2023-04-09

Adeline Virginia Woolf (1882 –1941)

 



                                         Flori Bruqi,PHD





Adeline Virginia Woolf  (1882 –1941) ishte një shkrimtare angleze e konsideruar si një nga modernistet më të rëndësishme të shekullit të njëzetë dhe një pioniere në përdorimin e rrëkesë së vetëdijes si mjet rrëfimtarie.

Woolf lindi në një familje të pasur në Londër dhe ishte fëmija i shtatë në një familje të përzierë me tetë fëmijë. Nëna e saj, Julia Prinsep Jackson, kishte tri fëmijë nga martesa e parë ndërsa babai i Woolf, Leslie Stephen, kishte një vajzë nga martesa e mëparshme. Këta bënë edhe katër fëmijë të tjerë, përfshirë piktoren Vanessa Bell.

Virginia Woolf përjetoi shumë shtëpinë e verës që familja përdorte në Cornuell, në cepin jugperëndimor të ishullit britanik, ku ajo pa për herë të parë farin që më pas u bë objekti qendror i romanit të saj Për te fari (1927) një roman eksperimental për nga teknika e shkrimit.

Fëmijëria e Woolf pati një përfundim të papritur më 1895 me vdekjen e nënës së saj, pasuar nga vdekja dy vjet më vonë e gjysmë-motrës së saj, Stelës, e cila ishte edhe një figurë mëmësore për të. Nga vitet 1897 deri më 1901 ajo ndoqi studimet në klasicizëm dhe histori në departamentin e Zonjave në Kolegjin Mbretëror të Londrës, ku ajo ra në kontakt me reformues të hershëm të të drejtave të grave. Ndikime të tjera të rëndësishme për të ishin vëllezërit e arsimuar në Kembrixh dhe biblioteka e stërmadhe e babait të saj.

E nxitur nga i ati, Woolf filloi të shkruajë në vitin 1900. Vdekja e të atit të saj më 1905 shkaktoi një krizë tjetër nervore për të. Pas vdekjes së tij, familja Stephen lëvizi nga Kensingtoni, lagjja e pasur e Londrës në lagjen Blumsburi, e cila është më boheme. Ishte në këtë lagje ku Woolf në bashkëpunim me vëllezërit dhe miqtë e vet intelektualë krijuan grupin artistik me të njëjtin emër.

Më 1912 ajo u martua me Leonard Woolf ndërsa më 1917 çifti themeloi shtëpinë botuese Hogarth, e cila publikoi shumicën e veprave të saj. Ajo vuajti disa herë gjatë jetës së saj nga probleme të shëndetit mendor. Vdiq në vitin 1940 në moshën 59 vjeçare.

Ndër veprat e saj më të njohura janë Zonja Dallouej, (1925), Për te fari (1927) dhe Orlando (1928). Ajo njihet edhe për esetë e shumta, të tilla si Një dhomë më vete (1929) si dhe Flush, një biografi (1963).

Vepra e Woolf u bë pjesë qendrore e lëvizjes së kritikës feministe të viteve 1970 dhe veprat e saj kanë marrë famë për "frymëzim të feminizmit".





Valët konsiderohet si vepra artistike më e vështirë dhe më sfiduese e Virginia Woolfit. Vetë ajo e konsideronte si librin e saj “më të vështirë dhe më kompleks”.
Është një libër sui generis, jo vetëm për  krijimtarinë e Woolfit, por për prozën angleze në tërësi. Janë nëntë episode me monologët e gjashtë personazheve, Bernardit, Nevilit, Luisit, Suzanës, Xhinit dhe Rodës, ku paraqitet jeta e tyre që nga fëmijëria e hershme deri në moshë të mesme. Në këta monologë, ata “thonë” fakte dhe jetë dhe “mendojnë” rreth reflektimeve e ëndrrave. Zërat bashkohen në një frymë të vetme, si një valë që tregon ekzistencën e secilit prej të gjashtëve, dhe jo vetëm të njërit. Valët janë forma e romanit: valët e detit, të dritës, të kohës, të emocionit, të gjesteve dhe të dhimbjes.
Monologët e personazheve shkrihen me njëri-tjetrin dhe duket se i gjithë teksti rrëfehet nga uni kolektiv, që shtrihet përtej çdo uni individual që i bashkon ata.
Monologët ndërthuren me disa fragmente që Woolfi i ka emërtuar “interlude të natyrës”, të cilat paraqesin në mënyrë impersonale një peizazh bregdetar dhe lëvizjen e diellit nga agimi deri në perëndim dhe që përkojnë me rrjedhën e jetës së personazheve.
Qëllimi i Woolfit në këtë vepër ishte që, nëpërmjet kësaj ndërthurjeje, të krijonte një vepër e cila, ndonëse në prozë, t’i përngjante një “drame poetike”.





Ndërsa Evropa po rrëshqiste drejt luftës me ngritjen e fashizmit dhe Spanja gjendej sakaq në mes të një lufte civile të përgjakshme, Virginia Woolf botoi esenë Tri monedhat e arit, në të cilën vë në dukje lidhjen e pandashme mes patriarkatit dhe diktaturës, patriarkatit dhe luftës, patriarkatit dhe dhunimit të të drejtave të njeriut. 

Si mund të parandalohet lufta? – pyet Woolf. Ajo merr përsipër t’i përgjigjet kësaj pyetjeje të vështirë, para së gjithash, duke vënë në dukje se lufta është punë burrash, një normë e shoqërisë së tyre që nxit dhunën, konkurrencën për dominim. 

Tri monedhat e arit është në thelb një kritikë e patriarkisë. Shtypja e grave brenda familjes është produkt i shtypjes së tyre në shoqëri. Woolf vuri në dukje që, nëse gratë duhet të kenë ndikim në jetën publike, dhe që ky ndikim të jetë kundër luftës e jo pro saj, duhet të marrin pjesë në jetën publike duke ruajtur të ndryshmen që kanë dhe jo duke adaptuar të njëjtat sjellje që duhet të ndryshohen. Kjo është një nga esetë kyçe për të kuptuar feminizmin e Woolf dhe botën në të cilën ne jetojmë sot. 

Tri monedhat e arit vjen në shqip për herë të parë.



No comments:

Post a Comment

Gazetari Prishtinas Baton Haxhiu

Zotri  Baton Haxhiu ka bërë një deklaratë të bujshme gjatë një debati televiziv, ku ka pohuar se Partia Socialiste (PS) ka kontribuar për...