Informacioni për gjetjen e armëve serbe në Ukrainë ka dalë edhe para “bombës” së sotme nga agjencia e njohur e lajmeve – Reuters. Në fund të shkurtit, në mediat ruse dhe kanalet e Telegramit u shfaqën akuza se Serbia ka dorëzuar fshehurazi 3500 raketa për sistemet raketore “Grad” në Ukrainë nëpërmjet Turqisë dhe Sllovakisë. Dhe atëherë, si tani, qeveria serbe mohon të ketë marrë pjesë në këtë tregti.
Reuters publikoi sot një dokument të klasifikuar të Pentagonit ku thuhet se Serbia, i vetmi vend në Evropë që ka refuzuar të sanksionojë Rusinë për pushtimin e Ukrainës, ka rënë dakord të furnizojë me armë Kievit ose i ka dërguar tashmë ato.
I titulluar “Evropa – Përgjigja ndaj konfliktit të vazhdueshëm midis Rusisë dhe Ukrainës”, dokumenti në formën e një grafiku tregon se Serbia ka refuzuar të ofrojë trajnime për forcat ukrainase, por është zotuar të dërgojë ndihma vdekjeprurëse ose tashmë i ka dorëzuar ato. Gjithashtu u tha se Serbia ka vullnet politik dhe aftësi ushtarake për t’i ofruar armë Ukrainës në të ardhmen.
Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq e mohoi menjëherë këtë informacion dhe të njëjtën gjë e bëri një muaj e gjysmë më parë kur në opinion dolën informacione se Serbia i kishte dorëzuar Ukrainës fshehurazi 3500 raketa përmes Turqisë dhe Sllovakisë.
Portali rus “mash.ru” bëri të ditur se në fjalë janë raketat “M21” 122 mm të kompanisë serbe Krushik. Portali bëri të ditur se raketat janë porositur në Krushik (fabrika e municionit afër Valjevos) nga kompania kanadeze “JNJ Export Import”, dhe se arkat janë dërguar nga Serbia në Turqi, ku tranzitin e ka kryer një kompani turke, përmes së cilës ngarkesa ka shkuar në Sllovaki dhe më pas në Ukrainë.
Kompania Krushik më pas njoftoi se nuk ishte në asnjë mënyrë e lidhur me shitjen e raketave tek përdoruesi përfundimtar nga Ukraina, dhe Ministri i Mbrojtjes shtoi:
“Nëse kompanitë private blejnë në tregje të treta dhe u shesin kompanive në vende të tjera nuk është çështje për Serbinë, është tregti ndërkombëtare. Për ne mund të jetë një informacion interesant në aspektin informativ dhe jo detyrim ligjor apo rregullore”, tha Vuçeviq në Kuvendin e Serbisë, i pyetur nga një deputet i opozitës për rastin.
Është shprehur edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq nga Katari, i cili ka thënë se kjo është një “gënjeshtër famëkeqe” dhe se Serbia “nuk i ka dërguar askujt asnjë armë”.
“Serbia prodhon dhe shet municion. Ne kemi shumë fabrika ku punojnë rreth 20,000 njerëz. Puna e tyre nuk është të prodhojnë mikrofona, këpucë dhe xhaketa, por granata, mina, dinamit, eksplozivë e të tjera. Municione të tilla gjithmonë përfundojnë diku në fushën e betejës ose në zona krize të botës”, tha ai.
“Ata thanë gjithashtu se ne eksportonim përmes Turqisë… Mirëpo, duke ditur se ekziston mundësia që armët mund të dërgohen në çdo anë në fushën e betejës, ne gjithashtu u mbrojtëm dhe shtuam se është e pamundur të eksportojmë municion në Turqi pa pëlqimin e Serbisë”.
Ka reaguar edhe Moska, e cila ka kërkuar përgjigje nga Beogradi.
“Ne tashmë i kemi kërkuar Beogradit të bëjë një deklaratë. Deklarata të tilla nuk duhet të bëhen as përmes mediave, as përmes kanalit Telegram, as përmes rrjedhjeve të informacionit, por përmes qëndrimit të shpallur zyrtarisht të palës serbe”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Marija Zaharova, duke shtuar se Rusia ishte thellësisht e shqetësuar për këto akuza.
Nuk ka dyshim se Moska do të reagojë edhe tani, pas njoftimit të Reuters për armët serbe në Ukrainë.
Kur bëhet fjalë për autoritetet serbe, deri më tani ka reaguar vetëm ministri i Mbrojtjes Millosh Vuçeviq, duke e mohuar këtë.