite të lashtësisë, gojëdhëna ose fakte historike, si: épée (glaive) de
Damoclès “shpata e Damokleut”, langue d’Esope “gjuha
e Ezopit”, nœud gordien “nyjë gordiane”, tonneau des Danaїdes “voza e Danaidave”, victoire à la Pyrrhus “fitore si e Pirros”, Sésame, ouvre-toi! “Sezam, hapu!”, entente cordiale “miratim i përzemërt”, cinquième
colonne “kolona e pestë”, le Nouveau Monde “Bota e Re, Amerika”, Mur des Fédérés “muri i komunarëve”, latin
de cuisine (de sacristie) “latinishte e shpërfytyruar” etj.
Në një masë më të kufizuar ka edhe fjalë
të urta e maksima, sidomos pjesë të tyre që janë kthyer në frazema, si p.sh.: il faut laisser les
morts en paix “për të vdekurit
nuk duhet folur keq”; monnaie fait
tout “paraja e hedh (e kthen)
ujin përpjetë, paraja hap çdo portë”; tout
le monde peut se tromper “kushdo
mund të gabojë”; de longues terres,
longues nouvelles “kush vjen nga
larg, ka se ç'të tregojë”; quand le loup
est pris, tous les chiens lui lardent les fesses “kur ujku bie në lak, çdo langua kërkon ta kafshojë; kur luanit i
mbetet këmba (kur luanin e lënë këmbët), edhe gomari kërkon ta shkelmojë” etj.;
Paris vaut bien une messe! “Parisi e meriton një meshë, ia vlen
të bësh një kompromis (të hysh në një kompromis) për hir të një leverdie të
dukshme”, si përshtatje e shprehjes Sire,
sire, la couronne vaut bien une messe! “Sovran, sovran, kurora e meriton një meshë”; en huit “pas një jave” si shkurtim i
shprehjes d’aujourd’hui en huit “nga sot një javë” etj.
Për t'u ardhur në ndihmë përdoruesve, zërat e Fjalorit
janë pajisur edhe me shënime që shënojnë fushën e veprimtarisë shoqërore të
përdorimit të një frazeme të frëngjishtes (anat, gjeol, muz,
treg etj.), ngjyrimet shprehëse-emocionale (iron, keq, përb, shak etj.) dhe rrafshet ligjërimore të
përdorimit të saj (krahin, libr, thjesht, zyrt, zharg
etj ). Pajisja me këto shënime ia shton edhe më tepër vlerat fjalorit, duke
qenë se e ndihmon përdoruesin të zgjedhë frazemën barasvlerëse shqipe që i
përgjigjet më mirë një frazeme të caktuar të frëngjishtes që ka këta tregues.
Për më tepër, përdoruesit i vjen në ndihmë edhe dallimi i kuptimeve të
frazemave homonimike, që janë shënuar me shifra romake, dhe të frazemave
polisemike që janë shënuar me shifra arabe.
Veçori tjetër e këtij Fjalori, ashtu si e fjalorëve të
tjerë frazeologjikë të prof. E. Ymerit, është se si barasvlerës të frazemave
frënge në shumicën e rasteve jepet jo një frazemë e vetme e shqipes, po një
varg i gjatë sinonimik frazemash. Dhënia
e frazemave sinonime i lejon autorit të shpalosë pasurinë e madhe frazeologjike
të shqipes. Vargu i këtyre frazemave sinonime, është mjaft i madh, duke arritur
për zëra të veçantë në disa dhjetëra, p.sh.:
en servir de
dures à qqn -
e bën brashnjë (helaq, horr, leckë, për një lek, për ujë të ftohtë, për vaj e
për uthull, qepaze, rezil, rreckë, qyqe, rregëzinë), ia shtrëngon dhëmbët
nganjëherë, e fut (e kalon, e shkon) në vrimë të gjilpërës, ia numëron të
shtata, i bie me havan në kokë, i heq një dajak (një dredhë), i jep një dajak
(një dru, një kopaçe, një dhëmb), ia bën samarin copë, i tërheq vërejtjen
(vëmendjen), i nxjerr ujë të zi, i heq (i tërheq, i shkul, i zgjat) veshët, e
zë (e kap) nga (për) veshi, ia jep nderin në dorë (në grusht), i jep një mësim
të mirë dikujt.
Ashtu si edhe në
fjalorët e mëparshëm frazeologjikë ku është bashkautor ose autor i vetëm, prof.
Eshref Ymeri për pjesën shqipe të Fjalorit nuk i ka vënë vetes detyrë të japë
të dhëna për fushën, ngjyrimet dhe stilin e përdorimit të frazemave. I mbetet
përdoruesit që ndër sinonimet e shumta të zgjedhë atë që duhet, gjë që mund ta
bëjë duke iu referuar kontekstit ku përdoret një shprehje e caktuar. Për shembull,
ai që përkthen nga frëngjishtja në shqipe, për të gjetur barasvlerësin e duhur
në një varg frazemash sinonime, duhet që, së pari, të shohë në fjalor shënimin
për stilin apo rrafshin e ligjërimit të
cilit i përket frazema frënge, pastaj kontekstin në të cilin ajo është përdorur
në tekstin frëngjisht dhe, më në fund, të kërkojë në fjalorët frazeologjikë të
shqipes se cila nga shprehjet e ofruara në këtë fjalor i përgjigjet më mirë
stilit të ligjërimit në të cilin është përdorur shprehja frënge.
Përkthimi i
shprehjeve frazeologjike është një punë e vështirë, për arsye se në to përzihen
kuptimet e figurshme të fjalëve me aspekte jashtëgjuhësore, që lidhen me
kushtet në të cilat kanë lindur. Kësaj pune fort të mundimshme autorët ia kanë
dalë mbanë duke gjetur barasvlerësit shqip për një pjesë të frazemave që kanë
të njëjtën vatër kuptimore në të dy gjuhët, si p.sh.: être sur des chardons “është
tamam si mbi gjemba”, traiter comme un chien “e
trajton si qen, sillet si me ndonjë qen”, clair comme en plein jour “ka dritë si në mes të ditës (si
ditën me diell)”, au plus tard… “jo më vonë se…”, l’homme est un loup pour l’homme “njeriu për njeriun është ujk, njeriu ha njeriun, njeriu në
shoqëri është egoist në skajshmëri”, de
pied en cap “që nga këmbët deri
te koka, që nga koka deri te këmbët, kokë e këmbë, fund e krye, tërësisht” etj.
Kur frazemës
frënge nuk ka qenë e mundur t'i gjendej barasvlerësi shqip, sidomos për
shprehjet frazeologjike që përcjellin tradita gojëdhënore që lidhen me doket e
vjetra dhe me fakte nga mënyra e jetesës së popullit francez, autorët kanë
përdorur kalkimin ose thjesht kanë dhënë përkthimin e fjalëpërfjalshëm të
frazemës frënge të vendosur në thonjëza, të ndjekur nga frazema ose frazemat
shqipe që i përgjigjen më mirë asaj, me qëllim për t'iu afruar sa më shumë
kuptimit të origjinalit, çka përbën edhe një ndihmë për përdoruesin e fjalorit,
sidomos për përkthyesin nga frëngjishtja në shqip. Sa për ilustrim, po japim
këtu disa frazema të tilla të vështira për t'u përkthyer, në rast se nuk njihet
konteksti historik ose kulturor i përdorimit të tyre:
abbaye de Thélème “abacia e Telemit”, organizim ideal i shoqërisë.
accorder vos flûtes, vos violons “akordoni flautet, violinat”, merruni vesh, bini në
një mendje, bini në ujdi.
brûler ses vaisseaux “u vë zjarrin anijeve të veta”, e fillon nga e para,
fillon radhë të re, i ndërpret lidhjet me të kaluarën, i vë vizë së kaluarës,
s’ka më kthim prapa, këput urat, hyn në një rrugë të re.
cavalerie de Saint-Georges “kavaleria e shën Gjergjit”, monedhat e florinjta
angleze, ari anglez.
le repos du
guerrier “çlodhja
e luftëtarit”, bashkëshorte e kujdesshme dhe mirëkuptuese e një njeriu aktiv.
serpent monétaire (européen) ek vjet - “nepërka valutore”. Ka qenë fjala për
ndryshimin përpjesëtimor të kursit të valutës të vendeve të Tregut të
Përbashkët.
Një veçori tjetër edhe e këtij Fjalori janë shënimet me
karakter etimologjik e kulturor për burimin e frazemave me karakter historik të
frëngjishtes, të frazemave të marra nga latinishtja, greqishtja e vjetër,
anglishtja, italishtja etj., si edhe burimin mitologjik për shprehje të
huazuara nga bibla ose nga mitet e lashta. Këto shpjegime vlejnë, në radhë të
parë, për zgjerimin e horizontit kulturor të përdoruesit; por, më shumë, ato
vlejnë për ta ndihmuar atë të zgjedhë e frazemën e duhur përgjegjëse të
shqipes.
"Fjalori frazeologjik frëngjisht-shqip"
plotëson një zbrazëti në fushën e fjalorëve dygjuhësh për frëngjishten, një
gjuhë me traditë të hershme në Shqipëri, për të cilën, fatkeqësisht, ka pak
fjalorë frëngjisht-shqip, edhe këta të tipit të vogël. Në fushën e
frazeologjisë, këtë zbrazëti po e plotëson "Fjalori frazeologjik
frëngjisht-shqip i autorëve Eshref Ymeri e Sefulla Kata, i cili, pa dyshim,
është fjalori më i madh dhe më i mirë i botuar deri më sot në fushën e
frazeologjisë dygjuhëshe me gjuhë të dytë shqipen.
Jemi të bindur se ky Fjalor, si vepra më e re dhe më e
plotë për frazeologjinë frënge, do të shërbejë si një libër tryeze në radhë të
parë për përkthyesit nga frëngjishtja në shqip e anasjelltas, për mësuesit dhe
për pedagogët e studentët e frëngjishtes, po edhe për frëngjishtfolësit
shqiptarë që duan ta thellojnë njohjen e gjuhës frënge.
Përtej këtyre vlerave, ky Fjalor - ashtu si fjalorët e
tjerë me autor të vetëm ose kryesor prof. Eshref Ymerin - duke ballafaquar
shqipen me një gjuhë të një kulture të madhe, siç është frëngjishtja, nxjerr në
pah jo vetëm pasurinë frazeologjike të gjuhës shqipe, por edhe përkthyeshmërinë
e saj të lartë. Për këtë arsye, ai u duhet edhe leksikografëve e frazeografëve,
të cilëve mund t'u shërbejë si model për hartimin e fjalorëve frazeologjikë
gjuhë e huaj - shqip edhe për gjuhë të tjera.
Do të ishte një ndihmesë e çmuar për frazeografinë
shqiptare, nëse profesori do të arrinte që lëndën shumë të pasur shqip të
këtyre fjalorëve frazeologjikë dygjuhësh ta përdorte si bazë për hartimin e një
fjalori të madh frazeologjik të gjuhës shqipes. Ky fjalor do të shënonte
kurorëzimin e punës së tij prej më shumë se një gjysmë shekulli dhe do të
përbënte një vepër monumentale për frazeologjinë e gjuhës shqipe.
Tiranë, 15 maj 2021
----------------------------------
*Fjalori ka dalë nga
shtypi në gusht 2021. Është botim i Shtëpisë Botuese “Bota Shqiptare”, me
drejtor zotërinë Genti Gjonaj. Është shtypur si botim luksoz në Studion
e njohur Intergrafika, me drejtor zotërinë Eduard Shima.