Alberto Moravia: shkrimtar, gazetar, eseist, reporter udhëtimesh dhe dramaturg italian.Alberto Moravia u përket autorëve klasikë të shekullit të XX – të. I lindur më 1907, ai rrjedh nga një familje e pasur hebraike të Romës. Pas një fëmijërie të rëndë, për shkak të sëmundjeve të ndryshme, Moravia në vitin 1929 botoi romanin e parë "Indiferentët", ku shquhet si romancieri i realizmit moderne psikologjik.
Moravia konsiderohet si një prej romancierëve më të rëndësishëm të shekullit XX si në Itali ashtu edhe në nivel ndërkombëtar, bazuar në temat kryesore të veprave të tij, të cilat realizojnë një hetim të imët e të kujdesshëm mbi seksualitetin, alienimin shoqëror dhe ekzistencializmin, nën frymën e Kafkës, Kamysë dhe Xhoisit.
Puna e tij nuk vërtitet vetëm rreth një zone të caktuar apo traditave italiane, por është seriozisht e angazhuar me përqasjen ndaj dinamikave kulturore e politike të një Europe të madhe.
Ai është më shumë se një autor italian, ai është autor europian, pasi shkrimet e tij përmbajnë tema si: Hiroshima, politikat ndaj Indisë dhe Revolucionit Kinez (tema të trajtuara në esetë e tij kritike).
Njëzet vite pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Moravia përfaqësoi për shumë vite me radhë, deri me vdekjen e tij, një shembull të shquar e të dallueshëm të një intelektuali të angazhuar, i cili luante rolin e mjeshtri të mendimit.
Pikërisht në vazhdën e intelektualëve të angazhuar, si J. P. Sartre apo A. Gramsci dhe të shumë shkrimtarëve të tjerë të gjysmës së dytë të shek. XX. Moravia dha mendimin e tij të vyer në disa fusha, si letërsi, kritikë, kinematografi, politikë etj.
Ai është ndoshta një nga shkrimtarët e paktë që patën një famë dhe një ndikim të fortë në bashkëkohësit e tij kur ishte gjallë. Por kjo famë e ky ndikim humbi më pas në një mënyrë mjaft të shpejtë me ndarjen e tij nga jeta.
Temë e romaneve të tij janë sidomos raportet ndërmjet gjinive dhe ndriçimi i tyre nga aspekti psikoanalitik. Pas një satire therëse kundër diktatorit Benito Musolini, Alberto Moravias iu ndalua çdo publikim letrar, por ai vazhdoi të botojë me pseudonim.
Pas luftës vazhdoi me shumë sukses aktivitetin letrar. Moravia, i cili edhe përtej kufijve të Italisë çmohej si instancë letrare, provokator dhe autor skandalesh, vdiq më 27 shtator 1990. Veprat e tij, romane, ese, udhëpërshkrime, janë përkthyer në më se 30 gjuhë.
E shtyrë nga një Zë i brendshëm, nga shpirti i revoltës, i cili do t’i imponohet përmes një “plani për shkelje dhe përdhosje” të të gjitha të ashtuquajturave vlera borgjeze, ajo nuk ngurron të ndërmarrë hapa të guximshëm që do ta shpien drejt prostitucionit, orgjisë, komplotit të rrëmbimit, grabitjes dhe incestit.
I botuar më 1978, “Jeta shpirtërore” ngjalli reagime të shumta negative te kritika italiane e asaj kohe. Shoqërimi i saj me prostituta, tutorë dhe zhigolo të klasës së mesme, që maskohen si revolucionarë, zhytur në afera seksiste e kthejnë në një lloj udhëtimi ekzistencialist e madje nihilist gjithë jetën e saj.
Një roman i shkëlqyer psikologjik... Vetëm Moravia mund të shkruante një vepër kaq të përsosur dhe që të bën të mendosh..."
Harper's Magazine
Agostino, një djalë 13 vjeçar, gjendet befas në një pozitë të pasigurt, mes fëmijërisë dhe adoleshencës. Ai është biri i dashur i një nëne të ve dhe tërheqëse dhe ndihet i kënaqur që po pushon bashkë me të në plazh. Por më pas, nëna krijon një marrëdhënie të përzemërt me një djalë të ri që punon aty pranë.
Mërzia
I konsideruar si romani qendror i një trilogjie ideale, që fillon me romanin "Indiferentët" dhe përfundon me romanin "Jeta intime", "Mërzia", botuar në vitin 1960, jep një portret të thellë dhe mizor të një individi pa strukturë, pa mbështetje, i tjetërsuar nga jeta sociale. Është një histori krizash, dështimesh, zhgënjimesh.
I përshkruar në tri aspekte të tij, si artist, si njeri, si dashnor, protagonisti përplaset në mënyrë të pashmangshme me realitetin, një realitet i cili mohohet në mënyrë të përsëritshme, sepse në fund të çdo përpjekjeje që bën, ai ndeshet gjithmonë me të njëjtën aksiomë: realiteti është realitet.
Fragment nga libri
Mërzia, për mua, është pikërisht një lloj pamjaftueshmërie ose papërshtatshmërie, ose mangësie e realitetit. Për të përdorur një metaforë, kur mërzitem, realiteti më jep ndjesinë turbulluese që i shkakton, një natë dimri, mbulesa tejet e shkurtër e një njeriu në gjumë: e ul te këmbët dhe ndien të ftohtë në kraharor, e ngre në kraharor dhe ndien të ftohtë në këmbë; e kështu nuk arrin kurrë të bjerë në gjumë.
Ose, tjetër krahasim, mërzia ime i përngjan ndërprerjes së shpeshtë e të mistershme të rrymës elektrike në një shtëpi: një çast çdo gjë është e qartë, këtu janë kolltukët, divanet, e më tej dollapët, raftet, pikturat, perdet, tapetet, dritaret, dyert; një çast më vonë ka vetëm terr dhe zbrazëti.
Ose, krahasimi i tretë, mërzia ime mund të përcaktohet si sëmundje e sendeve, që është një vdirrje ose humbje e gjallërisë thuajse të papritur; si të shohësh në pak sekonda, me shndërrime të shpejta e të njëpasnjëshme, një lule që kalon nga çelja në vyshkje dhe bëhet pluhur.
...Titulli do të mbetet "Çoçarja", megjithëse titulli më i saktë do të ishte "Përdhunimi." Madje edhe më tej, në mënyrë klasike, "Përdhunimi i Italisë", si për të nënvijëzuar jo vetëm përdhunimin e një vajze, por përdhunimin e një vendi të tërë të shkaktuar nga lufta. Më duket se është një roman i mirë dhe do të ketë sukses...
Alberto Moravia,
Nga letra drejtuar botuesit më 24 dhjetor 1956
"Çoçarja" është historia e dy përdhunimeve, i pari mbi shoqërinë, i dyti mbi individin. Moravia zgjedh të vërë përballë dy nga aktet më të tmerrshme - luftën dhe përdhunimin - duke treguar se, si njëri, ashtu edhe tjetri, përfaqësojnë të njëjtën fytyrë të shoqërisë sonë dhe kanë të njëjtat pasoja për njeriun.
Romani"Konformisti", i publikuar më 1951, është portreti i një personazhi dhe një qëndrimi moral karakteristik për kohën tonë: konformisti dhe konformizmi. Heroi bashkëkohor, sipas Moravias, është njeriu që kërkon të mjegullohet, të jetë i njëjtë me gjithë të tjerët. Por, në të gjitha kohët, pranimi në shoqëri kërkon një çmim shumë të lartë për të paguar, kryesisht në termat e lirisë individuale.
Vepra, një histori muaji mjalti dhe krimi shtetëror, biografi e një njeriu dhe përshkrimi i një epoke dhe i një shoqërie është, megjithatë, shumë më tepër se historia e një çmimi të paguar nga një konformist modern për të arritur dhe për të qenë pjesë e një shoqërie joekzistente, dhe për sa i përket përballjes me temën e madhe të marrëdhënieve mes njeriut dhe shoqërisë, ajo paraqitet si një nga veprat më të guximshme dhe aktuale të shkrimtarit.
Fragment nga libri
Duke dyshuar, e ngushëllonte mendimi se, edhe po të kishte pasur ndonjë gabim, dhe kjo s’mund të përjashtohej, ai kishte rrezikuar më tepër se çdo njeri tjetër, më tepër se gjithë ata që gjendeshin në po ato kushte. Ishte një ngushëllim krenarie ky, i vetmi që i mbetej.
Të tjerë njerëz nesër do të mund të ndryshonin ide, parti, jetë, madje edhe karakter; përkundrazi, për të, kjo nuk ishte e mundur dhe, jo vetëm në marrëdhënie me të tjerët, por edhe me veten e vet. Kishte bërë atë që bëri për shkaqe vetëm të tijat dhe jashtë çdo komunikimi me të tjerët; të ndryshonte, edhe po të kishte mundësi, do të donte të thoshte të asgjësohej. Tani ai, midis aq asgjësimeve, do të donte t’i shmangej pikërisht këtij.
Mendoi në atë çast se në rast se kishte pasur gabim, gabimi i parë dhe më i madh ishte ai se kishte dashur të dilte nga anormaliteti i vet, të kërkonte një normalitet çfarëdo nëpërmjet të cilit të komunikonte me të tjerët.
Ky gabim kishte lindur nga një instinkt i fuqishëm; për fat të keq normaliteti me të cilin ishte ndeshur ky instinkt, s’ishte veçse një formë e zbrazët brenda së cilës gjithçka ishte anormale dhe arbitrare. Në përplasjen e parë, kjo formë ishte bërë copë e thërrime; dhe ai instinkt aq i përligjur dhe aq njerëzor e kishte shndërruar në xhelat atë që kishte qenë dikur viktimë....
No comments:
Post a Comment