2018-02-20

Në Kosovë po bie lindëshmëria


Zhvillimi ekonomik dhe emancipimi i gruas kosovare ka ndikuar që në Kosovë për çdo vit të shënohet rënie e natalitetit. Brenda dhjetë viteve, sipas statistikave, janë shënuar 5 mijë lindje më pak



Nataliteti në Kosovë gjatë dekadës së fundit ka shënuar rënie të konsiderueshme, ndërsa ekspertët e sociologjisë parashikojnë që gjatë dekadave të ardhshme do të ketë edhe më pak lindje. Kjo rënie e natalitetit, vjen më shumë nga mungesa e zhvillimit ekonomik, por edhe nga vetëdijesimi dhe punësimi i femrave kosovare.

Sipas të dhënave statistikore, brenda viteve 2000-2012, në Kosovë janë shënuar rreth 5 mijë lindje më pak. Derisa në vitin 2000 kanë qenë të raportuara 40 mijë lindje, në vitin 2012 numri ka rënë në 35 mijë.

“Në bazë të informative të grumbulluara dhe të publikuara, në Kosovë për vitin 2012 janë regjistruar 34932, prej tyre në Kosovë 27912, ndërsa në diasporë 7020 lindje”, deklaroi për “albinfo,ch”, Hazbije Qeriqi, zyrtare për informim në Agjencinë e Statistikave të Kosovës.

Dallimi ndërmjet lindjeve dhe vdekjeve për vitin 2012, sipas saj, është 20426 që tregon se prapë lindje ka më shumë.

“Në bazë të të dhënave statistikore, për vitin 2011 nataliteti në Kosovë ishte 15.4 promila, ndërsa për vitin 2012, 15.3 promila. Pra siç shihet trendi ka një rënie të vogël prek 0.1”, deklaroi Qeriqi.

Ndërkaq, nëse merret për bazë shtimi i popullsisë gjatë viteve të shekullit të kaluar, shihet se rënia e natalitetit në Kosovë është shumë e theksuar. Gjatë viteve 90-ta, nataliteti sillej rreth 30 promil, ndërsa tash është përgjysmë më pak.

“Ky trend do vazhdojë padyshim dhe si i tillë do vijë koha kur edhe ne do fillojmë të ‘kërcënohemi’ nga mortaja e bardhë”, konsideron Fadil Maloku, profesor i sociologjisë.

Sipas tij, trendi i zvogëlimit apo reduktimit të natalitetit duhet të shpjegohet nëpërmjet disa faktorëve: socialë, ekonomikë, kulturorë dhe demografikë.

Më shumë lindin të varfrat se të punësuarat

“Nëse u adresohemi faktorëve socialë, padyshim që rolë shumë të rëndësishëm apo të pazëvendësueshëm, luan procesi i vështirësuar i “akomodimit” të shoqërisë kosovare me proceset ekonomike”, tha Maloku.

Mirëpo kjo tezë kundërshtohet nga aktorja Safete Rogova.

Ajo tha se rënia e natalitetit në Kosovë nuk ndërlidhet aspak me çështjen ekonomike, sepse zakonisht “edhe në ditët e sotme gratë e varfra kanë më shumë fëmijë se atë që i kanë kushtet më të mira”.

“Çështja e karrierës dhe emancipimi i grave janë ato që kanë shtyrë një ulje të natalitetit, sepse të kesh shumë fëmijë do të thotë që nuk ke shumë kohë për gjëra të tjera. Pra, shumica e grave të emancipuara lindin më pak fëmijë për shkak se koncentrohen në përparimin e tyre në karrierë”, deklaroi Rugova.

Ndërsa gjinekologia Zekije Osmani tha se mosha e reproduktimit është e lidhur ngushtë më moshën e zhvillimit në karrierë, që sjellë për pasojë edhe mos koncentrimin e femrave në krijimin e familjes.

Prandaj përparimi në karrierë, sipas saj, qon në lindje të fëmijëve në moshë më të shtyrë.

Uljen e natalitetit, Osmani e lidh edhe me destimulimin e shtetit për të lind fëmijë. Sipas saj, shteti nuk i mbështet lehonat, ndërsa në sektorin privat rrezikojnë vendin e punës.

“Po ashtu pushimi i shkurtër i lehonisë për gratë që lindin dhe rrezikimi i vendit të punës (nëse i lindin dy ose më shumë fëmijë, posaçërisht në sektorin privat) ua kushtëzon në një farë forme edhe planifikimin e familjes me më pak fëmijë’, tha gjinekologia Osmani.

Shteti e destimulon natalitetin

Ndërsa, sipas juristes Drita Rexhepi, ulja e natalitetit në Kosovë është si pasojë e mungesës së një politike të mirëfilltë të planifikimit të familjes. Politika aktuale, siç tha ajo, është jostimulative për rritjen e natalitetit.

“Koha shumë e shkurtë e pushimit të lehonisë, e që po tentohet të shkurtohet edhe më shumë, pra nga nëntë muaj në gjashtë, po shkakton ulje edhe më të madhe të natalitetit në Kosovë” tha Rexhepi, sipas të cilës, në sektorin privat ënjtë edhe më keq.

“Ky pushim i lehonisë që ekziston nuk respektohet aspak nga sektori privat, të cilin nuk e mbikëqyrë askush”, deklaroi ajo.

Shkaqet e uljes së natalitetit në Kosovë, sipas Rexhepit, janë të shumta.

“Ato nuk mund të koncentrohen në një apo dy shkaqe, sepse ka shkaqe të ndryshme për raste të ndryshme, por shteti gjithsesi duhet të stimulojë rritjen e natalitetit përmes stimulimit në mënyra të ndryshme, e kryesisht përmes përkrahjes financiare të nënave”, konsideron Rexhepi.

Ndryshe, nëse krahasohet Kosova me vendet evropiane, prapë ajo qëndron më lartë në nivelin e lindjeve, por nëse merren për baza parametrat me dekadat e kaluara, shihet se në Kosovë nataliteti është duke rënë dukshëm.

Pavarësisht kësaj, Kosova e ka popullsinë më të re në rajon, ku 70 për qind e trungut demografik, janë nën moshën 30 vejçare.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...