Nga Fritz RADOVANI:
11 SHKURT 1945 – 2018: JALTA DHE SHQIPNIA ...
• “MOJ SHQYPNI, E MJERA SHQYPNI,
KUSH TË KA QITË ME KRYE N’ HI ?”
Vaso Pash’ SHKODRANI (1880)
Gjithë Bota i kishte ngulë sytë tek Jalta, prej ku pritej Liria, Drejtësia dhe Demokracia!
Ruzvelti, Çerçilli dhe Stalini ishin që me daten 4 Shkurt 1945 kokë në kokë tue bisedue.
Askush nuk dinte se shka po vendoset atje! Pritej Paqa!.. Kjo ishte e sigurt!
Me 29 Nandor 1944 partizanët “çlirimtarë” zhigatën edhe Flamurin e Kastriotit me yllin e kuq komunist të Jugosllavisë titiste, dhe e vendosën në unazen e kompanjelit Kishës së Fretenve në Shkoder... Parashikimet e pleqve të dijtun filluen me dalë!
Nder rrugët e Shkodres ndigjohej kanga e rinisë komuniste: “Bijt’ e Stalinit jemi ne!”
Vendimet e konferencave të Teheranit (1943) dhe të Jaltës (1945) dikund u “dyllosen”!
Ruzvelti i ShBA aty kishte dyllosë edhe mbi 300 letra të shkrueme me doren e tij prej një paralitiku të mësheftë, të cilat, fillonin kështu: “I dashur shoku Stalin!”...
Besoj, se ky rresht i shpjegon të gjitha ato letra që sollen robninë dhe terrorin stalinist në Europen e robnueme komuniste nga Siberia e largët aziatike e deri tek lumi Elba, në zemer të kontinentit vjeter, ku gjithshka monumentale shekullore u rrokullis deri në vitin 1991...
Mu në zemer t’ Europës, një nga shtetet ma të vjetra të Ballkanit, Shqipnia e Gjergj Kastriotit... “Dikur e permendun nder librat e vjeter të historisë”, nuk zehet me gojë!
Harresë..., apo dashakeqje?! Ma shumë se gjithshka urrejtje!..
Ja dhe dokumenti i urrejtjes shekullore: “Dy vitet e para pas luftës, vetëm Jugosllavia dhe Shqipëria vendosën diktatura komuniste. Pesë vendet e tjera, që më vonë u bënë satelitë sovjetikë: Bullgaria, Çekosllovakia, Hungaria, Polonia dhe Rumania patën qeveri koalicioni, në të cilat komunistët ishin më të fuqishem.”
“... Kominformi quajti ‘demokraci të reja’ Jugosllavinë, Poloninë, Çekosllovakinë dhe Shqipërinë...” Henry Kissinger “Diplomacia” faqe 443.
“Si rezultat , Bashkimi Sovjetik pati mundësi ta kthente pushtimin ushtarak në një rrjet regjimesh satelite” H. Kissinger, faqe 441.
Ruzvelti deklaroi: “Unë nuk dua që Shtetet e Bashkuara të kenë barren e rindertimit të Francës, Italisë dhe Ballkanit.” H. Kissinger, fq. 396.
Europa Lindore e Qendrore dhe Ballkani asnjëherë nuk mujten me u shkëputë nga politika dhe okupacioni ushtarak i Bashkimit Sovjetik, pa vullnetin e tij. Qeverisja dhe diktaturat ishin të kontrollueme dhe shpesh të imponueme nga paktet formale sovjetike.
Shqipnia u shkëput nga BS se Byroja Politike kerkoi me ruejtë kolltukët e vet... Por, kjo shkëputje kishte adresen e bashkpunimit vrastarë nepermjet Kinës komuniste...
Kur stafeten e qeverisjes e mori diktatori Ramiz Alia, qendrimin e tij e mbështeti pa asnjë mëdyshje edhe Nexhmije Hoxha, të cilët së bashku hapne “pusin e demokracisë”, të rrethuem me vrasje e barbarizma nder piramida, vjedhje dhe shperdorime, demokrat të balsamosun, agjenta sllavokomunistë, polumbarë në Detin Jon, vorreza boshe greke, shpartallues të qendresës kufitare nder Malet e Veriut, Ambasada pa Ambasador...
Dhe, pakte e antarsime në “Konferenca Islamike”, me votime të hapta antiamerikane...
Ibrahim Rugova dhe Osman Kazazi
E mbi grumbujt e gurve të daltuem t’ oxhakve t’ shembun të shtëpijave historike të Luigj Gurakuqit, At Gjergj Fishtës, Osman Kazazit dhe Prekë Calit me Trimat legjendarë...
Një za i fuqishem ushtoi:
“MOJ SHQYPNI, E MJERA SHQYPNI,
KUSH TË KA QITË ME KRYE N’ HI ?”
Melbourne, 10 Shkurt 2018.
Fritz Radovani
Që nga viti 1967 nuk ka pas të drejtë as me marrë pjesë në ekspozita pikture.
Që nga viti 1945 dhe deri në vitin 1998 (tue përjashtua vitet 1961–1964) ka pas vazhdimisht një njeri të familjes në burgjet e kampet e shfarosjes, prandej edhe ka qenë gjithmonë i përfshimë në “luftën e klasave” të pushtetit komunist. Në vitet 1945 janë arrestuar dy dajat Paulin e Mikel Prennushi. Paulini ka ba 5 vjet burg e 5 vjet internim. Mikeli ka ba 10 vjet burg. Në vitin 1946 është arrestuar axha i nënës At Mati Prennushi, Provincial i Françeskanëve të Shqipërisë, i cili është pushkatuar me 11 mars 1948. Në vitin 1948 është arrestuar daja tjetër prift Don Kolec Prennushi, i cili mbas hetuesisë ka vdekur në vitin 1950. Në vitin 1950 është arrestuar vëllau Alfonsi, dhe është dënue 8 vjet burg me grupin e studenteve të Gjimnazit Shkodër. Eshtë arrestuar prapë në vitin 1967 dhe është dënue me grupin e klerikëve të Tiranës, me 10 vjet burg për pikëpamje fetare tue u përfshi në nenin e “Agjitacionit e Propagandës kundër pushtetit”.
Në vitin 1991, në muajin janar u zgjedh Kryetar i Sindikatës së Fabrikës Pëlhurave të Shkodrës, në periudhën e lëvizjes antikomuniste në Shqipëri. Po këtë kohë u zgjedh edhe anëtar i Kryesisë BSPSh (Bashkimi i Sindikatave të Pavaruna Shqiptare) në Shkodër, për sektorin e propagandës dhe marrëdhënieve mes besimeve. Ka kontribuuar në përmbysjen e qeverisë komuniste të Ramiz Alisë, tue organizuar mbledhje, mitingje, greva dhe në radio “Shkodra” e gazeta, me artikuj kundër komunizmit. Nuk u pajtue asnjëherë me demagogët dhe komunistët e konvertuem në “demokrat” e “socialist”, për këtë arsye edhe nuk kam ba pjesë asnjëherë në asnjë parti politike të djathtë as të majtë. Kjo e ka shtye që në vitin 1997 me u larguar nga Shqipëria ilegalisht, mbasi u kercnue me vrasje. Në vitin 1998 u kthye në Tiranë dhe në vitin 2000 ka emigruar në Australi. Edhe këtu nuk kanë munguar veprimet kundër tij nga metastazat e Sigurimit famëkeq të komunistëve të Tiranës. Falë Shtetit Australian që i ka siguruar jetën.
Këtu ka përfunduar në vitin 2002 librin “Një monument nën dhe” dhe ka vazhduar punën për një botim të dytë të librit “At Pjetër Meshkalla S.J.”, i botuem për të parën herë në Shqipëri në vitin 1993. Në vitin 1992-1993 është bashkautor i librit “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare 1944-1990”, libër i cili i është dhurue Papës Gjon Pali II, me rastin e vizitës në Shqipëri me 25 prill 1993. Kam përfundue edhe librin “Gurt’ e Parë” dhe është futë në “labirintet e demokracisë përparimtare”, me mujtë me i dhanë rinisë një punë tjetër modeste nga ana eme. Dy të fundit janë dorëshkrime. Përveç “publicistikës” tashti Radovani po punon mbi një libër të vogël (xhepi) për mësimin e bazave të para të GJUHËS SHQIPE (Gegërishtja e sotme), për nxënësit e rritun në Australi që kanë përfunduar shkollat e ulëta e nuk njohin Gegërishten.)